Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mësoji fëmijët

Marku nuk hoqi dorë

Marku nuk hoqi dorë

MARKU shkroi njërin nga katër librat e Biblës që flasin për jetën e Jezuit. Është libri më i shkurtër dhe më i lehtë për t’u lexuar. Por, kush ishte Marku? Si mendon, a e njihte ai Jezuin? . . . * Le të shohim se ç’sprova të vështira kaloi Marku e të mësojmë se përse ai nuk hoqi dorë kurrë nga shërbimi i krishterë.

Marku përmendet për herë të parë me emër në Bibël pasi mbreti Herod Agripa futi në burg apostullin Pjetër. Një natë, një engjëll e liroi Pjetrin, i cili shkoi menjëherë në shtëpinë e nënës së Markut, Marisë, që jetonte në Jerusalem. Kjo ngjarje ndodhi gati dhjetë vjet pasi Jezui ishte vrarë në pashkën e vitit 33 e.s.​—Veprat 12:1-5, 11-17.

A e di përse Pjetri shkoi në shtëpinë e Marisë? . . . Mbase ngaqë i njihte pjesëtarët e familjes së saj dhe e dinte që dishepujt e Jezuit bënin mbledhjet në shtëpinë e Marisë. Barnaba, kushëriri i Markut, ishte bërë dishepull shumë kohë më parë, të paktën që nga festa e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 e.s. Bibla tregon se në atë kohë ai dha një kontribut bujar për të ndihmuar dishepujt e rinj. Kështu, Jezui mund t’i ketë njohur Barnabën, Marinë dhe djalin e saj, Markun.​—Veprat 4:36, 37; Kolosianëve 4:10.

Në Ungjillin që mban emrin e tij, Marku shkroi se natën kur u arrestua Jezui, ishte i pranishëm edhe një djalë i ri që kishte hedhur vetëm një rrobë «në trupin e vet të zhveshur». Kur armiqtë e kapën Jezuin, Marku shkruan se ai djalë i ri ia mbathi. Ç’mendon, kush mund të ketë qenë ai djalë? . . . Po, ka të ngjarë të ketë qenë Marku. Pra, me sa duket, natën kur Jezui dhe apostujt e tij dolën nga shtëpia ku po kremtonin pashkën, Marku ka hedhur me të shpejtë një rrobë në trup dhe i ka ndjekur.​—Marku 14:51, 52.

Kush mund të jetë ky djalë i ri? Ç’po ndodh me të dhe përse?

Marku kishte pasur shumë mundësi të bashkëpunonte me shërbëtorë të Perëndisë e të ishte dëshmitar i ngjarjeve të rëndësishme që lidheshin me qëllimin e Perëndisë. Ka të ngjarë që ai të ketë qenë i pranishëm në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 e.s., kur u derdh fryma e shenjtë, si dhe të ketë pasur shoqëri të ngushtë me shërbëtorë besnikë të Perëndisë, si për shembull me Pjetrin. Gjithashtu, ai shoqëroi edhe kushëririn e vet, Barnabën, i cili e kishte prezantuar Saulin me Pjetrin rreth tre vjet pasi Jezui i ishte shfaqur Saulit në vegim. Vite më pas, Barnaba shkoi në Tars që të gjente Saulin.​—Veprat 9:1-15, 27; 11:22-26; 12:25; Galatasve 1:18, 19.

Në vitin 47 të e.s., Barnaba dhe Sauli u përzgjodhën që të shërbenin si misionarë. Ata morën me vete Markun, por për ndonjë arsye që nuk dihet, më vonë Marku i la dhe u kthye në shtëpinë e vet në Jerusalem. Sauli, që më vonë u bë i njohur me emrin romak Pavël, u zemërua. Ai nuk e kaloi dot kollaj këtë fakt, të cilin e konsideroi si një gabim serioz nga ana e Markut.​—Veprat 13:1-3, 9, 13.

Kur u kthyen nga udhëtimi i tyre misionar, Pavli dhe Barnaba raportuan se ç’sukses të madh kishin pasur. (Veprat 14:24-28) Muaj më vonë, të dy bënë plane të ktheheshin e të vizitonin dishepujt e rinj në vendet ku kishin predikuar. Barnaba donte të merrnin me vete Markun, por, a e di se ç’mendonte Pavli? . . . Ai «mendonte se nuk ishte e përshtatshme ta merrnin me vete», meqë më parë Marku i kishte braktisur e ishte kthyer në shtëpi. Ajo që ndodhi më pas, duhet ta ketë trishtuar me siguri Markun.

Gjakrat u ndezën dhe, pas ‘një shpërthimi të madh zemërimi’, Pavli dhe Barnaba u ndanë. Barnaba mori me vete Markun që të predikonin në Qipro, kurse Pavli zgjodhi Silën dhe u kthye të vizitonte sërish dishepujt e rinj, siç kishte planifikuar. Sa i hidhëruar duhet të jetë ndier Marku që u shkaktoi telashe Pavlit dhe Barnabës!​—Veprat 15:36-41.

Nuk e dimë se përse në rastin e parë Marku u kthye pas. Ndoshta sipas tij ka pasur një arsye të vlefshme për këtë. Sido që të ketë qenë, duket që Barnaba ishte i bindur se kjo nuk do të ndodhte më. Dhe kishte të drejtë. Marku nuk hoqi dorë! Më vonë, ai shërbeu si misionar me Pjetrin deri në Babiloninë e largët. Që andej, Pjetri u çoi të fala vëllezërve dhe tha: «Po kështu [ju çon të fala] edhe Marku, biri im.»​1 Pjetrit 5:13.

Ç’marrëdhënie të ngushtë kishin me njëri-tjetrin Pjetri dhe Marku, ngaqë i shërbenin Perëndisë së bashku! Kjo është e dukshme edhe kur lexojmë Ungjillin e Markut. Në të, Marku përshkruan gjëra që Pjetri i kishte parë me sytë e tij. Për shembull, krahaso tregimet që përshkruajnë një stuhi në detin e Galilesë. Marku shton disa hollësi se ku dhe mbi çfarë po flinte Jezui, gjëra që nuk i shpëtonin dot syrit të një peshkatari si Pjetri. Përse të mos e shohim vetë këtë rast, duke lexuar së bashku e duke krahasuar tregimet biblike të Mateut 8:24; Markut 4:37, 38 dhe Lukës 8:23?

Më vonë, kur ishte i burgosur në Romë, Pavli e lavdëroi Markun për mbështetjen besnike. (Kolosianëve 4:10, 11) Kur ndodhej përsëri i burgosur në atë qytet, Pavli i shkroi Timoteut dhe i kërkoi të merrte me vete Markun, duke i shpjeguar: «Sepse është i dobishëm për shërbimin tim.» (2 Timoteut 4:11) Vërtet, sa privilegje të mëdha shërbimi pati Marku, ngaqë nuk hoqi dorë!

Si u bekua Marku ngaqë nuk hoqi dorë?

^ par. 3 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.