Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Nuk ishte e shkruar të vdisja»

«Nuk ishte e shkruar të vdisja»

«Nuk ishte e shkruar të vdisja»

Shoferit i doli jashtë kontrollit kamioni i madh i plehrave. Kamioni u ngjit në trotuar dhe goditi një çift e një 23-vjeçar që po ecnin aty. Sipas një gazete njujorkeze, çifti vdiq në vend ndërsa i riu ra pa ndjenja. Kur u përmend dhe pa çfarë kishte ndodhur, gjëja e parë që mendoi ishte: «S’më besohet kjo që po ndodh. Të lutem Zot, më shpëto.» Ai tha: «Nuk ishte e shkruar të vdisja.»

NDOSHTA ke dëgjuar edhe ngjarje të tjera si kjo. Kur dikush shpëton për një fije, njerëzit thonë: «Nuk ishte e shkruar.» Kurse, kur dikush vdes në një aksident të papritur, thonë se «Ishte e shkruar» ose «Kështu deshi Zoti». Pavarësisht nëse shkaktar quajnë fatin, riskun apo Zotin, në thelb është i njëjti koncept: shumë njerëz besojnë se çdo gjë që ndodh në jetën e tyre është e shkruar dhe s’mund të bëjnë asgjë për ta ndryshuar. Dhe nuk mendojnë kështu vetëm në rast vdekjesh ose aksidentesh. As nuk është një besim që ka lindur tani.

Për shembull, babilonasit në lashtësi besonin se çdo gjë që u ndodh njerëzve ndikohet nga yjet dhe lëvizjet e tyre. Prandaj ata shikonin nga qielli dhe kërkonin për shenja ose ogure që t’i drejtonin. Grekët dhe romakët adhuronin perëndeshat e fatit, të cilat me fuqitë e tyre për të caktuar fatin e mirë dhe të keq, ndonjëherë dilnin edhe mbi vullnetin e zotave kryesorë, Zeusit dhe Jupiterit.

Në Lindje, hinduistët dhe budistët besojnë se ajo që dikush po kalon tani është rezultat i asaj që ka bërë në një jetë të mëparshme, dhe veprimet e tij në këtë jetë do të përcaktojnë çfarë e pret në jetën tjetër. Edhe fe të tjera, përfshirë shumë kisha të krishterimit, nëpërmjet doktrinës së tyre të paracaktimit i pranojnë këto pikëpamje fataliste.

Pra, nuk habitemi që, edhe në këtë epokë moderne kur thuhet se njerëzit e bazojnë në fakte atë që besojnë dhe mendojnë, prapëseprapë shumë janë të bindur se situata e tyre në jetë, gjërat e përditshme dhe fundi i jetës së tyre, varen të gjitha nga fati dhe s’mund të bëjnë gjë për ta ndryshuar. A mendon edhe ti kështu për jetën? A janë vërtet të shkruara ngjarjet, incidentet, sukseset, dështimet e madje lindja dhe vdekja e njeriut? A e vendos fati jetën tënde? Le të shohim si na ndihmon Bibla për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve.

[Burimi i figurës në faqen 3]

Ken Murray/​Daily News, Nju-Jork