Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A ishte e gabuar që Jakobi u hoq sikur ishte Esau, siç është shkruar te Zanafilla 27:18, 19?

Ndoshta e njihni mirë këtë tregim. Kur ishte i moshuar, Isaku i tha Esaut që të gjuante ca gjah. «Ma sill ta ha, që shpirti im të të bekojë para se të vdes»,—tha ai. Kur dëgjoi se çfarë tha i shoqi, Rebeka përgatiti një gjellë të shijshme dhe e porositi Jakobin: «Çoja [ushqimin], që ta hajë dhe të të bekojë para se të vdesë.» Atëherë Jakobi, i veshur me rrobat e Esaut dhe me lëkurët e kecave në qafë dhe në duar, shkoi tek i ati me gjellën e shijshme. Kur Isaku e pyeti: «Kush je ti, biri im?» Jakobi ia ktheu: «Jam Esau, i parëlinduri yt.» Isaku e besoi dhe e bekoi.​—Zanafilla 27:1-29.

Në Bibël nuk jepen të gjitha hollësitë se përse Rebeka dhe Jakobi vepruan në këtë mënyrë, megjithatë aty tregohet se kjo situatë lindi papritur. Duhet të vërejmë se Fjala e Perëndisë as e miraton, as e dënon atë që bëri Rebeka e Jakobi, prandaj ky tregim nuk justifikon gënjeshtrat dhe mashtrimet. Sidoqoftë Bibla hedh dritë mbi këtë situatë.

Së pari, tregimi e bën të qartë se Jakobit i takonte bekimi i të atit, kurse Esaut jo. Më parë Jakobi e kishte blerë ligjërisht të drejtën e të parëlindurit nga vëllai i tij binjak i cili, pa pasur fare çmueshmëri për të, e shiti për një vakt që të shuante urinë. Esau «e përbuzi të drejtën e të parëlindurit». (Zanafilla 25:29-34) Prandaj, kur i kërkoi bekimin të atit, Jakobi po kërkonte diçka që i përkiste me të drejtë.

Së dyti, kur Isaku kuptoi se ia kishte dhënë bekimin Jakobit, ai nuk u përpoq të ndryshonte çfarë kishte bërë. Ndoshta atij i erdhi ndër mend ajo që i kishte thënë Jehovai Rebekës para se të lindin binjakët: «Më i madhi do t’i shërbejë më të voglit.» (Zanafilla 25:23) Vlen të përmendet gjithashtu se kur Jakobi po nisej për në Haran, Isaku ia shtoi edhe më shumë bekimin që i kishte dhënë më parë.​—Zanafilla 28:1-4.

Së fundi, duhet të kujtojmë se Jehovai e dinte dhe ishte i interesuar për gjithçka që po ndodhte. Bekimi që dha Isaku lidhej me premtimin që i bëri Perëndia Abrahamit. (Zanafilla 12:2, 3) Nëse Perëndia nuk do të kishte dashur që bekimi të shkonte te Jakobi, Ai mund të kishte ndërhyrë në ndonjë mënyrë. Por Jehovai ia ripohoi premtimin Jakobit kur i tha: «Me anën e farës sate do të arrijnë të marrin bekime të gjitha kombet e tokës.»​—Zanafilla 28:10-15.