Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A jeni burim inkurajimi për të tjerët?

A jeni burim inkurajimi për të tjerët?

A jeni burim inkurajimi për të tjerët?

NË SKAJIN jugor të vargmalit të Amanës ndodhet mali i Hermonit. Maja e tij madhështore ngrihet 2.814 metra mbi nivelin e detit. Pjesën më të madhe të vitit, maja e Hermonit është e mbuluar me dëborë, kështu që, gjatë natës, avujt e ngrohtë që kalojnë mbi të kondensohen dhe kthehen në vesë. Vesa zbret mbi bredhat dhe drurët frutorë që ndodhen në shpatet më të ulëta, si dhe në vreshtat më poshtë. Në Izraelin e lashtë, gjatë stinës së thatë e të gjatë, kjo vesë freskuese ishte burimi kryesor përtëritës për bimësinë.

Në një këngë të frymëzuar nga Perëndia, uniteti midis adhuruesve të Jehovait krahasohet me ‘vesën e Hermonit, që zbret mbi malet e Sionit’. (Psalmi 133:1, 3) Ashtu si mali i Hermonit freskon bimësinë me vesën e tij, edhe ne mund të jemi si një burim freskues për njerëzit që takojmë. Si mund ta bëjmë këtë?

Jezui—Burim inkurajimi

Jezu Krishti kishte një ndikim të madh te të tjerët. Edhe një takim i shkurtër me të mund t’u jepte shumë zemër. Për shembull, Marku, shkrimtari i njërit prej ungjijve, thotë: «[Jezui] i mori fëmijët në krahë dhe filloi t’i bekonte, duke vënë duart mbi ta.» (Marku 10:16) Sa mirë duhet të jenë ndier ata fëmijë!

Natën e fundit kur ishte në tokë, Jezui u lau këmbët dishepujve. Përulësia e tij duhet t’ua ketë prekur zemrën. Jezui u tha: «Unë ju lashë modelin, që ashtu si bëra unë me ju, të bëni edhe ju.» (Gjoni 13:1-17) Po, edhe ata duhej të ishin të përulur. Ndonëse apostujt nuk i kuptuan menjëherë këto fjalë dhe më vonë atë natë nisën të debatonin se kush prej tyre ishte më i madhi, Jezui nuk u nxeh. Përkundrazi, arsyetoi me durim me ta. (Luka 22:24-27) Edhe «kur e shanin, [Jezui] nuk e kthente sharjen». Në të vërtetë, «kur vuante, nuk kërcënonte, por e linte veten në duart e atij që gjykon me drejtësi». Shembulli i Jezuit është i denjë për t’u imituar.​—1 Pjetrit 2:21, 23.

Jezui tha: «Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin.» (Mateu 11:29) Përfytyroni sikur t’ju mësonte vetë Jezui. Disa nga vendi i tij, kur e dëgjuan ndërsa mësonte njerëzit në sinagogë, u mahnitën dhe thanë: «Ku e gjeti ky njeri këtë mençuri dhe zotësi për të kryer këto vepra të fuqishme?!» (Mateu 13:54) Po të lexojmë për jetën dhe shërbimin e Jezuit, mund të mësojmë shumë se si të jemi burim inkurajimi. Le të shqyrtojmë shembullin e jashtëzakonshëm që la Jezui duke u dhënë zemër të tjerëve me anë të fjalëve dhe duke qenë i gatshëm për të ndihmuar.

Të jemi gojëmbël

Është më e lehtë ta shembësh një ndërtesë, sesa të ndërtosh një të re. I njëjti parim vlen edhe për fjalët tona, të cilat mund të rrëzojnë ose të inkurajojnë. Si njerëz të papërsosur, të gjithë kemi të meta e gabojmë. Mbreti Solomon tha: «Nuk ka asnjë njeri të drejtë në tokë, që vazhdon të bëjë të mirën dhe të mos mëkatojë.» (Eklisiastiu 7:20) Nuk është e vështirë të dallosh të metat e dikujt dhe ta rrëzosh me fjalë therëse. (Psalmi 64:2-4) Por ama, është e vështirë të nxjerrësh nga goja fjalë të mira.

Me anë të fjalëve, Jezui u jepte zemër të tjerëve. Ai i gjallëronte shpirtërisht duke u shpallur lajmin e mirë për Mbretërinë. (Luka 8:1) Gjithashtu, Jezui i inkurajonte ata që u bënë dishepuj duke i ndihmuar ta njihnin më mirë Atin e tij qiellor. (Mateu 11:25-27) Ja pse njerëzit tërhiqeshin ndaj Jezuit!

Ndryshe nga Jezui, skribët dhe farisenjtë nuk mendonin fare për nevojat e të tjerëve. «Atyre u pëlqejnë kryet e vendit nëpër darka dhe vendet e para në sinagoga»,—tha Jezui. (Mateu 23:6) E në fakt ata i përbuznin njerëzit e thjeshtë duke thënë: «Kjo turmë që nuk e njeh Ligjin, janë njerëz të mallkuar.» (Gjoni 7:49) Pa dyshim, ky qëndrim nuk ishte aspak inkurajues!

Shpesh, fjalët zbulojnë se si jemi përbrenda dhe si i shohim të tjerët. Jezui tha: «Njeriu i mirë nxjerr atë që është e mirë nga thesari i mirë i zemrës së vet, por i ligu nxjerr atë që është e ligë nga thesari i vet i lig. Sepse goja e tij flet nga mbushullia e zemrës.» (Luka 6:45) Atëherë, çfarë mund të bëjmë për t’u siguruar që fjalët tona u japin zemër të tjerëve?

Pikësëpari, mund të ndalemi e të mendojmë para se të flasim. Proverbat 15:28 thotë: «Zemra e të drejtit mediton para se të përgjigjet.» Nuk është e thënë që ky meditim të zgjatë shumë. Po të mendojmë pak para se të flasim, zakonisht mund të përcaktojmë se si do të merren fjalët tona. Mund të pyesim veten: ‘A po them diçka dashamirëse? A është e vërtetë apo e kam dëgjuar lart e poshtë? A është «një fjalë në kohën e duhur»? A do t’u japë zemër atyre që e dëgjojnë?’ (Proverbat 15:23) Nëse nxjerrim përfundimin se fjalët që duam të themi janë negative dhe të papërshtatshme, le të bëjmë çmos të mos i themi. A nuk do të ishte më mirë që në vend të tyre të themi diçka më pozitive e të përshtatshme? Fjalët e pamenduara janë si «goditje shpate», por fjalët e mira janë «shërim».​—Proverbat 12:18.

Një gjë tjetër që do të na ndihmojë është të përqendrohemi tek arsyet pse bashkëbesimtarët tanë janë të çmuar në sytë e Perëndisë. Jezui tha: «Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse Ati që më dërgoi, nuk e tërheq.» (Gjoni 6:44) Jehovai sheh cilësitë pozitive te çdo shërbëtor besnik—edhe tek ata për të cilët mund të mendojmë se kanë karakter të vështirë. Duke u përpjekur të dallojmë cilësitë e tyre të mira, do të kemi arsye për të thënë për ta fjalë të mira.

T’i ndihmojmë të tjerët

Jezui e kuptonte plotësisht gjendjen e të shtypurve. Në të vërtetë «kur pa turmën, ai ndjeu keqardhje për ta, sepse ishin të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari». (Mateu 9:36) Por Jezui nuk u mjaftua vetëm duke vërejtur gjendjen e tyre të mjerë, ai bëri diçka për t’i ndihmuar. Jezui i ftoi: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj.» Gjithashtu i siguroi: «Zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.»​—Mateu 11:28, 30.

Sot jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Shumë njerëz ndihen të dërrmuar nga «ankthet e kësaj bote». (Mateu 13:22) Të tjerë kanë rrethana stresuese. (1 Selanikasve 5:14) Si mund t’i inkurajojmë ata që janë në këtë gjendje? Ashtu si Krishti, mund t’i ndihmojmë që t’ua lehtësojmë barrën.

Disa njerëz kërkojnë lehtësim duke folur për problemet e tyre. Nëse ata që janë zemërlëshuar vijnë te ne për ndihmë, a i dëgjojmë me vëmendje? Të dëgjosh me dhembshuri kërkon vetëkontroll. Duhet të përqendrohesh tek ajo që po të thotë individi tjetër, e jo të mendosh se si t’i përgjigjesh ose si ta zgjidhësh problemin. Duke e dëgjuar me kujdes, duke e vështruar në sy dhe duke i buzëqeshur kur është e përshtatshme, tregojmë se merakosemi për të.

Në kongregacionin e krishterë ka shumë raste për të inkurajuar bashkëbesimtarët. Për shembull, kur jemi në mbledhje në Sallën e Mbretërisë, mund të përpiqemi të takojmë ata që po luftojnë me problemet e shëndetit. Disa herë mjaftojnë pak minuta para ose pas mbledhjes për t’u dhënë zemër me anë të fjalëve inkurajuese. Po ashtu, mund të ngulitim në mendje cilët pjesëtarë të grupit tonë të Studimit të Librit mungojnë. Ndoshta mund t’i marrim në telefon dhe t’i pyesim si janë ose të tregohemi të gatshëm për t’i ndihmuar.​—Filipianëve 2:4.

Pleqtë e krishterë mbajnë një përgjegjësi të madhe në kongregacion. Mund t’ua lehtësojmë shumë ngarkesën duke bashkëpunuar me ta dhe duke kryer me përulësi çdo detyrë që mund të na jepet. Fjala e Perëndisë na nxit: «Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush, dhe jini të nënshtruar, sepse rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj si ata që do të japin llogari, që ta bëjnë këtë me gëzim e jo me psherëtima, sepse kjo do të ishte në dëmin tuaj.» (Hebrenjve 13:17) Duke treguar një frymë gatishmërie mund t’i përtërijmë ata që «drejtojnë në mënyrë të shkëlqyer».​—1 Timoteut 5:17.

Të mos kursehemi duke qenë gojëmbël dhe të gatshëm për të ndihmuar!

Vesa freskuese formohet nga mijëra pikla uji që zbresin butë-butë, por që nuk shihen se nga vijnë. Në mënyrë të ngjashme, inkurajimi mund të mos arrihet nga një gjest i vetëm fisnik, por duke shfaqur vazhdimisht cilësi të krishtere.

Apostulli Pavël shkroi: «Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë me dashuri vëllazërore. Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.» (Romakëve 12:10) Le t’ia vëmë veshin këshillës së Pavlit. Qofshim vërtet burim inkurajimi për të tjerët, me fjalë e me vepra!

[Figurat në faqen 16]

Vesa e malit të Hermonit​—një burim përtëritës për bimësinë

[Figura në faqen 17]

Një dëgjues i dhembshur u jep zemër të tjerëve