Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të tregojmë mëshirë?

Si të tregojmë mëshirë?

Si të tregojmë mëshirë?

«Le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim.»​—GALATASVE 6:10.

1, 2. Çfarë mësojmë për mëshirën nga ilustrimi i samaritanit të mirë?

TEK fliste me Jezuin, një burrë që e njihte mirë Ligjin e pyeti: «Kush është në të vërtetë i afërmi im?» Jezui iu përgjigj me këtë ilustrim: «Një njeri po zbriste nga Jerusalemi për në Jeriko. Rrugës ra në duart e kusarëve, që e zhveshën dhe i hynë në dru. Pastaj ata ikën dhe e lanë gjysmë të vdekur. Rastësisht, në atë rrugë po zbriste një prift, i cili kur e pa, vazhdoi në anën tjetër. Në atë vend kaloi edhe një levit, i cili e pa dhe vazhdoi në anën tjetër. Nëpër atë rrugë po udhëtonte edhe një samaritan. Kur kaloi pranë tij, ai e pa dhe, i shtyrë nga keqardhja, iu afrua, ia lidhi plagët dhe derdhi mbi to vaj dhe verë. Pastaj e hipi në kafshën e vet dhe e çoi në një han, ku u kujdes për të. Të nesërmen nxori dy denarë, ia dha hanxhiut dhe i tha: ‘Kujdesu për të dhe ç’të shpenzosh më tepër, do të ta paguaj kur të kthehem.’» Pastaj Jezui e pyeti: «Cili nga këta të tre të duket se u bë i afërm i njeriut që ra në duart e kusarëve?» Përgjigjja ishte: «Ai që veproi me mëshirë me të.»​—Luka 10:25, 29-37a.

2 Kujdesi i samaritanit për burrin e plagosur ilustron në mënyrë të gjallë se çfarë është mëshira e vërtetë. Keqardhja ose dhembshuria e nxitën samaritanin t’i jepte ndihmë konkrete të lënduarit, dhe këtu është rasti të përmendim se nevojtari ishte i huaj për samaritanin. Pra, pengesat kombëtare, fetare ose kulturore nuk janë një mur i pakapërcyeshëm për të treguar mëshirë. Pas ilustrimit për samaritanin e mirë, Jezui e këshilloi atë me të cilin po bisedonte: «Shko e bëj njëlloj edhe ti.» (Luka 10:37b) Bëjmë mirë t’ia vëmë veshin kësaj këshille dhe të përpiqemi të tregojmë mëshirë ndaj të tjerëve. Por, si? Në cilat mënyra mund të tregojmë mëshirë në jetën e përditshme?

‘Nëse një vëlla është i zhveshur’

3, 4. Pse duhet të jetë veçanërisht e rëndësishme për ne të tregojmë mëshirë brenda kongregacionit?

3 «Derisa të kemi kohë të volitshme,—ka thënë apostulli Pavël,—le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim.» (Galatasve 6:10) Prandaj, le të shohim në fillim si mund t’u tregojmë mëshirë bujarisht atyre që janë të lidhur me ne në besim.

4 Për t’i nxitur të krishterët e vërtetë të tregonin mëshirë ndaj njëri-tjetrit, dishepulli Jakov shkroi: «Ai që nuk tregon mëshirë, pa mëshirë do të gjykohet.» (Jakovi 2:13) Konteksti i këtyre fjalëve të frymëzuara na tregon disa mënyra si mund ta bëjmë zakon t’u tregojmë mëshirë të tjerëve. Për shembull, te Jakovi 1:27 lexojmë: «Adhurimi i pastër dhe i pandotur nga pikëpamja e Perëndisë, Atit tonë, është ky: të kujdesesh për jetimët dhe vejushat në vështirësitë e tyre dhe ta ruash veten të panjollë nga bota.» Te Jakovi 2:15, 16 thuhet: «Nëse një vëlla ose motër janë të zhveshur dhe nuk u mjafton ushqimi çdo ditë, e ndonjë nga ju u thotë: ‘Shkoni në paqe, rrini ngrohtë dhe ngopuni’, por nuk u jep çka u nevojitet për trupin, ç’dobi ka?»

5, 6. Si mund t’u tregojmë mëshirë me bujari të tjerëve në kongregacionin tonë?

5 Kujdesi për të tjerët dhe ndihma ndaj atyre në nevojë është shenjë e fesë së vërtetë. Mënyra jonë e adhurimit nuk na lejon që kujdesin për të tjerët ta shprehim veç me një fjalë goje, duke thënë: ‘Mos u mërzit se do të rregullohet.’ Përkundrazi, një zemër e dhembshur na nxit të bëjmë diçka konkrete për ata që kanë vërtet nevojë. (1 Gjonit 3:17, 18) Për shembull, kur i përgatitim për të ngrënë një të sëmuri, kur ndihmojmë një të moshuar në punët e shtëpisë, kur i sigurojmë transport për në mbledhje atëherë kur është e nevojshme dhe kur nuk jemi dorështrënguar me ata që e meritojnë, po kryejmë vepra që tregojnë mëshirë me bujari ndaj të tjerëve.​—Ligji i përtërirë 15:7-10.

6 Më e rëndësishme se ndihma materiale është ndihma frymore në të mirë të anëtarëve të kongregacionit të krishterë që sa vjen e zgjerohet. Ne nxitemi ‘t’u flasim në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar e të mbështetim të dobëtit’. (1 Selanikasve 5:14) «Gratë e moshuara» nxiten të jenë «mësuese të së mirës». (Titit 2:3) Për mbikëqyrësit e krishterë Bibla thotë: «Secili do të jetë si një strehë për t’u mbrojtur nga era dhe si një vend për t’u fshehur nga shtrëngata.»​—Isaia 32:2.

7. Çfarë mësojmë në lidhje me mëshirën nga dishepujt në Antioki të Sirisë?

7 Përveç kujdesit për vejushat, jetimët dhe ata që kishin nevojë për ndihmë e inkurajim në kongregacionin e tyre, kongregacionet e shekullit të parë shpesh morën masa për të ndihmuar edhe besimtarët e vendeve të tjera në krizë. Për shembull, profeti Agab paratha se «në gjithë tokën e banuar do të vinte pas pak një zi buke e madhe», dhe dishepujt në Antioki të Sirisë «vendosën që gjithsecili, sipas mundësisë, të jepte ndihmë për vëllezërit që banonin në Jude». Ato që mblodhën, ua nisën pleqve «nëpërmjet Barnabës dhe Saulit». (Veprat 11:28-30) Po sot? «Skllavi i besueshëm dhe i matur» ka organizuar komitete për t’u shkuar në ndihmë vëllezërve që mund të jenë prekur nga katastrofa natyrore, si uraganet, tërmetet ose tsunamet. (Mateu 24:45) Bashkëpunimi vullnetar me këtë masë, duke kontribuar me kohën, përpjekjet dhe të ardhurat tona, është një mënyrë e shkëlqyer për të treguar mëshirë.

«Nëse vazhdoni të mbani me hatër»

8. Si e pengon shfaqjen e mëshirës mbajtja me hatër?

8 Jakovi tërhoqi vëmendjen drejt një karakteristike që pengon shfaqjen e mëshirës dhe të ‘ligjit mbretëror’ të dashurisë. Ai shkroi: «Nëse vazhdoni të mbani me hatër, po bëni mëkat, sepse qortoheni nga ligji si shkelës.» (Jakovi 2:8, 9) Kur mbajmë me hatër të pasurit ose ata që kanë pozitë, mund të bëhemi më pak të ndjeshëm ndaj «britmës së ankimit të të varfërve». (Proverbat 21:13) Mbajtja me hatër e ndrydh frymën e mëshirës. Mëshira tregohet duke qenë të paanshëm me të tjerët.

9. Pse nuk është e gabuar t’u tregosh vëmendje të veçantë atyre që e meritojnë?

9 Mos ndoshta të jesh i paanshëm do të thotë që s’duhet t’i tregojmë asnjëherë vëmendje të veçantë dikujt? Sigurisht që jo. Ja çfarë u shkroi apostulli Pavël të krishterëve në Filipi për Epafroditin, bashkëpunëtorin e tij: «Vazhdoni t’i keni të shtrenjtë këta lloj njerëzish.» Pse? «Sepse, për shkak të veprës së Zotërisë, ai u gjend fare pranë vdekjes, dhe vuri shpirtin në rrezik, që të plotësonte mungesën tuaj këtu e të më shërbente vetë.» (Filipianëve 2:25, 29, 30) Epafroditi meritonte mirënjohje për shërbimin e tij besnik. Veç kësaj, te 1 Timoteut 5:17 lexojmë: «Pleqtë që drejtojnë në mënyrë të shkëlqyer, të çmohen të denjë për nderim të dyfishtë, sidomos ata që punojnë pa u lodhur në fjalë dhe në mësimdhënie.» Edhe ata që shfaqin cilësi të mira frymore meritojnë mirënjohjen tonë. Të tregosh një vëmendje të tillë nuk është njësoj si të mbash me hatër.

«Mençuria nga lart është . . . plot mëshirë»

10. Pse duhet t’i vëmë fre gjuhës?

10 Për gjuhën Jakovi tha: «Është një e keqe e pakontrollueshme, plot helm vdekjeprurës. Me të bekojmë Jehovain, po, Atin, e megjithatë, me të mallkojmë edhe njerëzit që erdhën në jetë ‘në ngjashmëri të Perëndisë’. Nga e njëjta gojë dalin bekimi dhe mallkimi.» Në këtë kontekst, Jakovi shtoi: «Nëse në zemrat tuaja keni xhelozi të hidhur dhe frymë grindjeje, mos u mbani me të madh dhe mos gënjeni kundër së vërtetës. Kjo nuk është mençuri që zbret nga lart, por është tokësore, shtazarake e demonike. Sepse ku ka xhelozi dhe frymë grindjeje, ka edhe trazirë dhe çdo gjë të poshtër. Por mençuria nga lart është para së gjithash e dëlirë, pastaj paqësore, e arsyeshme, e gatshme të bindet, plot mëshirë dhe fryte të mira, nuk mban anë dhe nuk është hipokrite.»​—Jakovi 3:8-10, 14-17.

11. Si mund të tregojmë mëshirë me mënyrën si flasim?

11 Pra, mënyra si u flasim të tjerëve tregon nëse kemi apo jo atë lloj mençurie që është «plot mëshirë». Çfarë do të tregonim nëse nga xhelozia ose fryma e grindjes do të mburreshim, do të gënjenim ose do të përhapnim thashetheme dashakeqe për të tjerët? Në Psalmin 94:4 thuhet: «Të gjithë ata që merren me të këqija, mbahen me të madh.» Veç kësaj, sa shpejt mund t’ia prishin emrin e mirë një të pafajshmi fjalët e dëmshme! (Psalmi 64:2-4) Gjithashtu, mendo për dëmin që mund të shkaktojë «dëshmitari i rremë [që] lëshon veç gënjeshtra’. (Proverbat 14:5; 1 Mbretërve 21:7-13) Pasi flet për keqpërdorimin e gjuhës, Jakovi thotë: «Nuk është mirë, vëllezërit e mi, që të vazhdojnë të ndodhin këto gjëra.» (Jakovi 3:10b) Mëshira e vërtetë kërkon që t’u flasim të tjerëve me dëlirësi, paqe e arsye. Jezui tha: «Unë po ju them se Ditën e Gjykimit njerëzit do të japin llogari për të gjitha fjalët e kota që thonë.» (Mateu 12:36) Sa e rëndësishme është që të tregojmë mëshirë me mënyrën si flasim!

‘Faluani njerëzve shkeljet’

12, 13. (a) Çfarë na mëson për mëshirën ilustrimi i skllavit që i kishte borxh zotërisë së tij një shumë të madhe parash? (b) Çfarë do të thotë ta falim vëllanë «shtatëdhjetë e shtatë herë»?

12 Ilustrimi i Jezuit për skllavin që i kishte borxh zotërisë së tij, mbretit, 60 milionë denarë, tregon një mënyrë tjetër si mund të tregojmë mëshirë. Meqë s’kishte me se t’ia kthente borxhin, skllavi u lut për mëshirë. «I shtyrë nga keqardhja», zotëria ia fali borxhin. Mirëpo, kur doli jashtë e takoi një skllav tjetër që i kishte borxh vetëm njëqind denarë, ai u tregua i pamëshirshëm dhe e futi në burg. Kur zotëria mori vesh ç’kish ndodhur, e thirri skllavin që kishte falur dhe i tha: «Skllav i lig, unë të fala gjithë atë borxh kur m’u përgjërove. A nuk duhej që edhe ti të kishe mëshirë për shokun tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë për ty?» I nxehur, zotëria ua dorëzoi rojave të burgut. Jezui e përfundoi ilustrimin me fjalët: «Po kështu do të veprojë edhe Ati im qiellor me ju, nëse secili nuk e fal vëllanë e vet me gjithë zemër.»​—Mateu 18:23-35.

13 Sa qartë e tregon ilustrimi i mësipërm se mëshira përfshin edhe gatishmërinë për të falur! Jehovai na ka falur një borxh të madh, mëkatin. A nuk duhet që edhe ne ‘t’ua falim njerëzve shkeljet’? (Mateu 6:14, 15) Para se Jezui të tregonte ilustrimin për skllavin e pamëshirshëm, Pjetri e kishte pyetur: «Zotëri, sa herë duhet ta fal tim vëlla, nëse ai mëkaton kundër meje? Shtatë herë?» Jezui ia ktheu: «Unë po të them: jo shtatë herë, por shtatëdhjetë e shtatë herë.» (Mateu 18:21, 22) Po, kush është i mëshirshëm është gati të falë «shtatëdhjetë e shtatë herë», domethënë pa kufi.

14. Si mund të tregojmë mëshirë çdo ditë, sipas Mateut 7:1-4?

14 Për të treguar një mënyrë tjetër si të shfaqim mëshirë, Jezui tha në Predikimin në Mal: «Mos i gjykoni më të tjerët, që të mos gjykoheni, sepse ju do të gjykoheni me po atë gjykim që gjykoni. . . . Pse shikon lëmishten në syrin e vëllait, dhe nuk vëren traun në syrin tënd? Si mund t’i thuash vëllait: ‘Prit pak të të heq lëmishten nga syri’, kur për vete ke një tra në sy?» (Mateu 7:1-4) Prandaj, mund të tregojmë mëshirë çdo ditë, duke mos i parë me lupë dobësitë e të tjerëve për t’i gjykuar ose për t’i kritikuar ashpër.

«Të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve»

15. Pse mëshira jonë nuk kufizohet vetëm te bashkëbesimtarët?

15 Megjithëse libri biblik i Jakovit e vë theksin te mëshira që duhet të tregojmë mes bashkëbesimtarëve, kjo s’do të thotë se mëshira jonë kufizohet vetëm brenda kongregacionit të krishterë. «Jehovai është i mirë ndaj të gjithëve,—thotë Psalmi 145:9,—dhe u tregon mëshirë tërë veprave të tij.» Bibla na nxit ‘të bëhemi imitues të Perëndisë’ dhe «të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve». (Efesianëve 5:1; Galatasve 6:10) Megjithëse nuk e duam «botën, as gjërat që janë në botë», nuk jemi moskokëçarës ndaj nevojave që kanë njerëzit që na rrethojnë.​—1 Gjonit 2:15.

16. Cilët faktorë ndikojnë në mënyrën si tregojmë mëshirë për të tjerët?

16 Si të krishterë ne nuk ngurrojmë të ndihmojmë me se të mundemi viktimat e ‘ngjarjeve të paparashikuara’ ose të situatave të rënda. (Eklisiastiu 9:11) Rrethanat do të na diktojnë se sa mund t’i ndihmojmë dhe si mund ta bëjmë këtë. (Proverbat 3:27) Kur u vijmë në ndihmë të tjerëve, ne duam të jemi të kujdesshëm që me të mirat që bëjmë të mos përkrahim përtacinë. (Proverbat 20:1, 4; 2 Selanikasve 3:10-12) Prandaj, kush tregon mëshirë të vërtetë nuk vepron vetëm me dhembshuri në zemër ose keqardhje, por edhe me arsye të shëndoshë.

17. Cila është mënyra më e mirë për t’u treguar mëshirë atyre që nuk bëjnë pjesë në kongregacionin e krishterë?

17 Mënyra më e mirë për t’u treguar mëshirë atyre që nuk bëjnë pjesë në kongregacionin e krishterë është t’u mësojmë të vërtetën e Biblës. Pse? Sepse pjesa dërrmuese e njerëzimit sot endet kuturu nëpër errësirën frymore. Duke mos ditur si t’i zgjidhin problemet dhe duke mos pasur shpresë të vërtetë për të ardhmen, shumica e njerëzve janë «të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari». (Mateu 9:36) Mesazhi i Fjalës së Perëndisë mund të jetë për ta si «një llambë për këmbën», që i ndihmon të përballojnë problemet e jetës. Gjithashtu, mund të jetë ‘një dritë për shtegun e tyre’, pasi Bibla parathotë qëllimin e Perëndisë për të ardhmen, dhe kjo është baza për një shpresë të shkëlqyer. (Psalmi 119:105) Sa privilegj i madh është t’u çojmë mesazhin e mrekullueshëm të së vërtetës atyre që kanë shumë nevojë për të! Përderisa ‘shtrëngimi i madh’ është te pragu, s’duhet të humbim kohë të predikojmë me zell Mbretërinë dhe të bëjmë dishepuj. (Mateu 24:3-8, 21, 22, 36-41; 28:19, 20) S’ka mëshirë më të madhe se kjo!

Jepni «gjërat që keni brenda»

18, 19. Pse është e nevojshme t’i futemi punës për të treguar sa më shumë mëshirë në jetën tonë?

18 «Jepni si lëmoshë gjërat që keni brenda»,—tha Jezui. (Luka 11:41) Që të tregojë mëshirë të vërtetë, e mira që bëjmë duhet të jetë një dhuratë që vjen nga brenda, nga një zemër e dashur e që s’kursehet. (2 Korintasve 9:7) Sa ta ngroh shpirtin kjo lloj mëshire në një botë ku vrazhdësia, egoizmi dhe moskokëçarja për vuajtjet dhe problemet e të tjerëve janë kaq të zakonshme!

19 Ndaj le t’i futemi punës për të treguar sa më shumë mëshirë në jetën tonë! Sa më të mëshirshëm të jemi, aq më shumë i përafrohemi Perëndisë. Kjo na ndihmon të bëjmë një jetë vërtet domethënëse dhe të kënaqshme.​—Mateu 5:7.

Çfarë keni mësuar?

• Pse është veçanërisht e rëndësishme të jemi të mëshirshëm me bashkëbesimtarët?

• Si mund të tregojmë mëshirë brenda kongregacionit të krishterë?

• Si të bëjmë të mirën ndaj atyre që s’janë pjesë e kongregacionit?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 26]

Samaritani u tregua i mëshirshëm

[Figurat në faqen 27]

Të krishterët tregojnë mëshirë me bujari

[Figura në faqen 30]

Mënyra më e mirë për t’u treguar mëshirë atyre që s’bëjnë pjesë në kongregacion është t’u mësojmë të vërtetën e Biblës