Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të imitojmë Jezuin​—Ta adhurojmë Perëndinë në mënyrë të përshtatshme

Të imitojmë Jezuin​—Ta adhurojmë Perëndinë në mënyrë të përshtatshme

Të imitojmë Jezuin​—Ta adhurojmë Perëndinë në mënyrë të përshtatshme

Perëndia me dashuri fton njerëz «nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët», që ta adhurojnë. (Zbul. 7:9, 10; 15:3, 4) Ata që e pranojnë këtë ftesë mund ‘të shohin hijeshinë e Jehovait’. (Psal. 27:4; 90:17) Ashtu si psalmisti, i ngrenë zërat për t’i dhënë lavdi Perëndisë me këto fjalë: «Ejani ta adhurojmë e të përkulemi para tij! Le të biem në gjunjë para Jehovait, Bërësit tonë!»—Psal. 95:6.

Adhurim tejet i çmuar

Si Biri i vetëmlindur i Perëndisë, Jezui kishte mundësi të mëdha për të mësuar mënyrën e të menduarit, parimet dhe normat e Atit të tij. Prandaj, Jezui mund t’u tregonte plot siguri të tjerëve mënyrën e duhur për të adhuruar Jehovain. Ai tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.»—Gjoni 1:14; 14:6.

Jezui la shembullin e përsosur të nënshtrimit të përulur ndaj Atit. Ai tha: «Nuk bëj asgjë me nismën time, por i them këto gjëra ashtu si më mësoi Ati.» Pastaj shtoi: «Bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë atij.» (Gjoni 8:28, 29) Në cilat mënyra Jezui i solli kënaqësi Atit?

Së pari, Jezui ishte plotësisht i kushtuar ndaj Atit, dhe ky përbën thelbin e adhurimit të Perëndisë. Jezui tregoi dashuri për Atin teksa i bindej duke bërë vullnetin e Tij, edhe kur kjo përfshinte sakrifica të mëdha personale. (Filip. 2:7, 8) Një aspekt i rëndësishëm i adhurimit të Jezuit ishte se merrte pjesë rregullisht në veprën e bërjes së dishepujve, aq sa e quanin Mësues qoftë besimtarët, qoftë jobesimtarët. (Mat. 22:23, 24; Gjoni 3:2) Për më tepër, Jezui nuk e kursente veten për të ndihmuar të tjerët. Për shkak të frymës së tij vetëmohuese nuk i mbetej shumë kohë për veten, megjithatë ai ishte i lumtur t’u shërbente të tjerëve. (Mat. 14:13, 14; 20:28) Edhe pse ishte i zënë, Jezui gjithmonë gjente kohë për të folur në lutje me Atin e tij qiellor. (Luka 6:12) Sa i çmuar ishte adhurimi i Jezuit për Perëndinë!

Përpjekje për t’i pëlqyer Perëndisë

Jehovai e vërejti sjelljen e Birit të tij dhe i shprehu miratimin. (Mat. 17:5) Megjithatë, edhe Satana Djalli e vërejti besnikërinë e Jezuit. Prandaj, Jezui u bë shënjestra e veçantë e Satanait. Pse? Sepse asnjë njeri nuk i ishte bindur ende plotësisht Perëndisë, duke e adhuruar kështu në mënyrë të plotë. Dhe Djalli donte ta pengonte Jezuin, që të mos i jepte Jehovait adhurimin që i takonte me të drejtë.—Zbul. 4:11.

Duke u orvatur ta korruptonte Jezuin, Satanai iu afrua e i bëri një ofertë tunduese. Ai e çoi Jezuin në ‘një mal jashtëzakonisht të lartë dhe i tregoi të gjitha mbretëritë e botës e lavdinë e tyre’. Pastaj i tha: «Të gjitha këto do të t’i jap, nëse bie përmbys dhe më bën një akt adhurimi.» Si reagoi Jezui? Ai i tha: «Ik tutje, Satana! Sepse është shkruar: ‘Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.’» (Mat. 4:8-10) Po, pavarësisht se mund të dukej se do të kishte dobi, Jezui e kuptonte se do të ishte një akt idhujtarie po të përkulej para Satanait. Jezui nuk donte t’i bënte as edhe një akt adhurimi ndokujt tjetër përveç Jehovait.

Në rastin tonë, Satanai mund të mos na ofrojë tërë mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre në këmbim të adhurimit tonë. Por ai ende përpiqet t’i pengojë të krishterët e sinqertë që të mos e adhurojnë Perëndinë. Djalli do që të adhurojmë dikë ose diçka tjetër.—2 Kor. 4:4.

Jezu Krishti e tregoi besnikërinë, madje deri në vdekje. Duke ruajtur integritetin ndaj Jehovait, Jezui i dha atij lavdi në një mënyrë që nuk e kishte bërë asnjë njeri tjetër. Ashtu siç duhet të bëjnë të krishterët e vërtetë, ne përpiqemi të imitojmë besnikërinë e Jezuit duke e vënë adhurimin ndaj Krijuesit mbi çdo gjë tjetër. Vërtet, një marrëdhënie e mirë me Perëndinë është gjëja më e çmuar që kemi.

Bekimet që vijnë kur adhurojmë në mënyrë të përshtatshme

Kur mbështetim ‘adhurimin e pastër dhe të pandotur’ nga pikëpamja e Perëndisë, marrim shumë bekime. (Jak. 1:27) Për shembull, jetojmë në një kohë kur gjithnjë e më shumë njerëz janë «të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj» dhe «pa dashuri për mirësinë». (2 Tim. 3:1-5) Por brenda shtëpisë së Perëndisë, pra, kongregacionit të tij, kemi privilegjin që të shoqërohemi me njerëz të pastër e të virtytshëm që përpiqen t’u përmbahen normave të adhurimit të Tij. (1 Tim. 3:15) A nuk është ky një burim inkurajimi?

Duke qëndruar të pandotur nga kjo botë, jemi të bekuar edhe me një ndërgjegje të pastër. Duam të mbajmë një ndërgjegje të pastër, duke iu nënshtruar parimeve të drejta të Perëndisë dhe duke iu bindur atyre ligjeve të Cezarit që nuk bien ndesh me ligjet e Perëndisë.—Mar. 12:17; Vep. 5:27-29.

Adhurimi me gjithë shpirt sjell bekime edhe në një aspekt tjetër. Kur përqendrohemi në bërjen e vullnetit të Perëndisë, e jo në vullnetin tonë, jeta jonë merr kuptim dhe bëhet e këndshme. Në vend që të themi «le të hamë e të pimë, se nesër do të vdesim», kemi shpresën e sigurt të jetës së përhershme në një parajsë në tokë.—1 Kor. 15:32.

Libri i Zbulesës flet për një kohë kur ata që mbajnë një qëndrim të pastër para Jehovait do të «dalin nga shtrëngimi i madh». Tregimi thotë se «Ai që ulet në fron, do të shtrijë tendën mbi ta». (Zbul. 7:13-15) Ai që ulet në fron nuk është askush tjetër përveçse Perëndia Jehova, Personi më i lavdishëm në univers. Përpiquni të imagjinoni se ç’gëzim do të provoni kur t’ju mirëpresë si mysafirë në tendën e tij, duke u kujdesur që ju të mos pësoni asnjë gjë të keqe! E në një farë mase, Jehovai mund të na mbrojë e të kujdeset për ne që tani.

Për më tepër, thuhet se ata që e adhurojnë Perëndinë në mënyrë të përshtatshme, drejtohen për te «burimet e ujërave të jetës». Këto burime freskuese përfaqësojnë të gjitha masat që merr Jehovai që të fitojmë jetën e përhershme. Po, nëpërmjet shpërblesës së Krishtit, «Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre». (Zbul. 7:17) Njerëzimi do të ndihmohet që të arrijë përsosmërinë, dhe kështu ata që kanë shpresën për të jetuar përgjithmonë në tokë do të përjetojnë gëzim të papërshkrueshëm. Edhe sot, adhuruesit e lumtur të Perëndisë thërrasin me zë të lartë e tërë gëzim, duke i shprehur Jehovait çmueshmërinë e tyre të përzemërt dhe duke e adhuruar bashkë me ata që janë në qiell. Këta të fundit këndojnë: «Të mëdha e të mrekullueshme janë veprat e tua, o Perëndi Jehova, o i Plotfuqishëm! Të drejta e të besueshme janë udhët e tua, o Mbret i përjetësisë! Kush nuk do të ketë frikë nga ti, o Jehova, dhe nuk do t’i japë lavdi emrit tënd? Sepse vetëm ti je besnik! Sepse të gjitha kombet do të vijnë e do të adhurojnë para teje, pasi ato e panë qartë drejtësinë e dekreteve të tua.»—Zbul. 15:3, 4.

[Figura në faqen 27]

Çfarë na ofron Satanai në këmbim të adhurimit tonë?