Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«E admiroja vendosmërinë e tij të pabesueshme»

«E admiroja vendosmërinë e tij të pabesueshme»

«E admiroja vendosmërinë e tij të pabesueshme»

GYNTER GRASI, shkrimtar gjerman dhe fitues i çmimit Nobel për letërsinë në vitin 1999, botoi jetëshkrimin e tij në vitin 2006. Në të tregon për kohën gjatë regjimit nazist kur e thirrën për të shërbyer në forcat civile gjermane të mbrojtjes. Në të njëjtin libër, ai flet për një burrë që i la kaq shumë mbresa, saqë i mbeti në mendje për më tepër se 60 vjet. Ai ishte një njeri i veçantë që e mbrojti besimin e tij edhe gjatë përndjekjes.

Në një intervistë të botuar në gazetën e përditshme Frankfurter Allgemeine Zeitung, Grasi e përmendi këtë burrë të jashtëzakonshëm që nuk pranoi të merrte armë. Grasi tha se ky njeri «nuk përkrahte asnjë nga ideologjitë që mbizotëronin në atë kohë, pasi nuk ishte as nazist, as komunist dhe as socialist. Ishte Dëshmitar i Jehovait». Grasit nuk i kujtohet emri i Dëshmitarit, të cilit i vuri nofkën «Ne nuk bëjmë gjëra të tilla», ngaqë për shkak të ndërgjegjes Dëshmitarët e Jehovait nuk merrnin pjesë në shumë gjëra që lidheshin me ushtrinë. Disa Dëshmitarë të Jehovait kanë bërë kërkime dhe kanë zbuluar se ai burrë ishte Joakim Alfermani. Atë e rrahën dhe e poshtëruan shumë herë dhe më pas e vunë në izolim. Por ai qëndroi i patundur dhe nuk pranoi të merrte armë.

«E admiroja vendosmërinë e tij të pabesueshme,—tha Grasi.—Pyetja veten: ‘Si mund t’i durojë ai tërë këto gjëra? Si ia bën?’» Pasi u përpoqën për një kohë të gjatë t’ia thyenin integritetin ndaj Perëndisë, Joakim Alfermanin e dërguan në kampin e përqendrimit të Shtuthofit, në shkurt 1944. E liruan në prill të vitit 1945. Ai i mbijetoi luftës dhe mbeti shërbëtor besnik i Jehovait derisa vdiq në vitin 1998.

Joakim Alfermani ishte një nga rreth 13.400 Dëshmitarët—në Gjermani dhe në vendet e pushtuara nga nazistët—ndaj të cilëve u morën masa ndëshkimore për shkak të besimit të tyre. Ata zbatuan atë që thuhet në Bibël dhe qëndruan asnjanës në çështjet politike, duke mos pranuar të merrnin armë. (Mateu 26:52; Gjoni 18:36) Rreth 4.200 Dëshmitarë u internuan në kampet e përqendrimit dhe 1.490 prej tyre humbën jetën. Edhe sot e kësaj dite, qëndrimi i tyre u bën përshtypje shumë njerëzve që nuk kanë të njëjtin besim si ata, por që e admirojnë palëkundshmërinë e tyre.

[Figura në faqen 32]

Joakim Alfermani