Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lexuesit pyesin

Pse disa lutje nuk marrin përgjigje?

Pse disa lutje nuk marrin përgjigje?

Perëndia është shumë i afrueshëm. Ashtu si një atë i dashur kënaqet kur fëmijët i flasin lirshëm, Perëndia Jehova i mirëpret lutjet tona. Në të njëjtën kohë, si çdo baba i mençur, ai ka arsye të forta që të mos u përgjigjet disa kërkesave. A janë të mistershme këto arsye, apo ka zbuluar diçka për to në Bibël?

Apostulli Gjon shpjegon: «Kjo është siguria që kemi tek ai: çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon.» (1 Gjonit 5:14) Kërkesat tona duhet të jenë në harmoni me vullnetin e Perëndisë. Disa luten për gjëra që në mënyrë të qartë nuk janë sipas vullnetit të Perëndisë, për shembull që të fitojnë lotarinë ose një bast. Të tjerë nuk luten me motivet e duhura. Dishepulli Jakov paralajmëroi kundër përdorimit të lutjes në këtë mënyrë të gabuar: «Ju kërkoni, e megjithatë nuk merrni, sepse kërkoni për një qëllim të gabuar, që ta shpenzoni në etjen tuaj për kënaqësi mishore.»—Jakovi 4:3.

Për shembull, mendoni që dy skuadra kundërshtare në futboll luten të fitojnë. Nuk është e arsyeshme të presim që Perëndia t’u përgjigjet këtyre lutjeve kontradiktore. E njëjta gjë mund të thuhet për luftërat e sotme, ku të dyja palët luten për fitore.

Ata që përbuzin ligjin e Perëndisë, më kot luten. Një herë, Jehovai u ndie i detyruar t’u thoshte adhuruesve hipokritë: «Edhe pse lutjet tuaja janë të shumta, unë nuk i dëgjoj. Duart tuaja janë tërë gjak.» (Isaia 1:15) Bibla thotë: «E pështirë është lutja e atij që e largon veshin për të mos dëgjuar ligjin.»—Proverbat 28:9.

Nga ana tjetër, Jehovai do t’i dëgjojë gjithnjë lutjet e sinqerta të adhuruesve që po bëjnë çmos t’i shërbejnë sipas vullnetit të tij. Por, a do të thotë kjo se do t’ua plotësojë çdo kërkesë? Jo. Shqyrtoni disa shembuj biblikë.

Moisiu kishte një lidhje të ngushtë e të jashtëzakonshme me Perëndinë, megjithatë edhe ai duhej të lutej «sipas vullnetit të [Perëndisë]». Në kundërshtim me qëllimin që kishte shprehur Perëndia, Moisiu u lut t’i lejohej të hynte në tokën e Kanaanit: «Lërmë, të lutem, të kaloj e të shoh vendin e mirë që është matanë Jordanit.» Por më parë, Moisiut i ishte thënë se nuk do të hynte në atë vend, pasi kishte mëkatuar. Prandaj, tani, në vend që t’ia plotësonte kërkesën, Jehovai i tha: «Mjaft më! Mos më fol më kurrë për këtë gjë.»—Ligji i përtërirë 3:25, 26; 32:51.

Apostulli Pavël u lut për lehtësim nga diçka që e quajti «një gjemb në mish». (2 Korintasve 12:7) Ky «gjemb» mund të ketë qenë një problem kronik me sytë ose mund t’i referohej ngacmimit të vazhdueshëm nga kundërshtarët dhe ‘vëllezërit e rremë’. (2 Korintasve 11:26; Galatasve 4:14, 15) Pavli shkroi: «Iu përgjërova tri herë Zotërisë, që ta hiqte nga unë.» Por Perëndia e dinte se, nëse Pavli vazhdonte të predikonte pavarësisht nga ky «gjemb në mish» që s’e linte rehat, kjo do të tregonte qartë fuqinë e Perëndisë dhe besimin e plotë të Pavlit tek Ai. Prandaj, në vend që t’ia plotësonte kërkesën, Perëndia i tha: «Fuqia ime përsoset në dobësi.»—2 Korintasve 12:8, 9.

Po, Perëndia e di më mirë se ne nëse do të ishte në interesat tona më të mira të na i plotësonte disa kërkesa. Jehovai gjithnjë vepron për të mirën tonë, në përputhje me qëllimet e tij të dashura që janë dokumentuar në Bibël.