Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

A ishte lebra e përshkruar në Bibël e njëjtë me sëmundjen që njihet me këtë emër sot?

Termi mjekësor «lebër» që përdoret sot, i referohet një infeksioni bakterial të njeriut. Ky bakter (Mycobacterium leprae) u identifikua fillimisht nga dr. G. A. Hanseni në vitin 1873. Shkencëtarët kanë zbuluar se bakteri mund të mbijetojë deri në nëntë ditë jashtë trupit, në sekrecionet e hundës. Gjithashtu kanë zbuluar se njerëzit që janë përreth pacientëve me lebër kanë më shumë mundësi të marrin sëmundjen, dhe se rrobat e infektuara janë burim i mundshëm infeksioni. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2007 u raportuan mbi 220.000 raste të reja me lebër.

S’ka dyshim se në kohët biblike lebra prekte njerëzit në Lindjen e Mesme, dhe Ligji i Moisiut kërkonte që një njeri me lebër të vihej në karantinë. (Levitiku 13:4, 5) Por fjala hebraike tsarath, e përkthyer «lebër», nuk nënkuptonte vetëm sëmundjen që u binte njerëzve. Tsarath prekte edhe rrobat e shtëpitë. Kjo lloj lebre mund të shfaqej në rrobat prej leshi ose liri, ose në çdo gjë prej lëkure. Në disa raste, zhdukej me larje, por nëse ‘plaga me ngjyrë të gjelbër në të verdhë ose ngjyrë të kuqërreme’ mbetej, rroba ose lëkura duhej djegur. (Levitiku 13:47-52) Në shtëpi, plaga shfaqej si «gropëza me ngjyrë të gjelbër në të verdhë ose ngjyrë të kuqërreme» në mur. Gurët dhe suvaja e prekur duheshin hequr e hedhur larg qendrave të banuara. Nëse lebra rishfaqej, ndërtesa duhej shembur dhe materialet duheshin flakur tej. (Levitiku 14:33-45) Disa sugjerojnë se lebra në rroba ose në shtëpi mund të ketë qenë ajo që sot njihet si vrugu ose myku. Gjithsesi, s’mund ta themi me siguri këtë.

Pse shkaktoi trazirë mes argjendarëve predikimi i apostullit Pavël në Efes?

Argjendarët e Efesit kishin vënë pasuri ‘duke bërë faltore të Artemisës të derdhura në argjend’. Artemisa ishte hyjnia mbrojtëse e Efesit, hyjni e gjuetisë, pjellorisë dhe lindjes së fëmijëve. (Veprat 19:24) Thuhej se shëmbëlltyra e saj kishte rënë «nga qielli» dhe e kishin vënë në tempullin e Artemisës në Efes. (Veprat 19:35) Ky tempull konsiderohej një nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë. Turma pelegrinësh dyndeshin çdo vit në Efes, në periudhën mars-prill, që të ndiqnin festat për nder të Artemisës. Ky vërshim vizitorësh shtonte kërkesat për objekte kulti, që përdoreshin ose si suvenirë, hajmali a oferta për hyjninë, ose për adhurimin si familje kur pelegrinët ktheheshin në shtëpi. Mbishkrime të lashta nga Efesi flasin për prodhimin e statujave prej ari e argjendi të Artemisës, kurse mbishkrime të tjera përmendin në mënyrë specifike punishten e argjendarit.

Pavli u mësonte njerëzve se «nuk janë perëndi ato që bëhen me dorë», pra shëmbëlltyrat. (Veprat 19:26) Kështu, duke parë se po u rrezikoheshin të ardhurat, argjendarët nxitën një trazirë në shenjë proteste kundër predikimit të Pavlit. Dhimitri, njëri nga argjendarët, e shprehu merakun e tyre me këto fjalë: «Jo vetëm zanati ynë rrezikon të rrënohet, por edhe tempulli i perëndeshës së madhe Artemisë do të shihet si një hiç, madhështia e asaj që adhuron mbarë krahina e Azisë dhe toka e banuar, pas pak kohe do të humbasë.»—Veprat 19:27.