Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një Vëzhgues që na çmon

Një Vëzhgues që na çmon

Afrojuni Perëndisë

Një Vëzhgues që na çmon

Luka 12:6, 7

«ZEMRA mund të na dënojë.» Me këto fjalë, Bibla e pranon se hera-herës zemra mund të na shtyjë të jemi tepër kritikë me veten. Vërtet, ajo mund të kërkojë me ngulm të na bindë se nuk e meritojmë dashurinë dhe kujdesin e Perëndisë. Megjithatë, Bibla na siguron: «Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe di gjithçka.» (1 Gjonit 3:19, 20) Ai na njeh më mirë nga ç’e njohim ne veten. Mendimi i tij për ne mund të jetë shumë ndryshe nga yni. Atëherë, sa të çmuar jemi në sytë e Jehovait, mendimi i të cilit ka vërtet rëndësi? Përgjigjen e gjejmë në një ilustrim mjaft prekës që bëri Jezui në dy raste të ndryshme.

Në një rast, Jezui tha se ‘dy harabela shiteshin për një qindarkë’. (Mateu 10:29, 31) Gjithashtu, sipas Lukës 12:6, 7, Jezui tha: «A nuk shiten pesë harabela për dy qindarka? E megjithatë asnjë nga ata nuk harrohet përpara Perëndisë. . . . Mos kini frikë, ju vleni më tepër se shumë harabela.» Nga ky ilustrim i thjeshtë por i fuqishëm, mësojmë si e sheh Jehovai secilin nga adhuruesit e tij.

Harabelat ishin ndër zogjtë më të lirë që bliheshin për ushqim. Ka të ngjarë që Jezui të ketë vërejtur në treg gratë e varfra, ndoshta edhe nënën e tij, tek blinin këta zogj të veckël për të ushqyer familjen. Me një asarion, monedhë romake që sot vlen më pak se pesë qindarka, mund të bliheshin dy harabela. Këta zogj ishin kaq të lirë sa me dy monedha blije jo katër harabela por pesë, domethënë një jepej falas.

Jezui tha se as edhe një harabel i vetëm «nuk harrohet para Perëndisë» ose «nuk bie përtokë pa dijeninë e Atit». (Mateu 10:29) Jehovait kurrë nuk i shpëton nga sytë ndonjë harabel që bie në tokë, qoftë i plagosur, qoftë për të gjetur ushqim. Këta zogj në dukje pa ndonjë vlerë, për Jehovain nuk ishin tepër të vegjël për t’i krijuar e as tepër të vegjël për t’i kujtuar. Përkundrazi, ai i vlerëson, pasi për të janë krijesa të gjalla, të çmuara. A e kupton çfarë na mëson ilustrimi i Jezuit?

Kur mësonte, Jezui përdorte shpesh krahasime. Ai merrte shkas nga gjëra të papërfillshme dhe i zbatonte për gjëra më të rëndësishme. Për shembull, Jezui tha: «Vëreni korbat, që as mbjellin, as korrin dhe nuk kanë as hambar e as depo, e megjithatë Perëndia i ushqen. Sa më shumë vleni ju se zogjtë?» (Luka 12:24) Tani e kuptojmë qartë mësimin që nxjerrim nga fjalët e Jezuit për harabelat: nëse Jehovai kujdeset për këta zogj të veckël, aq më tepër do të kujdeset për njerëzit që e duan dhe e adhurojnë!

Duke u nisur nga fjalët e Jezuit, nuk ka pse të ndihemi aq të pavlerë sa të mendojmë se Perëndisë, që «është më i madh se zemra jonë», nuk i bie ndër mend e nuk kujdeset për ne. A nuk na ngrohet zemra kur dimë se Krijuesi ynë mund të shohë te ne atë që ne s’e shohim dot te vetja?!

[Burimi i figurës në faqen 9]

Harabela: © ARCO/​D. Usher/​age fotostock