Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dhembshuri në një botë mizore

Dhembshuri në një botë mizore

Dhembshuri në një botë mizore

NJË burrë në Burundi sëmuret rëndë me malarje. Duhet çuar urgjent në spital. Por si? S’gjendet asnjë makinë. Dy shokë të ngushtë i vijnë në ndihmë. E hipin në biçikletë dhe për pesë orë rraskapiten teksa e shtyjnë në një terren malor. Më pas e hipin në një autobus që e çon në spitalin më të afërt. Pas ca ditësh bëhet shumë më mirë.

Në anën tjetër të globit, kur uragani Katrina shkatërroi zonën e gjirit të Meksikës, në Shtetet e Bashkuara, në gusht të vitit 2005, disa vullnetarë gjetën një shtëpi që pemët e kishin zënë përposh. Vullnetarët, që as nuk i njihnin fare të zotët e shtëpisë, hoqën gjithë ditën mbeturinat dhe pemët me sharra elektrike. «S’di si t’i falënderoj»,​—thotë e zonja e shtëpisë.

Lajmet e bujshme në media më shumë e vënë theksin te mizoritë dhe aktet makabre. Për shkak të këtyre, veprat e përditshme të dhembshurisë e të mirësisë shpesh mbeten në hije. Megjithatë, kjo nuk e ndryshon faktin se njerëzit kudo janë të dëshiruar për ngrohtësi, dashuri e zemërbutësi. Ne jemi të etur për dhembshuri. Këto ndjenja mund të dalin më në pah në periudhën e Krishtlindjeve, kur shumë veta flasin ose i këndojnë ‘paqes në tokë për njerëzit që kanë miratimin e [Perëndisë]’.​—Luka 2:14.

Mund të mos jetë e lehtë të tregojmë dhembshuri në një botë që shpesh është e ftohtë dhe jomiqësore. Qëndrimi mbizotërues është se vrazhdësia dhe pandjeshmëria i hapin rrugën suksesit dhe triumfit. Duket se shumë njerëz jetojnë sipas motos se është më e mençur të jesh mizor sesa i dhembshur. Lakmia dhe egoizmi ia presin lehtë udhën dhembshurisë.

Si pasojë shumë njerëz vënë në vend të parë veten, madje edhe duke shkelur mbi ndjenjat dhe interesat e të tjerëve. Sportistët dhe heronjtë e filmave shpesh paraqiten si «burra të vërtetë»​—burra që nuk tregojnë përzemërsi. Kështu sillen edhe disa politikanë.

Prandaj, bëjmë mirë të pyesim: pse duhet të tregojmë dhembshuri? A ndikon për mirë dhembshuria? Çfarë mund të na ndihmojë të shfaqim dhembshuri? Artikulli vijues do të trajtojë këto pyetje.

[Kutia në faqen 3]

•A është shenjë dobësie të tregosh dhembshuri?

•A ndikon për mirë dhembshuria?

•Si mund ta tregojmë në praktikë dhembshurinë?