Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Jini vigjilentë»

«Jini vigjilentë»

«Jini vigjilentë»

«Fundi i të gjitha gjërave është afruar. . . . Jini vigjilentë në lidhje me lutjet.»—1 PJET. 4:7.

1. Cila ishte tema e mësimdhënies së Jezuit?

KUR Jezu Krishti ishte në tokë, tema e mësimdhënies së tij ishte Mbretëria e Perëndisë. Nëpërmjet kësaj Mbretërie, Jehovai do të shfajësojë sovranitetin e tij universal dhe do të shenjtërojë emrin e tij. Prandaj, Jezui i mësoi dishepujt t’i luteshin Perëndisë: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mat. 4:17; 6:9, 10) Shumë shpejt, kjo Mbretëri do t’i japë fund botës së Satanait dhe më pas do të kujdeset që të bëhet vullneti i Perëndisë në mbarë tokën. Siç paratha Danieli, Mbretëria e Perëndisë «do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive [të ditëve të sotme], dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë».—Dan. 2:44.

2. (a) Si do ta kuptonin dishepujt e Jezuit se ai ishte i pranishëm si Mbret? (b) Ç’gjë tjetër do të tregonte shenja?

2 Ngaqë ardhja e Mbretërisë së Perëndisë kishte rëndësi të madhe për dishepujt e Jezuit, ata e pyetën: «Cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?» (Mat. 24:3) Duke pasur parasysh që prania e Krishtit si Mbret do të ishte e padukshme për ata në tokë, do të jepej një shenjë e dukshme. Kjo shenjë do të përbëhej nga disa aspekte të ndryshme të parathëna në Shkrime. Kështu, dishepujt e Jezuit që do të ishin gjallë në atë kohë, do të mund të dallonin se ai kishte nisur të sundonte në qiell. Gjithashtu, kjo shenjë do të shënonte fillimin e periudhës kohore që në Bibël njihet si «ditët e fundit» të sistemit të lig që mbizotëron sot në tokë.—2 Tim. 3:1-5, 13; Mat. 24:7-14.

Jini vigjilentë në ditët e fundit

3. Pse të krishterëve do t’u duhej të ishin vigjilentë?

3 Apostulli Pjetër shkroi: «Fundi i të gjitha gjërave është afruar. Prandaj, jini me mendje të shëndoshë dhe jini vigjilentë në lidhje me lutjet.» (1 Pjet. 4:7) Dishepujve të Jezuit do t’u duhej të ishin vigjilentë, syçelë ndaj ngjarjeve botërore që do të tregonin se ai ishte i pranishëm si Mbret. Dhe teksa do të afrohej fundi i sistemit të sotëm të lig, do të bëhej më urgjente të ishin vigjilentë. Jezui u tha dishepujve: «Qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini kur vjen i zoti i shtëpisë [që të sjellë gjykimin mbi botën e Satanait].»—Mar. 13:35, 36.

4. Tregoni si ndryshon qëndrimi i njerëzve që janë pjesë e botës së Satanait nga qëndrimi i shërbëtorëve të Jehovait. (Përfshini kutinë.)

4 Njerëzit në përgjithësi janë nën kontrollin e Satanait, prandaj nuk kanë qenë vigjilentë ndaj domethënies së ngjarjeve botërore. Ata nuk e dallojnë praninë e Krishtit si Mbret. Por dishepujt e vërtetë të Krishtit kanë qenë vigjilentë dhe kanë kuptuar domethënien e vërtetë të asaj që ka ndodhur në shekullin e shkuar. Që nga viti 1925, Dëshmitarët e Jehovait kanë kuptuar se Lufta I Botërore dhe ngjarjet që vijuan, përbëjnë një dëshmi të sigurt se prania e Krishtit si Mbret në qiell filloi në vitin 1914. Kështu, kishin nisur ditët e fundit të këtij sistemi të lig të sunduar nga Satanai. Shumë njerëz të vëmendshëm, ndonëse nuk e dinë domethënien, dallojnë ndryshimin dramatik midis periudhës para Luftës I Botërore dhe periudhës më pas.—Shih kutinë «Nisi epoka e trazirës».

5. Pse është jetësore që të vazhdojmë të qëndrojmë vigjilentë?

5 Ka rreth një shekull që anembanë botës ndodhin ngjarje të tmerrshme, të cilat dëshmojnë se jetojmë në ditët e fundit. Ka mbetur fare pak kohë para se Jehovai t’i japë Krishtit urdhrin që t’u prijë forcave të fuqishme engjëllore kundër botës së Satanait. (Zbul. 19:11-21) Të krishterët e vërtetë nxiten të qëndrojnë vigjilentë. Prandaj, është urgjente që të vazhdojmë ta bëjmë këtë teksa presim fundin e këtij sistemi. (Mat. 24:42) Duhet të qëndrojmë syçelë dhe, nën drejtimin e Krishtit, të kryejmë një vepër të veçantë në mbarë tokën.

Një vepër mbarëbotërore

6, 7. Si ka përparuar vepra e predikimit për Mbretërinë në ditët e fundit?

6 Vepra që duhet të bëjnë shërbëtorët e Jehovait, ishte parathënë si pjesë e shenjës së përbërë që do të tregonte se jemi në ditët e fundit të këtij sistemi të lig. Jezui e përshkroi këtë vepër mbarëbotërore kur renditi gjërat e ndryshme që do të ndodhnin në kohën e fundit. Në profecinë e tij, përfshiheshin këto fjalë domethënëse: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.»—Mat. 24:14.

7 Mendoni për disa fakte që lidhen me këtë aspekt të profecisë së Jezuit. Kur filluan ditët e fundit në vitin 1914, numri i njerëzve që shpallnin lajmin e mirë ishte shumë i vogël. Tani ky numër është rritur jashtëzakonisht. Ka më shumë se 7.000.000 Dëshmitarë të Jehovait që predikojnë në mbarë tokën, të organizuar në më tepër se 100.000 kongregacione. Në vitin 2008, morën pjesë 10.000.000 njerëz të tjerë në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit bashkë me Dëshmitarët e Jehovait. Kjo ishte një rritje domethënëse në krahasim me vitin e kaluar.

8. Pse kundërshtimi nuk ka qenë pengesë për suksesin e predikimit tonë?

8 Ç’dëshmi e fuqishme për Mbretërinë e Perëndisë po u jepet të gjitha kombeve para se të vijë fundi i këtij sistemi! Dhe kjo po ndodh, pavarësisht se Satanai është «perëndia i kësaj bote». (2 Kor. 4:4) Të gjitha elementet politike, fetare dhe tregtare të kësaj bote, si edhe mjetet e saj të propagandës, janë nën ndikimin e tij. Atëherë, cila është arsyeja e suksesit të jashtëzakonshëm të veprës së dëshmisë? Ajo ka mbështetjen e Jehovait. Prandaj, vepra e predikimit për Mbretërinë vazhdon në mënyrë të mrekullueshme, pavarësisht nga orvatjet e Satanait për ta ndalur.

9. Pse mund të quhet një mrekulli begatia jonë frymore?

9 Suksesi i veprës së predikimit për Mbretërinë, bashkë me rritjen dhe begatinë frymore të popullit të Jehovait, mund të përshkruhen si një mrekulli. Pa mbështetjen e Perëndisë, e cila përfshin drejtimin dhe mbrojtjen e popullit të tij, vepra e predikimit nuk do të ishte e mundur. (Lexo Mateun 19:26.) Jemi të sigurt se me ndihmën e frymës së shenjtë të Perëndisë, e cila vepron në zemrën e njerëzve vigjilentë që janë të gatshëm të shërbejnë, kjo vepër predikimi do të përfundojë me sukses «dhe atëherë do të vijë fundi». Kjo kohë po afrohet me të shpejtë.

«Shtrëngimi i madh»

10. Si e përshkroi Jezui shtrëngimin e madh që po vjen?

10 Fundi i këtij sistemi të lig do të vijë gjatë atij që quhet «shtrëngimi i madh». (Zbul. 7:14) Bibla nuk thotë sa do të zgjatë shtrëngimi, por Jezui tha: «Atëherë do të ketë një shtrëngim aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, dhe as që do të ketë përsëri.» (Mat. 24:21) Kur mendojmë për shtrëngimin që ka përjetuar tashmë kjo botë, si për shembull në Luftën II Botërore gjatë së cilës llogaritet të kenë humbur jetën 50 deri 60 milionë njerëz, shtrëngimi i madh që po vjen, do të jetë vërtet shumë i ashpër. Ai do të arrijë kulmin në luftën e Harmagedonit. Pikërisht në atë kohë, Jehovai do të lëshojë forcat e tij ekzekutuese që të shkatërrojnë çdo gjurmë të sistemit tokësor të Satanait.—Zbul. 16:14, 16.

11, 12. Cila ngjarje sinjalizon fillimin e shtrëngimit të madh?

11 Profecia biblike nuk tregon një datë se kur do të nisë faza e parë e shtrëngimit të madh, por na tregon se cila ngjarje e jashtëzakonshme do të sinjalizojë fillimin e tij. Ajo ngjarje është shkatërrimi i gjithë fesë së rreme nga fuqitë politike. Në profecitë biblike që gjenden te kapitujt 17 dhe 18 të Zbulesës, feja e rreme krahasohet me një prostitutë që ka pasur marrëdhënie imorale me sistemet politike të tokës. Zbulesa 17:16 tregon se së shpejti do të vijë koha kur këto elemente politike «do ta urrejnë prostitutën. Ata do ta shkretojnë e do ta lënë lakuriq. Do të hanë mishrat e saj e do ta djegin krejtësisht me zjarr».

12 Kur të vijë ajo kohë, Perëndia ‘do t’u shtijë në zemër [sundimtarëve politikë], që të përmbushin mendimin e tij’ për të shkatërruar gjithë fenë e rreme. (Zbul. 17:17) Prandaj mund të thuhet se ky shkatërrim vjen nga Perëndia. Është gjykimi i tij kundër fesë hipokrite që, për kaq shumë kohë, u ka mësuar njerëzve doktrina që bien në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë dhe ka përndjekur shërbëtorët e tij. Bota në përgjithësi nuk e pret këtë shkatërrim të ardhshëm të fesë së rreme. Por shërbëtorët besnikë të Jehovait e presin. Dhe gjatë këtyre ditëve të fundit, ata u kanë folur dhe vazhdojnë t’u flasin njerëzve për këtë shkatërrim.

13. Ç’gjë tregon se fundi i fesë së rreme do të ndodhë shpejt?

13 Për njerëzit do të jetë shumë tronditëse kur ta shohin fenë e rreme të shkatërruar. Profecia biblike tregon se, madje edhe disa nga «mbretërit e tokës» do të thonë për atë shkatërrim: ‘Mjerë, mjerë Babilonia sepse në një orë të vetme erdhi gjykimi yt!’ (Zbul. 18:9, 10, 16, 19) Fakti që Bibla përdor frazën «në një orë të vetme», tregon se kjo ngjarje do të ndodhë relativisht shpejt.

14. Si do të veprojë Perëndia, kur në fund armiqtë të sulmojnë shërbëtorët e tij?

14 E kuptojmë se, ca kohë pas shkatërrimit të fesë së rreme, do të ketë një sulm kundër shërbëtorëve të Jehovait, të cilët kanë shpallur mesazhet e tij të gjykimit. (Ezek. 38:14-16) Kur të fillojë ai sulm, kundërshtarëve do t’u duhet të përballen me Jehovain, i cili premton se do ta mbrojë popullin e tij besnik. Jehovai deklaron: «Unë do të flas me tërë vrullin dhe zjarrin e zemërimit tim të furishëm . . . dhe ato kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.» (Lexo Ezekielin 38:18-23.) Perëndia thotë në Fjalën e tij: «Kush ju prek ju [shërbëtorët e tij besnikë], prek bebëzën e syrit [të tij]». (Zak. 2:8) Pra, kur armiqtë të nisin sulmin mbarëbotëror kundër shërbëtorëve të tij, Jehovai do të reagojë. Ai do të veprojë duke sjellë fazën përfundimtare të shtrëngimit të madh—kulmin e tij, Harmagedonin. Nën komandën e Jezuit, forcat e fuqishme engjëllore do të ekzekutojnë gjykimet e Jehovait kundër botës së Satanait.

Si duhet të ndikojë te ne?

15. Si duhet të ndikojë te ne dijenia se fundi i këtij sistemi është afër?

15 Si duhet të ndikojë te ne dijenia se fundi i këtij sistemi të lig po afrohet me shpejtësi? Apostulli Pjetër shkroi: «Meqë të gjitha këto gjëra do të shpërbëhen, tregoni kujdes se ç’lloj personash duhet të jeni në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të përkushtimit hyjnor.» (2 Pjet. 3:11) Këto fjalë theksojnë nevojën që të tregohemi shumë të vëmendshëm për t’u siguruar se sjellja jonë është në harmoni me kërkesat e Perëndisë dhe se në jetën tonë përfshihen vepra të përkushtimit hyjnor, që pasqyrojnë dashurinë tonë për Jehovain. Një nga këto vepra është edhe të bëjmë çmos për të predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë para se të vijë fundi. Gjithashtu, Pjetri shkroi: «Fundi i të gjitha gjërave është afruar. . . . Jini vigjilentë në lidhje me lutjet.» (1 Pjet. 4:7) I afrohemi Jehovait dhe tregojmë dashurinë tonë për të duke iu lutur vazhdimisht e duke i kërkuar drejtim me anë të frymës së shenjtë dhe kongregacionit të tij mbarëbotëror.

16. Pse kemi nevojë t’i përmbahemi ngushtësisht këshillës së Perëndisë?

16 Në këto kohë të rrezikshme, kemi nevojë t’i përmbahemi ngushtësisht këshillës së Fjalës së Perëndisë: «Vazhdoni të shikoni me kujdes që mënyra se si ecni, të mos jetë si të pamendët, por si të mençurit, duke blerë kohën e duhur për veten tuaj, sepse ditët janë të liga.» (Efes. 5:15, 16) Tani ka më shumë ligësi se kurrë. Satanai ka sajuar shumë gjëra që t’i pengojë njerëzit të kryejnë vullnetin e Jehovait ose thjesht që t’i shpërqendrojë. Si shërbëtorë të Perëndisë, ne e dimë këtë dhe nuk duam të lejojmë asgjë që të minojë besnikërinë tonë ndaj tij. Gjithashtu, dimë se ç’do të ndodhë pas pak dhe kemi besim te Jehovai e te qëllimet e tij.—Lexo 1 Gjonit 2:15-17.

17. Përshkruani si do të ndihen të mbijetuarit e Harmagedonit kur të ndodhë ringjallja.

17 Do të përmbushet premtimi i mrekullueshëm i Perëndisë që të kthejë të vdekurit në jetë, sepse «do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët». (Vep. 24:15) Vini re me sa siguri është shprehur ky premtim: «Do të ringjallen!» S’ka asnjë dyshim për këtë, sepse Jehovai ka dhënë fjalën! Isaia 26:19 premton: «Të vdekurit e tu do të jetojnë. . . . Zgjohuni dhe lëshoni britma të gëzuara, ju që banoni në pluhur! . . . Toka do të lindë edhe ata që vdekja i ka bërë të pafuqishëm.» Këto fjalë patën një përmbushje fillestare kur populli i Perëndisë në lashtësi u rikthye në vendin e tij, duke na dhënë kështu siguri se do të përmbushen në kuptimin e mirëfilltë në botën e re. Ç’gëzim do të jetë kur të ringjallurit të bashkohen sërish me njerëzit e tyre të dashur! Po, fundi i botës së Satanait është afër e po ashtu edhe bota e re e Perëndisë. Është jetësore të qëndrojmë vigjilentë!

A ju kujtohet?

• Cila ishte tema e mësimdhënies së Jezuit?

• Sa është përhapur sot vepra e predikimit për Mbretërinë?

• Pse është jetësore të qëndrojmë vigjilentë?

• Pse ju inkurajon premtimi te Veprat 24:15?

[Pyetjet]

[Kutia dhe figura në faqet 16, 17]

NISI EPOKA E TRAZIRËS

Epoka e trazirës: Aventura në një botë të re (anglisht) është titulli i një libri të autorit Alan Grinspan, botuar në vitin 2007. Për pothuajse 20 vjet, ai ishte drejtues i Këshillit të Rezervave Federale të SHBA-së që mbikëqyr tërë sistemin qendror bankar të atij kombi. Grinspani nxjerr në pah ndryshimin e madh midis situatës botërore para 1914-s dhe pas saj:

«Nga të gjitha raportet e asaj kohe, bota para 1914-s dukej se po shkonte në mënyrë të pakthyeshme drejt niveleve më të larta të qytetarisë dhe të qytetërimit; shoqëria njerëzore dukej se po shkonte drejt përsosmërisë. Shekulli i nëntëmbëdhjetë i kishte dhënë fund tregtisë së neveritshme të skllevërve. Dhuna çnjerëzore dukej se po pakësohej. . . . Shpikjet në mbarë botën kishin ecur me ritëm të shpejtë gjatë gjithë shekullit të nëntëmbëdhjetë, duke sjellë hekurudhën, telefonin, dritën elektrike, kinematografinë, automobilat dhe komoditete shtëpiake të panumërta. Shkenca mjekësore, përmirësimi i të ushqyerit dhe shpërndarja në masë e ujit të pijshëm, kishin rritur jetëgjatësinë. . . . Të gjithë mendonin se ky përparim do të ishte i pakthyeshëm.»

Por . . . «Lufta I Botërore ishte më shkatërrimtare për qytetarinë dhe qytetërimin, sesa Lufta II Botërore, që ishte e tillë në kuptimin e mirëfilltë: konflikti i parë shkatërroi një ideal. Nuk mund ta fshij nga mendja pikëpamjen që ekzistonte në ato vite para Luftës I Botërore kur përparimi i njerëzimit dukej i pandalshëm e pa kufij. Pikëpamja që kemi sot është krejt ndryshe nga një shekull më parë, por ndoshta paksa më afër realitetit. A do t’i shkaktojë terrori ose ngrohja globale . . . epokës së sotme të globalizimit përparimtar, atë që i shkaktoi Lufta I Botërore epokës së mëparshme? Askush nuk mund të përgjigjet me siguri.»

Grinspani kujton nga ditët e tij studentore, një pohim të profesorit të ekonomisë Benxhamin M. Andersoni (1886-1949): «Ata që kanë njëfarë moshe për të kujtuar dhe kuptuar botën para Luftës I Botërore, e kujtojnë me shumë nostalgji. Në atë kohë ekzistonte një ndjenjë sigurie që nuk ka ekzistuar kurrë më.»—Economics and the Public Welfare.

Në një përfundim të ngjashëm arrin edhe autori Xh. Xh. Majëri, në librin e tij të botuar më 2006. Aty shkruhet: «Shpesh thuhet se ngjarjet historike ‘kanë ndryshuar gjithçka’. Të paktën në rastin e Luftës së Madhe [1914-1918] kjo doli e vërtetë. Lufta ndryshoi vërtet gjithçka: jo vetëm kufijtë, qeveritë dhe fatin e kombeve, por edhe mënyrën se si njerëzit e kanë parë botën dhe veten që nga ajo kohë. Ajo u bë si një lloj hendeku në kohë, duke e shkëputur përfundimisht botën e pasluftës nga gjithçka që kishte qenë më parë.»

[Figura në faqen 18]

Në Harmagedon, Jehovai do të lëshojë forcat e fuqishme engjëllore