Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

Çfarë e shtyu një grua që merrej me kontrabandë diamantesh dhe vidhte në punë, të bëhej një punonjëse e ndershme? Çfarë e ndihmoi një grua që kishte tentuar dy herë vetëvrasjen, të gjente një qëllim në jetë? Si mori forcë një alkoolist dhe i droguar, që t’i hiqte këto vese të dëmshme? Shqyrtoni ç’thonë ata.

TË DHËNA

EMRI: MARGARET DEBEJËRNI

MOSHA: 45 VJEÇE

SHTETI: BOTSVANË

MË PARË: KONTRABANDISTE DHE HAJDUTE

E KALUARA IME: Im atë ishte me origjinë gjermane, por u bë nënshtetas i Afrikës Jugperëndimore (tani Namibia). Mamaja ishte nga Botsvana, nga fisi mangologa. Unë linda në Gobabis të Namibisë.

Në vitet 70, qeveria e Afrikës së Jugut ushtronte mjaft kontroll mbi Namibinë dhe i ekzekutonte me rreptësi ligjet e apartejdit nëpër qytete e fshatra. Ngaqë prindërit e mi kishin bërë një martesë ndërracore, i bindën të ndaheshin. Kështu, mamaja u kthye në Gansi të Botsvanës, bashkë me mua, vëllezërit dhe motrat e mia.

Në vitin 1979, shkova në Lobace të Botsvanës dhe ndenja te një familje që më mbajti ndërsa vazhdoja shkollën. Më vonë, gjeta punë si shitëse në një ofiçinë. U rrita me bindjen se Perëndia nuk i ndihmon njerëzit, prandaj ata duhet të bëjnë ç’kanë në dorë, e drejtë apo e gabuar qoftë, për të mbështetur veten dhe familjen.

Meqë kisha një vend me përgjegjësi në punë, e shfrytëzova për të vjedhur pjesë këmbimi nga punëdhënësi. Veç kësaj, sa herë kalonte një tren natën mes qytetit, bashkë me shokët e mi hipnim në të dhe vidhnim ç’të na zinin duart. Gjithashtu, u përfshiva në kontrabandën e diamanteve, arit dhe bronzit. Fillova të merrja drogë, u bëra tepër e dhunshme dhe kisha shumë të dashur.

Në vitin 1993, më kapën duke vjedhur dhe humba punën. «Miqtë» më braktisën, sepse kishin frikë mos i kapnin edhe ata. Ky reagim i tyre më lëndoi dhe vendosa të mos i besoja më askujt.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Në vitin 1994, takova Timin dhe Virxhinian, dy misionarë Dëshmitarë të Jehovait. Vinin e më flitnin gjatë pushimit të drekës në punën e re që kisha filluar, duke më ndihmuar të mësoja për Biblën. Më vonë, kur m’u duk se mund t’u besoja, i ftova të vinin në shtëpi që të studionim bashkë.

Shpejt e kuptova se, nëse doja t’i pëlqeja Perëndisë, duhej të bëja disa ndryshime në jetë. Për shembull, nga 1 Korintasve 6:9, 10 mësova se «as kurvarë, . . . as hajdutë, as lakmitarë, as pijanecë, as sharës, as zhvatës nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë». Kështu që, një nga një, i hoqa të gjitha veset e këqija. Nuk vidhja më. E ndërpreva shoqërinë me gangsterët me të cilët isha rritur. Pastaj, me forcën që më dha Jehovai, i largova nga jeta ime të dashurit që kisha.

DOBITË: Me shumë përpjekje, kam mësuar të vetëpërmbahem e të mos u bërtas fëmijëve kur diçka nuk shkon mirë. (Efesianëve 4:31) Përpiqem t’i diskutoj gjërat me qetësi. Kjo mënyrë komunikimi sjell rezultatet e duhura dhe na afron më tepër si familje.

Miqtë e dikurshëm, por edhe fqinjët, kanë kuptuar se mund të kenë besim tek unë. Jam bërë një punonjëse e ndershme dhe e besuar e mund t’i administroj me kujdes paratë dhe pajisjet. Kështu arrij të mbështes veten financiarisht dhe të kaloj pjesën më të madhe të kohës duke ndihmuar të tjerë të mësojnë për Biblën. Jam plotësisht dakord me fjalët e Proverbave 10:22: «Bekimi i Jehovait të bën të pasur dhe ai nuk shton asnjë dhembje.»

TË DHËNA

EMRI: GLORIA ELISARARAS DE ÇOPEREJNA

MOSHA: 37 VJEÇE

SHTETI: MEKSIKË

MË PARË: TENTOI TË VETËVRITEJ

E KALUARA IME: U rrita në një zonë të pasur të Naukalpanit, në Meksikë. Që e vogël, isha shumë rebele dhe vdisja të shkoja nëpër festa. Nisa të pija duhan në moshën 12-vjeçare, alkool në moshën 14-vjeçare dhe drogë në moshën 16-vjeçare. Disa vjet më vonë, ika nga shtëpia. Pothuajse të gjithë miqtë e mi vinin nga familje jonormale, dhe me ta ishte abuzuar fizikisht ose me fjalë. Jeta dukej kaq e pashpresë, saqë dy herë tentova të vetëvritesha.

Në moshën 19 vjeçe, nisa të punoja si fotomodele. Kjo më dha mundësi të shoqërohesha me politikanë e me njerëz të botës së zbavitjes. Më vonë u martova dhe u bëra me fëmijë, por vendimet në familje i merrja unë. Veç kësaj, vazhdoja të pija duhan e alkool dhe bëja një jetë shoqërore të ethshme. Në çdo dy fjalë që thosha, njëra ishte vulgare dhe më pëlqente të tregoja barcaleta të pista. Isha shumë gjaknxehtë.

Pjesa më e madhe e njerëzve me të cilët shoqërohesha, kishin të njëjtin stil jetese. Atyre u dukej sikur kisha gjithçka. Por mua vazhdonte të më dukej boshe jeta, pa ndonjë qëllim.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Nisa të studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait në vitin 1998. Nga Bibla mësova se jeta ka një qëllim. Mësova se Perëndia Jehova ka ndër mend ta rikthejë tokën në kushte parajsore, të ringjallë të vdekurit, dhe se unë mund të gëzoja këtë të ardhme.

Mësova edhe se për t’ia shprehur dashurinë Perëndisë, duhej t’i bindesha. (1 Gjonit 5:3) Fillimisht e kisha të vështirë, sepse asnjëherë s’kisha pranuar të më drejtonte kush. Por përfundimisht e pranova se s’mund të vazhdoja ta drejtoja vetë jetën time. (Jeremia 10:23) Iu luta Jehovait të më drejtonte. I kërkova ndihmë që ta vija jetën në harmoni me normat e tij dhe t’u mësoja fëmijëve të mi të jetonin ndryshe nga unë.

E kisha tejet të vështirë të bëja ndryshimet e duhura, por nisa të zbatoja këshillën që gjendet tek Efesianëve 4:22-24: «Ju mësuat që të flakni tej personalitetin e vjetër, që ishte në përputhje me mënyrën e mëparshme të sjelljes suaj . . . dhe të vishni personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë.» Për mua, të vishja personalitetin e ri do të thoshte të hiqja dorë nga zakonet ndotëse si duhani, dhe të mësoja një fjalor të ri, pa fjalë të pista. M’u deshën rreth tre vjet që të bëja ndryshimet e duhura, që të pagëzohesha si Dëshmitare e Jehovait.

Veç kësaj, nisa të merrja seriozisht rolin tim si grua dhe nënë. Fillova të zbatoja këshillën që gjendet te 1 Pjetrit 3:1, 2: «Ju gra, jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj, që, nëse disa nuk i binden fjalës, t’i fitoni pa fjalë, nëpërmjet sjelljes suaj, pasi të kenë parë me sytë e tyre sjelljen tuaj të dëlirë bashkë me respekt të thellë.»

DOBITË: I jam tejet mirënjohëse Jehovait, sepse tani e di që jeta ka kuptim. Mendoj se jam bërë njeri shumë më i mirë dhe jam në gjendje t’i stërvit edhe më mirë fëmijët e mi. Nganjëherë, zemra më dënon për veprimet e kaluara, por Jehovai e njeh zemrën time. (1 Gjonit 3:19, 20) Pa dyshim, jetesa sipas normave biblike më ka mbrojtur nga problemet dhe më ka sjellë paqe të brendshme.

TË DHËNA

EMRI: XHEJLSON KOREJA DE OLIVEJRA

MOSHA: 33 VJEÇ

SHTETI: BRAZIL

MË PARË: ALKOOLIST DHE I DROGUAR

E KALUARA IME: Linda në Bazhé, një qytet brazilian me rreth 100.000 banorë, pranë kufirit me Uruguain. Industritë kryesore ishin bujqësia dhe rritja e gjedhëve. U rrita në një lagje të varfër ku bandat ushtronin gjithnjë e më shumë dhunë dhe abuzimi me alkoolin e drogën ishte i përhapur mes të rinjve.

Pasi lashë shkollën, nisa të pija alkool, marihuanë dhe të dëgjoja muzikë heavy-metal. Nuk besoja te Perëndia. Mendoja se vuajtjet dhe kaosi që ekziston në botë, provonin se nuk ka Perëndi.

Isha kitarist dhe shkruaja këngë, shpesh duke u frymëzuar nga libri biblik i Zbulesës. Grupi im muzikor nuk pati atë sukses që pritja, prandaj nisa të përdorja gjithnjë e më tepër droga të rënda. S’më bëhej vonë nëse vdisja nga ndonjë mbidozë. Shumë nga këngëtarët që adhuroja, e kishin mbyllur jetën në atë mënyrë.

Paratë për drogën ia kërkoja gjyshes, e cila më kishte rritur. Kur më pyeste për çfarë i përdorja, e gënjeja. Si për t’i vënë vulën, u përfshiva edhe në okultizëm. Më bënte për vete magjia e zezë, pasi mendoja se do të më pasuronte kompozimet muzikore.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Pasi nisa të studioja Biblën dhe të ndiqja mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, filloi të më ndryshonte mënyra si mendoja. Pak nga pak, më lindi dëshira të jetoja e të isha i lumtur. I motivuar nga kjo gjendje e re mendore, vendosa të shkurtoja flokët e gjatë që i kisha rritur në shenjë pakënaqësie dhe rebelimi. Pastaj kuptova se, nëse doja që Perëndia të më pranonte, s’duhej të abuzoja më me alkoolin, duhej të lija drogën dhe duhanin. Veç kësaj, duhej të ndryshoja edhe shijet muzikore.

Herën e parë që ndoqa një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait, vura re një shkrim biblik në një nga muret e sallës. Ishte Proverbat 3:5, 6, që thoshte: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.» Mendova gjatë për këtë shkrim, që më siguroi se Jehovai do të më ndihmonte të rimodeloja jetën, po ta lejoja.

Gjithsesi, të ndryshoja stilin e jetesës që më ishte rrënjosur thellë dhe të hiqja dorë nga varësitë ndaj substancave, ishte po aq e vështirë sa të pritja dorën. (Mateu 18:8, 9) S’i bëja dot gradualisht këto lloj ndryshimesh. E dija se në rastin tim, kjo nuk do të funksiononte. Prandaj, i lashë të gjitha përnjëherësh. Gjithashtu, shmanga të gjitha vendet dhe njerëzit që mund të më tërhiqnin prapë në jetesën e dikurshme shkatërrimtare.

Mësova të krenohesha me arritjet e përditshme e të mos përqendrohesha në çastet e shkurajimit. Mendoja se do të ishte nder të isha fizikisht, moralisht dhe frymësisht i pastër në sytë e Jehovait. I lutesha atij për ndihmë që të mos mendoja më për udhët e vjetra, por të shikoja përpara, dhe ai më ndihmoi. Nganjëherë u kthehesha zakoneve të vjetra. Por prapë këmbëngulja që të bëja studimin e Biblës me mësuesin tim, edhe pse disa herë kisha dhembje koke pas një nate që kisha pirë.

E vërteta për Perëndinë që mësova në Bibël, pra se ai interesohet për ne si individë, se do të shkatërrojë fenë e rreme dhe se tani po mbështet një vepër predikimi mbarëbotërore, m’u duk shumë e arsyeshme. (Mateu 7:21-23; 24:14; 1 Pjetrit 5:6, 7) Këto fakte ndërthureshin me njëri-tjetrin si pjesët e një mozaiku. Së fundi, vendosa t’ia kushtoja jetën Perëndisë. Doja t’i shprehja mirënjohjen për gjithçka kishte bërë për mua.

DOBITË: Tani mendoj se jeta ime ka një drejtim dhe një qëllim. (Eklisiastiu 12:13) Në vend që t’i kërkoj familjes, kam pasur mundësi t’i kthej diçka. Fola me gjyshen për gjërat e mira që mësova nga Bibla dhe tani ajo i është kushtuar Jehovait. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe disa familjarë të tjerë e disa nga anëtarët e ish-grupit muzikor.

Sot jam i martuar dhe bashkë me gruan kalojmë pjesën më të madhe të kohës duke ndihmuar të tjerë të mësojnë për Biblën. Ndihem shumë i shpërblyer ngaqë kam mësuar ‘të besoj te Jehovai me gjithë zemrën time’.

[Diçitura në faqen 29]

«Pak nga pak, më lindi dëshira të jetoja e të isha i lumtur»