Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai meriton ta lëvdojmë të gjithë së bashku

Jehovai meriton ta lëvdojmë të gjithë së bashku

 Jehovai meriton ta lëvdojmë të gjithë së bashku

«Lëvdoni Jah!»—PSAL. 111:1.

1, 2. (a) Çfarë do të thotë fjala «Aleluja»? (b) Si përdoret në Shkrimet e Krishtere Greke?

«ALELUJA!» Këtë fjalë e dëgjon shpesh në kishat e të ashtuquajturit krishterim. Në disa vende, njerëzit e përsëritin ndonjëherë gjatë bisedave të përditshme, por pak e dinë kuptimin e saj. Dhe mënyra e jetesës së shumë prej atyre që e përdorin, e çnderon Perëndinë. (Titit 1:16) Sipas një fjalori biblik, «Aleluja» është «një fjalë që shkrimtarët e disa psalmeve e përdorën për t’i ftuar të gjithë që të bashkoheshin me ta për të lëvduar Jehovain». Në fakt, disa studiues biblikë theksojnë se fjala «Aleluja» do të thotë «‘Lëvdoni Jah’, [domethënë] Jehovain».

2 Përkthimin Bota e Re, kjo shprehje hebraike që gjendet te Psalmi 111:1, me të drejtë është përkthyer: «Lëvdoni Jah!» Një formë në greqisht e kësaj shprehjeje del katër herë te Zbulesa 19:1-6 për të shprehur gëzimin për fundin e fesë së rreme. Kur të ndodhë kjo, adhuruesit e vërtetë do të kenë një arsye të veçantë për ta përdorur me respekt fjalën «Aleluja».

Veprat e tij të mëdha

3. Cili është qëllimi kryesor pse mblidhemi rregullisht?

3 Kompozitori i Psalmit 111 jep shumë arsye pse Jehovai meriton vërtet ta lëvdojmë të gjithë të bashkuar. Vargu 1 thotë: «Unë do ta përlëvdoj Jehovain me gjithë zemër mes të drejtëve që janë të lidhur ngushtë me të, mes asamblesë së tyre.» Kështu ndihen edhe Dëshmitarët e Jehovait sot. Qëllimi kryesor pse mblidhemi rregullisht, qoftë në kongregacione, qoftë në kongrese të mëdha, është që të lëvdojmë Jehovain.

4. Për çfarë mund të ndalemi e të mendojmë?

4 «Veprat e Jehovait janë të mëdha. Për to ndalen e mendojnë ata që kënaqen me to.» (Psal. 111:2) Vër re shprehjen «ndalen e mendojnë». Sipas një vepre referimi, vargu ndoshta bën fjalë për njerëzit që i bëjnë veprat e Perëndisë «objekt meditimi dhe studimi të zellshëm e të devotshëm». Në gjithçka që ka krijuar, duket qartë se Jehovai ka pasur një qëllim të mrekullueshëm. Ai e ka vënë diellin, tokën dhe hënën në pozicionin e duhur, të gjithë në raportin e duhur me njëri-tjetrin, që në tokë të ketë ngrohtësi e dritë, natë e ditë, stinë, batica e zbatica.

5. Çfarë është zbuluar nga rritja e kuptueshmërisë rreth universit?

5 Shkencëtarët kanë zbuluar shumë e shumë gjëra për pozicionin e tokës në sistemin diellor, si edhe për orbitën, masën dhe përmasat e përsosura të hënës sonë të madhe. Vendndodhja dhe bashkëveprimi mes këtyre trupave qiellorë, bëjnë të mundur ndërrimin e bukur dhe të rregullt të stinëve. Gjithashtu, është kuptuar shumë për sinkronizimin e forcave natyrore të universit. Kështu, në një artikull të titulluar «Universi i projektuar ‘tamam siç duhet’», një profesor i inxhinierisë mekanike vërejti: «Është fare e lehtë të kuptosh pse kaq shumë shkencëtarë kanë ndërruar mendje në 30 vitet e fundit, duke u pajtuar me mendimin se duhet besim i madh për të pranuar që universi nuk është veçse rezultat i një aksidenti kozmik të rastësishëm. Sa më shumë kuptojmë rreth habitatit tonë të ndërtuar me kujdes e mjeshtëri, aq më shumë dëshmi bindëse gjejmë se ka një projektues inteligjent.»

6. Ç’mendon për mënyrën si na ka krijuar Perëndia?

6 Një aspekt madhështor i krijimit, është edhe mënyra si na ka krijuar Perëndia. (Psal. 139:14) Kur krijoi njeriun, ai i dha një mendje, një trup me tërë organet e nevojshme dhe aftësinë e zotësinë për të punuar. Për shembull, një mrekulli më vete janë aftësitë që na ka dhënë Perëndia për të folur e dëgjuar, si edhe për të shkruar e lexuar. Shumë njerëz i kanë këto aftësi. Po ashtu, kemi edhe një kryevepër mahnitëse ndërtimi: trupin, i cili mund të qëndrojë vertikalisht. Ndërtimi dhe aftësia e trupit për të qëndruar në ekuilibër, funksionet mekanike dhe substancat e tij kimike, të mahnitin. Përveç kësaj, lidhjet nervore të jashtëzakonshme që bëjnë të mundur funksionimin e mendjes dhe të shqisave, qëndrojnë shumë më lart se arritjet e shkencëtarëve. Në fakt, arritjet njerëzore realizohen vetëm falë mendjes dhe shqisave me të cilat është pajisur njeriu. As inxhinieri më i aftë dhe më i kualifikuar nuk do të mund të realizonte diçka aq të bukur e të dobishme sa dhjetë levat e krijuara në mënyrë të mrekullueshme: gishtat. Pyet veten: «A do të mund të bëheshin veprat mbresëlënëse në fushën e artit dhe të ndërtimit, pa përdorimin mjeshtëror të gishtave që na ka dhënë Perëndia?»

Veprat e mëdha dhe cilësitë e Perëndisë

7. Pse duhet ta konsiderojmë Biblën si një nga veprat e mëdha të Perëndisë?

7 Siç përshkruhet në Bibël, në veprat e mëdha të Jehovait përfshihen edhe gjëra të tjera të mrekullueshme që ka bërë për njerëzimin. Ky libër në vetvete është një kryevepër e harmonishme. Ndryshe nga çdo libër tjetër, është vërtet «i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar». (2 Tim. 3:16) Për shembull, libri i parë i Biblës, Zanafilla, përshkruan se si Perëndia e pastroi tokën nga ligësia në ditët e Noesë. Libri i dytë, Dalja, shpjegon se si Jehovai tregoi që ishte Perëndia i vërtetë duke çliruar Izraelin nga skllavëria egjiptiane. Ndoshta psalmisti kishte në mendje këto ngjarje kur u nxit të thoshte: «Gjithçka bën [Jehovai], është e lavdishme dhe plot shkëlqim. Drejtësia e tij zgjat përgjithmonë. Bëmat e tij janë të denja të kujtohen. [U ngre «përmendore mrekullive të veta», Filipaj.] Jehovai është hirmadh dhe i mëshirshëm.» (Psal. 111:3, 4) A nuk je dakord se gjithçka ka bërë Jehovai gjatë historisë, përfshirë edhe ato që ka bërë gjatë jetës tënde, janë si një përmendore për ‘lavdinë dhe shkëlqimin’ e tij?

8, 9. (a) Në cilat mënyra veprat e Perëndisë ndryshojnë nga shumë vepra të njerëzve? (b) Cilat janë disa cilësi të Perëndisë që çmon?

8 Vër re se psalmisti thekson edhe cilësitë e bukura të Jehovait, si drejtësinë, hirin dhe mëshirën. Ti e di se veprat e njerëzimit mëkatar rrallë bazohen te drejtësia. Shpesh ato burojnë nga lakmia, zilia dhe fodullëku. Kjo shihet tek armët mizore që prodhojnë njerëzit për luftërat që nxitin dhe për përfitime ekonomike. Këto u sjellin mjerim e tmerr të paparë miliona viktimave të pafajshme. Gjithashtu, shumë vepra njerëzore janë arritur në kurriz të të varfërve. Një shembull që mund të përmendin shumë veta është shfrytëzimi i skllevërve për ndërtimin e piramidave. Këto shërbenin kryesisht si varre për faraonët krenarë. Për më tepër, shumë prej veprave të sotme të njerëzimit jo vetëm janë shtypëse, por edhe po «rrënojnë tokën».—Lexo Zbulesën 11:18.

9 Sa ndryshe janë veprat e Jehovait, të cilat bazohen gjithnjë tek ajo që është e drejtë! Në veprat e tij përfshihet masa e mëshirshme që ka marrë për shpëtimin e njerëzimit mëkatar. Duke siguruar shpërblesën, Perëndia po «tregonte drejtësinë e vet». (Rom. 3:25, 26) Vërtet, «drejtësia e tij zgjat përgjithmonë»! Po ashtu, Perëndia ka shfaqur hir kur është treguar i durueshëm me njerëzit mëkatarë. Ndonjëherë, ai madje përdorte shprehjen «ju lutem» kur u përgjërohej që të ktheheshin nga udhët e këqija dhe të bënin atë që ishte e drejtë.—Lexo Ezekielin 18:25.

Besnik ndaj premtimeve të tij

10. Çfarë shembulli besnikërie la Jehovai në lidhje me besëlidhjen që bëri me Abrahamin?

10 «U jep ushqim atyre që i frikësohen. Gjithmonë do ta kujtojë besëlidhjen e tij.» (Psal. 111:5) Me sa duket, psalmisti këtu e kishte fjalën për besëlidhjen abrahamike. Jehovai premtoi se do ta bekonte farën e Abrahamit dhe tha se ata do të shtinin në dorë portat e armiqve të tyre. (Zan. 22:17, 18; Psal. 105:8, 9) Këto premtime u përmbushën fillimisht kur fara e Abrahamit u bë kombi i Izraelit. Ai komb ishte në skllavëri për një kohë të gjatë në Egjipt, por pastaj Perëndia «kujtoi besëlidhjen e tij me Abrahamin» dhe i çliroi. (Dal. 2:24) Mënyra si veproi më pas Jehovai me ta, tregon sa bujar është. Ai u siguroi ushqim për trupin dhe ushqim frymor për mendjen e zemrën. (Ligj. 6:1-3; 8:4; Neh. 9:21) Në shekujt që pasuan, kombi shpesh i ktheu shpinën Perëndisë, edhe pse Ai dërgoi profetë për t’u bërë thirrje që të ktheheshin. Më shumë se 1.500 vjet pasi i çliroi izraelitët nga Egjipti, Perëndia dërgoi në tokë Birin e tij të vetëmlindur. Shumica e judenjve nuk e pranuan Jezuin dhe lejuan që të ekzekutohej. Atëherë Jehovai formoi një komb të ri, një komb frymor, «Izraelin e Perëndisë». Bashkë me Krishtin, ky komb përbën farën frymore të Abrahamit, të cilën Jehovai paratha se do ta përdorte për të bekuar njerëzimin.—Gal. 3:16, 29; 6:16.

11. Si vazhdon Jehovai «ta kujtojë besëlidhjen e tij» me Abrahamin?

11 Jehovai vazhdon «ta kujtojë besëlidhjen e tij» dhe bekimet e premtuara nëpërmjet saj. Sot, ai po siguron ushqim frymor me bollëk në më tepër se 400 gjuhë. Gjithashtu, vazhdon t’u përgjigjet lutjeve për nevojat tona fizike në përputhje me fjalët: «Na jep bukën për këtë ditë, sipas nevojës së ditës.»—Luka 11:3; Psal. 72:16, 17; Isa. 25:6-8.

Fuqia mahnitëse e Jehovait

12. Në ç’mënyrë Izraelit të lashtë iu dha ‘trashëgimia e kombeve’?

12 «Me ato që bëri, i tregoi popullit fuqinë e tij, duke i dhënë trashëgiminë e kombeve.» (Psal. 111:6) Një ngjarje e jashtëzakonshme në historinë e Izraelit që mund të ketë pasur në mendje psalmisti, ishte çlirimi i mrekullueshëm nga Egjipti. Kur në fund Jehovai i lejoi izraelitët të hynin në Tokën e Premtuar, ata mundën të shtinin në dorë mbretëri në lindje e në perëndim të lumit Jordan. (Lexo Neheminë 9:22-25.) Po, Jehovai i dha Izraelit «trashëgiminë e kombeve». Sa i fuqishëm u tregua Perëndia!

13, 14. (a) Cilën shfaqje të fuqisë së Perëndisë kundër Babilonisë mund të ketë pasur në mendje psalmisti? (b) Ç’vepra të tjera të mëdha çlirimi ka kryer Jehovai?

13 Megjithatë, e dimë mirë se, pavarësisht nga gjithçka bëri Jehovai për izraelitët, ata nuk treguan respekt as për të, as për paraardhësit e tyre Abrahamin, Isakun dhe Jakobin. Ata vazhduan të rebeloheshin derisa Perëndia përdori Babiloninë që t’i hiqte nga vendi i tyre e t’i çonte në mërgim. (2 Kron. 36:15-17; Neh. 9:28-30) Nëse kompozitori i Psalmit 111 ka jetuar pasi Izraeli u rikthye nga mërgimi babilonas, siç sugjerojnë disa studiues biblikë, ai do të ketë pasur edhe më shumë arsye për të lëvduar Jehovain për besnikërinë dhe fuqinë e Tij. Perëndia u tregua i tillë duke i çliruar judenjtë nga Babilonia—një perandori që nuk i lironte kurrë robërit e saj.—Isa. 14:4, 17.

14 Rreth pesë shekuj më vonë, Jehovai e përdori fuqinë e tij në një mënyrë edhe më madhështore, duke i çliruar nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes njerëzit që pendoheshin. (Rom. 5:12) Si rrjedhim, ndër të tjera, u hap udha që 144.000 njerëz të bëheshin dishepuj të Krishtit të mirosur nga fryma. Në vitin 1919, Jehovai e përdori fuqinë për të çliruar një mbetje të vogël të këtyre të mirosurve nga robëria e fesë së rreme. Arritjet e tyre në këtë kohë të fundit, janë vetëm falë fuqisë së Perëndisë. Nëse tregohen besnikë deri në vdekje, ata do të sundojnë me Jezu Krishtin nga qielli në dobi të njerëzve të penduar. (Zbul. 2:26, 27; 5:9, 10) Të mirosurit do të trashëgojnë tokën në një mënyrë më madhështore se Izraeli i lashtë.—Mat. 5:5.

Parime të përjetshme e të denja për besim

15, 16. (a) Çfarë përfshihen në veprat e duarve të Jehovait? (b) Cilët urdhra i dha Perëndia Izraelit të lashtë?

15 «Në veprat e duarve të tij spikat e vërteta dhe gjykimi. Të gjitha urdhërimet që jep, janë të denja për besim. Janë të patundura mot e jetë. I ka bërë në përputhje me të vërtetën dhe drejtësinë.» (Psal. 111:7, 8) Ndër «veprat e duarve të [Jehovait]» ishin edhe dy pllaka guri mbi të cilat ishin gdhendur dhjetë ligje të rëndësishme për Izraelin. (Dal. 31:18) Këto ligje, bashkë me gjithë rregullat e tjera që u bënë pjesë e besëlidhjes së Ligjit të Moisiut, bazoheshin në parime të përjetshme e të denja për besim.

16 Për shembull, një nga urdhrat ose ligjet në këto pllaka thoshte: «Unë Jehovai, Perëndia yt, jam një Perëndi që kërkoj të më përkushtohesh vetëm mua.» Më tej, thoshte se Jehovai u tregon «dashamirësi për mijëra breza atyre që [e] duan dhe që mbajnë urdhërimet e [tij]». Pllakat prej guri përmbanin gjithashtu parime që vlejnë për çdo kohë, të tilla si «ndero atin dhe nënën tënde» dhe «mos vidh». Përveç këtyre, ç’mençuri të thellë pasqyronte ligji që ndalonte lakmimin e diçkaje që i përkiste të tjerëve!—Dal. 20:5, 6, 12, 15, 17.

Shpenguesi ynë i shenjtë e që ngjall frikë

17. Ç’arsye kishin izraelitët që ta trajtonin si të shenjtë emrin e Perëndisë?

17 «Ai i dërgoi shpengimin popullit të vet. Urdhëroi që besëlidhja e tij të zgjaste përgjithnjë. Emri i tij është i shenjtë dhe ngjall frikë.» (Psal. 111:9) Përsëri, psalmisti mund të ketë pasur në mendje besnikërinë e Jehovait ndaj besëlidhjes me Abrahamin. Për këtë arsye, Jehovai nuk e braktisi popullin as kur ishin skllevër në Egjiptin e lashtë, as më vonë kur ishin robër në Babiloni. Në të dyja rastet Perëndia e shpengoi popullin e tij. Edhe vetëm këto do të mjaftonin që Izraeli ta trajtonte si të shenjtë emrin e Perëndisë.—Lexo Daljen 20:7; Romakëve 2:23, 24.

18. Pse mendon se të mbash emrin e Perëndisë është një privilegj?

18 E njëjta gjë vlen edhe për të krishterët sot, të cilët janë shpenguar nga skllavëria e pashpresë e mëkatit dhe e vdekjes. Duhet të bëjmë çmos për të jetuar në përputhje me kërkesën e parë të lutjes model: «U shenjtëroftë emri yt.» (Mat. 6:9) Meditimi rreth këtij emri të lavdishëm duhet të na ngjallë frikë Perëndie. Shkrimtari i Psalmit 111 kishte pikëpamjen e duhur për frikën ndaj Perëndisë. Ai tha: «Të kesh frikë nga Jehovai është hapi i parë drejt mençurisë. Të gjithë ata që zbatojnë urdhrat e tij, kanë gjykim të thellë.»Psal. 111:10.

19. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

19 Frika e shëndetshme ndaj Perëndisë do të na ndihmojë të urrejmë atë që është e keqe. Gjithashtu, do të na ndihmojë të imitojmë cilësitë e bukura të Perëndisë, siç tregohet te Psalmi 112 që do të shqyrtojmë në  artikullin vijues. Ky psalm tregon se ç’mund të bëjmë për të qenë ndër miliona njerëzit që do të kenë kënaqësinë të lëvdojnë Perëndinë përgjithmonë. Jehovai meriton vërtet të lëvdohet. «Ai do të lëvdohet përgjithmonë.»Psal. 111:10.

Pyetje për meditim

• Pse Jehovai meriton ta lëvdojmë të gjithë të bashkuar?

• Cilat cilësi të Jehovait zbulohen në veprat e tij?

• Pse mendon se të mbash emrin e Perëndisë është një privilegj?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 20]

Qëllimi kryesor pse mblidhemi rregullisht, është që të lëvdojmë Jehovain

[Figura në faqen 23]

Të gjitha ligjet e Jehovait bazohen në parime të përjetshme e të denja për besim