Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«U shkrua për mësimin tonë»

«U shkrua për mësimin tonë»

«U shkrua për mësimin tonë»

«NUK ka fund bërja e shumë librave.» (Eklisiastiu 12:12) Sot që jetojmë në një det me materiale të shtypura, këto fjalë janë po aq të vërteta sa në kohën kur u shkruan. Atëherë, si mund ta marrë me mend një lexues përzgjedhës cili prej tyre meriton vëmendjen e tij?

Kur ia vënë syrin një libri që u duket interesant, shumë lexues duan të dinë diçka edhe për autorin. Prandaj, shpesh botuesit përfshijnë disa rreshta ku tregojnë vendlindjen e shkrimtarit, fushat ku është diplomuar dhe një listë me veprat që ka botuar. Identiteti i një shkrimtari është i rëndësishëm, siç duket edhe nga fakti që autoret femra, shekuj më parë, shpesh i botonin veprat e tyre me një pseudonim mashkullor, që lexuesit të mos e paragjykonin librin vetëm ngaqë ishte shkruar nga një grua.

Siç u përmend në artikullin e mëparshëm, të vjen vërtet keq që disa i lënë mënjanë Shkrimet Hebraike, sepse besojnë se në to Perëndia paraqitet si një hyjni mizore që u tregua i pamëshirshëm me armiqtë e tij. * Le të shohim çfarë na tregojnë Shkrimet Hebraike dhe Shkrimet e Krishtere Greke për Autorin e Biblës.

Dy fjalë për autorin

Shkrimet Hebraike tregojnë se Perëndia i tha kombit të Izraelit: «Unë jam Jehovai, dhe s’kam ndryshuar.» (Malakia 3:6) Rreth 500 vjet më vonë, Jakovi, një shkrimtar biblik, shkroi për Perëndinë: «Nuk ndryshon, siç ndryshon hija gjatë rrotullimit.» (Jakovi 1:17) Atëherë, pse disa njerëz mendojnë se Perëndia që zbulojmë në Shkrimet Hebraike ndryshon nga Perëndia i Shkrimeve të Krishtere Greke?

Përgjigjja është se pjesë të ndryshme të Biblës zbulojnë aspekte të ndryshme të personalitetit të Perëndisë. Vetëm në librin e Zanafillës ai përshkruhet si një Perëndi që «u hidhërua në zemër», si ‘Bërësi i qiellit e i tokës’ dhe si «Gjykatësi i gjithë tokës». (Zanafilla 6:6; 14:22; 18:25) A nuk i referohen këto përshkrime të ndryshme të njëjtit Perëndi? Patjetër që po.

Le ta ilustrojmë me një shembull. Një gjykatës mund të njihet nga ata që janë përballur me të në gjyq si një zbatues i rreptë i ligjit. Kurse fëmijët e tij mund ta shohin si një baba të dashur e me zemër të madhe. Miqtë e ngushtë mund të kenë gjetur tek ai një shok të afrueshëm e me ndjenjë të spikatur humori. Gjykatësi, babai dhe shoku janë të gjithë i njëjti person. Vetëm se në rrethana të ndryshme bien në sy aspekte të ndryshme të personalitetit të tij.

Në mënyrë të ngjashme, në Shkrimet Hebraike, Jehovai na paraqitet si «një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, që nuk zemërohet shpejt, që është plot dashamirësi e të vërtetë». Megjithatë, në to mësojmë edhe se ai «në asnjë mënyrë nuk e lë pa ndëshkuar fajtorin». (Dalja 34:6, 7) Pikërisht këto dy tipare pasqyrojnë domethënien e emrit të Perëndisë. Jehova do të thotë shprehimisht «Ai shkakton të bëhet». Domethënë se Perëndia kthehet në gjithçka që nevojitet për të përmbushur premtimet e tij. (Dalja 3:13-15) E megjithatë, mbetet i njëjti Perëndi. Jezui tha: «Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova.»—Marku 12:29.

A janë zëvendësuar Shkrimet Hebraike?

Sot nuk ndodh rrallë që informacioni në tekstet shkollore të zëvendësohet kur nga kërkimet dalin rezultate të reja ose kur ndryshon opinioni i përgjithshëm. A janë zëvendësuar në këtë kuptim Shkrimet Hebraike me Shkrimet e Krishtere Greke? Jo.

Nëse Jezui kishte ndër mend që të zëvendësonte Shkrimet Hebraike me tregimet për shërbimin e tij dhe me shkrimet e dishepujve të vet, me siguri do ta kishte bërë të ditur këtë. Mirëpo ja si shprehet Luka për Jezuin pak para se ai të ngjitej në qiell: «Duke nisur që nga Moisiu deri te gjithë profetët [në Shkrimet Hebraike], u shpjegoi [dy dishepujve të tij] në të gjitha Shkrimet gjërat që kishin të bënin me të.» Më vonë, Jezui iu shfaq apostujve të tij besnikë dhe disa të tjerëve. Tregimi vazhdon: «Pastaj u tha: ‘Kur isha ende me ju, ju thashë se të gjitha gjërat e shkruara për mua te ligji i Moisiut, te Profetët dhe te Psalmet do të përmbusheshin.’» (Luka 24:27, 44) Pse në fund të shërbimit të tij në tokë Jezui vazhdonte të citonte nga Shkrimet Hebraike, nëse atyre u kishte ikur koha?

Pas formimit të kongregacionit të krishterë, ithtarët e Jezuit vazhduan t’i përdornin Shkrimet Hebraike për ta vënë theksin te profecitë që do të përmbusheshin në të ardhmen. Gjithashtu, i përdorën për të nxjerrë dobi nga parimet e Ligjit të Moisiut që përmbanin mësime të vlefshme dhe nga tregimet e shërbëtorëve të lashtë të Perëndisë, të cilët me shembullin e tyre të shkëlqyer i inkurajojnë të krishterët të qëndrojnë besnikë. (Veprat 2:16-21; 1 Korintasve 9:9, 10; Hebrenjve 11:1–12:1) «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»,—shkroi Pavli. * (2 Timoteut 3:16) Ç’vlerë kanë për ne sot Shkrimet Hebraike?

Këshilla për jetën e përditshme

Të ndalemi te paragjykimi racial, një problem i ditëve të sotme. Një djalë 21-vjeçar nga Etiopia, që jeton në një qytet të Evropës Lindore, thotë: «Nëse duam të shkojmë diku, duhet të dalim në grup. Kur jemi grup mbase nuk na sulmojnë.» Ai vazhdon: «S’mund të dalim nga shtëpia pas orës 6 pasdite, sidomos nëpër metro. Kur na shohin, njerëzit e kanë mendjen te ngjyra jonë e lëkurës.» A e prekin Shkrimet Hebraike këtë problem të koklavitur?

Izraelitëve të lashtë u ishte thënë: «Mos e keqtrajtoni atë që banon si i ardhur në vendin tuaj. Ai që banon si i ardhur mes jush, duhet të jetë njësoj si vendësit. Duajeni si veten, sepse edhe ju ishit të huaj në Egjipt.» (Levitiku 19:33, 34) Ky ligj në Izraelin e lashtë kërkonte që emigrantët, ose ‘të ardhurit’, të respektoheshin, ligj që ruhet ende në Shkrimet Hebraike. A nuk mendoni edhe ju se parimet e dokumentuara në atë ligj mund të jenë baza për të zgjidhur një herë e mirë problemin e paragjykimit racial në kohën tonë?

Megjithëse nuk japin këshilla të hollësishme në fushën financiare, Shkrimet Hebraike japin udhëzime praktike se si t’i përdorim me mençuri paratë. Për shembull, te Proverbat 22:7 lexojmë: «Huamarrësi është shërbëtor i huadhënësit.» Shumë këshilltarë në fushën financiare pajtohen me mendimin se të blesh me kredi pa u menduar mirë, mund të çojë drejt rrënimit ekonomik.

Veç kësaj, dëshirën për t’u pasuruar me çdo kusht—një gjë kaq të zakonshme në botën e sotme materialiste—e përshkroi me terma të saktë mbreti Solomon, një prej njerëzve më të pasur që ka njohur historia. Ai shkroi: «Ai që do argjendin, nuk do të ngopet me argjend, as ai që do pasurinë, me të ardhura. Edhe kjo është kotësi.» (Eklisiastiu 5:10) A nuk janë një paralajmërim i mençur këto fjalë?

Shpresë për të ardhmen

E gjithë Bibla zhvillon një temë të vetme: Mbretëria që do të drejtohet nga Jezu Krishti është mjeti që do të përdorë Perëndia për të shfajësuar sovranitetin e tij dhe për të shenjtëruar emrin e vet.​—Danieli 2:44; Zbulesa 11:15.

Shkrimet Hebraike na japin hollësi se si do të jetë jeta nën Mbretërinë e Perëndisë, dhe kjo na ngushëllon e na afron më shumë me Burimin e këtij ngushëllimi, Perëndinë Jehova. Për shembull, profeti Isaia paratha se do të kishte paqe mes njerëzve dhe kafshëve: «Ujku do të rrijë hera-herës me qengjin; leopardi do të shtrihet me kecin. Viçi, luani i ri me krifë dhe kafsha e majme do të jenë të gjithë bashkë, dhe një djalë i vogël do t’u prijë.» (Isaia 11:6-8) Një e ardhme vërtet e bukur!

Por, çfarë thonë Shkrimet Hebraike për ata që janë të paprivilegjuar për shkak të paragjykimit racial ose etnik, sëmundjeve të rënda ose faktorëve ekonomikë që s’i kanë në dorë? Shkrimet Hebraike flasin në mënyrë profetike për Krishtin Jezu: «Ai do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë, si dhe të munduarin e këdo që nuk ka kush e ndihmon. Atij do t’i dhimbset i përvuajturi dhe i varfri, dhe do ta shpëtojë shpirtin e të varfërve.» (Psalmi 72:12, 13) Këto premtime kanë vlerë praktike, sepse i ndihmojnë ata që tregojnë besim në to që ta përballojnë të ardhmen me shpresë dhe siguri.—Hebrenjve 11:6.

S’është çudi pse apostulli Pavël u frymëzua të shkruante: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë.» (Romakëve 15:4) Po, Shkrimet Hebraike vazhdojnë të jenë një pjesë e pandarë e Fjalës së frymëzuar të Perëndisë, Biblës. Ato kanë vlerë të vërtetë për ne sot. Shpresojmë që të përpiqeni të mësoni më shumë në lidhje me gjithë Biblën dhe se çfarë mëson me të vërtetë ajo për t’iu afruar më shumë Autorit të saj, Perëndisë Jehova.​—Psalmi 119:111, 112.

[Shënimet]

^ par. 4 Në këtë artikull Dhiatës së Vjetër i referohemi si Shkrimet Hebraike. (Shih kutinë «Dhiata e Vjetër apo Shkrimet Hebraike» në faqen 6.) Po ashtu, Dëshmitarët e Jehovait i referohen Dhiatës së Re si Shkrimet e Krishtere Greke.

^ par. 13 Në Shkrimet Hebraike gjejmë shumë parime me vlerë të madhe për ditët tona. Megjithatë, është rasti të përmendim se të krishterët nuk janë nën Ligjin që Perëndia i dha kombit të Izraelit përmes Moisiut.

[Kutia në faqen 6]

DHIATA E VJETËR APO SHKRIMET HEBRAIKE?

Shprehja ‘dhiata e vjetër’ gjendet te 2 Korintasve 3:14Përkthimin e Kristoforidhit. Në atë varg, ‘dhiata’ është përdorur për fjalën diathéke në greqisht. Megjithatë shumë përkthime moderne, si Diodati i Ri, nuk e përkthejnë fjalën diathéke ‘dhiatë’ por ‘besëlidhje’. Pse?

Leksikografi Eduard Robinson ka thënë: «Besëlidhja e lashtë gjendet në librat e Moisiut, prandaj [diathéke] i referohet librit të besëlidhjes, shkrimeve të Moisiut, domethënë ligjit.» Te 2 Korintasve 3:14 apostulli Pavël po i referohej Ligjit të Moisiut, i cili përbën vetëm një pjesë të Shkrimeve para kohës së krishtere.

Atëherë, a ka një term më të përshtatshëm për 39 librat e parë të Biblës së Shenjtë? Për të mos nënkuptuar se kjo pjesë e Biblës ishte e vjetër ose i kishte ikur koha, Jezu Krishti dhe ithtarët e tij iu referuan këtyre teksteve si ‘Shkrimet’ dhe «Shkrimet e shenjta». (Mateu 21:42; Romakëve 1:2) Prandaj, në përputhje me këto shprehje të frymëzuara, Dëshmitarët e Jehovait i referohen Dhiatës së Vjetër si Shkrimet Hebraike, sepse në fillim kjo pjesë e Biblës u shkrua kryesisht në hebraisht. Po ashtu, asaj që gjerësisht quhet Dhiata e Re u referohen si Shkrimet Greke, sepse ata që u frymëzuan nga Perëndia për të dokumentuar atë pjesë të Biblës shkruan në greqisht.

[Figurat në faqen 4]

Një burrë mund të njihet si gjykatës i vendosur, baba i dashur dhe shok i afrueshëm

[Figura në faqen 5]

Jezui i përdori Shkrimet Hebraike gjatë gjithë shërbimit të tij

[Figurat në faqen 7]

Cilat parime biblike mund ta ndihmojnë një njeri të marrë vendimet e duhura?