Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Në letrën drejtuar Hebrenjve, apostulli Pavël foli për «vënien e duarve». A e kishte fjalën për emërimin e pleqve apo për diçka tjetër?—Hebr. 6:2.

Nuk ka arsye për të qenë dogmatikë, por ka të ngjarë që Pavli po fliste për vënien e duarve që bëhej për të dhënë dhuratat e frymës.

Bibla vërtet flet për vënien e duarve në lidhje me emërimet teokratike. Për shembull, Moisiu ‘vuri duart mbi’ Josiun kur e emëroi si pasuesin e tij. (Ligj. 34:9) Në kongregacionin e krishterë, disa burra të kualifikuar u emëruan me anë të vënies së duarve. (Vep. 6:6; 1 Tim. 4:14) Pavli këshilloi që të mos viheshin duart me ngut mbi dikë.—1 Tim. 5:22.

Megjithatë, Pavli i nxiti të krishterët hebrenj që, tani që e kishin lënë «doktrinën fillestare», ‘të suleshin drejt pjekurisë’. Më pas ai renditi «pendimin për veprat e vdekura dhe besimin te Perëndia, mësimin për pagëzimet dhe vënien e duarve». (Hebr. 6:1, 2) A ishte emërimi i pleqve thjesht një gjë fillestare nga e cila të krishterët duhej të suleshin drejt pjekurisë? Jo. Emërimi si plak kongregacioni është një synim që çdo vëlla i krishterë duhet ta ketë dhe që duhet ta vlerësojë edhe më pas.—1 Tim. 3:1.

Por kishte edhe një arsye tjetër për vënien e duarve. Në shekullin e parë, Jehovai e hodhi poshtë Izraelin natyror dhe në vend të tij i dha bekimin Izraelit frymor, kongregacionit të të krishterëve të mirosur. (Mat. 21:43; Vep. 15:14; Gal. 6:16) Dhuratat e mrekullueshme të frymës, si për shembull, të folurit në gjuhë të ndryshme, dëshmuan për këtë ndryshim. (1 Kor. 12:4-11) Kur Korneli dhe ata të shtëpisë së tij u bënë besimtarë, këta të krishterë të rinj morën frymën e shenjtë, siç u tregua nga ‘të folurit në gjuhë të huaja’.—Vep. 10:44-46.

Ndonjëherë, dhuratat e mrekullueshme jepeshin me anë të vënies së duarve. Kur Filipi predikoi lajmin e mirë në Samari, shumë veta u pagëzuan. Trupi udhëheqës dërgoi atje apostujt Pjetër dhe Gjon. Pse? Në Bibël thuhet: «Atëherë, [këta të dy] vunë duart mbi [të sapopagëzuarit], e ata morën frymën e shenjtë.» Kjo duhet të ketë nënkuptuar se ata morën dhuratat e frymës, domethënë, aftësi që mund të shiheshin nga të tjerët. E dimë këtë sepse Simoni, i cili më parë merrej me magji, pa se si vepronte fryma dhe me lakmi u orvat të blinte aftësinë për të vënë duart mbi të tjerët, që t’u jepte frymën e shenjtë e kështu të kryenin mrekulli. (Vep. 8:5-20) Më vonë, u pagëzuan 12 veta në Efes. Në Shkrime thuhet: «Kur Pavli vuri duart mbi ta, fryma e shenjtë zbriti tek ata, e kështu nisën të flitnin në gjuhë të huaja e të profetizonin.»—Vep. 19:1-7; krahaso 2 Timoteut 1:6.

Pra, te Hebrenjve 6:2, Pavli me sa duket e kishte fjalën për vënien e duarve që bëhej për t’u dhënë dhuratat e frymës besimtarëve të rinj.