Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i Malakisë

Pika kryesore nga libri i Malakisë

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i Malakisë

KA MË se 70 vjet që ka përfunduar rindërtimi i tempullit të Jerusalemit. Por, me kalimin e kohës, gjendja frymore e judenjve është dobësuar shumë. Madje edhe priftërinjtë janë korruptuar. Kush do t’i bëjë të vetëdijshëm për gjendjen e tyre të vërtetë dhe të përpiqet t’i rigjallërojë frymësisht? Këtë detyrë Jehovai ia ngarkon profetit Malakia.

Ky libër i fundit i Shkrimeve Hebraike përmban profeci të frymëzuara nga Perëndia dhe është shkruar me një stil plot forcë nga Malakia. Nëse i kushtojmë vëmendje fjalës profetike të Malakisë, kjo mund të na ndihmojë të përgatitemi për ‘ditën e madhe e të frikshme të Jehovait’ kur ky sistem i lig të marrë fund.—Malakia 4:5.

PRIFTËRINJTË ‘KANË BËRË QË SHUMË VETA TË PENGOHEN’

(Malakia 1:1–2:17)

Jehovai shpreh ndjenjat e tij për Izraelin me fjalët: «Unë ju kam dashur.» Por priftërinjtë e kanë përbuzur emrin e Perëndisë. Në ç’mënyrë? «Duke paraqitur mbi altarin [e tij] bukë të ndotur» dhe duke paraqitur si flijim «një kafshë të çalë a të sëmurë».​—Malakia 1:2, 6-8.

Priftërinjtë ‘kanë bërë që shumë veta të pengohen te ligji’. Njerëzit ‘veprojnë pabesisht me njëri-tjetrin’. Disa janë martuar me gra të huaja. Disa të tjerë kanë vepruar pabesisht me ‘gruan e rinisë së tyre’.​—Malakia 2:8, 10, 11, 14-16.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

2:2—Në ç’kuptim Jehovai ‘mallkoi bekimet’ e priftërinjve rebelë? Kjo ishte në kuptimin që Perëndia e kthente në mallkim bekimin e tyre.

2:3—Çfarë do të thoshte që ‘shpërndahej bajgë’ mbi fytyrat e priftërinjve? Sipas Ligjit, bajgat e kafshëve të paraqitura për flijim duheshin nxjerrë jashtë kampit e duheshin djegur. (Levitiku 16:27) Të shpërndahej bajgë mbi fytyrat e priftërinjve do të thoshte se Jehovai i hidhte poshtë flijimet dhe se ata që i paraqitnin ishin të pështirë për të.

2:13—Me lotët e kujt ishte mbuluar altari i Jehovait? Ishin lotët e grave që vinin në shenjtëroren e tempullit dhe i zbraznin zemrën Jehovait. Përse ishin kaq të pikëlluara? Bashkëshortët e tyre judenj i kishin divorcuar për arsye të paligjshme dhe i kishin braktisur, me sa duket, për t’u martuar me gra të huaja më të reja.

Mësime për ne:

1:10. Jehovai nuk kënaqej fare me blatimet e priftërinjve lakmitarë që kërkonin para edhe për shërbime kaq të thjeshta, siç ishte mbyllja e dyerve ose ndezja e zjarrit në altar. Sa e rëndësishme është që veprat tona të adhurimit, përfshirë edhe ajo që bëjmë në shërbimin e krishterë, të motivohen nga dashuria joegoiste për Perëndinë dhe të afërmin, dhe kurrë të mos bëhen për përfitim material!​—Mateu 22:37-39; 2 Korintasve 11:7.

1:14; 2:17. Jehovai nuk e toleron hipokrizinë.

2:7-9. Ata që kanë privilegjin të mësojnë të tjerët në kongregacion duhet të sigurohen se ajo që mësojnë është në përputhje me Fjalën e Perëndisë, Shkrimet e Shenjta, dhe me botimet e bazuara në Bibël të ‘kujdestarit të besueshëm’.—Luka 12:42; Jakovi 3:11.

2:10, 11. Jehovai pret që adhuruesit e tij ta marrin seriozisht këshillën për t’u martuar «vetëm në Zotërinë».—1 Korintasve 7:39.

2:15, 16. Adhuruesit e vërtetë duhet ta nderojnë besëlidhjen martesore me gruan e rinisë së tyre.

‘ZOTËRIA I VËRTETË DO TË VIJË NË TEMPULLIN E TIJ’

(Malakia 3:1–4:6)

«Befas në tempullin [e Tij] do të vijë Zotëria i vërtetë [Perëndia Jehova]» bashkë me ‘lajmëtarin e besëlidhjes [Jezu Krishtin]’. Perëndia ‘do t’i afrohet [popullit të tij] për ta gjykuar’ dhe do të dëshmojë pa u vonuar kundër gjithë keqbërësve. Për më tepër, «një libër kujtimi» do të shkruhet për ata që kanë frikë nga Jehovai.​—Malakia 3:1, 3, 5, 16.

Dita që «djeg si furrë» do të vijë dhe do të përpijë gjithë të ligjtë. Para se të vijë ajo ditë, do të dërgohet një profet që ‘ta kthejë zemrën e etërve drejt bijve dhe zemrën e bijve drejt etërve’.​—Malakia 4:1, 5, 6.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

3:1-3—Kur erdhën në tempull «Zotëria i vërtetë» dhe «lajmëtari i besëlidhjes» e kush u dërgua para tyre? Me anë të një përfaqësuesi, Jehovai erdhi në tempullin e tij dhe e pastroi më 10 nisan të vitit 33 të e.s. Bëhet fjalë për rastin kur Jezui hyri në tempull dhe flaku jashtë ata që shitnin e blinin atje. (Marku 11:15) Kjo ndodhi tre vjet e gjysmë pasi Jezui ishte mirosur si mbret i emëruar. Po ashtu, duket se, tre vjet e gjysmë pasi u kurorëzua si Mbret në qiell, Jezui e shoqëroi Jehovain në tempullin frymor dhe pa që populli i Perëndisë kishte nevojë të pastrohej. Në shekullin e parë, Gjon Pagëzori u dërgua të përgatiste judenjtë për ardhjen e Jezu Krishtit. Në kohët moderne, u dërgua më përpara një lajmëtar për të përgatitur udhën për ardhjen e Jehovait në tempullin e tij frymor. Që në vitet 80 të shekullit të 19-të, një grup studentësh të Biblës filluan të merrnin pjesë në veprën e arsimimit biblik për të ushqyer zemrat e individëve të sinqertë me shumë të vërteta biblike.

3:10—A simbolizon sjellja e ‘gjithë të dhjetave’ faktin që i japim gjithçka Jehovait? Ligji i Moisiut u shfuqizua në bazë të vdekjes së Jezuit, prandaj dhënia e të dhjetave në para nuk është më një kërkesë. Megjithatë, të dhjetat kanë një kuptim simbolik. (Efesianëve 2:15) Nuk simbolizon faktin që i japim Perëndisë gjithçka. Ndërkohë që e dhjeta jepej çdo vit, ne i japim gjithçka Jehovait një herë të vetme: kur i kushtohemi atij dhe e simbolizojmë këtë me pagëzimin në ujë. Që nga ajo kohë, gjithë sa kemi, i përket Jehovait. Gjithsesi, ai na lejon të zgjedhim një pjesë të saj, një të dhjetë simbolike, për ta përdorur në shërbimin e tij. Kjo është aq sa na lejojnë rrethanat dhe sa na nxit zemra të japim. Flijimet që i bëjmë Jehovait përfshijnë kohën, energjitë dhe të mirat materiale që përdorim në veprën e predikimit për Mbretërinë dhe të bërjes së dishepujve. Gjithashtu këtu përfshihen ndjekja e mbledhjeve të krishtere, vizitat që u bëjmë bashkëbesimtarëve të sëmurë e të moshuar dhe mbështetja financiare që i japim adhurimit të vërtetë.

4:3—Në ç’mënyrë adhuruesit e Jehovait ‘do t’i shtypin të ligjtë’? Populli i Perëndisë në tokë nuk ‘do t’i shtypë të ligjtë’ në kuptimin e mirëfilltë, pra nuk do të marrë pjesë në ekzekutimin e gjykimit të Jehovait kundër tyre. Kjo shprehje tregon se shërbëtorët e Jehovait në tokë do ta bëjnë këtë në mënyrë të figurshme duke marrë pjesë me gjithë zemër në festimin e fitores, pasi të marrë fund bota e Satanait.—Psalmi 145:20; Zbulesa 20:1-3.

4:4—Përse duhet ‘ta kujtojmë ligjin e Moisiut’? Edhe pse ky ligj nuk është i detyrueshëm për të krishterët, ai shërbente si ‘një hije e gjërave të mira që do të vinin’. (Hebrenjve 10:1) Prandaj, kur i kushtojmë vëmendjen Ligjit të Moisiut, kjo mund të na ndihmojë të kuptojmë si përmbushen gjërat e shkruara në të. (Luka 24:44, 45) Veç kësaj, Ligji përmban «pasqyrimet simbolike të gjërave në qiej». Studimi i tij është thelbësor për të kuptuar mësimet dhe sjelljen e krishterë.—Hebrenjve 9:23.

4:5, 6—Kë përfaqëson ‘profeti Elija’? U paratha se «Elija» do të bënte një vepër rivendosjeje, pra do të përgatiste zemrën e popullit. Në shekullin e parë të e.s., Jezu Krishti e identifikoi Gjon Pagëzorin si ‘Elijan’. (Mateu 11:12-14; Marku 9:11-13) Elija i kohëve moderne dërgohet «përpara ardhjes së ditës së madhe e të frikshme të Jehovait». Ai është pikërisht «skllavi i besueshëm dhe i matur». (Mateu 24:45) Kjo klasë e të krishterëve të mirosur ka kryer me zell veprën e rivendosjes frymore, duke i ndihmuar njerëzit të rivendosin marrëdhënien e tyre me Perëndinë.

Mësime për ne:

3:10. Nëse nuk i japim Jehovait më të mirën tonë, e privojmë veten nga bekimet e tij.

3:14, 15. Për shkak të shembullit të keq të priftërinjve, judenjtë nisën ta shihnin shërbimin e Perëndisë si diçka pa vlerë. Ata që kanë përgjegjësi në kongregacionin e krishterë, duhet të jenë shembullorë.—1 Pjetrit 5:1-3.

3:16. Jehovai mban «një libër» për ata që kanë frikë nga ai dhe i qëndrojnë besnikë. Ai i kujton ata dhe do t’i ruajë kur t’i japë fund botës së ligë të Satanait. Prandaj, kurrë të mos e dobësojmë vendosmërinë për të mbajtur integritetin ndaj Perëndisë.—Jobi 27:5.

4:1. Ditën kur do t’i jepet llogari Jehovait, si ‘dega’, edhe ‘rrënja’ do të kenë të njëjtin fund, pra të vegjlit do të marrin të njëjtin gjykim si prindërit e tyre. Ç’përgjegjësi që kanë prindërit ndaj fëmijëve të tyre të vegjël! Baballarët dhe nënat e krishtere duhet të punojnë pa u lodhur për të fituar miratimin e Perëndisë dhe për të mbajtur një qëndrim të mirë para tij.—1 Korintasve 7:14.

«Frikësoju Perëndisë së vërtetë»

Kush do të shpëtojë në ‘ditën e madhe e të frikshme të Jehovait’? (Malakia 4:5) Jehovai thotë: «Për ju që keni frikë nga emri im ka për të shkëlqyer dielli i drejtësisë, që sjell shërim me krahët e tij. Keni për të dalë e do të lodroni, duke rrahur dheun me thundra si viça të majmë.»—Malakia 4:2.

«Dielli i drejtësisë», Jezu Krishti, shkëlqen mbi ata që kanë frikë plot nderim për emrin e Perëndisë, dhe ata gëzojnë miratimin e Jehovait. (Gjoni 8:12) Gjithashtu, Jezui do t’u sjellë atyre «shërim me krahët e tij»—një shërim frymor tani dhe shërim të plotë fizik, mendor dhe emocional në botën e re të Perëndisë. (Zbulesa 22:1, 2) Të entuziazmuar e të lumturuar, ata sillen «si viça të majmë». Duke i mbajtur në mendje këto bekime, le t’i vëmë veshin këshillës së mbretit Solomon: «Frikësoju Perëndisë së vërtetë dhe përmbushi urdhërimet e tij. Sepse ky është tërë detyrimi i njeriut.»—Eklisiastiu 12:13.

[Figura në faqen 26]

Profeti Malakia, një shërbëtor i zellshëm dhe i përkushtuar i Perëndisë

[Figura në faqen 29]

Ajo që u mësojmë të tjerëve duhet të jetë në përputhje me Biblën

[Figura në faqen 29]

Shërbëtorët e Jehovait e nderojnë besëlidhjen e tyre martesore