Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur do të vijë Mbretëria e Perëndisë?

Kur do të vijë Mbretëria e Perëndisë?

Kur do të vijë Mbretëria e Perëndisë?

«ZOTËRI, në këtë kohë do ta rivendosësh mbretërinë e Izraelit?» (Veprat 1:6) Apostujt ishin të etur të dinin se kur do ta vendoste Jezui Mbretërinë e tij. Sot, rreth 2.000 vjet më vonë, njerëzit ende pyesin me zjarr: Kur do të vijë Mbretëria e Perëndisë?

Meqë Mbretëria ishte tema e predikimit të Jezuit, mund të pritni që ai ta ketë trajtuar këtë pyetje, dhe në të vërtetë kështu bëri. Ai foli gjerësisht për një periudhë kohe të caktuar që e quajti «prania» e tij. (Mateu 24:37) Kjo prani lidhet ngushtë me vendosjen e Mbretërisë mesianike. Çfarë është kjo prani? Le të shqyrtojmë katër të vërteta që zbulon Bibla për praninë e Krishtit.

1. Prania e Krishtit do të fillonte shumë kohë pas vdekjes së tij. Jezui bëri një ilustrim në të cilin e krahasoi veten me një njeri që «mori udhën për në një vend të largët, që të siguronte pushtet mbretëror». (Luka 19:12) Si u përmbush ky ilustrim profetik? Jezui vdiq dhe u ringjall, më pas mori udhën për në «një vend të largët», domethënë në qiell. Siç e paratha Jezui në një ilustrim të ngjashëm, ai do të kthehej me pushtet mbretëror vetëm «pas një kohe të gjatë».—Mateu 25:19.

Disa vjet pasi Jezui u ngjit në qiell, apostulli Pavël shkroi: «Ky njeri [Jezui] paraqiti në amshim një flijim të vetëm për mëkatet dhe u ul në të djathtën e Perëndisë, duke pritur që nga ajo kohë, derisa armiqtë e tij të vihen si stol për këmbët e tij.» (Hebrenjve 10:12, 13) Kështu, pasi Jezui mbërriti në qiell, vijoi një periudhë e gjatë pritjeje. Kjo pritje përfundoi kur Perëndia Jehova e bëri Birin e tij Mbret të Mbretërisë mesianike që ishte premtuar prej kohësh. Pikërisht në këtë kohë nisi prania e Krishtit. A do ta shihnin njerëzit këtë ngjarje të rëndësishme?

2. Prania është e padukshme për sytë njerëzorë. Kujtoni që Jezui foli për shenjën e pranisë së tij. (Mateu 24:3) Nëse prania e tij do të ishte e dukshme për sytë njerëzorë, a do të duhej një shenjë? Të bëjmë një shembull: Imagjinoni sikur po udhëtoni për të parë detin. Mund të shihni tabela rrugore që ju drejtojnë gjatë udhëtimit. Por kur të mbërrini në breg të detit duke pasur përballë sipërfaqen e paanë të ujit që shtrihet në horizont, a do të prisnit të shihnit një tabelë rrugore me një shigjetë të madhe ku të jetë shkruar fjala «Deti» për t’ju treguar se ku ndodhet ai? Patjetër që jo! Për çfarë na duhet një tabelë që tregon diçka që mund ta shohim me sytë tanë?

Jezui nuk e dha shenjën e pranisë së tij për t’u treguar njerëzve diçka që mund ta shihnin edhe vetë, por për t’i ndihmuar të dallonin diçka që do të ndodhte në qiell. Kështu Jezui tha: «Mbretëria e Perëndisë kur të vijë, nuk do të bjerë në sy.» (Luka 17:20) Atëherë, si do t’u tregonte kjo shenjë njerëzve se prania e Krishtit kishte filluar?

3. Prania e Jezuit do të karakterizohej nga një kohë me telashe të mëdha në tokë. Jezui tha se prania e tij në qiell si Mbret do të karakterizohej nga luftëra, zi buke, tërmete, murtaja dhe paligjshmëri. (Mateu 24:7-12; Luka 21:10, 11) Ç’gjë do ta shkaktonte tërë këtë mjerim? Bibla shpjegon se Satanai, «sundimtari i kësaj bote», është i tërbuar ngaqë e di se koha që i ka mbetur është shumë e shkurtër tani që prania e Krishtit si Mbret ka filluar. (Gjoni 12:31; Zbulesa 12:9, 12) Këto dëshmi të dukshme të tërbimit të Satanait dhe të pranisë së Krishtit kanë qenë të bollshme në kohën tonë. Sidomos që nga viti 1914, vit që historianët e pranojnë se ishte një pikë kthese në histori, këto dëshmi janë shfaqur në shkallë të paparë dhe në mbarë botën.

E gjithë kjo mund të duket një lajm i keq, por nuk është i tillë, pasi nënkupton se Mbretëria mesianike po sundon tani në qiell. Shumë shpejt kjo qeveri do të sundojë mbi tërë tokën. Por, si mund të mësojnë njerëzit për këtë Mbretëri që të pranojnë sundimin e saj dhe të bëhen nënshtetas të saj?

4. Prania e Krishtit karakterizohet nga një vepër botërore predikimi. Jezui tha se prania e tij do të ishte si «ditët e Noesë». * (Mateu 24:37-39) Noeja nuk u mjaftua duke ndërtuar një arkë, por ishte edhe ‘një predikues i drejtësisë’. (2 Pjetrit 2:5) Ai i paralajmëroi njerëzit se po afrohej gjykimi i Perëndisë. Jezui tha se dishepujt e tij në tokë do të ishin duke bërë diçka të ngjashme gjatë pranisë së tij. Ai profetizoi: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.»—Mateu 24:14.

Siç e pamë në artikullin e mëparshëm, Mbretëria e Perëndisë do të shkatërrojë të gjitha qeveritë e botës. Vepra e predikimit i lajmëron njerëzit se kjo qeveri qiellore do të veprojë së shpejti. Në këtë mënyrë njerëzve u jepet mundësia t’i shpëtojnë shkatërrimit që po vjen dhe të bëhen nënshtetas të kësaj Mbretërie. Kështu lind kjo pyetje e rëndësishme: Çfarë do të bëni?

A do të nënkuptojë Mbretëria e Perëndisë një lajm të mirë për ju?

Mesazhi që predikoi Jezui përmbante një shpresë të pakrahasueshme. Mijëra vjet më parë, pas rebelimit në kopshtin e Edenit, Perëndia Jehova vuri si qëllim të formonte një qeveri që do t’i ndreqte gjërat. Ajo do t’u kthente njerëzve besnikë kushtet që kishte ndër mend Perëndia që në fillim për ta—jetën e përhershme në një parajsë këtu në tokë. A mund të ketë gjë më të bukur se sa të dimë që kjo qeveri e premtuar prej kohësh tani po sundon në qiell? Ajo nuk është diçka abstrakte dhe e paqartë, por një realitet i gjallë!

Tani Mbreti që Perëndia ka zgjedhur po sundon mes armiqve të tij. (Psalmi 110:2) Në këtë botë të korruptuar të larguar nga Perëndia, Mesia po plotëson dëshirën e Atit të tij që të kërkojë të gjithë ata që duan ta njohin Perëndinë siç është në të vërtetë dhe ta adhurojnë Atë «me frymë dhe të vërtetë». (Gjoni 4:24) Shpresa për të jetuar përgjithmonë nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë u ofrohet njerëzve të të gjitha racave, moshave dhe shtresave shoqërore. (Veprat 10:34, 35) Ju nxitim të mos e humbni rastin e mrekullueshëm që po ju ofrohet. Mësoni për Mbretërinë e Perëndisë tani, që të jetoni të lumtur nën sundimin e saj të drejtë përgjithmonë!—1 Gjonit 2:17.

[Shënimi]

^ par. 10 Fjalët e Jezuit ndihmojnë për të ndrequr idenë e gabuar që përcjellin disa versione të Biblës që nuk e përkthejnë saktë fjalën «prani». Disa versione e përkthejnë «ardhje» ose «kthim», gjë që nënkupton një ngjarje të shkurtër në rrjedhën e kohës. Por vini re se Jezui nuk e krahasoi praninë e tij me Përmbytjen e ditëve të Noesë—një ngjarje—por me «ditët e Noesë», një periudhë kulmore në rrjedhën e kohës. Ashtu si ajo epokë e lashtë, prania e Krishtit do të ishte një periudhë gjatë së cilës njerëzit do të ishin aq të dhënë pas gjërave të përditshme të jetës, sa nuk do t’i kushtonin vëmendje paralajmërimit që po u jepej.

[Figurat në faqet 8, 9]

Lajmet e këqija që dëgjojmë çdo ditë tregojnë se na presin gjëra të mira

[Burimi]

Kundërajrori: fotografi e Ushtrisë së SHBA-së