Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është paracaktuar e ardhmja jonë?

A është paracaktuar e ardhmja jonë?

Lexuesit pyesin

A është paracaktuar e ardhmja jonë?

Disa thonë se dita e vdekjes është vendosur nga fati. Të tjerë këmbëngulin se vetë Perëndia vendos kur do të vdesim. Gjithashtu, këta i konsiderojnë ngjarjet kyçe të jetës si të pashmangshme. A mendon edhe ti kështu?

Ndoshta i bën vetes pyetjet vijuese: «Nëse faktikisht nuk mund të bëjmë asgjë për të ndryshuar të ardhmen tonë dhe nëse Perëndia ose fati ka përcaktuar tashmë përfundimin e një çështjeje, atëherë pse duhet të lutemi? Po ashtu, nëse fati ynë është përcaktuar tashmë, atëherë pse duhet të marrim masa për t’u mbrojtur? Pse ta vëmë rripin e sigurimit kur udhëtojmë me makinë? Pse të mos e ngasim makinën kur jemi të dehur?»

Bibla nuk e toleron aspak një sjellje të tillë të papërgjegjshme. Në vend që t’i linin gjërat në dorë të fatit, në Bibël izraelitët urdhëroheshin të tregonin kujdes për sigurinë e tyre. Për shembull, ata duhej të ndërtonin një mur të ulët përreth tarracave të shtëpive. Qëllimi ishte që të parandalonte rënien aksidentale nga tarraca. Perëndia nuk do ta jepte një urdhër të tillë nëse tashmë ishte e paracaktuar se dikush do të binte nga tarraca e do të vdiste.—Ligji i përtërirë 22:8.

Ç’të themi për ata që vdesin si pasojë e katastrofave natyrore ose ngjarjeve të tjera tragjike që janë jashtë kontrollit të tyre? A ishte paracaktuar për ta dita e vdekjes? Jo, shkrimtari biblik, mbreti Solomon, na siguron se ‘të gjithëve na rastis të kalojmë kohë të vështira dhe të përjetojmë ngjarje të paparashikuara’. (Eklisiastiu 9:11) Prandaj, pavarësisht se sa të çuditshme ose të pabesueshme mund të duken rrethanat, ngjarjet tragjike nuk janë të paracaktuara.

Megjithatë, disa mendojnë se ky pohim kundërshton atë që kishte thënë më parë Solomoni: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar, ka një kohë për çdo punë nën qiej: një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur.» (Eklisiastiu 3:1, 2) Por, a po mbështeste vërtet një pikëpamje fataliste Solomoni? Le t’i shqyrtojmë më mirë këto fjalë.

Solomoni nuk po thoshte se lindja dhe vdekja janë paracaktuar. Përkundrazi, ai po theksonte se njerëzit lindin dhe vdesin, dhe kjo ndodh gjithmonë. Sigurisht, jeta ka të përpjeta e të tatëpjeta. «Ka . . . një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur»,—thotë Solomoni. Ai tregon se gjëra të tilla të përsëritura dhe ngjarje të paparashikuara janë të zakonshme në jetë, domethënë në «çdo punë nën qiej». (Eklisiastiu 3:1-8; 9:11, 12) Pra, ai arrin në përfundimin që të mos jepemi kaq shumë pas gjërave të përditshme, sa të harrojmë Krijuesin.—Eklisiastiu 12:1, 13.

Edhe pse Krijuesi ka autoritet mbi jetën dhe vdekjen, ai nuk na përcakton një fat. Bibla mëson se Perëndia na ofron të gjithëve mundësinë për të jetuar përgjithmonë. Por, ai nuk na detyron ta pranojmë këtë mundësi. Përkundrazi, Fjala e tij thotë: «Kush dëshiron, le të marrë falas ujin e jetës.»—Zbulesa 22:17.

Po, jemi ne që duhet të dëshirojmë ‘të marrim ujin e jetës’. Pra, e ardhmja jonë nuk është përcaktuar nga fati. Janë vendimet, qëndrimet dhe veprimet tona që ndikojnë në të ardhmen tonë.