Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A keni frikë nga të vdekurit?

A keni frikë nga të vdekurit?

A keni frikë nga të vdekurit?

KËSAJ pyetjeje, shumë veta i përgjigjen: «Jo. E pse duhet të kem frikë?» Ata besojnë se të vdekurit nuk janë më. Kurse miliona të tjerë janë të bindur se të vdekurit vazhdojnë të jetojnë si shpirtra.

Në Benin të Afrikës Perëndimore, shumë veta besojnë se të vdekurit mund të kthehen për të vrarë pjesëtarët e tjerë të familjes. Njerëzit shesin zotërimet ose hyjnë në borxhe që të paguajnë flijimet në kafshë dhe ceremonitë për të qetësuar të afërmit e tyre të vdekur. Disa praktikojnë spiritizmin, që përfshin idenë se shpirti i njerëzve mbijeton pas vdekjes dhe mund të komunikojë me të gjallët. Të tjerë kalojnë përvoja të frikshme që mendojnë se u kanë ndodhur për shkak të ndikimit të shpirtrave të të vdekurve.

Një përvojë të tillë e pati edhe Agbula, i cili jeton afër kufirit mes Beninit dhe Nigerisë. Ai thotë: «Në zonën tonë jetën e kontrollon spiritizmi. Është zakon t’i bësh ceremoninë e larjes kufomës për ta përgatitur për botën e padukshme. Shpesh e merrja sapunin e mbetur dhe e përzieja me disa gjethe. Pastaj me këtë përzierje lyeja armën e gjahut dhe thosha me zë të lartë ç’gjah doja të zija. Praktika të tilla janë të zakonshme dhe dukej se funksiononin. Por, disa aspekte të spiritizmit ishin të frikshme.

Kur më vdiqën në mënyrë misterioze dy djem, dyshova se mos dikush po praktikonte spiritizmin kundër meje. Për ta zbuluar këtë, shkova te një plak i moçëm, me famë për fuqitë e tij spiritiste. Ai m’i vërtetoi dyshimet. Jo vetëm kaq, por më shpjegoi se djemtë e mi tani po pritnin në botën e padukshme që të bëheshin shërbëtorë të vrasësit të tyre kur të vdiste. Pastaj shtoi se edhe djali i tretë do të pësonte të njëjtin fat. Ca ditë më vonë, edhe ai vdiq.»

Më pas, Agbula takoi Xhonin, një Dëshmitar të Jehovait nga Nigeria fqinje. Shpjegimi i Xhonit për gjendjen e të vdekurve bazohej në Bibël. Ai shpjegim i ndryshoi jetën Agbulës. Mund të ndryshojë edhe jetën tuaj.

A janë gjallë të vdekurit?

Kush mund t’i përgjigjet më mirë kësaj pyetjeje? Jo ndonjë njeri, sado me famë të jetë. Përgjigjen e ka vetëm Jehovai, Krijuesi i çdo jete ‘në qiej e në tokë, i gjërave të dukshme dhe të padukshme’. (Kolosianëve 1:16) Ai i krijoi engjëjt që të banonin në botën e padukshme dhe njeriun e kafshët që të jetonin në tokë. (Psalmi 104:4, 23, 24) Jeta kudo varet prej Tij. (Zbulesa 4:11) Prandaj shqyrtoni ç’thotë vetë Fjala e Tij, Bibla, për vdekjen.

Jehovai ishte i pari që foli për vdekjen. Ai i paralajmëroi Adamin dhe Evën se do të vdisnin po të mos i bindeshin. (Zanafilla 2:17) Ç’do të thoshte kjo? Jehovai shpjegoi: «Ti je pluhur, dhe në pluhur do të kthehesh.» (Zanafilla 3:19) Pas vdekjes, trupi shpërbëhet, kthehet përsëri në pluhur. Jeta mbaron.

Adami dhe Eva me dashje u treguan të pabindur dhe për këtë u dënuan me vdekje. Por nuk ishin të parët që vdiqën. I pari ishte djali i tyre, Abeli, të cilin e vrau vëllai i madh, Kaini. (Zanafilla 4:8) Kaini nuk kishte frikë se mos vëllai i tij i vdekur hakmerrej. Përkundrazi, kishte frikë ç’mund t’i bënin njerëzit që ishin gjallë.—Zanafilla 4:10-16.

Shumë shekuj më vonë, mbreti Herod u turbullua kur astrologët e informuan se në mbretërinë e tij kishte lindur «mbreti i judenjve». I vendosur ta hiqte qafe këtë rival të mundshëm, ai kurdisi një plan për të vrarë gjithë djemtë në Betlehem nga dy vjeç e poshtë. Por një engjëll e paralajmëroi Jozefin të merrte Jezuin e Marinë dhe ‘të ikte për në Egjipt’.—Mateu 2:1-16.

Kur vdiq Herodi, engjëlli i tha Jozefit të kthehej në Izrael, «sepse ata që kërkonin shpirtin e fëmijës, [kishin] vdekur». (Mateu 2:19, 20) Engjëlli, që ishte vetë krijesë frymore, e dinte se Herodi s’mund t’i bënte keq më Jezuit. Jozefi nuk kishte frikë nga mbreti i vdekur Herod. Kishte frikë nga ajo që mund të bënte djali tiran i Herodit, Arkelau. Prandaj u vendos me familjen në Galile, jashtë juridiksionit të Arkelaut.—Mateu 2:22.

Këto tregime na ndihmojnë të kuptojmë se të vdekurit janë të pafuqishëm. Atëherë, si mund të shpjegohen përvojat e Agbulës dhe të të tjerëve?

«Demonë» ose frymëra të ndyra

Kur u rrit, Jezui hasi krijesa të liga frymore. Ata e njohën dhe iu drejtuan si «Bir i Perëndisë». Edhe Jezui e dinte cilët ishin. Nuk ishin shpirtrat e njerëzve të vdekur. Përkundrazi, Jezui i identifikoi si «demonë» ose frymëra të ndyra.—Mateu 8:29-31; 10:8; Marku 5:8.

Bibla flet për krijesa frymore që i qëndrojnë besnike Perëndisë dhe për ato që janë rebeluar kundër tij. Libri i Zanafillës thotë se, kur Jehovai dëboi Adamin dhe Evën nga kopshti i Edenit, vendosi në lindje të kopshtit kerubinë, ose engjëj, për ta ruajtur që të mos hynte njeri. (Zanafilla 3:24) Kjo është hera e parë që krijesat frymore u bënë të dukshme për njerëzit.

Ca kohë më vonë, disa engjëj erdhën në tokë dhe morën trupa njerëzorë. Jehovai nuk u kishte caktuar ndonjë detyrë në tokë. Përkundrazi, ata «braktisën vendbanimin e tyre të duhur» në botën e padukshme. (Juda 6) Motivet pse e bënë këtë ishin egoiste. Ata morën gra, të cilat lindën pasardhës hibridë të quajtur nefilimë. Nefilimët dhe etërit e tyre rebelë e mbushën tokën me dhunë e me shumë gjëra të tjera të këqija. (Zanafilla 6:1-5) Jehovai e ndreqi situatën duke sjellë Përmbytjen globale në ditët e Noesë. Ujërat e Përmbytjes zhdukën burrat dhe gratë e ligj, si dhe hibridët. Po me engjëjt, ç’ndodhi?

Përmbytja i detyroi të ktheheshin në botën e padukshme. Por Jehovai nuk i lejoi të ktheheshin përsëri në «vendin e tyre fillestar». (Juda 6) Bibla thotë: «Perëndia nuk ua kurseu ndëshkimin engjëjve që mëkatuan, por i hodhi në Tartar dhe ua dorëzoi thellësive të errësirës së dendur që të ruhen për gjykimin.»—2 Pjetrit 2:4.

Tartari nuk është ndonjë vend i veçantë, por një gjendje poshtërimi si në burg, që ua kufizon veprimtarinë këtyre engjëjve të ligj. Demonët nuk mund të marrin më trupa njerëzorë, por ende kanë shumë fuqi dhe ndikojnë në mendjen e në jetën e njerëzve. Ata mund të zaptojnë njerëz e kafshë. (Mateu 12:43-45; Luka 8:27-33) Gjithashtu, i mashtrojnë njerëzit duke u hequr si shpirtrat e të vdekurve. Përse? Që t’i pengojnë të adhurojnë Jehovain në mënyrën që pranon ai, dhe t’i pështjellojnë për gjendjen e vërtetë të të vdekurve.

Si të kapërcehet frika

Agbula e kuptoi sa të arsyeshme ishin shpjegimet e Biblës për vdekjen dhe për identitetin e krijesave frymore. E kuptoi se duhej të dinte më tepër. Nisi të lexonte Biblën dhe botimet biblike bashkë me Xhonin. Agbula gjeti ngushëllim kur mësoi se djemtë e tij ishin në gjumë, në varr, jo duke pritur në botën e padukshme që të bëheshin shërbëtorë të vrasësit të tyre.—Gjoni 11:11-13.

Gjithashtu, Agbula kuptoi se duhej të shkëputej krejt nga praktikat spiritiste. Dogji çdo gjë që lidhej me okultizmin. (Veprat 19:19) Disa në zonën e tij e paralajmëruan se frymërat do ta ndëshkonin. Por Agbula nuk kishte frikë. Ai ndoqi këshillën e Efesianëve 6:11, 12: «Vishni armaturën e plotë të Perëndisë, . . . sepse . . . kemi një përleshje . . . me forcat e liga frymore.» Kjo armaturë e figurshme përfshin të vërtetën, drejtësinë, lajmin e mirë të paqes, besimin dhe shpatën e frymës, domethënë Fjalën e Perëndisë. Është një armaturë e fuqishme që vjen nga Perëndia.

Disa miq e të afërm iu larguan Agbulës, sepse nuk mori pjesë në zakone të lidhura me spiritizmin. Por në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait ai gjeti miq të tjerë, që besonin atë që mëson Bibla.

Tani Agbula e di se Jehovai së shpejti do ta pastrojë tokën nga ligësia dhe do t’i katandisë demonët në një gjendje joaktiviteti të plotë. Së fundi, do t’i shkatërrojë. (Zbulesa 20:1, 2, 10) Perëndia do të ringjallë këtu në tokë «të gjithë ata që janë në varre». (Gjoni 5:28, 29) Ndër ta do të jenë Abeli, fëmijët e pafajshëm që vrau mbreti Herod dhe miliona të tjerë. Agbula ka besim se do të ringjallen edhe tre djemtë e tij. Ndër të ringjallurit mund të jenë edhe njerëzit tuaj të dashur që ju kanë vdekur. Të gjithë ata të ringjallur do të vërtetojnë se që nga vdekja e deri te ringjallja, ishin plotësisht të pavetëdijshëm, në padije të të gjitha ceremonive që janë kryer për ta.

Nuk keni arsye pse të keni frikë nga të vdekurit. Përkundrazi, mund të pritni kohën kur do të takoni përsëri njerëzit e dashur që ju kanë vdekur. Ndërkohë, përse të mos studioni Biblën që të forconi besimin? Shoqërohuni me ata që besojnë atë që mëson Bibla. Nëse ende merreni sadopak me spiritizëm, hiqni dorë menjëherë. Mbrohuni nga demonët duke veshur «armaturën e plotë të Perëndisë». (Efesianëve 6:11) Dëshmitarët e Jehovait do t’ju ndihmojnë me kënaqësi. Ata ofrojnë studime biblike pa pagesë, duke përdorur librin Çfarë mëson vërtet Bibla? *

Agbula nuk ka më frikë nga të vdekurit dhe ka mësuar si t’u kundërvihet demonëve. Ai thotë: «Nuk e di kush u shkaktoi vdekjen tre djemve të mi. Por, që kur nisa t’i shërbej Jehovait, jam bërë me shtatë fëmijë të tjerë. Askush nga bota e padukshme nuk i ka dëmtuar ndonjëherë.»

[Shënimi]

^ par. 25 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 13]

Agbula nuk ka më frikë nga të vdekurit dhe ka mësuar si t’u kundërvihet demonëve

[Figura në faqen 12]

Kaini nuk kishte frikë se mos vëllai i tij i vdekur hakmerrej