Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse të përdorim emrin e Perëndisë nëse shqiptimi i tij nuk është i sigurt?

Pse të përdorim emrin e Perëndisë nëse shqiptimi i tij nuk është i sigurt?

Lexuesit pyesin

Pse të përdorim emrin e Perëndisë nëse shqiptimi i tij nuk është i sigurt?

Askush sot nuk e di saktësisht si shqiptohej emri i Perëndisë në hebraishten e lashtë. Por, është domethënës fakti që emri personal i Perëndisë shfaqet në Bibël rreth 7.000 herë. Jezui ua shfaqi njerëzve emrin e Perëndisë kur ishte në tokë dhe i mësoi dishepujt të luteshin për shenjtërimin e atij emri. (Mateu 6:9; Gjoni 17:6) Prandaj, një gjë është e sigurt: përdorimi i emrit të Perëndisë është tejet i rëndësishëm për të krishterët. Pse atëherë shqiptimi origjinal i këtij emri nuk është i sigurt sot? Për dy arsye kryesore.

Së pari, rreth dy mijë vjet më parë, ndër judenjtë lindi besëtytnia se ishte e gabuar të shqiptoje emrin e Perëndisë. Kur një lexues haste këtë emër në Bibël, në vend të tij thoshte «Zot». Në këtë mënyrë, pas shumë shekujsh mospërdorimi, shqiptimi i emrit të Perëndisë u la në harresë.

Së dyti, hebraishtja e lashtë shkruhej pa zanore, shumë ngjashëm me disa shkurtime në shqip dhe në gjuhë të tjera. Kur lexonte tekstin e shkruar, lexuesi shtonte tingujt zanorë që mungonin, të cilët i mbante mend. Me kalimin e kohës, u shpik një sistem për të mos harruar fare shqiptimin e fjalëve hebraike. Në Biblën hebraike, çdo fjale i shtoheshin pikat zanore. Por për t’i kujtuar lexuesit që të shqiptonte fjalën zëvendësuese për emrin e Perëndisë, ose shtoheshin pikat zanore të fjalës që përkthehet «Zot», ose nuk shtoheshin fare.

Kështu, në Bibël mbetën vetëm katër bashkëtingëlloret e quajtura Tetragrami, që një fjalor i përkufizon si «katër shkronjat hebraike të transliteruara zakonisht JHVH që formojnë emrin e përveçëm biblik të Perëndisë». Është e lehtë të kuptosh se si forma JHVH, kur i shtohen pikat dhe tingujt zanorë, bëhet «Jehova», forma që është mjaft e njohur dhe gjerësisht e pranuar në shqip.

Por, disa studiues rekomandojnë shqiptimin «Jahveh». A i afrohet kjo më shumë shqiptimit origjinal? Askush nuk mund të jetë i sigurt për këtë. Faktikisht, studiues të tjerë kanë dhënë arsye për të mos e përdorur këtë shqiptim. Sigurisht, emrat biblikë, kur shqiptohen në gjuhën e sotme ka shumë mundësi që nuk tingëllojnë aspak si në hebraishten origjinale, por askush nuk kundërshton. Kjo sepse këta emra janë bërë pjesë e të folurit tonë dhe dallohen lehtë. Po kështu është edhe me emrin Jehova.

Të krishterët e shekullit të parë u quajtën një popull për emrin e Perëndisë. Ata u predikonin të tjerëve për emrin e Perëndisë dhe i nxitnin të thërritnin atë emër. (Veprat 2:21; 15:14; Romakëve 10:13-15) Qartë, për Perëndinë është e rëndësishme që ta përdorim emrin e tij në çfarëdo lloj gjuhe që flasim, të kuptojmë domethënien e këtij emri dhe të jetojmë sipas kësaj domethënieje.

[Diçitura në faqen 31]

Është domethënës fakti që emri personal i Perëndisë shfaqet në Bibël rreth 7.000 herë