Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pesë arsye pse t’i frikësohemi Perëndisë e jo njeriut

Pesë arsye pse t’i frikësohemi Perëndisë e jo njeriut

Pesë arsye pse t’i frikësohemi Perëndisë e jo njeriut

DJALOSHI u habit, por edhe u kënaq. Ai nuk e priste aspak atë që sapo kishte ndodhur. Biseda me dy Dëshmitarë të Jehovait i kishte hapur sytë. Pyetja pse i lejon Perëndia vuajtjet e kishte shqetësuar prej vitesh, por tani kishte marrë një përgjigje të qartë nga Bibla. Nuk e dinte se Bibla përmban kaq shumë të vërteta të çmuara e që të ngrohin zemrën.

Pas pak minutash, në dhomë ia behu furishëm e zonja e shtëpisë. Ajo bërtiti: «Kush ishin ata?»

I befasuar, djaloshi nuk mundi t’i përgjigjej.

«E di unë kush janë ata,—vazhdoi të bërtiste.—Po i pashë edhe një herë këtu, merr plaçkat dhe shko gjej shtëpi tjetër!»

Ajo përplasi derën e iku.

Dishepujt e vërtetë të Krishtit e dinë se do t’i kundërshtojnë

Ajo që i ndodhi këtij djaloshi, nuk është e pazakontë. Fjala e Perëndisë, Bibla, shpjegon: «Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim hyjnor në unitet me Krishtin Jezu, do t’i përndjekin.» (2 Timoteut 3:12) Në përgjithësi, të krishterët as i kanë e as i kanë pasur ndonjëherë me sy të mirë. Përse jo? Apostulli Gjon u tha bashkadhuruesve të krishterë: «Ne e dimë se jemi nga Perëndia, kurse e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» Satana Djalli përshkruhet gjithashtu si «një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë». (1 Gjonit 5:19; 1 Pjetrit 5:8) Frika nga njeriu është një ndër armët e tij më të efektshme.

Edhe Jezu Krishtin, që bëri aq shumë të mira dhe nuk kreu asnjë mëkat, e tallën dhe e përndoqën. Ai tha: «Ata më urryen pa shkak.» (Gjoni 15:25) Natën para se të vdiste, ai i përgatiti dishepujt e tij duke u thënë: «Nëse bota ju urren, ju e dini se para se t’ju urrente ju, më urreu mua. Mbani mend ç’ju thashë: skllavi nuk është më i madh se zotëria. Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju.»—Gjoni 15:18, 20.

Për këtë arsye, shumë njerëz ngurruan të merrnin anën e adhurimit të vërtetë. Për ata që në një rast po e kërkonin Jezuin, Bibla thotë: «Sigurisht, asnjeri nuk fliste publikisht për të, nga frika e judenjve.» (Gjoni 7:13; 12:42) Asokohe, udhëheqësit fetarë kërcënonin se do të përjashtonin nga sinagoga këdo që besonte te Krishti. Kështu, për shkak të frikës nga njeriu, shumë veta nuk u bënë të krishterë.—Veprat 5:13.

Më vonë, kur krishterimi kishte hedhur rrënjë, në Bibël lexojmë se kundër kongregacionit në Jerusalem u bë një «përndjekje e madhe». (Veprat 8:1) Në të vërtetë, në të gjithë Perandorinë Romake të krishterët hasën kundërshtim. Në Romë, disa njerëz të rëndësishëm i thanë apostullit Pavël: «Na është bërë e ditur se për këtë sekt flitet gjithandej kundër.» (Veprat 28:22) Po, të krishterët e vërtetë hasnin kundërshtim kudo.

Edhe sot, Satanai e përdor ende frikën nga njeriu si armë për të mos i lejuar shumë njerëz të bëhen dishepuj të vërtetë të Krishtit. Njerëz të sinqertë që po studiojnë Biblën me Dëshmitarët e Jehovait hasin tallje e kundërshtim në shkollë, në punë, në lagje ose në rrethin shoqëror. Ata mund të kenë frikë se mos humbin respektin, miqtë ose mbështetjen materiale. Në disa fshatra, njerëzit kanë frikë se mos fqinjët nuk do t’i ndihmojnë në periudhën e korrjes ose nuk do t’ua mbrojnë bagëtinë. Megjithatë, pavarësisht nga kjo frikë, miliona njerëz janë të vendosur të besojnë te Perëndia dhe të jetojnë në përputhje me Fjalën e Tij, duke imituar kështu Jezu Krishtin. Jehovai i ka bekuar për këtë qëndrim.

Pse t’i frikësohemi Perëndisë e jo njeriut?

Bibla na nxit t’i frikësohemi Perëndisë e jo njeriut. Ajo thotë: «Të kesh frikë nga Jehovai është hapi i parë drejt mençurisë.» (Psalmi 111:10) Kjo nuk është një frikë e sëmurë, por një shqetësim i sinqertë se mos i shkaktojmë pakënaqësi Jetëdhënësit tonë. Kjo «frikë» nga Perëndia lidhet ngushtë me dashurinë. Po pse duhet t’i frikësohemi Perëndisë e jo njeriut? Le të shohim pesë arsye.

1 Jehovai është Tejet i Larti. Jehovai është shumë më i fuqishëm se çdo njeri. Duke iu frikësuar Perëndisë marrim anën e të Plotfuqishmit, për të cilin «kombet janë si një pikë uji në një kovë». (Isaia 40:15) Ngaqë është i plotfuqishëm, Perëndia ka aftësinë të mundë çdo ‘armë të sajuar kundër’ atyre që i qëndrojnë besnikë atij. (Isaia 54:17) Dhe përderisa ai do të vendosë se kush është i denjë të marrë jetën e përhershme, është e mençur të mos lëmë asgjë të na pengojë që të marrim njohuri për të dhe të bëjmë vullnetin e tij.—Zbulesa 14:6, 7.

2 Perëndia do të na mbrojë e do të na ndihmojë. «Të dridhesh para njerëzve përbën një lak, por kush beson te Jehovai, është i mbrojtur»,—thuhet te Proverbat 29:25. Frika nga njeriu është një lak, pasi mund të bëjë që të ngurrojmë e kështu të mos tregojmë haptazi besimin te Perëndia. Ai na siguron se ka fuqinë për të na shpëtuar: «Mos ki frikë, se unë jam me ty. Mos i hidh sytë rreth e përqark, se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë e do të të ndihmoj. Unë do të të mbaj fort me të djathtën time të drejtësisë.»—Isaia 41:10.

3 Perëndia i do ata që i afrohen. Apostulli Pavël shkroi këto fjalë prekëse: «Jam i bindur që as vdekja, as jeta, as engjëjt, as qeveritë, as gjërat e tanishme, as gjërat që do të vijnë, as fuqitë, as lartësia, as thellësia, as ndonjë krijim tjetër, nuk do të na ndajnë dot nga dashuria e Perëndisë, që është shprehur përmes Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.» (Romakëve 8:37-39) Nëse mësojmë të besojmë te Perëndia e t’i bindemi atij, mund të gëzojmë dashurinë e pathyeshme të Sovranit të Universit. Çfarë privilegji!

4 Çmojmë gjithçka që Perëndia ka bërë për ne. Jehovai është Krijuesi ynë, ai që ka bërë të mundur jetën. Për më tepër, ai nuk na ka siguruar vetëm gjërat e nevojshme për të jetuar, por edhe gjëra të tjera që e bëjnë jetën të kënaqshme dhe interesante. Vërtet, ai është Burimi i çdo dhurate të mirë. (Jakovi 1:17) Davidi, një besnik që e çmonte dashamirësinë e Perëndisë, shkroi: «Ti ke bërë shumë gjëra. O Jehova, Perëndia im, ti ke bërë gjithë ato vepra të mrekullueshme dhe ke menduar shumë për ne. . . . Janë ku e ku më tepër nga sa mund të numëroj.»—Psalmi 40:5.

5 Disa njerëz që na kundërshtojnë, mund të ndryshojnë. Ti mund t’i ndihmosh ata që të kundërshtojnë duke mos bërë kompromis, por duke qenë i vendosur t’i frikësohesh dhe ta duash Perëndinë. Mendo për të afërmit e Jezuit. Në fillim, ata nuk patën besim tek ai dhe thanë: «Ai ka luajtur mendsh.» (Marku 3:21;Gjoni 7:5) Më vonë, pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit, shumë prej tyre u bënë besimtarë. Madje Jakovi dhe Juda, vëllezërit e Jezuit nga nëna, shkruan pjesë të Shkrimeve të Shenjta. Edhe Sauli, përndjekësi fanatik, u bë apostulli Pavël. Falë qëndrimit tonë të guximshëm, disa që tani na shkaktojnë probleme, mund të kuptojnë se kemi të vërtetën nga Bibla.—1 Timoteut 1:13.

Për shembull, Aberasha, një grua nga Afrika, ishte lutur që të gjente të vërtetën. Pasi filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, u përball me kundërshtimin e ashpër të familjes dhe të udhëheqësve fetarë. Disa nga të afërmit e saj që gjithashtu kishin filluar të studionin Biblën, u dorëzuan para frikës nga njeriu. Por ajo iu përgjërua Perëndisë për forcë e guxim dhe u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait. Cili ishte rezultati? Tetë nga të afërmit e saj morën zemër, rifilluan studimin e Biblës dhe po përparojnë.

Mund ta mposhtësh frikën nga njeriu

Që të mos biesh pre e frikës nga njeriu, bëj çmos të forcosh dashurinë për Perëndinë. Mund ta bësh këtë duke studiuar Biblën dhe duke medituar mbi shkrime të tilla, si Hebrenjve 13:6 që thotë: «Jehovai është ai që më ndihmon, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?» Mos harro arsyet përse është e drejtë dhe e mençur që t’i frikësohesh Perëndisë e jo njeriut.

Gjithashtu, mos harro bekimet e shumta që vijnë kur zbaton atë që mëson nga Bibla. Do të gjesh përgjigje bindëse për pyetje të rëndësishme të jetës. Do të gjesh mençuri praktike për t’u bërë ballë sfidave të saj. Mund të gëzosh një shpresë të mrekullueshme, pavarësisht nga kushtet e vështira që ekzistojnë sot. Dhe mund t’i lutesh Perëndisë së Plotfuqishëm në çdo moment.

Apostulli Gjon shkroi: «Bota po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj, kurse ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.» (1 Gjonit 2:17) Tani është koha për të qëndruar të patundur e për të ecur me frikë Perëndie. Në vend që të tërhiqesh për shkak të frikës nga njeriu, ti mund të zgjedhësh të veprosh sipas nxitjes së Perëndisë: «Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën, që të kem se ç’t’i përgjigjem atij që më sfidon.» (Proverbat 27:11) Ç’privilegj i madh!

Mos harro, askush nuk mund të të japë gjërat që Perëndia do t’u japë atyre që i frikësohen: «Fryti i përulësisë dhe frika nga Jehovai është pasuri, lavdi dhe jetë.»—Proverbat 22:4.

[Figura në faqen 14]

Për shkak të guximit të Aberashës, tetë nga të afërmit e saj vazhdojnë të studiojnë Biblën