Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nxjerrim dobi kur durojmë vuajtjet

Nxjerrim dobi kur durojmë vuajtjet

Nxjerrim dobi kur durojmë vuajtjet

«Ne shpallim të lumtur ata që qëndruan.»​—JAKOVI 5:11.

1, 2. Nga duket se Jehovai nuk kishte për qëllim që njeriu të vuante?

ASNJË njeri me arsye nuk do që të vuajë. As Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, nuk do që njerëzit të vuajnë. Këtë e kuptojmë kur shqyrtojmë Fjalën e tij të frymëzuar dhe shohim ç’ngjau pasi krijoi burrin dhe gruan e parë. Në fillim Perëndia bëri burrin. «Perëndia Jehova formoi njeriun nga pluhuri i tokës dhe i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës, dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë.» (Zanafilla 2:7) Adami u krijua i përsosur në trup e në mendje, ndaj s’kish pse të sëmurej a të vdiste.

2 Në ç’kushte jetonte Adami? «Perëndia Jehova mbolli një kopsht në Eden, drejt lindjes, dhe vendosi atje njeriun që kishte formuar. Perëndia Jehova bëri të mbinte nga toka çdo pemë që ishte e dëshirueshme për sytë e njeriut dhe e mirë për ushqim.» (Zanafilla 2:8, 9) E pra, Adami kishte një shtëpi të mrekullueshme. Në Eden nuk dihej ç’ishte vuajtja.

3. Ç’e ardhme e priste çiftin e parë njerëzor?

3 Zanafilla 2:18 thotë: «Perëndia Jehova tha: ‘Nuk është mirë që njeriu të rrijë vetëm. Do t’i bëj një ndihmës, si një plotësim për të.’» Jehovai krijoi një grua të përsosur për Adamin, duke i ofruar kështu një jetë të lumtur familjare. (Zanafilla 2:21-23) Më tej, Bibla vazhdon: «Perëndia i bekoi dhe u tha: ‘Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni.’» (Zanafilla 1:28) Çifti i parë njerëzor kishte përpara privilegjin e madh që të shtrinte kufijtë e parajsës së Edenit, derisa tërë toka të kthehej në Parajsë. Gjithashtu, pasardhësit që do të sillnin në jetë, do të jetonin të lumtur e s’do ta njihnin vuajtjen. Fillim vërtet i shkëlqyer!​—Zanafilla 1:31.

Nisin vuajtjet

4. Ç’gjë është e dukshme në lidhje me njerëzimin, po ta shohim nga këndvështrimi historik?

4 Megjithatë, kur kthejmë kokën pas e kujtojmë kushtet në të cilat ka jetuar familja njerëzore gjatë historisë, është e dukshme se ka ndodhur diçka që e ndryshoi për keq rrjedhën e ngjarjeve. Kanë ndodhur plot të këqija dhe familja njerëzore ka hequr shumë. Shekull pas shekulli, të gjithë pasardhësit e Adamit dhe të Evës janë sëmurur, janë plakur e në fund kanë vdekur. Toka vetëm parajsë me njerëz të lumtur s’mund të quhet. Situata përshkruhet me terma shumë të saktë te Romakëve 8:22: «E gjithë krijesa—vazhdon të rënkojë së bashku dhe të përjetojë dhembje së bashku.»

5. Si i sollën vuajtje familjes njerëzore prindërit tanë të parë?

5 Jehovai nuk ka faj për vuajtjen e patregueshme që ka ekzistuar kaq gjatë. (2 Samuelit 22:31) Një pjesë të fajit duhet ta mbajë vetë njeriu, pasi ai «bën të këqija dhe ka sjellje të pështirë». (Psalmi 14:1) Prindërve tanë të parë s’u mungonte asgjë për një fillim të mbarë. S’u kërkohej asgjë më shumë se t’i bindeshin Perëndisë, mirëpo Adami dhe Eva kërkuan të ishin të pavarur nga Jehovai. Përderisa prindërit tanë të parë i kthyen shpinën, Jehovai nuk e ruajti më gjendjen e tyre të përsosur. Ata do të vinin duke u ligur derisa t’i vinte përfund vdekja. Papërsosmërinë e tyre e kemi trashëguar ne.​—Zanafilla 3:17-19; Romakëve 5:12.

6. Sa gisht pati Satanai në fillimet e vuajtjes?

6 Në fillimet e vuajtjes për njerëzimin pati gisht edhe një krijesë frymore që më vonë u quajt Satana Djalli. Ai gëzonte vullnet të lirë, por e shpërdoroi atë pasi lakmonte adhurimin e njerëzve. Mirëpo dihet që duhet adhuruar vetëm Jehovai dhe jo krijesat e tij. Pikërisht Satanai e nxiti Adamin dhe Evën të ishin të pavarur nga Jehovai, se kështu mund të ‘ishin si Perëndi dhe do të njihnin të mirën dhe të keqen’.​—Zanafilla 3:5.

Vetëm Jehovai ka të drejtë të sundojë

7. Çfarë tregojnë pasojat që ka sjellë rebelimi kundër Jehovait?

7 Pasojat e rënda që ka sjellë rebelimi tregojnë se vetëm Jehovai, Sovrani i Universit, ka të drejtën të sundojë dhe se vetëm sundimi i tij është i drejtë. Mijëvjeçarët që kanë kaluar, kanë treguar se Satanai, që u bë «sundimtari i kësaj bote», ka krijuar një sundim të lig, të padrejtë e të dhunshëm që të grabit çdo kënaqësi. (Gjoni 12:31) Veç kësaj, sundimi i gjatë e i çalë i njerëzve me dirigjues Satanain, ka treguar se ata nuk janë të aftë të sundojnë me drejtësi. (Jeremia 10:23) Pra, çdo lloj sundimi që mund t’u ketë shkuar në mendje njerëzve, të pavarur nga Jehovai, çon në mënyrë të pashmangshme drejt dështimit. Historia është dëshmitarja më e mirë e gjithë kësaj.

8. Cili është qëllimi i Jehovait për të gjitha format e sundimit njerëzor dhe si do ta arrijë këtë qëllim?

8 Pasi u ka lënë njerëzve mijëra vjet kohë për të eksperimentuar me forma të ndryshme sundimi, krejt të pavarur prej tij, Jehovai ka gjithë të drejtën ta pastrojë tokën prej tyre e t’i zëvendësojë me qeverinë e tij. Ja çfarë thotë një profeci lidhur me këtë: «Në ditët e atyre mbretërve, [sundimeve njerëzore], Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri [qeverinë e vet qiellore të drejtuar nga Krishti] që nuk do të shkatërrohet kurrë. . . . Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.» (Danieli 2:44) Sundimi njerëzor dhe ai demonik do të marrë fund, e mbi tokë do të sundojë vetëm Mbretëria qiellore e Perëndisë, e vetmja që do të ekzistojë. Mbreti i kësaj Mbretërie do të jetë Krishti dhe bashkë me të do të sundojnë edhe 144.000 besnikë të marrë nga toka.​—Zbulesa 14:1.

Vuajtja mund të sjellë dobi

9, 10. Si nxori dobi Jezui nga ato që vuajti?

9 Për ne është me interes të shqyrtojmë kërkesat që përmbushin ata që do të sundojnë në Mbretërinë qiellore. Në fillim, Krishti tregoi sa i denjë është ai për të qenë Mbret i kësaj Mbretërie. Ai kishte kaluar epoka pa fund përkrah Jehovait, duke kryer vullnetin e Atit si «kryemjeshtër» i Tij. (Proverbat 8:22-31) Kur Jehovai e dërgoi në tokë, Jezui nuk e bëri fjalën dysh. Gjëja kryesore për të këtu në tokë ishte t’u fliste të tjerëve për sovranitetin e Jehovait dhe Mbretërinë e tij. Jezui la një shembull të shkëlqyer për të gjithë ne, duke iu nënshtruar në mënyrë të plotë sovranitetit të Perëndisë.​—Mateu 4:17; 6:9.

10 Jezuin e përndoqën dhe në fund e vranë. Gjatë gjithë shërbimit të tij, ai pa gjithkund gjendjen e mjerë të njerëzimit. A i sollën dobi vuajtjet e të tjerëve dhe vuajtjet që hoqi edhe vetë? Po. Te Hebrenjve 5:8 thuhet: «Edhe pse ishte Bir, mësoi bindjen nga ato që vuajti.» Gjërat që kaloi në tokë, bënë që Jezui t’i kuptonte e t’i dhimbseshin të tjerët. Ai i provoi vetë kushtet në të cilat jetonte familja njerëzore. Ai e kuptonte vuajtjen e tyre, dhe kjo e bëri edhe më të vetëdijshëm pse kishte ardhur për t’i shpëtuar. Të shohim si e nxjerr në pah këtë apostulli Pavël në librin e Hebrenjve: «Ishte i detyruar të bëhej si ‘vëllezërit’ e tij në çdo aspekt, që të bëhej një kryeprift i mëshirshëm dhe i besueshëm në shërbimin e Perëndisë, me qëllim që të paraqiste një flijim pajtues për mëkatet e popullit. Meqë vuajti vetë kur u vu në provë, ai është në gjendje t’u vijë në ndihmë atyre që po vihen në provë.» «Ne nuk kemi si kryeprift një njeri që nuk bashkohet dot me ndjenjat tona në dobësitë që kemi, por dikë që është sprovuar në çdo aspekt si ne, por pa mëkat. Prandaj, le t’i afrohemi me lirshmëri në të folur fronit të dashamirësisë së pamerituar, që të marrim mëshirë e të gjejmë dashamirësi të pamerituar, për ndihmë në kohën e duhur.»​—Hebrenjve 2:17, 18; 4:14-16; Mateu 9:36; 11:28-30.

11. Si u sjell dobi mbretërve dhe priftërinjve të ardhshëm ajo që kanë hequr në tokë?

11 Pothuajse e njëjta gjë mund të thuhet edhe për 144.000 të mirosurit, të cilët «janë blerë» nga toka për të sunduar bashkë me Krishtin Jezu në Mbretërinë qiellore. (Zbulesa 14:4) Ata të gjithë lindën si njerëz në tokë, u rritën në një botë plot vuajtje dhe i hoqën ato edhe vetë. Shumë janë përndjekur, e disa madje janë vrarë, për shkak se kanë mbajtur integritetin ndaj Jehovait dhe kanë qenë të gatshëm të ndiqnin Jezuin. Atyre ‘nuk u ka ardhur turp për Zotërinë, por kanë vuajtur edhe vetë për lajmin e mirë’. (2 Timoteut 1:8) Të gjitha ato që kanë kaluar në tokë, i bëjnë veçanërisht të kualifikuar të gjykojnë familjen njerëzore kur të jenë në qiell. Kanë mësuar t’i kuptojnë të tjerët, të jenë të dashur e të gatshëm për t’i ndihmuar.​—Zbulesa 5:10; 14:2-5; 20:6.

Lumturia e atyre që shpresojnë të jetojnë në tokë

12, 13. Ç’dobi nxjerrin nga vuajtja ata që shpresojnë të jetojnë në tokë?

12 Ç’dobi nxjerrin nga vuajtjet e tanishme ata që shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në një parajsë tokësore ku s’do të ketë sëmundje, dhembje e vdekje? Askush s’e dëshiron dhembjen dhe ankthin që sjell vuajtja. Por, kur u bëjmë ballë vuajtjeve, mund të zhvillojmë cilësi edhe më të mira e të jemi të lumtur.

13 Të ndalemi e të shohim ç’thotë Fjala e Perëndisë për këtë: «Edhe sikur të vuani për hir të drejtësisë, lum ju!» «Nëse po ju poshtërojnë për emrin e Krishtit, lum ju!» (1 Pjetrit 3:14; 4:14) «Lum ju, kur njerëzit ju poshtërojnë e ju përndjekin dhe duke gënjyer thonë çdo lloj gjëje të ligë kundër jush për shkakun tim! Gëzoni dhe hovni nga gëzimi, sepse i madh është shpërblimi juaj në qiej.» (Mateu 5:11, 12) «Lum kush vazhdon të qëndrojë në sprovë, sepse, kur të miratohet, do të marrë kurorën e jetës!»​—Jakovi 1:12.

14. Në ç’kuptim vuajtja mund t’i bëjë të lumtur adhuruesit e Jehovait?

14 Patjetër që vuajtjet që po kalojmë nuk na lumturojnë. Lumturia e kënaqësia vijnë kur e dimë se po vuajmë ngaqë bëjmë vullnetin e Jehovait dhe ndjekim shembullin e Jezuit. Për shembull, në shekullin e parë, disa nga apostujt i mbyllën në qeli e më pas i nxorën para gjykatës së lartë judaike, ku i denoncuan ngaqë predikonin për Jezu Krishtin. I fshikulluan e më pas i liruan. Ç’qëndrim mbajtën ata? Bibla thotë se «ikën nga Sinedri të gëzuar, sepse ishin çmuar të denjë të çnderoheshin për emrin e tij». (Veprat 5:17-41) Gëzimi i tyre nuk vinte ngaqë u fshikulluan e u munduan fizikisht, por sepse e kuptuan që gjithë kjo kishte ndodhur ngaqë mbajtën integritetin ndaj Jehovait dhe ndoqën gjurmët e Jezuit.​—Veprat 16:25; 2 Korintasve 12:10; 1 Pjetrit 4:13.

15. Si na sjell dobi për të ardhmen përballimi i sprovave të tanishme?

15 Nëse e përballojmë kundërshtimin dhe përndjekjen me qëndrimin e duhur, mund të bëhemi më të qëndrueshëm. Kjo do të na ndihmojë t’u bëjmë ballë vuajtjeve që do të sjellë e ardhmja. Bibla thotë: «Quajeni veç gëzim, vëllezërit e mi, kur hasni sprova të ndryshme, duke e ditur se cilësia e sprovuar e besimit sjell qëndrueshmëri.» (Jakovi 1:2, 3) Gjithashtu, te Romakëve 5:3-5 thuhet: «Le të ngazëllojmë edhe në shtrëngime, sepse e dimë që shtrëngimi sjell qëndrueshmëri, qëndrueshmëria sjell një gjendje të miratuar, gjendja e miratuar sjell shpresë, dhe shpresa nuk çon në zhgënjim.» Pra, sa më shumë të qëndrojmë para sprovave që durojmë në këtë kohë për shkak të udhës sonë të krishterë, aq më të përgatitur do të jemi për të përballuar sprova të tjera në këtë sistem të lig.

Jehovai do të shpërblejë

16. Ç’do të bëjë Jehovai për mbretërit dhe priftërinjtë e ardhshëm për të zhdëmtuar vuajtjet e tyre?

16 Edhe humbja e të mirave që zotërojmë për shkak të kundërshtimit ose përndjekjes ngaqë ndjekim udhën e krishterë, nuk na e grabit kënaqësinë, sepse e dimë që Jehovai do të na i shpërblejë të gjitha. Për shembull ja çfarë u tha Pavli disave që kishin shpresë të shkonin në qiell: «Ju . . . pranuat me gëzim t’jua plaçkitnin zotërimet, duke e ditur se keni një zotërim më të mirë dhe të qëndrueshëm.» (Hebrenjve 10:34) S’mund ta marrim dot me mend gëzimin e tyre kur, nën drejtimin e Jehovait dhe të Krishtit, do t’u shpërndajnë banorëve të tokës bekimet e mrekullueshme të botës së re. Sa të vërteta janë fjalët e apostullit Pavël drejtuar të krishterëve besnikë: «Jam i mendimit se vuajtjet e tanishme nuk janë asgjë në krahasim me lavdinë që do të zbulohet te ne.»​—Romakëve 8:18.

17. Çfarë do të bëjë Jehovai për ata që kanë shpresë tokësore e që i shërbejnë me besnikëri në këtë kohë?

17 Gjithashtu, për çdo gjë që shërbëtorët me shpresë tokësore mund të humbin ose sakrifikojnë vullnetarisht në këtë kohë, Jehovai do t’i shpërblejë me bollëk me atë që do të bëjë në ardhmen. Ai do t’u falë një jetë të përsosur e pa fund në një tokë parajsore. Në botën e re Jehovai «do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më». (Zbulesa 21:4) Sa i mrekullueshëm ky premtim! Asgjë nga ato që sakrifikojmë si shërbëtorë të Jehovait në botën që po jetojmë, s’mund të barazohet me jetën e mrekullueshme që na pret, të cilën ai do t’ua japë besnikëve të tij që qëndrojnë përballë vuajtjeve.

18. Ç’premtim ngushëllues na jep Jehovai në Fjalën e tij?

18 Asnjë nga vuajtjet që mund të kemi përpara, s’do të na e prishë gëzimin me të cilin e presim jetën e përhershme në botën e re të Perëndisë. Të gjitha do të dëmshpërblehen nga kushtet e mrekullueshme në botën e re. Isaia 65:17, 18 thotë: «Gjërat e mëparshme nuk do të vijnë më në mendje dhe as do të zgjohen më në zemër. Por ju ngazëlloni e jini gjithmonë të gëzuar për atë që krijoj.» Prandaj, ishin me vend fjalët e Jakovit, gjysmëvëllait të Jezuit, që tha: «Ne shpallim të lumtur ata që qëndruan.» (Jakovi 5:11) Po, nëse i përballojmë me besnikëri vuajtjet e tanishme, mund të nxjerrim dobi tani dhe në të ardhmen.

Si do të përgjigjeshit?

• Si ndodhi që njerëzit u përballën me vuajtjet?

• Ç’dobi mund t’u sjellin vuajtjet sundimtarëve dhe banorëve të ardhshëm të tokës?

• Pse mund të jemi të lumtur që tani, pavarësisht nga vuajtjet?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 27]

Prindërit tanë të parë kishin përpara një të ardhme të mrekullueshme

[Figura në faqen 29]

Duke parë vuajtjet, Jezui u përgatit për të qenë një Mbret dhe Kryeprift i shkëlqyer

[Figura në faqen 31]

Apostujt ishin ‘të gëzuar, sepse ishin çmuar të denjë të çnderoheshin’ për besimin e tyre