Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbaji sytë te çmimi!

Mbaji sytë te çmimi!

Mbaji sytë te çmimi!

«Po sulem drejt qëllimit për të marrë çmimin.»—FILIP. 3:14.

1. Cili çmim i ofrohej apostullit Pavël?

APOSTULLI Pavël, i njohur edhe si Sauli nga Tarsi, vinte nga një familje e ngritur. Ai e kishte mësuar fenë e të parëve nga mësuesi i famshëm i Ligjit, Gamalieli. (Vep. 22:3) Pavlin e priste ajo që mund të konsiderohej një karrierë e shkëlqyer, megjithatë e la fenë e tij dhe u bë i krishterë. Pas kësaj, priste me padurim çmimin e jetës së përhershme që i ofrohej: të ishte mbret dhe prift i pavdekshëm në Mbretërinë qiellore të Perëndisë. Kjo Mbretëri do të sundojë mbi një tokë parajsore.—Mat. 6:10; Zbul. 7:4; 20:6.

2, 3. Sa e vlerësonte Pavli çmimin e jetës qiellore?

2 Duke treguar se sa shumë e vlerësonte atë çmim, Pavli tha: «Ato që për mua ishin fitim, i kam braktisur me dëshirë për Krishtin. Madje, çdo gjë e kam braktisur me dëshirë për shkak të vlerës së pashoqe të njohurisë së Krishtit Jezu, Zotërisë tim. Për shkak të tij pranova të humb çdo gjë dhe i konsideroj sikur të jenë shumë plehra.» (Filip. 3:7, 8) Gjërat që shumica i konsideron të rëndësishme, si pozitën, pasurinë, karrierën dhe prestigjin, Pavli i konsideronte si plehra kur mësoi të vërtetën rreth qëllimit të Jehovait për njerëzimin.

3 Që atëherë, ajo që kishte vërtet rëndësi për Pavlin ishte njohuria e çmuar për Jehovain dhe Krishtin, për të cilën Jezui i tha në lutje Perëndisë: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Dëshira e zjarrtë e Pavlit për të fituar jetën e përhershme, kuptohet nga fjalët e tij të dokumentuara te Filipianëve 3:14: «Po sulem drejt qëllimit për të marrë çmimin e thirrjes qiellore të Perëndisë me anë të Krishtit Jezu.» Po, ai i mbante sytë te çmimi i jetës së përhershme në qiej si pjesëtar i Mbretërisë së Perëndisë.

Jeta e përhershme në tokë

4, 5. Çfarë çmimi u ofrohet miliona njerëzve që po bëjnë vullnetin e Perëndisë sot?

4 Për shumë nga ata që vendosin të bëjnë vullnetin e Perëndisë, çmimi për të cilin ia vlen të përpiqen fort është jeta e përhershme në botën e re të Perëndisë. (Psal. 37:11, 29) Edhe Jezui tha se kjo shpresë është e sigurt. Ai theksoi: «Lum ata që janë me natyrë të butë, sepse do të trashëgojnë tokën!» (Mat. 5:5) Siç tregon Psalmi 2:8, vetë Jezui është trashëgimtari kryesor i tokës dhe me të do të jenë në qiell 144.000 bashkësundimtarë. (Dan. 7:13, 14, 22, 27) Delet e tjera që do të jetojnë në tokë, «do të trashëgojnë» pjesën tokësore të Mbretërisë ‘të përgatitur për ta që nga themelimi i botës’. (Mat. 25:34, 46) Dhe kemi garancinë se e gjithë kjo do të ndodhë, sepse Perëndia që e premton «nuk mund të gënjejë». (Titit 1:2) Mund të kemi të njëjtën siguri për përmbushjen e premtimeve të Perëndisë që kishte edhe Josiu kur u tha izraelitëve: «Nuk mbeti pa u plotësuar as edhe një fjalë nga të gjitha të mirat që ju tha Jehovai, Perëndia juaj. Të gjitha dolën të vërteta. Asnjë nuk mbeti pa u plotësuar.»—Jos. 23:14.

5 Jeta në botën e re të Perëndisë nuk do të jetë zhgënjyese si sot. Do të jetë krejt ndryshe: pa luftë, krime, varfëri, padrejtësi, sëmundje dhe vdekje. Në atë kohë, njerëzit do të kenë shëndet të përsosur dhe do të jetojnë në një tokë të shndërruar në parajsë. Jeta do të jetë shumë më e bukur se çdo ëndërr që kemi sot. Po, çdo ditë do të kënaqemi pa masë. Çfarë çmimi i mrekullueshëm!

6, 7. (a) Si tregoi Jezui se ç’mund të presim në botën e re të Perëndisë? (b) Në ç’mënyrë edhe të vdekurit do të nisin një jetë të re?

6 Kur Jezui ishte në tokë, Perëndia i dha fuqi me anë të frymës së shenjtë për të treguar se ç’gjëra të mrekullueshme do të ndodhin anembanë tokës në botën e re. Për shembull, Jezui i tha një njeriu të paralizuar prej 38 vjetësh që të ecte. Bibla tregon se ai njeri eci. (Lexo Gjonin 5:5-9.) Në një rast tjetër, Jezui takoi «një njeri të verbër që nga lindja» dhe e shëroi. Më vonë, këtë njeri e pyetën për Atë që e kishte shëruar dhe ai u përgjigj: «Që nga lashtësia nuk është dëgjuar kurrë që ndokush të ketë hapur sytë e një njeriu që ka lindur i verbër. Po të mos ishte nga Perëndia ky njeri, ai nuk mund të bënte asgjë.» (Gjoni 9:1, 6, 7, 32, 33) Jezui arriti t’i bënte të gjitha këto ngaqë Perëndia i dha fuqi. Kudo që shkoi, Jezui «shëroi ata që kishin nevojë të shëroheshin».—Luka 9:11.

7 Jezui arriti jo vetëm të shëronte të sëmurët e të gjymtuarit, por edhe të ringjallte të vdekurit. Për shembull, një vajzë 12-vjeçare kishte vdekur dhe prindërit ishin pikëlluar jashtë mase. Por Jezui i tha: «Vashëz, po të them: ngrihu!» Dhe ajo u ngrit. A mund ta përfytyrosh reagimin e prindërve dhe të të tjerëve që ishin aty? (Lexo Markun 5:38-42.) Në botën e re të Perëndisë do të ketë ‘gëzim të madh’ kur të ringjallen miliarda njerëz, sepse «do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët». (Vep. 24:15; Gjoni 5:28, 29) Këta do të nisin një jetë të re me mundësinë për të jetuar përgjithmonë.

8, 9. (a) Ç’do të ndodhë me mëkatin e trashëguar nga Adami gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit? (b) Mbi ç’bazë do të gjykohen të ringjallurit?

8 Të ringjallurve do t’u jepet mundësia të fitojnë jetën e përhershme. Ata që do të ringjallen, nuk do të dënohen për mëkatet e kryera para se të vdisnin. (Rom. 6:7) Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, teksa zbatohen dobitë e flijimit shpërblyes, nënshtetasit e bindur të Mbretërisë dalëngadalë do të bëhen të përsosur dhe në fund do të çlirohen plotësisht nga të gjitha pasojat e mëkatit të Adamit. (Rom. 8:21) Jehovai «do ta përpijë vdekjen përgjithmonë. Zotëria Sovran Jehova do të fshijë lotët nga çdo fytyrë». (Isa. 25:8) Gjithashtu, Fjala e Perëndisë thotë se ‘do të hapen rrotullat’ dhe kjo tregon se ata që do të jetojnë në atë kohë, do të marrin informacione të reja. (Zbul. 20:12) Teksa toka shndërrohet në parajsë, ‘banorët e vendit do të mësojnë drejtësinë’.—Isa. 26:9.

9 Të ringjallurit nuk do të gjykohen në bazë të mëkatit të trashëguar nga Adami, por nga ajo që ata vetë do të zgjedhin të bëjnë. Zbulesa 20:12 thotë: «Të vdekurit u gjykuan sipas gjërave të shkruara në rrotulla, në përputhje me veprat e tyre», domethënë në përputhje me veprat pas ringjalljes së tyre. Ç’shembull i mrekullueshëm i drejtësisë, mëshirës dhe dashurisë së Jehovait! Përveç kësaj, gjërat e dhembshme të jetës në këtë botë të vjetër ‘nuk do t’u vijnë më në mendje dhe as do t’u zgjohen më në zemër’. (Isa. 65:17) Me informacionet e reja ndërtuese dhe me një jetë plot të mira, ata nuk do të brengosen më nga gjërat e këqija të së kaluarës. Këto përvoja të këqija do të harrohen. (Zbul. 21:4) Po njësoj do të jetë edhe për ‘shumicën e madhe’ që do të mbijetojë në Harmagedon.—Zbul. 7:9, 10, 14.

10. (a) Si do të jetë jeta në botën e re të Perëndisë? (b) Çfarë mund të të ndihmojë të mbash sytë te çmimi?

10 Në botën e re të Perëndisë, njerëzit do të jetojnë pa u sëmurur më dhe pa vdekur. «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’» (Isa. 33:24) Në fund, banorët e tokës do të zgjohen çdo mëngjes me shëndet të përsosur, entuziastë për një ditë tjetër fantastike. Ata do të presin me padurim punën e këndshme dhe shoqërinë me të tjerë që interesohen me gjithë zemër për ta. Një jetë e tillë është vërtet një çmim i mrekullueshëm! Të sugjerojmë të hapësh Biblën te profecitë e Isaisë 33:24 dhe 35:5-7. Përpiqu ta përfytyrosh veten në një botë të tillë. Kjo do të të ndihmojë t’i mbash sytë te çmimi.

Pse disa e humbin nga sytë çmimin?

11. Përshkruaj fillimin e shkëlqyer të mbretërimit të Solomonit.

11 Pasi kemi mësuar për çmimin që na pret, duhet të bëjmë çmos që të mos e humbim nga sytë. Për shembull, kur Solomoni u bë mbret i Izraelit në lashtësi, iu lut me përulësi Perëndisë për kuptueshmëri dhe aftësi dalluese që të gjykonte drejt popullin e Tij. (Lexo 1 Mbretërve 3:6-12.) Bibla thotë se si rezultat ‘Perëndia i dha Solomonit mençuri e kuptueshmëri mjaft të madhe’. Po, «mençuria e Solomonit ia kalonte mençurisë së gjithë atyre që jetonin në Lindje dhe gjithë mençurisë së Egjiptit».—1 Mbret. 4:29-32.

12. Ç’paralajmërim dha Jehovai për ata që do të bëheshin mbretër në Izrael?

12 Por, më parë, Jehovai kishte paralajmëruar se kushdo që bëhej mbret ‘nuk duhej të shtonte numrin e kuajve’ dhe ‘nuk duhej të shtonte gratë e veta, që zemra e tij të mos shmangej nga udha’. (Ligj. 17:14-17) Nëse mbreti do të shtonte kuajt, kjo do të tregonte se mbështetej te forca e ushtrisë së tij për të mbrojtur kombin, e jo te Jehovai, Mbrojtësi. Dhe, nëse do të shtonte gratë, do të ishte e rrezikshme, sepse disa prej tyre mund të ishin nga kombet pagane përreth që merreshin me adhurimin e rremë dhe mund ta largonin mbretin nga adhurimi i vërtetë i Jehovait.

13. Në ç’mënyrë Solomoni nuk ua vuri veshin paralajmërimeve të Perëndisë?

13 Solomoni nuk ua vuri veshin këtyre paralajmërimeve. Përkundrazi, bëri ato gjëra që Jehovai kishte thënë në mënyrë specifike se mbretërit nuk duhej t’i bënin. Grumbulloi mijëra kuaj e kalorës. (1 Mbret. 4:26) Ai mori 700 gra dhe 300 konkubina, shumë prej të cilave nga kombet pagane fqinje. Këto ‘ia kthyen zemrën që të ndiqte perëndi të tjera. Kështu ai nuk iu kushtua me gjithë zemër Jehovait’. Solomoni u përfshi në adhurimin e rremë e të neveritshëm të kombeve pagane që i kishin mësuar gratë e huaja. Si pasojë, Jehovai tha se ‘do ta hiqte patjetër mbretërinë’ prej Solomonit.—1 Mbret. 11:1-6, 11.

14. Çfarë solli mosbindja e Solomonit dhe e kombit të Izraelit?

14 Solomoni harroi se të përfaqësosh Perëndinë e vërtetë është një privilegj i çmuar. Ky mbret u zhyt kokë e këmbë në adhurimin e rremë. Me kalimin e kohës, i tërë kombi u bë apostat dhe kjo çoi në shkatërrimin e tij në vitin 607 p.e.s. Megjithëse në fund judenjtë u rikthyen në adhurimin e vërtetë, shekuj më vonë Jezui u nxit të thoshte: «Mbretëria e Perëndisë do t’ju merret dhe do t’i jepet një kombi që prodhon frytet e saj.» Pikërisht kështu ndodhi. Jezui tha: «Ja, shtëpia juaj është braktisur.» (Mat. 21:43; 23:37, 38) Ngaqë nuk qëndroi besnik, kombi humbi privilegjin e madh që të përfaqësonte Perëndinë e vërtetë. Në vitin 70 të e.s., ushtritë romake shkatërruan Jerusalemin dhe tempullin, e shumë prej judenjve të mbetur u bënë skllevër.

15. Jep shembuj të disave që humbën nga sytë gjërat vërtet të rëndësishme.

15 Judë Iskarioti ishte një nga 12 apostujt e Jezuit. Juda dëgjoi mësimet e shkëlqyera të Jezuit dhe pa mrekullitë që bëri ai me ndihmën e frymës së shenjtë të Perëndisë. Megjithatë, Juda nuk e ruajti zemrën. Atij i ishte besuar arka e parave të përbashkëta të Jezuit dhe të 12 apostujve. Por «ishte hajdut. Ai . . . merrte paratë që viheshin atje». (Gjoni 12:6) Lakmia e tij arriti kulmin kur komplotoi bashkë me krerët hipokritë të priftërinjve që të tradhtonte Jezuin për 30 monedha argjendi. (Mat. 26:14-16) Një tjetër që humbi nga sytë çmimin, ishte Dema, shok predikimi i apostullit Pavël. Dema nuk e ruajti zemrën. Pavli tha: «Dema më braktisi, ngaqë donte këtë botë.»—2 Tim. 4:10; lexo Proverbat 4:23.

Një mësim për secilin prej nesh

16, 17. (a) Sa i fuqishëm është kundërshtimi që hasim? (b) Çfarë mund të na ndihmojë të përballojmë çfarëdo gjëje që sjell Satanai kundër nesh?

16 Të gjithë shërbëtorët e Perëndisë duhet të mendojnë seriozisht për shembujt e paraqitur në Bibël, sepse aty thuhet: «Këto gjëra u ndodhnin atyre si shembuj dhe u shkruan si një paralajmërim për ne, mbi të cilët ka mbërritur fundi i sistemeve.» (1 Kor. 10:11) Sot po jetojmë në ditët e fundit të këtij sistemi të lig.—2 Tim. 3:1, 13.

17 Satana Djalli, «perëndia i kësaj bote», e di se i ka mbetur ‘një periudhë kohe e shkurtër’. (2 Kor. 4:4; Zbul. 12:12) Ai do të bëjë çmos t’i joshë shërbëtorët e Jehovait që të thyejnë integritetin e krishterë. Satanai e ka nën kontroll këtë botë, përfshirë edhe mjetet e saj të propagandës. Megjithatë, populli i Jehovait ka diçka shumë më të fuqishme: ‘fuqinë përtej asaj që është normale’. (2 Kor. 4:7) Mund të mbështetemi në këtë fuqi që na jep Perëndia, e cila na ndihmon të përballojmë çfarëdo gjëje që Satanai sjell kundër nesh. Prandaj, jemi të nxitur të lutemi vazhdimisht, të sigurt se Jehovai «do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë».—Luka 11:13.

18. Ç’qëndrim duhet të kemi ndaj botës së sotme?

18 Gjithashtu, marrim forcë duke ditur se së shpejti tërë sistemi i Satanait do të shkatërrohet, por të krishterët e vërtetë do të mbijetojnë. «Bota po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj, kurse ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.» (1 Gjon. 2:17) Duke pasur parasysh këtë, sa e pamend do të ishte që një shërbëtor i Perëndisë të mendonte se në këtë sistem ka diçka me vlerë më jetëgjatë, sesa marrëdhënia e tij me Jehovain! Kjo botë e kontrolluar nga Satanai, është si një anije që po mbytet. Jehovai ka siguruar kongregacionin e krishterë si «varkë shpëtimi» për shërbëtorët e tij besnikë. Teksa shkojnë drejt botës së re, ata mund të kenë besim në këtë premtim: «Keqbërësit do të shfarosen, kurse ata që shpresojnë te Jehovai, do të trashëgojnë tokën.» (Psal. 37:9) Prandaj, mbaji sytë te ky çmim i mrekullueshëm!

A të kujtohet?

• Si ndihej Pavli për çmimin që i ofrohej?

• Mbi ç’bazë do të gjykohen ata që do të jetojnë përgjithmonë në tokë?

• Cila është udha e mençur që duhet të ndjekësh që tani?

[Pyetjet]

[Figura në faqet 12, 13]

Kur lexon tregimet biblike, a e përfytyron veten duke marrë çmimin?