Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Kur shkuan astrologët te Jezui?

Në ungjillin e Mateut, thuhet se «disa astrologë nga vende lindore» shkuan te Jezui dhe i çuan dhurata. (Mateu 2:1-12) Nuk thuhet sa astrologë, ndryshe magë, shkuan te Jezui i vogël dhe nuk ka ndonjë bazë bindëse për idenë e përhapur se ishin tre; as nuk përmenden me emër në Bibël.

Në botimin New International Version Study Bible bëhet ky koment për Mateun 2:11: «Ndryshe nga ideja e përhapur, magët nuk shkuan te Jezui në grazhd natën që lindi, siç bënë barinjtë. Ata shkuan pas disa muajsh ‘në shtëpinë’ e tij, kur ishte ‘fëmijë’.» Këtë e provon edhe fakti që, kur u orvat të vriste fëmijën Jezu, Herodi urdhëroi të vriteshin të gjithë djemtë dy vjeç e poshtë në mbarë Betlehemin dhe krahinën e tij. Ai zgjodhi atë grup-moshë «sipas kohës për të cilën ishte informuar me saktësi nga astrologët».​—Mateu 2:16.

Sikur astrologët të kishin shkuar te Jezui natën që lindi dhe t’i kishin çuar ar e dhurata të çmuara atë natë, Maria nuk do të kishte dhënë si flijim vetëm dy zogj, 40 ditë më vonë kur e paraqiti Jezuin në tempullin e Jerusalemit. (Luka 2:22-24) Sipas Ligjit, dy zogj mund të çonin të varfrit që nuk i kishin mundësitë të ofronin një qengj. (Levitiku 12:6-8) Megjithatë, këto dhurata të çmuara mund t’i kenë ardhur tamam në kohë familjes së Jezuit dhe t’i kenë hyrë në punë gjatë qëndrimit në Egjipt.​—Mateu 2:13-15.

Përse Jezuit iu deshën katër ditë për të arritur te varri i Lazarit?

Me sa duket, Jezui i rregulloi vetë punët në atë mënyrë. Pse e themi këtë? Le të shqyrtojmë tregimin te kapitulli 11 i Gjonit.

Kur Lazari, një mik i Jezuit që banonte në Betani, u sëmur rëndë, motrat e tij i çuan fjalë Jezuit. (Vargjet 1-3) Në atë kohë Jezui ishte rreth dy ditë rrugë larg Betanisë. (Gjoni 10:40) Lazari vdiq pak a shumë në kohën kur Jezuit i mbërriti lajmi. Çfarë bëri Jezui? Ai «ndenji dy ditë atje ku ishte», pastaj u nis për në Betani. (Vargjet 6, 7) Kështu, Jezui arriti te varri katër ditë pas vdekjes së Lazarit, pasi dy ditë priti dhe dy ditë të tjera udhëtoi.​—Vargu 17.

Më parë Jezui kishte bërë dy ringjallje: njërën menjëherë sapo kishte vdekur personi, dhe tjetrën, ka shumë të ngjarë, ta ketë bërë jo menjëherë pas vdekjes, por po atë ditë. (Luka 7:11-17; 8:49-55) A do të mundej të ringjallte dikë që kishte vdekur prej katër ditësh, trupi i të cilit tashmë kishte nisur të dekompozohej? (Vargu 39) Është interesante ajo që thotë një vepër biblike referimi se ndër judenjtë ekzistonte bindja se nuk kishte shpresë «për një njeri që kishte vdekur prej katër ditësh; tashmë trupi shfaqte shenja kalbjeje dhe shpirti, që mendohej se rrinte pezull mbi trupin për tri ditë, ishte larguar».

Nëse ndokush nga ata që ishin mbledhur te varri kishte dyshime, tani do të shihte me sytë e vet fuqinë e Jezuit mbi vdekjen. Tek qëndronte para varrit të hapur, Jezui thërriti me zë të lartë: «Lazar, dil jashtë!» Atëherë, «ai që kishte qenë i vdekur, doli». (Vargjet 43, 44) Shpresa e vërtetë për të vdekurit është ringjallja, jo ideja e gabuar që kanë shumë veta se shpirti jeton pas vdekjes.​—Ezekieli 18:4; Gjoni 11:25.