Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dashuria e Perëndisë shihet te dashuria e një nëne

Dashuria e Perëndisë shihet te dashuria e një nëne

Dashuria e Perëndisë shihet te dashuria e një nëne

«A mund ta harrojë një grua foshnjën e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut? Edhe sikur ato të harrojnë, unë nuk do të të harroj.»​—ISAIA 49:15.

NJË foshnjë e sapolindur struket në krahët e nënës, teksa ajo i jep gji. Kjo është një skenë plot dhembshuri e dashuri. Pami, një nënë, thotë: «Kur e mora për herë të parë në krahë fëmijën tim, më pushtoi një ndjenjë dashurie dhe përgjegjësie për këtë krijesë të sapoardhur në jetë.»

Edhe pse është një fakt i njohur, studimet kanë vërtetuar se dashuria e nënës ndikon thellë në zhvillimin e foshnjës. Një dokument i botuar nga Programi i Organizatës Botërore për Shëndetin Mendor thotë: «Studimet kanë treguar se foshnjat që braktisen ose ndahen nga nënat, janë të palumtura e të dëshpëruara, dhe disa herë arrijnë deri në panik.» Po ky dokument përmend një studim i cili tregon se fëmijëve që u tregohet dashuri dhe kujdes që në moshë të njomë, ka të ngjarë të kenë nivel inteligjence shumë më të lartë se fëmijët që lihen pas dore.

Alan Shori, profesor psikiatrie në Fakultetin e Mjekësisë UCLA në Shtetet e Bashkuara, thotë në lidhje me rëndësinë e dashurisë së nënës: «Marrëdhënia e parë e foshnjës, pra, ajo me nënën e vet, shërben si model, sepse u jep formë një herë e mirë aftësive të foshnjës për të lidhur çdo lloj marrëdhënieje tjetër emocionale gjatë jetës.»

Mjerisht, për shkak të depresionit, sëmundjeve ose problemeve të tjera, një nënë mund të lërë pas dore fëmijën ose madje ‘ta harrojë foshnjën e gjirit’. (Isaia 49:15) Por, këto raste bëjnë përjashtime, nuk janë të zakonshme. Në fakt, duket se nënat janë programuar t’i duan fëmijët e tyre. Studiuesit kanë zbuluar se gjatë lindjes, nënat kanë nivele të larta të një hormoni që quhet oksitocinë, i cili shkakton tkurrjet e mitrës gjatë lindjes dhe më pas luan një rol në prodhimin e qumështit të gjirit. Po ky hormon, që prodhohet edhe te burrat, edhe te gratë, mendohet se luan rol që nëna të tregojë dashuri dhe të veprojë me altruizëm ndaj foshnjës.

Nga e ka origjinën dashuria?

Ata që përkrahin evolucionin mësojnë se dashuria altruiste, si ajo e nënës ndaj foshnjës, lindi rastësisht dhe u ruajt nga përzgjedhja natyrore, sepse u sillte dobi specieve që e shfaqnin. Për shembull, gazeta në Internet Mothering Magazine pohon: «Pjesa e parë e trurit tonë që evoluoi mbi atë pjesë të trashëguar nga zvarranikët, është sistemi limbik, burimi i emocioneve. Është kjo pjesë e trurit që i bën nënat dhe foshnjat të lidhen ngushtë mes tyre.»

Vërtet, studimet kanë zbuluar se sistemi limbik luan një rol domethënës tek emocionet. Por, a ju tingëllon e arsyeshme që dashuria e një nëne për foshnjën të jetë rezultat i një zhvillimi aksidental të trurit të zvarranikëve?

Mendoni për mundësinë tjetër. Bibla thotë se njerëzit u krijuan sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, me aftësinë për të pasqyruar cilësitë e tij. (Zanafilla 1:27) Cilësia mbizotëruese e Perëndisë është dashuria. «Kush nuk ka dashuri, nuk ka arritur ta njohë Perëndinë»,—shkroi apostulli Gjon. Pse? «Sepse Perëndia është dashuri.» (1 Gjonit 4:8) Ju lutemi, vini re se ky varg biblik nuk thotë se Perëndia ka dashuri. Përkundrazi, pohon se Perëndia është dashuri. Ai është Burimi i dashurisë.

Bibla e përshkruan dashurinë në këtë mënyrë: «Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse. Dashuria nuk është xheloze, nuk mbahet me të madh, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon interesat e veta, nuk provokohet. Ajo nuk e mban llogari të keqen. Nuk gëzon për padrejtësinë, por gëzon me të vërtetën. Mban çdo gjë, beson çdo gjë, shpreson çdo gjë, i qëndron çdo gjëje. Dashuria nuk shuhet kurrë.» (1 Korintasve 13:4-8) A duket e arsyeshme të besojmë se cilësia më fisnike, dashuria, lindi nga rastësia e verbër?

Si ndikoheni?

Ndërsa lexonit përshkrimin e dashurisë në paragrafin e mëparshëm, a ndienit dëshirën e zjarrtë për të pasur dikë që t’ju tregojë këtë lloj dashurie? Është e natyrshme të ndiheni kështu. Pse? Sepse «jemi pasardhës të Perëndisë». (Veprat 17:29) Ne u krijuam që të marrim e të japim një dashuri të tillë. E, mund të jemi të sigurt se Perëndia ka dashuri të thellë për ne. (Gjoni 3:16; 1 Pjetrit 5:6, 7) Shkrimi i përmendur në fillim të këtij artikulli, thotë se dashuria e Perëndisë për ne është edhe më e fortë dhe më e qëndrueshme se ajo e nënës për foshnjën e saj!

Por, ju mund të pyesni: ‘Nëse Perëndia është i mençur, i fuqishëm dhe i dashur, pse nuk u jep fund vuajtjeve? Pse lejon të vdesin fëmijë, të vazhdojë shtypja dhe të dëmtohet toka nga keqadministrimi dhe lakmia?’ Këto janë pyetje me vend që meritojnë përgjigje logjike.

Pavarësisht se çfarë mund të thonë agnosticistët, është e mundur të gjejmë përgjigje të kënaqshme për këto pyetje. Miliona njerëz në qindra vende i kanë gjetur këto përgjigje duke studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Botuesit e kësaj reviste ju ftojnë të bëni të njëjtën gjë. Teksa rritet njohuria juaj për Perëndinë nga studimi i Fjalës dhe i krijimit të tij, do të kuptoni se Ai nuk është i mistershëm. Përkundrazi, ka shumë mundësi të bindeni se Perëndia «nuk është larg nga secili prej nesh».—Veprat 17:27.

[Diçitura në faqen 8]

Dashuria e Perëndisë për ne është më e qëndrueshme se ajo e nënës për foshnjën e saj