Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Katastrofa godet Ishujt Solomon

Katastrofa godet Ishujt Solomon

Katastrofa godet Ishujt Solomon

Të hënën, më 2 prill 2007, një tërmet 8,1 ballësh tronditi disa pjesë të Ishujve Solomon, një arkipelag tropikal në verilindje të Australisë. Brenda pak minutash, mure gjigante uji, disa prej të cilëve deri në 10 metra të lartë, u përplasën në ishujt e Provincës Perëndimore duke vrarë 52 veta e duke lënë 6.000 të pastrehë.

Një ndër zonat më të prekura ishte Gizoja, qytet bregdetar me rreth 7.000 banorë që ndodhet në ishullin e Gizos, vetëm 45 kilometra larg epiqendrës së tërmetit. Në këtë qytet ishte një kongregacion i vogël me Dëshmitarë të Jehovait, që mezi pritnin të mbanin në mbrëmje Përkujtimin vjetor të vdekjes së Jezuit. (1 Korintasve 11:23–26) Dita nisi si gjithnjë, me një agim të bukur e me det të qetë. Pastaj, në orën 7.39 sipas orës lokale, ia behu tërmeti.

Tërmet!

Ron Parkinsoni, një plak kongregacioni, bashkë me të shoqen, Dorotinë, po përgatitnin mëngjesin kur ra tërmeti. Roni thotë: «Shtëpia jonë e vjetër u tund e u shkund si të ishte një palmë, por nuk u shemb. Zhurma të shurdhonte veshët. Nisën të binin përtokë dollapë, mobilie, enë, pianoja vertikale dhe objekte të tjera të lëvizshme. Me shumë mundim, arritëm të dilnim nga shtëpia. Dorotia çau këmbët duke ecur zbathur mbi xhama të thyer.»

Edhe Toni e Kristina Shou, një çift misionarësh që jetonin aty pranë, dolën me vrap përjashta. Kristina thotë: «Toka lëkundej aq fort, saqë rashë përtokë e s’ngrihesha dot. Në det shihje shtëpi që pluskonin mbi ujë. Një dallgë gjigante i kishte shkulur nga themelet. Njerëz nëpër kanoe u jepnin rremave si të çmendur përmes rrënojave, duke kërkuar të mbijetuarit. Pastaj ra edhe një tërmet tjetër i madh, e pastaj edhe një i tretë. Lëkundjet pas tërmetit të parë vazhduan për pesë ditë. Ishte e tmerrshme!»

Më pas, tsunami!

Kur ra tërmeti, Patson Baia ndodhej në shtëpinë e tij në ishullin Sepo-Hite, rreth 6 kilometra larg Gizos. Ç’peripeci kaloi ai dhe familja e tij në këtë katastrofë?

Patsoni sjell ndër mend çfarë hoqën: «Menjëherë vrapova drejt bregut të detit ku ishin ime shoqe, Naomi, dhe katër fëmijët. Tërmeti i kishte rrëzuar përtokë, por ishin mirë. Megjithatë fëmijët dridheshin nga frika dhe nja dy po qanin. Bashkë me Naomin, i qetësuam shpejt e shpejt.

Ndërkohë, vura re se deti po lëvizte në mënyrë të çuditshme. Dukej qartë se drejt nesh po vinte një tsunami. Me siguri do ta mbulonte ishullin tonë të vogël. Edhe mamaja ime, Evalina, e cila jetonte në një ishull të vogël afër nesh, ishte në rrezik. Menjëherë i thashë gruas e fëmijëve të hipnin në kanoen me motor që kishim, dhe u nisëm ta shpëtonim.

Pasi bëmë një copë rrugë të shkurtër, një dallgë e madhe na kaloi poshtë kanoes. Deti ishte shumë i trazuar, shkonte lart e poshtë. Mamaja ishte e tronditur dhe e pështjelluar kur shkuam tek ajo, dhe kishte shumë frikë të hynte në ujë. Naomi dhe Xheremi, djali ynë 15-vjeçar, u zhytën në rrymën e fortë dhe e ndihmuan të vinte me not deri në kanoe. Pastaj i dhashë motorit shpejtësi maksimale dhe u nisëm për në det të hapur.

Deti ishte tërhequr në një nivel që s’e kisha parë kurrë më parë, duke nxjerrë në sipërfaqe shkëmbinj koralorë që ndodheshin përqark ishujve. Papritur, ia behu një dallgë gjigante që përmbyti të dy ishujt. Shtëpinë buzë detit që e kishim për mysafirët, e shkuli nga themelet dhe e dëmtoi në mënyrë të pariparueshme. Uji përmbyti shtëpinë tonë dhe na prishi shumë mobilie e gjëra të tjera. Pasi deti u qetësua, arritëm të shpëtonim prej andej Biblat dhe librat e këngëve, e u nisëm për në Gizo.»

Përgjatë bregut të detit kishte veç vdekje e shkatërrim. Dëmet më të mëdha i pati pjesa perëndimore e ishullit të Gizos. Të paktën 13 fshatra i fshiu tej një dallgë 5 metra e lartë.

Atë natë, 22 veta u mblodhën në Sallën e Mbretërisë së Dëshmitarëve të Jehovait në Gizo, për të mbajtur Përkujtimin e vdekjes së Jezuit. Sa mirë që asnjë prej tyre s’ishte dëmtuar rëndë nga katastrofa! Roni, që e përmendëm më parë, thotë: «S’kishte drita dhe llambat me vajguri na ishin thyer. Prandaj, vëlla Shou e mbajti fjalimin me elektrik dore. Në errësirë, i kënduam këngë falënderimi Jehovait, me zë të fortë e në harmoni.»

Ndihmat

Kur lajmi për katastrofën mbërriti në Honiarë, në kryeqytet, dega vendëse e Dëshmitarëve të Jehovait u vu shpejt në lëvizje për të siguruar ndihmat e nevojshme. Nga telefonatat që u bënë pa humbur kohë, u vërtetua se shumica e Dëshmitarëve në zonat e prekura ishin mirë. Disa njerëz të besuar u dërguan për të gjetur një Dëshmitare shumë të izoluar, që jetonte në ishullin Shuasël. Më në fund e gjetën shëndoshë e mirë. Gjithashtu, në Gizo u dërguan fonde për të blerë ushqimet e nevojshme.

Dy përfaqësues nga dega shkuan në Gizo të martën, me avionin e parë që u nis. Krejg Takëri, anëtar i Komitetit të Degës, thotë: «Kishim me vete disa kuti me ndihma. Pasagjerëve të tjerë iu mbajtën disa bagazhe për shkak të peshës së kufizuar, po shyqyr që të gjitha kutitë tona mbërritën shëndoshë e mirë. Ato ishin ndër ndihmat e para që u dërguan në zonën e katastrofës. Ndihma të tjera erdhën me anije dy ditë më vonë.»

Ndërkohë, Toni Shou dhe Patson Baia, bashkë me Dëshmitarë të tjerë nga Gizoja, udhëtuan dy orë me kanoe për të ndihmuar Dëshmitarët e izoluar që jetonin në ishullin Ranonga. Nga lëkundjet e tërmetit, ky ishull 32 kilometra i gjatë dhe 8 kilometra i gjerë, ishte ngritur më shumë se 2 metra mbi nivelin e detit. Me sa duket, zhvendosja e papritur e ujit përqark ishullit kishte krijuar tsunamin që goditi ishujt përreth.

Toni thotë: «Pjesëtarët e kongregacionit sa s’fluturonin nga gëzimi kur na panë. Ishin mirë dhe flinin jashtë nga frika e lëkundjeve të tjera. Kanoeja jonë ishte e para që çoi ndihma atje. Para se të largoheshim, iu lutëm së bashku Jehovait për ta falënderuar nga zemra.»

Patsoni thotë: «Disa ditë më vonë, u kthyem në Ranonga për të sjellë ndihma të tjera e për të kërkuar një familje Dëshmitarësh që jetonte në një cep të veçuar të ishullit. Më në fund e gjetëm Metju Itun dhe familjen e tij, të strehuar thellë në pyll. Qanë nga gëzimi kur panë se nuk i kishim harruar. Tërmeti u kishte shkatërruar shtëpinë, siç kishte bërë edhe me shumicën e ndërtesave të tjera në fshat. Por meraku i tyre ishte të gjenin Bibla, pasi të mëparshmet u kishin humbur gjatë katastrofës.»

Lavdërime nga të tjerët

Kjo dashuri e krishterë nuk shpëtoi pa u vënë re nga të tjerët. Krejg Takëri thotë: «Një gazetar që kritikoi mënyrën se si u shpërndanë ndihmat në përgjithësi, u habit e u mrekullua kur mori vesh se Dëshmitarët e Jehovait u kishin çuar pjesëtarëve të fesë së tyre ushqim, mushama dhe gjëra të tjera të domosdoshme që ditët e para pas tërmetit.» Patsoni shton: «Fshatarët në Ranonga na lavdëruan për ndihmat që kishim dërguar me shpejtësi dhe u ankuan se kisha e tyre nuk i kishte mbështetur.» Një grua tha: «Sa shpejt ju erdhi në ndihmë organizata juaj!»

Dëshmitarët ndihmuan edhe fqinjët e tyre. Kristina Shou tregon: «Kur po vizitonim spitalin e përkohshëm që ishte ngritur në Gizo, pamë një çift që e kishim takuar kohët e fundit. Të dy ishin të dëmtuar e shumë të traumatizuar. Gruaja kishte pasur në krahë nipin, por i kishte shpëtuar nga duart gjatë tsunamit dhe ishte mbytur. Menjëherë u kthyem në shtëpi për të marrë ushqim e rroba për ta. Ishin shumë mirënjohës.»

Megjithatë, viktimat e katastrofave natyrore nuk kanë nevojë vetëm për ndihma materiale, por sidomos për ngushëllimin që mund t’ua sigurojë vetëm Fjala e Perëndisë, Bibla. Roni thotë: «Disa klerikë thoshin se Perëndia po i ndëshkonte njerëzit për mëkatet e tyre. Kurse ne u treguam nga Bibla se Perëndia nuk shkakton asnjëherë gjëra të këqija. Shumë veta na falënderuan që i ngushëlluam në këtë mënyrë.»—2 Korintasve 1:3, 4; Jakovi 1:13. *

[Shënimi]

^ par. 24 Shih artikullin «‘Pse?’—T’i përgjigjemi pyetjes më të vështirë», te Zgjohuni!, nëntor 2006, faqet 3–9. Me qindra kopje të këtij numri u shpërndanë në Gizo pas katastrofës.

[Diagrami dhe hartat në faqen 13]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Shuasël

Gizo

Gizo

Ranonga

HONIARË

AUSTRALI

[Figura në faqen 15]

Familja Baia në kanoen e tyre me motor

[Figura në faqen 15]

Dëme të tsunamit në Gizo

[Figura në faqen 15]

Kjo Sallë Mbretërie ishte e vetmja ndërtesë që mbeti në këmbë në fshatin Lale të ishullit Ranonga