Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmi atje ku bëhet pazar

Dëshmi atje ku bëhet pazar

Dëshmi atje ku bëhet pazar

KUR ishte në qytetin e Athinës, apostulli Pavël shkonte çdo ditë në treg, që të predikonte lajmin e mirë për Jezuin. (Vep. 17:17) Pavli zgjodhi të shkonte në treg sepse banorët e Athinës kalonin aty shumë kohë.

Pothuajse 2.000 vjet më vonë, populli i Jehovait ende shfrytëzon vendet ku bëhet pazar që të përhapë mesazhin për Mbretërinë e Perëndisë. Pse? Sepse aty mund të gjenden shumë njerëz. Sot, vendet ku bëhet pazar mund të jenë edhe qendrat tregtare. Pasi kanë marrë leje nga menaxheri ose pronari i qendrës tregtare, disa Dëshmitarë kanë përdorur një tryezë ose kënd të vogël për të ekspozuar literaturën biblike.

Për shembull, në një qendër tregtare në Nju-Xhersi, SHBA, vëllezërit ekspozuan bukur disa botime nën temën: «Si të ruajmë vlerat familjare?» Cili qe rezultati? Vetëm në një ditë dhanë 153 libra në gjashtë gjuhë.

Një grua që u afrua pranë këndit të ekspozimit të literaturës, dëgjoi me vëmendje shpjegimin që dha një nga Dëshmitaret. Gruaja pranoi se është e rëndësishme që ta marrim parasysh Perëndinë në jetën dhe në familjen tonë. Ajo mori botimet vijuese: Të mësojmë nga Mësuesi i Madh, Sekreti i lumturisë familjare dhe Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike.

Pasdreke, pranë këndit të ekspozimit të literaturës, kaloi një burrë që ishte drejtuar për te një dyqan aty afër. Atij i tërhoqi vëmendjen libri Të rinjtë pyesin. Motra që rrinte te aty vuri re se ai burrë kishte interes për librin. Ajo e pyeti: «A të intereson ndonjë libër?» Burri tundi kokën në shenjë pohimi dhe tregoi librin Të rinjtë pyesin. Motra i dha librin drejt të cilit ai tashmë kishte zgjatur dorën. Burri tha se ishte baba i tre fëmijëve. Ndërsa biseda vazhdonte, ai përmendi se diskutonte me ta një herë në javë. Dy fëmijët më të mëdhenj ishin adoleshentë. Teksa i hidhte një sy librit, ai tha se mund ta përdorte fare mirë gjatë disa diskutimeve familjare. Lajmëtarja ia drejtoi gjithashtu vëmendjen te libri Sekreti i lumturisë familjare, duke e siguruar se ai dhe gruaja e tij do të gjenin disa këshilla shumë të dobishme për marrjen e vendimeve familjare. Ai burrë tregoi mirënjohje për sugjerimin, dhuroi një kontribut dhe pranoi që një Dëshmitar t’i bënte vizitë.

Si u ndien Dëshmitarët për ditën e dëshmisë në qendrën tregtare? «Mua më pëlqeu kjo metodë predikimi. Ç’përvojë e bukur ishte!»,—tha një motër. Një motër tjetër u shpreh: «Jehovai thotë se lajmi i mirë do të predikohet në skajet më të largëta të tokës. Sot në Paramus të Nju-Xhersit, këtë lajm të mirë e dëgjuan njerëz që flitnin gjuhë të ndryshme. Sa bukur ishte që mora pjesë në këtë rast! Të gjithë ata që morën pjesë ishin të lumtur. Asnjë nga ne nuk donte të ikte në fund të ditës.»

A mund të predikoni lajmin e mirë edhe në mënyra të tjera? Metoda jonë kryesore është predikimi shtëpi më shtëpi. (Vep. 20:20) Megjithatë, a mund të mendoni për të dëshmuar në vendet ku bëhet pazar ose në qendrat tregtare?