Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të sulemi drejt pjekurisë: «Dita e madhe e Jehovait është afër»

Të sulemi drejt pjekurisë: «Dita e madhe e Jehovait është afër»

Të sulemi drejt pjekurisë: «Dita e madhe e Jehovait është afër»

«Le të sulemi drejt pjekurisë.»—HEBR. 6:1.

1, 2. Cila mundësi ‘për të ikur në male’ u krijua për të krishterët e shekullit të parë në Jerusalem dhe Jude?

KUR Jezui ishte në tokë, dishepujt iu afruan dhe e pyetën: «Cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?» Përmbushja fillestare e profecisë që u dha Jezui në përgjigje të pyetjes së tyre, ndodhi në shekullin e parë. Jezui foli për një ngjarje të pazakontë që do të shërbente si sinjal se fundi ishte shumë afër. Kur të vërenin këtë ngjarje, ‘ata në Jude duhej të fillonin të iknin në male’. (Mat. 24:1-3, 15-22) A do ta dallonin shenjën dishepujt e Jezuit dhe a do të vepronin sipas udhëzimeve të tij?

2 Rreth tri dekada më vonë, në vitin 61 të e.s., apostulli Pavël u shkroi një mesazh të fortë e të drejtpërdrejtë të krishterëve hebrenj që jetonin në Jerusalem dhe përreth tij. Pavli dhe bashkëbesimtarët e tjerë nuk e dinin që vetëm rreth pesë vjet më vonë, do të vërenin sinjalin që do të shënonte fazën fillestare të ‘shtrëngimit të madh’. (Mat. 24:21) Në vitin 66 të e.s., Cest Gali i udhëhoqi trupat romake në një sulm kundër Jerusalemit që thuajse përfundoi me sukses. Por, papritur ai u tërhoq, duke u lënë një mundësi atyre që ishin në rrezik që të iknin e të shpëtonin.

3. Ç’nxitje u dha Pavli të krishterëve hebrenj dhe pse?

3 Ata të krishterë kishin nevojë për aftësi të mprehtë dalluese dhe mendjehollësi frymore që të dallonin kthesën e ngjarjeve dhe të iknin. Por, disave ‘u ishte mpirë dëgjimi’. Ishin si foshnja frymore që kishin nevojë për «qumësht». (Lexo Hebrenjve 5:11-13.) Edhe disa që kishin ecur në udhën e së vërtetës për dekada të tëra, po shfaqnin shenja se ‘po largoheshin nga Perëndia i gjallë’. (Hebr. 3:12) Disa e kishin «zakon» të mungonin në mbledhjet e krishtere ndërkohë që ‘dita [e kobshme] po afrohej’. (Hebr. 10:24, 25) Pavli u dha nxitje në kohën e duhur duke u thënë: «Tani që e kemi lënë prapa doktrinën fillestare lidhur me Krishtin, le të sulemi drejt pjekurisë.»—Hebr. 6:1.

4. (a) Pse është e rëndësishme të qëndrojmë syçelë frymësisht? (b) Çfarë do të na ndihmojë ta bëjmë këtë?

4 Jetojmë në kohën e përmbushjes përfundimtare të profecisë së Jezuit. «Dita e madhe e Jehovait», dita që do t’i japë fund tërë sistemit të Satanait, «është afër». (Sof. 1:14) Si kurrë më parë, duhet të mbetemi të zellshëm dhe syçelë frymësisht. (1 Pjet. 5:8) A po e bëjmë vërtet këtë? Pjekuria e krishterë do të na ndihmojë ta kemi të qartë në mendje se ku ndodhemi në rrjedhën e kohës.

Çfarë është pjekuria e krishterë?

5, 6. (a) Çfarë është pjekuria frymore? (b) Cilat janë dy drejtimet ku kërkohen përpjekje që të sulemi drejt pjekurisë?

5 Pavli jo vetëm i nxiti të krishterët hebrenj të shekullit të parë që të suleshin drejt pjekurisë, por edhe u tha se çfarë është pjekuria frymore. (Lexo Hebrenjve 5:14.) ‘Njerëzit e pjekur’ nuk kënaqen vetëm me «qumësht». Ata marrin ‘ushqim të fortë’. Prandaj, dinë edhe «gjërat elementare», edhe «gjërat e thella» të së vërtetës. (1 Kor. 2:10) Për më tepër, aftësitë e tyre perceptuese janë të stërvitura nëpërmjet përdorimit, domethënë nëpërmjet zbatimit të asaj që dinë, dhe kjo i ndihmon të dallojnë të drejtën nga e gabuara. Kur janë përballë një vendimi, kjo stërvitje i ndihmon të dallojnë se cilat parime biblike përfshihen dhe si mund t’i zbatojnë ato.

6 Pavli shkroi: «E kemi të nevojshme t’u kushtojmë më shumë vëmendje se zakonisht gjërave që dëgjuam, që të mos na marrë kurrë rryma.» (Hebr. 2:1) Ky largim nga besimi mund të ndodhë përpara se të bëhemi të vetëdijshëm për të. Mund ta shmangim këtë duke u kushtuar «më shumë vëmendje se zakonisht» të vërtetave frymore që shqyrtojmë. Prandaj, secili prej nesh duhet të pyesë veten: «A po shqyrtoj ende vetëm gjërat elementare? Mos vallë po i bëj thjesht mekanikisht gjërat ose si një rutinë, pa e përfshirë plotësisht zemrën në të vërtetën? Si mund të bëj përparim të vërtetë frymor?» Që të sulemi drejt pjekurisë, duhet të bëjmë përpjekje të paktën në dy drejtime. Duhet të njohim mirë Fjalën e Perëndisë. Dhe duhet të mësojmë bindjen.

Të njohim mirë Fjalën

7. Si mund të nxjerrim dobi duke e njohur më mirë Fjalën e Perëndisë?

7 Pavli shkroi: «Kushdo që ushqehet me qumësht, nuk e njeh fjalën e drejtësisë, sepse është foshnjë.» (Hebr. 5:13) Që të arrijmë pjekurinë, duhet ta njohim mirë fjalën e Perëndisë, mesazhin që na ka dhënë. Meqë ky mesazh gjendet në Fjalën e tij, Biblën, duhet të studiojmë mirë Shkrimet dhe botimet e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mat. 24:45-47) Duke studiuar në këtë mënyrë, mësojmë si mendon Perëndia, dhe kjo na ndihmon të stërvitim aftësitë tona perceptuese. Të marrim shembullin e një të krishtere, Orkidës. * Ajo thotë: «Përkujtuesi që ka pasur efektin më të madh në jetën time, ka qenë ai për leximin e rregullt të Biblës. U deshën rreth dy vjet që ta lexoja të gjithë Biblën, por m’u duk sikur po e njihja Krijuesin për herë të parë. Mësova për udhët e tij, çfarë i pëlqen e çfarë nuk i pëlqen, për madhështinë e fuqisë dhe për thellësinë e mençurisë së tij. Leximi i përditshëm i Biblës më ka mbështetur gjatë momenteve më të errëta të jetës sime.»

8. Ç’fuqi mund të ushtrojë Fjala e Perëndisë te ne?

8 Leximi i rregullt i një pjese të Fjalës së Perëndisë, bën që mesazhi i saj ‘të ushtrojë fuqi’ te ne. (Lexo Hebrenjve 4:12.) Ky lexim mund të na modelojë personin e brendshëm dhe të na bëjë më të këndshëm për Jehovain. A keni nevojë personalisht që të programoni më shumë kohë për të lexuar Biblën dhe për të medituar rreth asaj që thotë?

9, 10. Çfarë do të thotë të njohësh Fjalën e Perëndisë? Ilustrojeni.

9 Të njohim Biblën, nuk do të thotë vetëm të dimë mirë se ç’thotë ajo. Foshnjat frymore të kohës së Pavlit kishin njëfarë njohurie për Fjalën e frymëzuar të Perëndisë. Megjithatë, ata nuk e përdornin konkretisht këtë njohuri dhe kështu nuk e provonin vlerën e saj në jetën e tyre. Ata nuk e njihnin mirë mesazhin e Fjalës së Perëndisë, ngaqë nuk e lejonin t’i drejtonte në marrjen e vendimeve të mençura në jetë.

10 Të njohësh Fjalën e Perëndisë nënkupton të dish ç’thotë ajo dhe të vësh në praktikë gjërat që di. Përvoja e një të krishtere me emrin Kajli tregon se si mund të bëhet kjo. Kajli pati një debat me një nga koleget e punës. Çfarë bëri për t’i ndrequr gjërat? Ajo shpjegon: «Shkrimi që më erdhi menjëherë në mendje ishte Romakëve 12:18, që thotë: ‘Aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë.’ Kështu, i thashë të takoheshim bashkë pas pune.» Takimi pati shumë rezultat dhe koleges i bëri përshtypje që Kajli ndërmori këtë hap. Kajli thotë: «Mësova se nuk na del kurrë keq, po të zbatojmë parimet e Biblës.»

Të mësojmë bindjen

11. Ç’gjë e tregon se bindja në rrethana të vështira mund të jetë një sfidë?

11 Zbatimi i asaj që kemi mësuar nga Shkrimet mund të jetë një sfidë, sidomos kur rrethanat janë të vështira. Për shembull, pak pasi Jehovai i çliroi bijtë e Izraelit nga robëria egjiptiane, ata ‘u grindën me Moisiun’ dhe ‘vazhduan ta vinin në provë Jehovain’. Pse? Ngaqë nuk kishin ujë për të pirë. (Dal. 17:1-4) Më pak se dy muaj pasi kishin bërë një besëlidhje me Perëndinë dhe kishin pranuar të zbatonin «të gjitha fjalët e Jehovait», ata shkelën ligjin e tij për idhujtarinë. (Dal. 24:3, 12-18; 32:1, 2, 7-9) A ndodhi kjo ngaqë u frikësuan sepse Moisiu u vonua shumë ndërsa merrte udhëzime në malin Horeb? Mos vallë menduan se amalekitët do t’i sulmonin përsëri dhe se izraelitët do të ishin të pafuqishëm pa Moisiun, i cili me duart e ngritura u kishte sjellë fitoren? (Dal. 17:8-16) Ndoshta, por cilado që të ishte arsyeja, izraelitët ‘nuk pranuan të bindeshin’. (Vep. 7:39-41) Pavli i nxiti të krishterët që ‘të bënin çmos të mos binin në të njëjtin model mosbindjeje’ që shfaqën izraelitët kur kishin frikë të hynin në Tokën e Premtuar.—Hebr. 4:3, 11.

12. Si mësoi bindjen Jezui dhe me ç’rezultat?

12 Që të sulemi drejt pjekurisë, duhet të bëjmë çmos t’i bindemi Jehovait. Ashtu si në rastin e Jezu Krishtit, bindja shpesh mësohet nga gjërat që vuajmë. (Lexo Hebrenjve 5:8, 9.) Para se të vinte në tokë, Jezui i bindej Atit. Megjithatë, bërja e vullnetit të Atit në tokë përfshinte vuajtje fizike dhe mendore. Me anë të bindjes nën vështirësi ekstreme, Jezui «u bë i përsosur» për pozitën e re që Perëndia kishte në mendje për të: të bëhej Mbret dhe Kryeprift.

13. Nga e kuptojmë nëse kemi mësuar bindjen?

13 Ç’mund të thuhet për ne? A jemi të vendosur t’i bindemi Jehovait edhe kur hasim probleme stresuese? (Lexo 1 Pjetrit 1:6, 7.) Këshillat e Perëndisë në lidhje me normat morale, ndershmërinë, të folurit e përshtatshëm, leximin dhe studimin personal të Shkrimeve, ndjekjen e mbledhjeve dhe pjesëmarrjen në veprën e predikimit, janë të qarta. (Jos. 1:8; Mat. 28:19, 20; Efes. 4:25, 28, 29; 5:3-5; Hebr. 10:24, 25) A i bindemi Jehovait në këto gjëra edhe kur jemi në vështirësi? Bindja jonë tregon se kemi përparuar drejt pjekurisë.

Pjekuria e krishterë: Pse është dobiprurëse?

14. Ilustroni se si pjekuria mund të jetë një mbrojtje.

14 Në këtë botë që ‘nuk ka më asnjë ndjesi morale’, për një të krishterë është vërtet një mbrojtje t’i ketë aftësitë perceptuese të stërvitura siç duhet për të dalluar të drejtën nga e gabuara. (Efes. 4:19) Për shembull, një vëlla i quajtur Xhejms, që i lexonte rregullisht dhe i çmonte shumë botimet biblike, pranoi një punë ku kishte vetëm gra. Xhejmsi thotë: «Shumë prej tyre e shfaqnin hapur që s’kishin asnjë ndjesi morale, por njëra dukej me karakter të mirë dhe tregoi interes për të vërtetën biblike. Megjithatë, kur ishim vetëm në një dhomë pune, ajo filloi të më ngacmonte seksualisht. Mendova se po bënte shaka, por e kisha shumë të vështira ta ndaloja. Në atë çast, më erdhi ndër mend përvoja e treguar te Kulla e Rojës në lidhje me një vëlla që hasi një tundim të ngjashëm në punë. Artikulli përdorte shembullin e Jozefit dhe të gruas së Potifarit. * Menjëherë e shtyva atë vajzë dhe ajo iku me vrap jashtë.» (Zan. 39:7-12) Xhejmsi u ndie i lehtësuar që nuk ndodhi asgjë më shumë dhe që ruajti një ndërgjegje të pastër.—1 Tim. 1:5.

15. Si mund të na e forcojë pjekuria zemrën e figurshme?

15 Gjithashtu, pjekuria është dobiprurëse sepse na forcon zemrën tonë të figurshme dhe na ruan që ‘të mos rrëmbehemi nga mësime të ndryshme dhe të huaja’. (Lexo Hebrenjve 13:9.) Kur përpiqemi të bëjmë përparim frymor, mendja mbetet e përqendruar te «gjërat më të rëndësishme». (Filip. 1:9, 10) Në këtë mënyrë, na shtohet mirënjohja për Perëndinë dhe për të gjitha masat që ka marrë për dobinë tonë. (Rom. 3:24) Një i krishterë që është ‘tërësisht i rritur në aftësitë për të kuptuar’, zhvillon një mirënjohje të tillë dhe ka një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain.—1 Kor. 14:20.

16. Çfarë e ndihmoi një motër që ta bënte ‘zemrën të patundur’?

16 Një motër me emrin Luiza, pranoi se për ca kohë pas pagëzimit, i bënte aktivitetet frymore vetëm për t’u pëlqyer të tjerëve. Ajo tha: «Nuk po bëja asgjë të gabuar, por nuk kisha dëshirë të zjarrtë në zemër për t’i shërbyer Jehovait. Kuptova se duhej të bëja disa ndryshime, nëse doja të ndieja se po i jepja gjithçka Jehovait. Ndryshimi më i madh ishte të përkushtohesha me gjithë zemër në adhurimin e Tij.» Duke bërë përpjekje të tilla, Luiza e bëri ‘zemrën të patundur’ dhe kjo qe jetësore për të kur pati një problem shëndetësor. (Jak. 5:8) Luiza tha: «M’u desh të luftoja shumë me këtë problem, por u afrova më tepër me Jehovain.»

‘Të bëhemi të bindur nga zemra’

17. Pse bindja ishte veçanërisht jetësore në shekullin e parë?

17 Këshilla e Pavli që «të sulemi drejt pjekurisë» ishte jetëshpëtuese për të krishterët e shekullit të parë që jetonin në Jerusalem dhe Jude. Ata që ia vunë veshin, patën aftësinë e mprehtë dalluese, e cila nevojitej për të dalluar sinjalin që u kishte dhënë Jezui që ‘të fillonin të iknin në male’. Kur ata panë ‘gjënë e neveritshme që shkaktonte shkretim, e cila qëndronte në vend të shenjtë’, domethënë ushtritë romake që po rrethonin dhe po depërtonin në Jerusalem, e dinin se ishte koha të iknin. (Mat. 24:15, 16) Duke i vënë veshin paralajmërimit profetik të Jezuit, të krishterët ikën nga qyteti i Jerusalemit para se të shkatërrohej dhe, sipas Eusebit, një historian kishtar, u vendosën në qytetin e Pelésë në rajonin malor të Galaadit. Kështu shpëtuan nga katastrofa më e keqe e Jerusalemit në historinë e dokumentuar.

18, 19. (a) Pse bindja është jetësore në ditët tona? (b) Çfarë do të shqyrtohet në artikullin vijues?

18 Bindja që vjen kur sulemi drejt pjekurisë, do të jetë jetëshpëtuese edhe kur të përballemi me përmbushjen më të madhe të profecisë së Jezuit se ‘do të ketë një shtrëngim të madh’ me përmasa të papara. (Mat. 24:21) A do të tregohemi të bindur ndaj çdo drejtimi urgjent që mund të marrim në të ardhmen nga «kujdestari i besueshëm»? (Luka 12:42) Sa e rëndësishme është që të mësojmë ‘të bëhemi të bindur nga zemra’!—Rom. 6:17.

19 Që të arrijmë pjekurinë, duhet të stërvitim fuqitë tona perceptuese. Këtë e bëjmë duke u përpjekur të njohim më mirë Fjalën e Perëndisë dhe duke mësuar bindjen. Arritja e pjekurisë së krishterë sjell sfida të veçanta për të rinjtë. Artikulli vijues do të shqyrtojë se si mund të përballohen me sukses këto sfida.

[Shënimet]

^ par. 7 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 14 Shih artikullin «Të forcuar për t’i thënë jo keqbërjes»,Kullën e Rojës 1 tetor 1999.

Çfarë keni mësuar?

• Çfarë është pjekuria frymore dhe si arrihet?

• Ç’rol luan në arritjen e pjekurisë njohuria për Fjalën e Perëndisë?

• Si mësojmë bindjen?

• Në cilat mënyra na sjell dobi pjekuria?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 10]

Zbatimi i këshillave biblike na ndihmon t’i përballojmë problemet me pjekuri

[Figura në faqet 12, 13]

Zbatimi i këshillës së Jezuit ishte jetëshpëtues për të krishterët e hershëm