Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga letrat e Gjonit dhe të Judës

Pika kryesore nga letrat e Gjonit dhe të Judës

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga letrat e Gjonit dhe të Judës

TRI letrat e apostullit Gjon, të shkruara ndoshta në vitin 98 të e.s. në Efes, janë ndër librat e fundit të Shkrimeve të frymëzuara. Dy letrat e para i nxitin të krishterët të vazhdojnë të ecin në dritë e t’u rezistojnë kërcënimeve të apostazisë. Në letrën e tretë, Gjoni jo vetëm flet për ecjen në të vërtetën, por edhe nxit bashkëpunimin mes të krishterëve.

Në letrën që shkroi nga Palestina, ndoshta në vitin 65 të e.s., Juda, vëllai i Jezuit nga nëna, i paralajmëron të krishterët për të ligjtë që kishin hyrë pa u ndier në kongregacion, dhe jep këshilla si t’u rezistojnë ndikimeve të këqija. Duke i kushtuar vëmendje mesazhit të tri letrave të Gjonit dhe të letrës së Judës, mund të mbetemi të fortë në besim, pavarësisht nga pengesat.—Hebr. 4:12.

VAZHDONI TË ECNI NË DRITË, NË DASHURI DHE ME BESIM

(1 Gjon. 1:1–5:21)

Letrën e tij të parë, Gjoni e shkroi për të gjithë ata që janë në unitet me Krishtin. Aty jep këshilla të mençura për t’i ndihmuar të krishterët t’i rezistojnë apostazisë e të mbrojnë me patundshmëri të vërtetën dhe drejtësinë. Ai thekson se duhet të ecim në dritë, në dashuri dhe me besim.

Gjoni shkruan: «Nëse ecim në dritë, sikurse [Perëndia] vetë është në dritë, kemi pjesë me njëri-tjetrin». E meqë Perëndia është Burimi i dashurisë, apostulli thotë: «Le të vazhdojmë të duam njëri-tjetrin.» «Dashuria për Perëndinë» na shtyn «të zbatojmë urdhërimet e tij», ndërsa me anë të ‘besimit’ te Perëndia Jehova, te Fjala e tij dhe te Biri i tij, mundim botën.—1 Gjon. 1:7; 4:7; 5:3, 4.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

2:2; 4:10—Në ç’kuptim Jezui është «një flijim pajtues»? Jezui dha jetën e tij si flijim pajtues në kuptimin që, duke vepruar kështu, plotësoi kërkesën e drejtësisë së përsosur. Në bazë të këtij flijimi, Perëndia mund të tregojë mëshirë e t’u falë mëkatet atyre që tregojnë besim te Jezui.—Gjoni 3:16; Rom. 6:23.

2:7, 8—Cilin urdhërim quan Gjoni «të vjetër» e njëkohësisht «të ri»? E ka fjalën për urdhërimin në lidhje me dashurinë vëllazërore vetëmohuese. (Gjoni 13:34) E quan «të vjetër» sepse Jezui e dha këtë urdhërim mbi 60 vjet para se Gjoni të shkruante letrën e tij të parë të frymëzuar. Pra, besimtarët e kishin pasur «që në fillim» të jetës së tyre si të krishterë. Urdhërimi është edhe ‘i ri’, sepse nuk thotë vetëm ‘ta duash tjetrin si veten’, por kërkon edhe një dashuri vetëmohuese.—Lev. 19:18; Gjoni 15:12, 13.

3:2—Çfarë ‘nuk u është shfaqur’ të krishterëve të mirosur dhe kë do të shohin «ashtu si është»? Nuk u është shfaqur se si do të jenë kur të ringjallen në qiell me trupa frymorë. (Filip. 3:20, 21) Por, ajo që dinë është se ‘kurdo që [Perëndia] të shfaqet, ata do të jenë si ai, sepse do ta shohin ashtu si është’, pra si «Fryma».—2 Kor. 3:17, 18.

5:5-8—Si dhanë dëshmi uji, gjaku dhe fryma se «Jezui është Biri i Perëndisë»? Uji dha dëshmi sepse, kur Jezui u pagëzua në ujë, vetë Jehovai shprehu miratimin për të si Birin e Tij. (Mat. 3:17) Edhe gjaku i Jezuit, pra jeta tij, që e dha si «shpërblesë përkatëse për të gjithë», tregoi se Jezui është Biri i Perëndisë. (1 Tim. 2:5, 6) Gjithashtu, fryma e shenjtë dëshmoi se Jezui është Biri i Perëndisë kur zbriti mbi të pas pagëzimit e i dha mundësi ‘të përshkonte vendin, duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë të shtypurit nga Djalli’.—Gjoni 1:29-34; Vep. 10:38.

Mësime për ne:

2:9-11; 3:15. Nëse një i krishterë lejon që dikush ose diçka t’i shkatërrojë dashurinë për vëllezërit, atëherë po ecën në errësirë frymore dhe nuk e di se ku po shkon.

VAZHDONI ‘TË ECNI NË TË VËRTETËN’

(2 Gjon. 1-13)

Letrën e dytë, Gjoni e nis me këto fjalë: «Plaku, zonjës së zgjedhur dhe fëmijëve të saj.» Ai shpreh gëzimin e tij që «disa nga fëmijët e [saj] po ecin në të vërtetën».—2 Gjon. 1, 4.

Pasi i nxit të rritin dashurinë, Gjoni shkruan: «Kjo do të thotë dashuri: të vazhdojmë të ecim sipas urdhërimeve të tij.» Gjithashtu, i paralajmëron për ‘mashtruesin dhe antikrishtin’.—2 Gjon. 5-7.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

1, 13—Cila është ‘zonja e zgjedhur’? Gjoni mund ta ketë fjalën për një grua specifike së cilës i drejtohet si Kíria, që në greqisht do të thotë «zonjë». Ose mund ta ketë përdorur si shprehje të figurshme për t’iu drejtuar një kongregacioni të caktuar, me qëllim që të ngatërronte përndjekësit. Nëse është e vërtetë kjo e dyta, fëmijët e saj do të ishin pjesëtarët e atij kongregacioni dhe «fëmijët e motrës [së saj]» do të ishin pjesëtarët e një kongregacioni tjetër.

7—Në ç’kuptim mashtruesit ‘nuk e rrëfejnë’ ardhjen e Jezuit? Mashtruesit nuk rrëfejnë ardhjen e Jezuit në mish. Ndoshta mohojnë ekzistencën e Jezuit ose nuk pranojnë se u miros me frymën e shenjtë.

Mësime për ne:

2, 4. Njohja e ‘së vërtetës’, pra e tërësisë së mësimeve të krishtere që gjenden në Bibël, dhe besnikëria ndaj së vërtetës, janë thelbësore për shpëtimin tonë.—3 Gjon. 3, 4.

8-11. Nëse nuk duam të humbim ‘dashamirësinë e pamerituar, mëshirën dhe paqen nga Perëndia, Ati, e nga Jezu Krishti’, si dhe shoqërinë e dashur të bashkëbesimtarëve, duhet ‘të ruhemi’ frymësisht dhe t’u rrimë larg atyre që ‘nuk qëndrojnë në mësimin e Krishtit’.—2 Gjon. 3.

BËHUNI «BASHKËPUNËTORË NË TË VËRTETËN»

(3 Gjon. 1-14)

Letrën e tretë Gjoni ia drejton mikut të tij, Gajit. Ai shkruan: «Nuk kam shkak më të madh për gëzim, sesa të dëgjoj që bijtë e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.»—3 Gjon. 4.

Gjoni e lavdëron Gajin që «po bën një vepër të besueshme» duke ndihmuar vëllezërit që shkojnë për vizitë. «Ne . . . kemi detyrimin t’i mirëpresim njerëz të tillë,—thotë apostulli,—që të bëhemi bashkëpunëtorë në të vërtetën.»—3 Gjon. 5-8.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

11—Pse disa përfshihen në sjellje të keqe? Duke mos qenë të fortë në të vërtetën, disa nuk e shohin Perëndinë me sytë e kuptueshmërisë. Ngaqë nuk e shohin me sytë e mirëfilltë, veprojnë sikur ai të mos i shihte.—Ezek. 9:9.

14—Cilëve u drejtohet Gjoni si ‘miq’? Këtu fjala «miq» nuk përfshin vetëm ata që kanë lidhje të ngushta me njëri-tjetrin. Gjoni e përdor këtë fjalë për t’iu referuar bashkëbesimtarëve në përgjithësi.

Mësime për ne:

4. Pjesëtarët e kongregacionit që janë të pjekur frymësisht, provojnë shumë gëzim kur shohin pjesëtarët më të rinj që «vazhdojnë të ecin në të vërtetën». Po sa i madh është gëzimi i prindërve kur ia dalin mbanë t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të bëhen shërbëtorë të Jehovait!

5-8. Ndër ata që punojnë pa u lodhur për vëllezërit e tyre, nga dashuria për ta e për Jehovain, janë mbikëqyrësit udhëtues, misionarët, ata që shërbejnë në shtëpitë Bethel ose në zyrat e degëve dhe ata që shërbejnë si pionierë. Besimi i tyre vlen të imitohet, dhe ata meritojnë mbështetjen tonë të dashur.

9-12. Duhet të imitojmë shembullin e Dhimitrit besnik e jo atë të Diotrefit llomotar, që ishte shpifës.

«RUANI VETEN NË DASHURINË E PERËNDISË»

(Jud. 1–25)

Juda i përshkruan ata që ishin futur pa u ndier në kongregacion, si njerëz «që murmuritin, që ankohen për shortin e tyre në jetë, që vazhdojnë të ecin sipas dëshirave të veta». Ata ‘thonë fjalë të fryra, ndërsa admirojnë personalitetet që të nxjerrin dobi për vete’.—Jud. 4, 16.

Si t’u rezistojnë të krishterët ndikimeve të këqija? «Të dashur,—shkruan Juda,—sillni ndër mend fjalët që ju thoshin që më parë apostujt e Zotërisë tonë Jezu Krisht.» Pastaj shton: «Ruani veten në dashurinë e Perëndisë.»—Jud. 17-21.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

3, 4—Pse Juda i nxiti të krishterët ‘të luftonin me të gjitha forcat për besimin’? U dha këtë nxitje sepse ‘në kongregacion kishin hyrë pa u ndier disa njerëz të paperëndishëm’. Këta ‘po e kthenin dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë në justifikim për sjellje të shthurur’.

20, 21—Si ‘ta ruajmë veten në dashurinë e Perëndisë’? Këtë mund ta bëjmë në tri mënyra: (1) duke u ndërtuar mbi themelin e ‘besimit tonë shumë të shenjtë’, me anë të studimit të zellshëm të Fjalës së Perëndisë dhe duke marrë pjesë me zell në veprën e predikimit; (2) duke u lutur «me frymë të shenjtë» ose në përputhje me ndikimin e saj dhe (3) duke treguar besim në flijimin shpërblyes të Jezu Krishtit, që bën të mundur jetën e përhershme.—Gjoni 3:16, 36.

Mësime për ne:

5-7. A mund t’i shpëtojnë të ligjtë gjykimit të Jehovait? Sipas tre shembujve paralajmërues që rendit Juda, kjo është e pamundur.

8-10. Duhet të ndjekim shembullin e kryeengjëllit Mikael e të tregojmë respekt për ata të cilëve Jehovai u ka dhënë autoritet.

12. Apostatët që shtiren si të dashur janë po aq të rrezikshëm për besimin tonë, sa edhe shkëmbinjtë e fshehur nën ujë për anijet ose për notarët. Mësuesit e rremë mund të duken bujarë, por janë si re pa ujë, në kuptimin që janë bosh frymësisht. Këta janë po aq të pafryt sa edhe pemët e vdekura në vjeshtën e vonë. I pret shkatërrimi, njësoj si pemët që janë shkulur me rrënjë. Tregohemi të mençur nëse u rrimë larg apostatëve.

22, 23. Të krishterët e vërtetë e urrejnë atë që është e keqe. Pjesëtarët e pjekur të kongregacionit, sidomos mbikëqyrësit e emëruar, u sigurojnë ndihmë frymore ‘disave që kanë dyshime’, duke u përpjekur t’i shpëtojnë nga zjarri i shkatërrimit të përhershëm.

[Figurat në faqen 28]

Uji, fryma dhe gjaku dhanë dëshmi se «Jezui është Biri i Perëndisë»