Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ka një kohë për çdo gjë

Ka një kohë për çdo gjë

Ka një kohë për çdo gjë

«Për çdo gjë ka një kohë të caktuar, ka një kohë për çdo punë nën qiej»,—thotë Bibla. Më pas, shkrimtari i këtyre fjalëve, mbreti i mençur i lashtësisë Solomon, tha se ka një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur, një kohë për të ndërtuar dhe një kohë për të shembur, një kohë për të dashur dhe një kohë për të urryer. Pastaj përfundoi me fjalët: «Ç’përfitim ka ai që punon nga gjërat për të cilat po mundohet?»—Eklisiastiu 3:1-9.

KUR lexojnë këto fjalë, disa njerëz arrijnë në përfundimin se sipas Biblës ka vërtet një kohë të paracaktuar për çdo gjë, domethënë mendojnë se Bibla mbështet besimin te fati. A është e vërtetë kjo? A e mbështet Bibla idenë se çdo gjë në jetë vendoset nga fati? Meqë «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia», ajo që lexojmë në një pjesë të Biblës duhet të përputhet me ato që gjejmë në pjesë të tjera të saj. Prandaj, le të shohim se çfarë na thotë pjesa tjetër e Fjalës së Perëndisë, Biblës.—2 Timoteut 3:16.

Kohë të vështira dhe ngjarje të paparashikuara

Në librin e Eklisiastiut, më tej Solomoni shkroi: «Solla përsëri ndër mend dhe pashë nën diell se garën nuk e fitojnë gjithmonë të shpejtët dhe as betejën të fuqishmit. Të mençurit nuk kanë ushqim, as njerëzit me kuptueshmëri nuk kanë pasuri, as ata me njohuri nuk kanë hir.» Pse? Ai shpjegoi: «Sepse të gjithëve u rastis të kalojnë kohë të vështira dhe të përjetojnë ngjarje të paparashikuara.»—Eklisiastiu 9:11.

Në vend që të thoshte se çdo gjë në jetë përcaktohet nga fati, Solomoni po theksonte se njerëzit nuk mund të parashikojnë me saktësi se si do të përfundojë diçka që po përpiqen të bëjnë, «sepse të gjithëve u rastis të kalojnë kohë të vështira dhe të përjetojnë ngjarje të paparashikuara». Shpesh, dikujt i ndodh diçka e keqe thjesht sepse qëllon në kohën dhe vendin e gabuar.

Le të marrim si shembull pjesën që thotë se «garën nuk e fitojnë gjithmonë të shpejtët». Ndoshta të kujtohet ose ke lexuar për garën e famshme, por edhe të çuditshme, të 3000-metrave për femra në Lojërat Olimpike të vitit 1984 në Los Anxhelos, Kaliforni, SHBA. Dy atlete, njëra që përfaqësonte Britaninë dhe tjetra Shtetet e Bashkuara, shpresonin të fitonin medaljen e artë. Por, në gjysmë të garës, u përplasën me njëra-tjetrën. Njëra u rrëzua dhe doli nga gara, tjetra u shkurajua kaq shumë, sa u rendit e shtata.

Mos vallë ishte fati që kishte vendosur kështu për to? Disa mund të thonë po. Por është e qartë se arsyeja pse humbën garën ishte përplasja—një aksident që askush nuk mund ta kishte parashikuar. Por, mos ishte fati i tyre që të përplaseshin? Përsëri, disa do të thoshin po. Megjithatë, sipas komentatorëve të garës, aksidenti erdhi si pasojë e konkurrencës së fortë midis dy atleteve që vraponin afër me njëra-tjetrën duke u përpjekur të kryesonin. Siç thotë Bibla, «të gjithëve u rastis të kalojnë kohë të vështira dhe të përjetojnë ngjarje të paparashikuara». Pavarësisht nga përgatitja e dikujt, ka gjithmonë faktorë të paparashikuar që ndikojnë në përfundimin e përpjekjeve, dhe s’ka të bëjë fare me fatin.

Atëherë, çfarë do të thotë Bibla me fjalët «për çdo gjë ka një kohë të caktuar»? A kemi ndonjë gjë në dorë për sa i përket jetës sonë?

Koha më e mirë për çdo gjë

Shkrimtari i frymëzuar i Biblës nuk po fliste për fatin e ndonjë individi dhe nuk po përshkruante përfundimin e jetës së një njeriu, por e kishte fjalën për qëllimin e Perëndisë dhe si do të ndikonte ky qëllim te njerëzimi. Nga e dimë këtë? Në fakt, është vetë konteksti i shkrimit që na e tregon. Pasi përmendi shumë gjëra që duket se kanë «një kohë të caktuar», Solomoni shkroi: «I kam parë punët që Perëndia u ka dhënë bijve të njerëzve me të cilat të merren. E ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet.»—Eklisiastiu 3:10, 11.

Perëndia i ka dhënë njerëzimit shumë punë ose shumë gjëra për të bërë dhe Solomoni renditi disa prej tyre. Ai na ka dhënë edhe vullnetin e lirë për të zgjedhur se çfarë duam të bëjmë. Por, për çdo detyrë ka një kohë të duhur ose të volitshme, që të sjellë rezultatet më të mira. Le të marrim si shembull fjalët e Solomonit te Eklisiastiu 3:2, ku thuhet se ka «një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të shkulur atë që ishte mbjellë». Bujqit e dinë se çdo drith ka kohën e vet të mbjelljes. Po nëse një bujk nuk e merr parasysh këtë fakt të thjeshtë dhe mbjell një drith në kohën ose stinën e gabuar? A duhet t’ia vërë fajin fatit për të korrat jo të mbara, edhe pse ka punuar fort? Sigurisht që jo! Ai thjesht nuk e mbolli drithin në kohën e duhur. Do të kishte të korra të mbara nëse do të kishte ndjekur rendin e natyrshëm të gjërave të vendosur nga Krijuesi.

Pra, ajo që ka vendosur Perëndia nuk është fati i individëve ose rezultati i të gjitha ngjarjeve. Por ka vendosur disa parime që drejtojnë veprimtaritë njerëzore në harmoni me qëllimin e tij. Që të kenë sukses në përpjekjet e tyre, njerëzit duhet të kuptojnë qëllimin e Perëndisë dhe kohën e duhur sipas tij, e të punojnë në përputhje me to. I paracaktuar dhe i pandryshueshëm nuk është fati i individëve, por qëllimi që Perëndia ka. Nëpërmjet profetit Isaia, Jehovai deklaroi: «Fjala që del nga goja ime, nuk do të kthehet prapë tek unë pa dhënë fryt. Përkundrazi, do ta bëjë atë që më pëlqen dhe do ta kryejë patjetër atë për të cilën e dërgova.»—Isaia 55:11.

Po çfarë është «fjala» ose qëllimi i shprehur i Perëndisë, në lidhje me tokën dhe të ardhmen e njerëzimit, që ‘do të kryhet patjetër’?

Të kuptojmë kohën e Perëndisë

Solomoni na jep një ndihmë. Pasi tha «[Perëndia] e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet», vazhdoi me fjalët «ka vënë edhe përjetësinë në zemrën e tyre, që njerëzit të mos e zbulojnë kurrë nga fillimi deri në fund punën që ka bërë Perëndia i vërtetë».—Eklisiastiu 3:11.

Është shkruar shumë për këtë varg. Por fakti është se thellë në zemrën tonë, të gjithë ne, herët a vonë, kemi pyetur veten për kuptimin e jetës dhe për fundin e saj. Gjatë historisë, njerëzit e kanë pasur të vështirë ta pranojnë se jeta është vetëm rropatje pas gjërave që duhen bërë dhe se mbaron me vdekjen. Ne njerëzit jemi unikë në krahasim me krijesat e tjera, në kuptimin që nuk mendojmë vetëm për të tashmen, por edhe për vdekjen dhe se çfarë ndodh pas saj. Madje, ne dëshirojmë me zjarr të jetojmë në përjetësi. Pse? Siç e shpjegon shkrimi, Perëndia ‘ka vënë përjetësinë në zemrën e njerëzve’.

Për të plotësuar këtë dëshirë, njerëzit janë kapur fort pas idesë se jeta vazhdon edhe pas vdekjes. Disa arrijnë në përfundimin se diçka brenda nesh vazhdon të jetojë edhe pasi vdesim. Të tjerë besojnë te rimishërimi, domethënë se do të rilindim pafundësisht sa herë të vdesim. Kurse disa të tjerë mendojnë se çdo gjë në jetë është e vendosur nga fati ose Perëndia, dhe se nuk mund të bëjmë asgjë për t’i ndryshuar gjërat. Mjerisht, asnjë nga këto shpjegime nuk ka qenë bindës. Kjo ndodh ngaqë, siç thotë Bibla, vetëm me forcat e tyre ‘njerëzit nuk do ta zbulojnë kurrë nga fillimi deri në fund punën që ka bërë Perëndia i vërtetë’.

Ky konflikt i rrënjosur midis dëshirës për të ditur dhe paaftësisë për të gjetur përgjigjen, i ka munduar dijetarët dhe filozofët gjatë gjithë historisë. Megjithatë, përderisa Perëndia e ka vendosur dëshirën për jetën e përhershme në zemrën tonë, a nuk është logjike të presim prej tij atë që nevojitet për ta plotësuar këtë dëshirë? Faktikisht, Bibla thotë për Jehovain: «Ti hap dorën dhe plotëson dëshirën e çdo krijese.» (Psalmi 145:16) Duke studiuar Fjalën e Perëndisë, Biblën, mund të gjejmë shpjegime bindëse për jetën e vdekjen, si dhe për qëllimin e përhershëm që Perëndia ka për tokën dhe familjen njerëzore.—Efesianëve 3:11.

[Diçitura në faqen 5]

«Garën nuk e fitojnë gjithmonë të shpejtët.»—Eklisiastiu 9:11

[Diçitura në faqen 6]

Nëse një bujk nuk e mbjell drithin në kohën e duhur, a duhet t’ia vërë fajin fatit për të korrat jo të mbara?

[Diçitura në faqen 7]

Mendojmë rreth jetës dhe vdekjes, sepse Perëndia ‘ka vënë përjetësinë në zemrën e njerëzve’