Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund ta përballosh hidhërimin?

Si mund ta përballosh hidhërimin?

Si mund ta përballosh hidhërimin?

«Gjithë bijtë e bijat e [Jakobit] vinin për ta ngushëlluar, por ai nuk pranonte të ngushëllohej dhe thoshte: ‘Do të zbres të mbaj zi tek im bir, në varr.’ Dhe ati i tij vazhdoi ta qante.»​—ZANAFILLA 37:35, The Holy Bible​—New International Version.

PATRIARKU Jakob u hidhërua thellë për vdekjen e të birit. Ai mendonte se do të ndiente hidhërim derisa të vdiste. Ashtu si Jakobi, edhe ti mund të mendosh se dhembja që vjen nga vdekja e një njeriu të afërt është kaq e thellë, saqë nuk do të fashitet kurrë. A tregon medoemos një hidhërim i tillë se nuk ke besim te Perëndia? Aspak!

Bibla e përshkruan Jakobin si një njeri me besim. Ashtu si gjyshi i tij, Abrahami, dhe i ati, Isaku, Jakobi lavdërohet për besimin e jashtëzakonshëm. (Hebrenjve 11:8, 9, 13) Madje në një rast, ai u përlesh gjithë natën me një engjëll që të merrte një bekim nga Perëndia. (Zanafilla 32:24-30) Duket qartë se Jakobi kishte një marrëdhënie të fortë me Perëndinë. Atëherë, çfarë mund të mësojmë nga hidhërimi i Jakobit? Edhe pse një njeri mund të ketë besim të fortë te Perëndia, kjo s’do të thotë se ai nuk përjeton hidhërim dhe brengë kur i vdes një njeri i afërt. Hidhërimi është reagimi normal dhe i natyrshëm ndaj vdekjes së dikujt që duam.

Çfarë është hidhërimi?

Hidhërimi mund të ndikojë te ne në mënyra të ndryshme, por ndjenja mbizotëruese që përjeton shumica e njerëzve, është dhembja e thellë emocionale. Shqyrto përvojën e Leonardos, që në moshën 14-vjeçare i vdiq papritur i ati nga problemet e zemrës e të frymëmarrjes. Leonardoja nuk do ta harrojë kurrë ditën kur tezja ia solli lajmin. Në fillim ai nuk donte ta besonte. Shihte trupin e të atit në funeral, por e gjithë kjo i dukej krejt e pavërtetë. Për rreth gjashtë muaj, Leonardoja nuk arrinte të qante. Shpesh harronte dhe priste që i ati të kthehej nga puna. Kaloi gati një vit para se të arrinte të kuptonte që babai nuk ishte më. Kur e kuptoi, u ndie tmerrësisht i vetmuar. Gjëra të zakonshme, si kur kthehej në shtëpi dhe s’gjente njeri, i kujtonin mungesën e të atit. Në këto raste shpërthente në lot. Sa i mungonte babai!

Siç e ilustron qartë përvoja e Leonardos, hidhërimi mund të jetë tejet i thellë. Megjithatë, është ngushëlluese të dish se mund ta rimarrësh veten. Por kjo mund të kërkojë njëfarë kohe. Ashtu si një plagë e rëndë kërkon kohë që të shërohet, po kështu ndodh edhe kur të vdes një njeri i afërt. Për ta rimarrë veten, mund të të duhen muaj, disa vite ose edhe më shumë. Por dhembja therëse që ndien në fillim, do të pakësohet me kalimin e kohës dhe dalëngadalë jeta do të të duket më pak e zymtë dhe e pakuptimtë.

Ndërkohë, thuhet se hidhërimi është i nevojshëm për t’u shëruar dhe për t’u mësuar të përshtatesh me situatën e re. Vendi ku dikur ishte njeriu yt i dashur, tani ka mbetur bosh. Duhet të mësohemi të jetojmë pa atë person. Hidhërimi mund të të ndihmojë të shfrysh ndjenjat. Megjithatë një gjë është e vërtetë: Ta mbash brenda hidhërimin mund të jetë e dëmshme mendërisht, emocionalisht dhe fizikisht. Si mund ta shprehësh pra hidhërimin në mënyra që s’të dëmtojnë? Bibla përmban disa këshilla praktike. *

Si mund ta përballosh hidhërimin?

Shumë vetave që u ka vdekur një njeri i afërt, kanë vënë re se mund të ndihen të lehtësuar nëse flasin me dikë. Shqyrto për shembull, fjalët e Jobit, që përmendet në Bibël, të cilit i vdiqën të dhjetë fëmijët e i ndodhën edhe tragjedi të tjera. Ai tha: «Shpirtit tim i është neveritur jeta, e do ta shfrej brengën. Do të flas në vrerin e shpirtit tim.» (Jobi 1:2, 18, 19; 10:1) Vër re se Jobi donte ‘t’i shfrente brengat’. Si do ta bënte këtë? «Do të flas»,—tha ai.

Pauloja, të cilit i vdiq mamaja, thotë: «Një nga gjërat që më ka ndihmuar ishte të flisja për mamanë.» Pra, duke folur për ndjenjat e tua me një mik të besueshëm mund të të sjellë njëfarë lehtësimi. (Proverbat 17:17) Pasi i vdiq mamaja, Jona u kërkoi të krishterëve të tjerë që t’i vinin më shpesh për vizitë. «Kur fola, m’u lehtësua dhembja»,—kujton ajo. Edhe ti mund të shohësh se duke folur për ndjenjat e tua me dikë që të dëgjon e të kupton, do ta kesh më të lehtë t’i përballosh ato.

Mund të ndiesh lehtësim edhe duke i shprehur ndjenjat me shkrim. Disa që e kanë të vështirë të flasin për ndjenjat e tyre mund ta kenë më të lehtë të shkruajnë për to. Kur vdiq Sauli dhe Jonatani, Davidi besnik shkroi një këngë vaji në të cilën shprehu brengën e vet. Kjo këngë e përvajshme u bë pjesë e Biblës dhe ndodhet në librin e dytë të Samuelit.—2 Samuelit 1:17–27.

Të qash është një gjë tjetër që mund të të lehtësojë nga ana emocionale. Bibla thotë: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar . . . [ka edhe] një kohë për të qarë.» (Eklisiastiu 3:1, 4) Sigurisht, vdekja e një njeriu të dashur është «një kohë për të qarë». Nuk ka pse të ndihesh në siklet nëse derdh lot hidhërimi. Bibla përmban shumë shembuj të njerëzve besnikë që e shprehën hapur hidhërimin duke qarë. (Zanafilla 23:2; 2 Samuelit 1:11, 12) Jezu Krishti «nuk i mbajti dot lotët» kur iu afrua varrit të mikut të tij të dashur, Lazarit, i cili kishte pak ditë që kishte vdekur.—Gjoni 11:33, 35.

Kërkon durim të përballosh hidhërimin, sepse mund të kesh luhatje të papritura emocionale. Mos harro se nuk ka pse të kesh turp kur qan. Shumë njerëz besnikë kanë vërejtur se është normale dhe e nevojshme të derdhësh lot hidhërimi për të rimarrë veten.

Afroju Perëndisë

Bibla thotë: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» (Jakovi 4:8) Një nga mënyrat kryesore për t’iu afruar Perëndisë është nëpërmjet lutjes. Mos e nënvlerëso rëndësinë e saj! Bibla bën këtë premtim ngushëllues: «Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.» (Psalmi 34:18) Gjithashtu na jep edhe këtë siguri: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë.» (Psalmi 55:22) Mendo për këtë: siç e pamë më sipër, shumë veta janë ndier mirë kur kanë folur për ndjenjat e tyre me një mik të besueshëm. A nuk do të ndihesh edhe më i lehtësuar duke ia zbrazur zemrën Perëndisë që premton se do të na i ngushëllojë zemrat?!—2 Selanikasve 2:16, 17.

Pauloja, që përmendëm më parë, tha: «Kur nuk mund ta duroja më dhembjen dhe mendoja se s’mbaja dot më, ulesha në gjunjë dhe i lutesha Perëndisë. I përgjërohesha për ndihmë.» Pauloja është i bindur se lutjet e ndihmuan vërtet. Edhe ti mund të shohësh se falë lutjeve të vazhdueshme, «Perëndia i çdo ngushëllimi» do të të japë guximin dhe forcën për ta përballuar hidhërimin.—2 Korintasve 1:3, 4; Romakëve 12:12.

Shpresa e ringjalljes

Jezui tha: «Unë jam ringjallja dhe jeta. Ai që tregon besim tek unë, edhe sikur të vdesë, do të kthehet në jetë.» (Gjoni 11:25) Bibla thotë se të vdekurit do të rikthehen në jetë. * Kur Jezui ishte në tokë, tregoi se është në gjendje t’i ringjallë të vdekurit. Në një rast, ai ringjalli një vajzë 12-vjeçare. Si reaguan prindërit e saj? Ata «mbetën gojëhapur, të pushtuar nga një gëzim i madh». (Marku 5:42) Nën sundimin e Mbretërisë së tij, Mbreti Jezu Krisht do të ringjallë shumë e shumë njerëz këtu në tokë, ku do të mbizotërojë paqja dhe drejtësia. (Veprat 24:15; 2 Pjetrit 3:13) Përfytyro gëzimin e madh kur të vdekurit të rikthehen në jetë e të bashkohen me njerëzit e tyre të dashur!

Klaudeta, së cilës i vdiq i biri në një aksident ajror, ka vënë mbi frigorifer një foto të të birit, Renatos. Shpesh e vështron foton dhe thotë me vete: «Do të takohemi përsëri, në ringjallje.» Leonardoja imagjinon babanë duke u ringjallur në botën e re që ka premtuar Perëndia. Po, shpresa e ringjalljes është një burim i vërtetë ngushëllimi për ta e për miliona të tjerë që u kanë vdekur njerëzit e afërt. Edhe ty mund të të ngushëllojë!

[Shënimet]

^ par. 8 Për të ndihmuar fëmijët se si të përballojnë vdekjen e një njeriu të afërt, shih artikullin «Ndihmoje fëmijën tënd të përballojë hidhërimin», që gjendet në faqet 18-20 të kësaj reviste.

^ par. 19 Për një shpjegim më të hollësishëm nga Bibla në lidhje me shpresën e ringjalljes, shih kapitullin e 7-të të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia dhe figura në faqen 7]

«Perëndia i çdo ngushëllimi»

«I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotërisë tonë Jezu Krisht, Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi.»—2 Korintasve 1:3.

Ky varg biblik tregon se Perëndia mund t’i ndihmojë shërbëtorët e tij besnikë që të përballojnë çdo problem ose vështirësi që mund të hasin. Një mënyrë se si mund të na ngushëllojë Jehovai është nëpërmjet një miku ose njeriu të afërt që ka të njëjtat bindje.

Leonardoja, të cilit i vdiq i ati, kujton një përvojë që i dha forcë e ngushëllim. Sapo ishte kthyer në shtëpi, dhe kuptoi që s’kishte njeri, ai nisi të qante pareshtur. Shkoi te një park aty pranë, u ul në një stol dhe vazhdoi të qante. Mes lotësh, iu përgjërua Perëndisë për ndihmë. Papritur pranë tij ndaloi një furgon dhe Leonardoja pa se shoferi ishte një nga vëllezërit e tij të krishterë. Ai po u shpërndante disa produkte klientëve të vet dhe kishte ngatërruar rrugën. Prania e tij mjaftoi për ta ngushëlluar Leonardon.

Në një rast tjetër, një i ve ndihej i vetmuar dhe shumë i dëshpëruar. Nuk reshtte së qari, ngaqë gjithçka i dukej e zymtë. Ai u ul përtokë e iu përgjërua Perëndisë për ndihmë. Ndërsa ende lutej, ra zilja e telefonit. Ishte mbesa e tij. Ai kujton: «Biseda e shkurtër që bëmë, mjaftoi për të më dhënë sërish kurajë. Isha plotësisht i bindur se telefonata e saj ishte përgjigja e lutjes.»

[Kutia në faqen 9]

Të ngushëllojmë të tjerët

«[Perëndia] na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona, që të jemi në gjendje të ngushëllojmë ata që janë në ndonjë lloj shtrëngimi, me anë të ngushëllimit me të cilin ne vetë po ngushëllohemi nga Perëndia.»—2 Korintasve 1:4.

Shumë të krishterë të vërtetë e kanë përjetuar vetë domethënien e këtyre fjalëve. Meqë kanë marrë ngushëllim për të përballuar vdekjen e një njeriu të afërt, janë në gjendje t’u japin zemër e të ngushëllojnë të tjerët.

Të shqyrtojmë shembullin e Klaudetës, e cila shkon vazhdimisht te të tjerët për të folur për bindjet e saj të bazuara në Bibël. Para se t’i vdiste i biri, ajo shkonte te një grua që i kishte vdekur djali nga leucemia. Kjo grua kënaqej nga vizitat e Klaudetës, por mendonte se Klaudeta nuk do ta kuptonte kurrë plotësisht dhembjen e saj. Jo shumë kohë pasi Klaudetës i vdiq i biri, gruaja shkoi tek ajo dhe i tha se kishte ardhur për të parë nëse kishte ende besim te Perëndia pas asaj që i kishte ndodhur. E habitur nga besimi i fortë i Klaudetës, gruaja po studion Biblën rregullisht me të dhe po merr shumë ngushëllim nga Fjala e Perëndisë.

Pas vdekjes së të atit, Leonardoja vendosi të mësonte gjuhën e shenjave që të fliste për lajmin ngushëllues të Biblës me personat që s’mund të flasin e të dëgjojnë. Ka kuptuar se përpjekjet e tij për të ndihmuar këta njerëz i kanë sjellë shumë dobi. Ai thotë: «Një prej gjërave që më ka ndihmuar të përballoj hidhërimin, ka qenë dëshira për të ndihmuar këtë grup njerëzish që të mësojnë për Perëndinë. U kam kushtuar shumë kohë dhe energji për t’i ndihmuar. Trishtimi im u shndërrua në gëzim kur pashë studentin tim të parë të Biblës të pagëzohej! Në të vërtetë, për herë të parë pas vdekjes së babait, ndjeva lumturi të thellë.»—Veprat 20:35.

[Figura në faqen 5]

Të flasësh për ndjenjat e tua mund të të sjellë njëfarë lehtësimi

[Figura në faqen 6]

Të lexosh për shpresën e ringjalljes mund të jetë një burim i vërtetë ngushëllimi

[Figura në faqen 6]

Të shkruash mund të të ndihmojë të shprehësh hidhërimin

[Figura në faqet 8, 9]

Jezui premtoi se do të ringjallë të gjithë ata që tregojnë besim tek ai