Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të drejtët do ta lëvdojnë Perëndinë përgjithmonë

Të drejtët do ta lëvdojnë Perëndinë përgjithmonë

Të drejtët do ta lëvdojnë Perëndinë përgjithmonë

«I drejti do të kujtohet gjithmonë. . . . Drejtësia e tij vazhdon përgjithmonë.» —PSAL. 112:6, 9.

1. (a) Ç’e ardhme e lumtur i pret të gjithë ata që Perëndia i konsideron të drejtë? (b) Cila pyetje lind?

Ç’E ARDHME e mrekullueshme i pret të gjithë njerëzit që Perëndia i konsideron të drejtë! Ata do të kënaqen gjithmonë duke mësuar më shumë për cilësitë e bukura të Jehovait. Nga zemra u burojnë lavde pa fund, teksa mësojnë gjithnjë e më shumë për veprat krijuese të Jehovait. Një nga kërkesat thelbësore për të gëzuar këtë të ardhme të lavdishme është «drejtësia», e cila theksohet te Psalmi 112. Por, si mund t’i konsiderojë të drejtë njerëzit mëkatarë Jehovai, Perëndia i shenjtë dhe i drejtë? Sado të përpiqemi të bëjmë atë që është e drejtë, prapëseprapë bëjmë gabime, disa herë edhe të rënda.—Rom. 3:23; Jak. 3:2.

2. Cilat janë dy mrekulli që Jehovai bëri nga dashuria?

2 Nga dashuria Jehovai siguroi një zgjidhje të përsosur. Në ç’mënyrë? Së pari, bëri një mrekulli, duke e transferuar jetën e Birit të tij të dashur në barkun e një virgjëreshe, që të lindte si njeri i përsosur. (Luka 1:30-35) Më tej, pasi armiqtë e vranë Jezuin, Jehovai bëri një mrekulli tjetër të jashtëzakonshme. Ai e ringjalli Jezuin si një krijesë frymore të lavdishme.—1 Pjet. 3:18.

3. Pse Perëndia e shpërbleu me kënaqësi Birin e tij me jetën qiellore?

3 Jehovai e shpërbleu Jezuin me diçka që Biri i Tij nuk e kishte në ekzistencën paranjerëzore: me jetën e pashkatërrueshme në qiell. (Hebr. 7:15-17, 28) Jehovai e bëri me kënaqësi këtë, sepse Jezui kishte mbajtur integritet të përsosur nën sprova të rënda. Kështu, Jezui i siguroi Atit përgjigjen më të mirë, po, përgjigjen e plotë për gënjeshtrën e Satanait se njerëzit i shërbejnë Perëndisë nga motive egoiste, e jo nga dashuria e fortë për të.—Prov. 27:11.

4. (a) Çfarë bëri Jezui për ne sapo u kthye në qiell dhe si e priti Jehovai këtë? (b) Si ndihesh për atë që kanë bërë për ty Jehovai dhe Jezui?

4 Në qiell, Jezui bëri më shumë se kaq. Ai ‘u paraqit për ne përpara personit të Perëndisë’ me vlerën e ‘gjakut të vet’. Ati ynë i dashur qiellor e pranoi me dashamirësi blatimin e çmuar të Jezuit si «një flijim pajtues për mëkatet tona». Prandaj, me ‘ndërgjegje të pastruara’ mund t’i bëjmë «shërbim të shenjtë Perëndisë së gjallë». Ç’arsye e mrekullueshme për t’u bërë jehonë fjalëve hyrëse të Psalmit 112: «Lëvdoni Jah!»Hebr. 9:12-14, 24; 1 Gjon. 2:2.

5. (a) Çfarë duhet të bëjmë për të mbajtur një qëndrim të drejtë para Perëndisë? (b) Si janë organizuar Psalmi 111 dhe Psalmi 112?

5 Që të mbajmë një qëndrim të drejtë para Perëndisë, duhet të vazhdojmë të tregojmë besim te gjaku i derdhur i Jezuit. Nuk duhet të kalojë as edhe një ditë pa falënderuar Jehovain që na do kaq shumë. (Gjoni 3:16) Gjithashtu, duhet të vazhdojmë të studiojmë Fjalën e Perëndisë dhe të bëjmë çmos të jetojmë në përputhje me mesazhin e saj. Psalmi 112 përmban këshilla të shkëlqyera për të gjithë ata që duan të mbajnë një ndërgjegje të pastër në sytë e Perëndisë. Ky psalm plotëson Psalmin 111. Në gjuhën origjinale, pra në hebraisht, të dy fillojnë me thirrjen «Lëvdoni Jah!» dhe ndiqen nga 22 rreshta ku secili fillon me një nga 22 shkronjat e alfabetit hebraik. *

Një bazë për lumturinë

6. Si bekohet njeriu me frikë Perëndie, i përshkruar te Psalmi 112?

6 «Lum ai që ka frikë nga Jehovai dhe që gjen shumë ëndje në urdhërimet e tij! Pasardhësit e tij do të jenë të fuqishëm mbi dhé. Brezat e të drejtëve do të jenë të bekuar.» (Psal. 112:1, 2) Vër re se në fillim psalmisti flet në njëjës duke thënë «ai», pastaj në pjesën e fundit të vargut 2 flet në shumës duke thënë ‘të drejtët’. Kjo lë të kuptohet se Psalmi 112 mund t’i referohet një grupi të përbërë nga shumë individë. Është interesante se, nën frymëzim, apostulli Pavël e lidhi Psalmin 112:9 me të krishterët e shekullit të parë. (Lexo 2 Korintasve 9:8, 9.) Sa mirë e përshkruan ky psalm se si mund të jenë të lumtur sot dishepujt e Krishtit në tokë!

7. (a) Pse shërbëtorët e Perëndisë duhet të kenë frikë të shëndetshme ndaj tij? (b) Si duhet të ndihesh për urdhërimet e Perëndisë?

7 Siç tregohet te Psalmi 112:1, këta të krishterë të vërtetë janë shumë të lumtur ndërsa ecin ‘duke pasur frikë nga Jehovai’. Kjo frikë e shëndetshme për të mos i sjellë pakënaqësi Atij, i ndihmon t’i rezistojnë frymës së botës së Satanait. Ata ‘gjejnë shumë ëndje’ duke studiuar Fjalën e Perëndisë dhe duke iu bindur urdhërimeve të tij. Këtu përfshihet edhe urdhri për të predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë në mbarë tokën. Ata përpiqen të bëjnë dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, ndërkohë që i paralajmërojnë të ligjtë për ardhjen e ditës së gjykimit të Perëndisë.—Ezek. 3:17, 18; Mat. 28:19, 20.

8. (a) Si është shpërblyer populli i përkushtuar i Perëndisë sot për zellin e tij? (b) Çfarë bekimesh i presin në të ardhmen ata me shpresë tokësore?

8 Falë bindjes ndaj këtyre urdhërimeve, numri i shërbëtorëve të Perëndisë sot në tokë është mbi shtatë milionë. E kush mund ta mohojë se ky popull është bërë ‘i fuqishëm mbi dhé’? (Gjoni 10:16; Zbul. 7:9, 14) Dhe, sa «të bekuar» do të jenë kur Perëndia të fillojë të përmbushë qëllimin e tij! Si grup, ata me shpresë tokësore do të shpëtojnë gjatë ‘shtrëngimit të madh’ që po vjen dhe do të formojnë «një tokë të re» ku «do të banojë drejtësia». Me kalimin e kohës, të mbijetuarit nga Harmagedoni ‘do të bekohen’ edhe më shumë. Do të jenë gati për të mirëpritur miliona të ringjallur. Ç’e ardhme emocionuese! Në fund, ata që gjejnë «shumë ëndje» në urdhërimet e Perëndisë, do të arrijnë dalëngadalë përsosmërinë dhe do të gëzojnë përgjithmonë «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë».—2 Pjet. 3:13; Rom. 8:21.

Ta përdorim pasurinë me mençuri

9, 10. (a) Si i kanë përdorur pasuritë frymore të krishterët e vërtetë? (b) Në ç’mënyrë drejtësia e tyre do të qëndrojë në shekuj të shekujve?

9 «Në shtëpinë e tij ka gjëra të vyera dhe pasuri. Drejtësia e tij vazhdon përjetë [«qëndron në shekuj të shekujve», Filipaj]. Ai vetëtin si dritë në errësirë për të drejtët. Ai është hirmadh, i mëshirshëm dhe i drejtë.» (Psal. 112:3, 4) Në kohët biblike, disa shërbëtorë të Perëndisë shquheshin për pasurinë e tyre. Megjithatë, ata që Perëndia i miraton, bëhen vërtet të pasur, edhe nëse nuk bëhet fjalë për pasuri materiale. Fakti është se, në përgjithësi, ata që zgjedhin të përulen para Perëndisë mund të jenë të varfër e të përbuzur, siç ndodhte edhe në ditët e Jezuit. (Luka 4:18; 7:22; Gjoni 7:49) Por, pavarësisht nëse dikush ka shumë ose pak nga ana materiale, mund të jetë i pasur nga ana frymore.—Mat. 6:20; 1 Tim. 6:18, 19; lexo Jakovin 2:5.

10 Të krishterët e mirosur, si edhe shokët e tyre, nuk i mbajnë për vete pasuritë frymore. Përkundrazi, ata kanë ‘vetëtirë’ në botën e errët të Satanait ‘si dritë për të drejtët’. E bëjnë këtë duke i ndihmuar të tjerët të nxjerrin dobi nga thesaret frymore të mençurisë e të njohurisë së Perëndisë. Kundërshtarët janë përpjekur të ndalin veprën e predikimit për Mbretërinë, por kanë dështuar. Megjithatë, fryti i kësaj vepre të drejtë ‘do të qëndrojë në shekuj të shekujve’. Duke qëndruar në udhën e drejtësisë, shërbëtorët e Perëndisë mund të kenë sigurinë se do të jetojnë përgjithmonë, po, ‘do të qëndrojnë në shekuj të shekujve’.

11, 12. Cilat janë disa mënyra se si i përdor gjërat materiale populli i Perëndisë?

11 Populli i Perëndisë, qoftë klasa e skllavit të mirosur, qoftë ata që përbëjnë ‘shumicën e madhe’, është treguar bujar në lidhje me gjërat materiale. Psalmi 112:9 thotë: «Ai jep dorëhapur, u fal të varfërve.» Të krishterët e vërtetë sot, shpesh japin kontribute materiale për të bashkëkrishterët e madje edhe për fqinjët që janë në nevojë. Gjithashtu, ata i përdorin burimet materiale për të dhënë ndihma në raste katastrofash. Siç tha Jezui, edhe kjo sjell lumturi.—Lexo Veprat 20:35; 2 Korintasve 9:7.

12 Përveç kësaj, mendo për shpenzimet që duhen për të botuar këtë revistë në 172 gjuhë, shumë prej të cilave fliten nga popuj disi të varfër. Mendo që kjo revistë del edhe në disa gjuhë të shenjave për ata që nuk dëgjojnë, si dhe në gjuhën braile për të verbrit.

Hirmadh dhe i drejtë

13. Cilët janë shembujt më të mirë të dhënies me hir dhe si mund t’i imitojmë?

13 «I mirë është njeriu hirmadh dhe që jep hua.» (Psal. 112:5) Pa dyshim ke vënë re se njerëzit që ndihmojnë të tjerët, nuk janë gjithnjë hirmëdhenj. Disa japin për të treguar se janë më lart se të tjerët ose japin pa shumë qejf. Nuk është e këndshme të marrësh ndihmë nga dikush që të bën të ndihesh më i ulët ose sikur je i bezdisshëm a një barrë. Përkundrazi, sa bukur është të marrësh ndihmë nga dikush që është hirmadh. Jehovai është shembulli i jashtëzakonshëm i një Dhënësi hirmadh e të lumtur. (1 Tim. 1:11; Jak. 1:5, 17) Jezu Krishti pasqyroi në mënyrë të përsosur shembullin e Atit të tij hirmadh. (Mar. 1:40-42) Prandaj, që Perëndia të na konsiderojë të drejtë, duhet të japim me gëzim e me hir, sidomos në shërbim kur i ndihmojmë njerëzit të njohin Jehovain.

14. Cilat janë disa mënyra si mund ‘t’i kryejmë punët tona me drejtësi’?

14 «Ai i kryen punët e tij me drejtësi.» (Psal. 112:5) Siç ishte parathënë, klasa e kujdestarit të besueshëm kujdeset për interesat e Zotërisë në harmoni me drejtësinë e Jehovait. (Lexo Lukën 12:42-44.) Kjo pasqyrohet në drejtimin nga Shkrimet që u jepet pleqve, të cilët ndonjëherë duhet të trajtojnë çështje të kongregacionit që lidhen me mëkate të rënda. Mënyra e drejtë si i bën gjërat klasa e skllavit, shihet edhe te drejtimi i bazuar në Bibël që jep për mbarëvajtjen e të gjitha kongregacioneve, shtëpive misionare dhe shtëpive Bethel. Drejtësi kërkohet jo vetëm nga pleqtë, por edhe nga të krishterët e tjerë në marrëdhëniet me njëri-tjetrin e me jobesimtarët, përfshirë edhe në marrëdhëniet e biznesit.—Lexo Mikenë 6:8, 11.

Bekime për të drejtin

15, 16. (a) Sa ndikojnë te të drejtët lajmet e këqija të botës? (b) Çfarë duan të vazhdojnë të bëjnë me vendosmëri shërbëtorët e Perëndisë?

15 «Ai nuk do të lëkundet kurrën e kurrës. I drejti do të kujtohet gjithmonë. Ai nuk do t’u trembet as lajmeve të këqija. Zemra e tij është e palëkundur dhe mbështetet plotësisht te Jehovai. Zemra e tij është e patundur; ai nuk do të ketë frikë dhe në fund do t’i shikojë nga lart armiqtë e tij.» (Psal. 112:6-8) Kurrë më parë në histori nuk ka pasur kaq lajme të këqija, ku përfshihen luftëra, terrorizëm, sëmundje të reja dhe të vjetra që rishfaqen, krime, varfëri dhe ndotje rrënuese. Edhe ata që Perëndia i konsideron të drejtë ndikohen nga këto lajme të këqija, por ama nuk i paralizon frika. Përkundrazi, zemrat e tyre qëndrojnë ‘të palëkundura’ dhe ‘të patundura’ teksa shohin të ardhmen me besim, duke ditur se bota e re dhe e drejtë e Perëndisë është afër. Nëse ndodh një katastrofë, janë më të përgatitur për t’i bërë ballë situatës sepse mbështeten te Jehovai. Ai nuk lejon kurrë që të drejtët e tij ‘të lëkunden’, por i ndihmon dhe u jep forcë që të qëndrojnë.—Filip. 4:13.

16 Të drejtët e Perëndisë duhet të durojnë gjithashtu urrejtjen dhe gënjeshtrat e përhapura nga kundërshtarët, por kjo as ka arritur e as do të arrijë kurrë t’i bëjë të krishterët e vërtetë të heshtin. Përkundrazi, shërbëtorët e Perëndisë vazhdojnë të palëkundur e të patundur në veprën që u ka dhënë Jehovai—të predikojnë lajmin e mirë për Mbretërinë dhe të bëjnë dishepuj ata që e pranojnë këtë lajm. Pa dyshim, ndërsa fundi afrohet, të drejtët do të hasin gjithnjë e më shumë kundërshtim. Një urrejtje e tillë do të arrijë kulmin në sulmin mbarëbotëror që do të ndërmarrë Satana Djalli në rolin e tij si Gogu i Magogut. Pastaj, në fund ‘do t’i shikojmë nga lart armiqtë tanë’ ndërsa mposhten në mënyrë poshtëruese. Ç’përvojë e paharrueshme do të jetë kur të shohim shenjtërimin e plotë të emrit të Jehovait!—Ezek. 38:18, 22, 23.

«Do të lartësohet me lavdi»

17. Si «do të lartësohet me lavdi» i drejti?

17 Ç’kënaqësi do të jetë të lëvdojmë Jehovain të gjithë së bashku, pa kundërshtim nga Djalli dhe bota e tij! Kjo e ardhme e përhershme i pret të gjithë ata që mbajnë një qëndrim të drejtë para Perëndisë. Ata nuk do të mposhten në mënyrë të turpshme, sepse Jehovai premton edhe se «briri» i të drejtit «do të lartësohet me lavdi». (Psal. 112:9) I drejti i Jehovait do të ngazëllejë fitimtar kur të shohë mposhtjen e të gjithë armiqve të sovranitetit të Jehovait.

18. Si do të përmbushen fjalët mbyllëse të Psalmit 112?

18 «I ligu do të shohë dhe do të inatoset. Do të kërcëllijë dhëmbët dhe do të tretet. Dëshirat e të ligjve do të shuhen.» (Psal. 112:10) Të gjithë ata që i kundërvihen popullit të Perëndisë, së shpejti ‘do të treten’ në smirën dhe urrejtjen e tyre. Dëshira e tyre për të parë fundin e veprës sonë, do të zhduket bashkë me ta gjatë ‘shtrëngimit të madh’ që po vjen.—Mat. 24:21.

19. Për çfarë mund të jemi të sigurt?

19 A do të jesh mes të mbijetuarve të lumtur të asaj fitoreje madhështore? Ose, nëse ndodh që të vdesësh nga ndonjë sëmundje a mosha e shkuar para se të vijë fundi i botës së Satanait, a do të jesh ndër «të drejtët» që do të ringjallen? (Vep. 24:15) Përgjigja do të jetë po, nëse vazhdon të tregosh besim te flijimi shpërblyes i Jezuit dhe imiton Jehovain, siç bëjnë ata që përfaqësohen nga «njeriu» i drejtë te Psalmi 112. (Lexo Efesianëve 5:1, 2.) Jehovai do të bëjë që të drejtët ‘të kujtohen’ përgjithmonë, e po ashtu edhe veprat e tyre të drejta. Jehovai do t’i kujtojë dhe do t’i dojë në shekuj të shekujve.—Psal. 112:3, 6, 9.

[Shënimi]

^ par. 5 Që këto dy psalme plotësojnë njëri-tjetrin, kuptohet nga struktura dhe përmbajtja e tyre. Cilësitë e Perëndisë që lartësohen në Psalmin 111, imitohen nga njeriu me frikë Perëndie i Psalmit 112, siç mund të shihet nga krahasimi i Psalmit 111:3, 4 me Psalmin 112:3, 4.

Pyetje për meditim

• Cilat janë disa arsye pse duhet të thërrasim «Lëvdoni Jah»?

• Cilat arritje të sotme i bëjnë kaq të lumtur të krishterët e vërtetë?

• Ç’lloj dhënësi pëlqen Jehovai?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 25]

Që të mbajmë një qëndrim të drejtë para Perëndisë, duhet të tregojmë besim te gjaku i derdhur i Jezuit

[Figurat në faqen 26]

Kontributet e dhëna me gatishmëri mund të ndihmojnë në raste katastrofash dhe për shpërndarjen e botimeve biblike