Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të vlerësojmë Moisiun më të Madh

Të vlerësojmë Moisiun më të Madh

Të vlerësojmë Moisiun më të Madh

«Perëndia Jehova do t’ju japë një profet si unë nga gjiri i vëllezërve tuaj. Dëgjojini të gjitha ato që do t’ju thotë.»—VEP. 3:22.

1. Si ka ndikuar në histori Jezu Krishti?

DY MIJË vjet më parë, lindja e një djali bëri që një shumicë engjëjsh të lëvdonte Perëndinë në prani të disa barinjve. (Luka 2:8-14) Tridhjetë vjet më vonë, ai fëmijë, tashmë i rritur, nisi një shërbim që zgjati vetëm tre vjet e gjysmë e megjithatë ndryshoi historinë. Historiani i famshëm i shekullit të 19-të, Filip Shaf, u nxit të thoshte për këtë person: «Edhe pse vetë nuk shkroi asnjë rresht, ai bëri të rroknin penën më shumë njerëz dhe siguroi tema për më shumë predikime, fjalime, diskutime, vëllime akademike, vepra arti dhe këngë lavdie, sesa tërë armata e njerëzve të mëdhenj të lashtësisë e të kohëve të sotme.» Ky njeri i jashtëzakonshëm ishte pa dyshim Jezu Krishti.

2. Çfarë tha apostulli Gjon për Jezuin dhe shërbimin e Tij?

2 Apostulli Gjon shkroi një tregim për shërbimin e Jezuit dhe në fund tha: «Jezui bëri edhe shumë gjëra të tjera, që po të shkruheshin një për një, ma ha mendja se as bota vetë nuk do t’i mbante rrotullat e shkruara.» (Gjoni 21:25) Gjoni e dinte se ai mund të dokumentonte vetëm një pjesë të vogël të gjithçkaje që tha e bëri Jezui gjatë atyre tre vjetëve e gjysmë plot aktivitet. Prapëseprapë, ngjarjet historike që raporton Gjoni në Ungjillin e tij janë me vlerë tejet të madhe.

3. Si mund të thellojmë kuptueshmërinë për rolin e Jezuit në qëllimin e Perëndisë?

3 Përveç katër ungjijve të rëndësishëm, edhe fragmente të tjera biblike sigurojnë hollësi për jetën e Jezuit që na forcojnë besimin. Për shembull, tregimet biblike lidhur me disa burra besnikë që jetuan para Jezuit, përmbajnë informacione që na ndihmojnë të thellojmë kuptueshmërinë për rolin e Jezuit në qëllimin e Perëndisë. Le të shqyrtojmë disa prej tyre.

Burra besnikë që paraqitën në mënyrë paraprake Krishtin

4, 5. Cilët paraqitën në mënyrë paraprake Jezuin dhe në cilat mënyra?

Gjoni dhe tre shkrimtarët e tjerë të ungjijve i referohen Moisiut, Davidit dhe Solomonit, si burrat që paraqitën në mënyrë paraprake Jezuin si i Mirosuri i Perëndisë dhe Mbreti i caktuar prej Tij. Në ç’mënyrë e paraqitën Jezuin këta shërbëtorë të Perëndisë dhe ç’mund të mësojmë nga këto tregime?

5 Për ta përmbledhur shkurtimisht, Bibla thotë se Moisiu ishte profet, ndërmjetës dhe çlirimtar. I tillë është edhe Jezui. Davidi ishte një bari dhe mbret që mposhti armiqtë e Izraelit. Edhe Jezui është një bari dhe mbret fitimtar. (Ezek. 37:24, 25) Për sa kohë qëndroi besnik, Solomoni ishte një sundimtar i mençur dhe nën mbretërimin e tij Izraeli gëzonte paqe. (1 Mbret. 4:25, 29) Edhe Jezui është tejet i mençur dhe quhet «Princ i Paqes». (Isa. 9:6) Është e qartë pra, se roli i Krishtit Jezu ngjan me atë të këtyre burrave të lashtësisë, por roli i Jezuit në qëllimin e Perëndisë është shumë herë më i lartë. Së pari, le të krahasojmë Jezuin me Moisiun dhe të shohim se si ky krahasim na ndihmon të vlerësojmë edhe më shumë rolin e Jezuit në qëllimin e Perëndisë.

Moisiu—Pararendës i Jezuit

6. Si ua shpjegoi apostulli Pjetër adhuruesve judenj nevojën për të dëgjuar Jezuin?

6 Pak kohë pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., apostulli Pjetër citoi një profeci të Moisiut që u përmbush te Jezu Krishti. Pjetri po qëndronte para një turme adhuruesish judenj në tempull. Njerëzit ‘u shastisën nga habia’ kur Pjetri dhe Gjoni shëruan një lypës që kishte lindur i çalë dhe të gjithë donin të dinin ç’kishte ndodhur. Pjetri shpjegoi se ky shërim mahnitës ishte rezultat i frymës së shenjtë të Jehovait që po vepronte nëpërmjet Jezu Krishtit. Pastaj, duke cituar nga Shkrimet Hebraike, ai tha këto fjalë: «Në fakt, Moisiu tha: ‘Perëndia Jehova do t’ju japë një profet si unë nga gjiri i vëllezërve tuaj. Dëgjojini të gjitha ato që do t’ju thotë.’»—Vep. 3:11, 22, 23; lexo Ligjin e përtërirë 18:15, 18, 19.

7. Pse ata që po dëgjonin Pjetrin mund t’i kuptonin fjalët e tij për një profet më të madh se Moisiu?

7 Ka të ngjarë që ata që po dëgjonin Pjetrin, t’i njihnin mirë këto fjalë të Moisiut. Duke qenë judenj, kishin vlerësim të lartë për Moisiun. (Ligj. 34:10) Ata pritnin me padurim ardhjen e një profeti më të madh se Moisiu. Ai profet nuk do të ishte thjesht një mesi, domethënë një i mirosur i Perëndisë si Moisiu, por do të ishte Mesia, «Krishti i Perëndisë, i Zgjedhuri» i Jehovait.—Luka 23:35; Hebr. 11:26.

Ngjashmëri midis Jezuit dhe Moisiut

8. Cilat janë disa ngjashmëri midis jetës së Moisiut dhe jetës së Jezuit?

8 Në disa drejtime, jeta tokësore e Jezuit ngjante me jetën e Moisiut. Për shembull, kur ishin foshnja, edhe Moisiu, edhe Jezui, i shpëtuan vdekjes nga duart e një sundimtari tiranik. (Dal. 1:22–2:10; Mat. 2:7-14) Gjithashtu, të dy ‘u thirrën nga Egjipti’. Profeti Hozea dokumentoi këto fjalë të Jehovait: «Kur Izraeli ishte djalë, unë e desha dhe nga Egjipti e thirra tim bir.» (Hoz. 11:1) Fjalët e Hozesë i referoheshin kohës kur Jehovai nxori nga Egjipti ‘birin’ e Tij, pra kombin e Izraelit, nën drejtimin e Moisiut, udhëheqësit të emëruar prej Tij. (Dal. 4:22, 23; 12:29-37) Megjithatë, fjalët e Hozesë nuk i referoheshin vetëm një ngjarjeje të së shkuarës, por edhe një ngjarjeje të së ardhmes. Fjalët e tij ishin një profeci që u përmbush kur Jozefi dhe Maria u kthyen nga Egjipti me Jezuin pas vdekjes së mbretit Herod.—Mat. 2:15, 19-23.

9. (a) Çfarë mrekullish kryen Moisiu dhe Jezui? (b) Trego ngjashmëri të tjera midis Jezuit dhe Moisiut. (Shih kutinë në faqen 26 me titull  «Mënyra të tjera se si Jezui ishte si Moisiu».)

9 Si Moisiu, ashtu edhe Jezui kryen mrekulli duke treguar kështu se kishin mbështetjen e Jehovait. Faktikisht Moisiu ishte njeriu i parë i dokumentuar në Bibël që kreu mrekulli. (Dal. 4:1-9) Për shembull, Moisiu kreu mrekulli që kishin lidhje me ujin kur nën urdhrin e tij ujërat e Nilit dhe pellgjet me kallamishte u kthyen në gjak, Deti i Kuq u nda dhe nga shkëmbi në shkretëtirë doli ujë me vërshim. (Dal. 7:19-21; 14:21; 17:5-7) Edhe Jezui kreu mrekulli që kishin lidhje me ujin. Mrekullia e tij e parë ishte kthimi i ujit në verë në një dasmë. (Gjoni 2:1-11) Më vonë, ai qetësoi detin e trazuar të Galilesë. Dhe, në një rast, ai madje eci mbi ujë. (Mat. 8:23-27; 14:23-25) Disa ngjashmëri të tjera midis Moisiut dhe Jezuit, Moisiut më të Madh, mund të shihen te kutia në faqen 26.

Të vlerësojmë Krishtin si profet

10. (a) Kush është profet i vërtetë? (b) Pse Moisiu ishte i tillë?

10 Shumë njerëz mendojnë se profet është dikush që parathotë të ardhmen, por kjo përbën vetëm një pjesë të përgjegjësisë së një profeti. Një profet i vërtetë është zëdhënës i Jehovait, dikush që shpall «gjërat madhështore të Perëndisë». (Vep. 2:11, 16, 17) Ndër të tjera, pjesë e caktimit tij mund të jenë njoftimi i ngjarjeve të ardhshme, zbulimi i aspekteve të qëllimit të Jehovait ose shpallja e gjykimeve të Perëndisë. Moisiu ishte një profet i tillë. Ai paratha çdonjërën prej Dhjetë Plagëve që goditi Egjiptin, paraqiti besëlidhjen e Ligjit në Sinai dhe i mësoi kombit vullnetin e Perëndisë. Sidoqoftë, përfundimisht do të vinte një profet më i madh se Moisiu.

11. Si e përmbushi Jezui rolin e një profeti më të madh se Moisiu?

11 Më pas, në shekullin e parë p.e.s, Zakaria veproi si profet kur zbuloi qëllimin e Perëndisë në lidhje me birin e tij, Gjonin. (Luka 1:76) Ky bir u bë Gjon Pagëzori, i cili njoftoi ardhjen e profetit të shumëpritur dhe më të madh se Moisiu—Jezu Krishtit. (Gjoni 1:23-36) Si profet, Jezui paratha shumë gjëra. Për shembull, ai foli për vdekjen e tij duke parathënë si dhe ku do të vdiste dhe se nga kush do të vritej. (Mat. 20:17-19) Për habinë e atyre që po e dëgjonin, Jezui paratha edhe shkatërrimin e Jerusalemit e të tempullit të tij. (Mar. 13:1, 2) Profecitë e tij shtrihen deri në kohën tonë.—Mat. 24:3-41.

12. (a) Si hodhi Jezui themelin për një fushatë globale predikimi? (b) Si mund ta ndjekim shembullin e Jezuit sot?

12 Përveçse profet, Jezui ishte edhe predikues e mësues. Ai predikoi lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë dhe askush nuk fliste me aq guxim sa ai. (Luka 4:16-21, 43) Jezui ishte mësues i pashoq. «Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu»,—thanë disa që e dëgjuan. (Gjoni 7:46) Jezui ishte i zellshëm ndërsa përpiqej të përhapte lajmin e mirë dhe u ngjalli dishepujve të njëjtin zell për Mbretërinë. Në këtë mënyrë, hodhi themelin për një fushatë globale predikimi dhe mësimdhënieje që vazhdon ende. (Mat. 28:18-20; Vep. 5:42) Vitin e kaluar, rreth shtatë milionë dishepuj të Krishtit kaluan gati 1.500.000.000 orë duke predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë dhe duke u mësuar të interesuarve të vërtetat biblike. A merr pjesë sa më shumë që mundesh në këtë vepër?

13. Çfarë do të na ndihmojë «të rrimë zgjuar»?

13 Patjetër, Jehovai e përmbushi profecinë për të dhënë një profet si Moisiu. Si ndikon kjo njohuri te ti? A të jep më shumë siguri për përmbushjen e profecive të frymëzuara që kanë të bëjnë me të ardhmen tonë të afërt? Po, meditimi rreth shembullit të Moisiut më të Madh na nxit «të rrimë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin» në lidhje me atë që do të bëjë Perëndia së shpejti.—1 Sel. 5:2, 6.

Të vlerësojmë Krishtin si ndërmjetës

14. Në ç’mënyrë Moisiu ishte një ndërmjetës midis izraelitëve dhe Perëndisë?

14 Ashtu si Moisiu, edhe Jezui ishte ndërmjetës. Një ndërmjetës vepron si urë lidhëse midis dy palëve. Moisiu ndërmjetësoi në besëlidhjen e Ligjit midis Jehovait dhe izraelitëve. Nëse bijtë e Jakobit do t’u bindeshin ligjeve të Perëndisë, do të mbeteshin pronë e Tij e veçantë, kongregacioni i Perëndisë. (Dal. 19:3-8) Ajo besëlidhje mbeti në fuqi nga viti 1513 p.e.s, deri në shekullin e parë të e.s.

15. Në ç’kuptim Jezui është një ndërmjetës më i lartë?

15 Në vitin 33 të e.s., Jehovai themeloi një besëlidhje më të mirë me Izraelin e ri, «Izraelin e Perëndisë», i cili u bë një kongregacion mbarëbotëror i përbërë nga të krishterë të mirosur. (Gal. 6:16) Megjithëse besëlidhja me ndërmjetës Moisiun përfshinte ligje të shkruara nga Perëndia në gurë, besëlidhja me ndërmjetës Jezuin është më e lartë. Ligjet e saj shkruhen nga Perëndia në zemrën e njerëzve. (Lexo 1 Timoteut 2:5; Hebrenjve 8:10.) Kështu, ‘Izraeli i Perëndisë’ është tani pronë e veçantë e Perëndisë, ‘një komb që prodhon frytet’ e Mbretërisë mesianike. (Mat. 21:43) Pjesëtarë të këtij kombi frymor janë pjesëmarrësit në këtë besëlidhje të re. Por ata nuk janë të vetmit që nxjerrin dobi prej saj. Mjaft të tjerë, madje edhe shumë që tani janë në gjumin e vdekjes, do të marrin bekime të përhershme falë kësaj besëlidhjeje më të lartë.

Të vlerësojmë Krishtin si çlirimtar

16. (a) Në cilat mënyra e përdori Jehovai Moisiun për të çliruar Izraelin? (b) Kush është Burimi i shpëtimit sipas Daljes 14:13?

16 Natën para se të dilnin nga Egjipti, disa nga pasardhësit e Izraelit ishin në rrezik të madh. Shumë shpejt, përmes vendit të Egjiptit do të kalonte engjëlli i Perëndisë, i cili do të vriste të gjithë të parëlindurit. Jehovai i tha Moisiut se të parëlindurit e Izraelit do të shpëtonin nëse izraelitët do të merrnin gjakun e qengjit të Pashkës dhe do të spërkatnin me të arkitrarët dhe shtalkat e dyerve të shtëpive të tyre. (Dal. 12:1-13, 21-23) Dhe kështu ndodhi. Më vonë, i tërë kombi ishte në rrezik serioz. Ata kishin mbetur të bllokuar midis Detit të Kuq dhe karrocave të ushtrisë egjiptiane që po i ndiqte. Përsëri Jehovai u siguroi çlirim nëpërmjet Moisiut, duke ndarë në mënyrë të mrekullueshme ujërat e detit.—Dal. 14:13, 21.

17, 18. Në cilat mënyra Jezui është një çlirimtar më i madh se Moisiu?

17 Sado të mëdha që ishin ato vepra çliruese, çlirimi që kreu Jehovai nëpërmjet Jezuit është shumë më i madh. Jezui është mjeti me anë të cilit njerëzit e bindur çlirohen nga skllavëria e mëkatit. (Rom. 5:12, 18) Dhe ky është ‘një çlirim i përhershëm’. (Hebr. 9:11, 12) Emri Jezu do të thotë «Jehovai është shpëtim». Jezui, si Çlirimtari ose Shpëtimtari ynë, jo vetëm na shpëton nga mëkatet e së kaluarës, por edhe na jep mundësinë që të gëzojmë një të ardhme më të mirë. Duke i çliruar nga skllavëria e mëkatit, Jezui i shpëton dishepujt nga zemërimi i Perëndisë dhe bën që të kenë një marrëdhënie të dashur me Jehovain.—Mat. 1:21.

18 Në kohën e duhur, çlirimi nga mëkati që siguron Jezui do të përfshijë çlirimin nga pasojat e tij të zymta, si sëmundjet dhe vdekja. Për të përfytyruar se ç’do të nënkuptojë kjo, mendo për atë që ndodhi kur Jezui shkoi në shtëpinë e një njeriu me emrin Jair, vajza 12-vjeçare e të cilit kishte vdekur. Jezui e siguroi Jairin: «Mos ki frikë, vetëm trego besim, dhe ajo do të shpëtojë.» (Luka 8:41, 42, 49, 50) Ndodhi tamam siç kishte thënë ai: vajza u ringjall! A mund ta përfytyrosh gëzimin e prindërve të saj? Atëherë mund të kesh një ide të gëzimit të jashtëzakonshëm që do të provojmë kur «të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e [Jezuit] dhe do të dalin» duke u ringjallur. (Gjoni 5:28, 29) Vërtet, Jezui është një Shpëtimtar, Çlirimtari ynë!—Lexo Veprat 5:31; Titit 1:4; Zbul. 7:10.

19, 20. (a) Si ndikon te ne meditimi rreth roli të Jezuit si Moisiu më i Madh? (b) Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?

19 Dijenia se mund t’i ndihmojmë njerëzit të nxjerrin dobi nga veprat shpëtuese të Jezuit, na nxit të marrim pjesë në veprën e predikimit dhe të mësimdhënies. (Isa. 61:1-3) Për më tepër, meditimi rreth rolit të Jezuit si Moisiu më i Madh, na shton sigurinë se ai do t’i çlirojë dishepujt kur të vijë për të ekzekutuar gjykimin kundër të ligjve.—Mat. 25:31-34, 41, 46; Zbul. 7:9, 14.

20 Po, Jezui është Moisiu më i Madh. Ai bëri shumë gjëra të mrekullueshme që Moisiu nuk mund t’i bënte kurrë. Fjalët e Jezuit si profet dhe veprat e tij si ndërmjetës ndikojnë në tërë familjen njerëzore. Si Çlirues, Jezui nuk sjell shpëtim të përkohshëm, por shpëtim të përhershëm për njerëzimin që mund të shpengohet. Por, ka edhe gjëra të tjera që mund të mësojmë për Jezuin nga burrat besnikë të lashtësisë. Në artikullin vijues, do të trajtohet se në ç’kuptim Jezui ishte Davidi më i Madh dhe Solomoni më i Madh.

A mund të shpjegosh?

Në ç’kuptim Jezui është më i madh se Moisiu si:

• profet?

• ndërmjetës?

• çlirues?

[Pyetjet]

[Kutia dhe figura në faqen 26]

 Mënyra të tjera se si Jezui ishte si Moisiu

□ Të dy hoqën dorë nga pozita të larta që t’i shërbenin Jehovait dhe popullit të tij.—2 Kor. 8:9; Filip. 2:5-8; Hebr. 11:24-26.

□ Të dy shërbyen si të mirosur ose ‘krishtër’.—Mar. 14:61, 62; Gjoni 4:25, 26; Hebr. 11:26.

□ Të dy erdhën në emër të Jehovait.—Dal. 3:13-16; Gjoni 5:43; 17:4, 6, 26.

□ Të dy shfaqën zemërbutësi.—Num. 12:3; Mat. 11:28-30.

□ Të dy u përdorën për të ushqyer shumë njerëz.—Dal. 16:12; Gjoni 6:48-51.

□ Të dy shërbyen si gjykatës dhe ligjdhënës.—Dal. 18:13; Mal. 4:4; Gjoni 5:22, 23; 15:10.

□ Të dyve iu besua mbikëqyrja e shtëpisë së Perëndisë.—Num. 12:7; Hebr. 3:2-6.

□ Të dy përshkruhen si dëshmitarë besnikë të Jehovait.—Hebr. 11:24-29; 12:1; Zbul. 1:5.

□ Pas vdekjes së Moisiut dhe të Jezuit, Perëndia i hoqi trupat e tyre.—Ligj. 34:5, 6; Luka 24:1-3; Vep. 2:31; 1 Kor. 15:50; Jud. 9.