Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Engjëjt: «Frymëra për shërbim publik»

Engjëjt: «Frymëra për shërbim publik»

Engjëjt: «Frymëra për shërbim publik»

«A nuk janë të gjithë ata frymëra për shërbim publik, të dërguar që t’u shërbejnë atyre që do të trashëgojnë shpëtimin?»—HEBR. 1:14.

1. Si na ngushëllojnë Mateu 18:10 dhe Hebrenjve 1:14?

JEZU KRISHTI paralajmëroi këdo që mund të pengonte dishepujt e tij: «Kini kujdes se mos përbuzni një nga këta të vegjlit, sepse po ju them se engjëjt e tyre në qiell shohin gjithnjë fytyrën e Atit tim që është në qiell.» (Mat. 18:10) Duke folur për engjëjt e drejtë, apostulli Pavël shkroi: «A nuk janë të gjithë ata frymëra për shërbim publik, të dërguar që t’u shërbejnë atyre që do të trashëgojnë shpëtimin?» (Hebr. 1:14) Këto fjalë na ngushëllojnë e na sigurojnë se Perëndia i përdor këto krijesa qiellore për të ndihmuar njerëzit. Çfarë thotë Bibla për engjëjt? Si na ndihmojnë? Ç’mund të mësojmë nga shembulli i tyre?

2, 3. Cilat janë disa detyra të krijesave frymore qiellore?

2 Ka miliona engjëj besnikë në qiell. Të gjithë ata janë ‘shumë të fuqishëm dhe përmbushin fjalën e Perëndisë’. (Psal. 103:20; lexo Zbulesën 5:11.) Këta bij frymorë të Perëndisë kanë personalitet, cilësi hyjnore dhe vullnet të lirë. Ata janë të organizuar në mënyrë të shkëlqyer dhe Perëndia i ka vënë në pozita të larta. Kryeengjëlli është Mikaeli (emri qiellor i Jezuit). (Dan. 10:13; Jud. 9) Ky ‘i parëlindur i gjithë krijimit’ është «Fjala» ose Zëdhënësi i Perëndisë, që Jehovai e përdori për të bërë të gjitha gjërat e tjera.—Kolos. 1:15-17; Gjoni 1:1-3.

3 Nën kryeengjëllin janë serafinët, të cilët shpallin shenjtërinë e Jehovait dhe ndihmojnë për të mbajtur popullin e Tij të pastër frymësisht. Gjithashtu, janë edhe kerubinët, të cilët mbështetin sovranitetin e Perëndisë. (Zan. 3:24; Isa. 6:1-3, 6, 7) Engjëj ose lajmëtarë të tjerë, kanë detyra të ndryshme në kryerjen e vullnetit të Perëndisë.—Hebr. 12:22, 23.

4. (a) Si reaguan engjëjt kur iu vunë themelet tokës? (b) Çfarë mund të kishin gëzuar njerëzit po të kishin ushtruar siç duhej dhuratën e vullnetit të lirë?

4 Të gjithë engjëjt gëzonin kur ‘i viheshin themelet tokës’ dhe e bënin me kënaqësi punën që u ishte caktuar, teksa ky xhevahir unik në hapësirë bëhej shtëpia e njerëzimit. (Jobi 38:4, 7) Jehovai e krijoi njeriun «pak më të ulët se engjëjt», por sipas «shëmbëlltyrës» së Tij, duke u dhënë kështu mundësi njerëzve që të pasqyrojnë cilësitë e larta të Krijuesit. (Hebr. 2:7; Zan. 1:26) Duke ushtruar siç duhej dhuratën e vullnetit të lirë, Adami dhe Eva bashkë me pasardhësit e tyre, mund të kishin gëzuar jetën në një shtëpi parajsore si pjesë e familjes universale të Jehovait të përbërë nga krijesa me aftësi për të arsyetuar.

5, 6. (a) Cili rebelim ndodhi në qiell? (b) Si iu përgjigj Perëndia?

5 Sigurisht, engjëjt e shenjtë duhet të jenë tronditur kur kanë parë me sytë e tyre fillimin e rebelimit në familjen e Perëndisë. Një prej tyre nuk ishte më i kënaqur të lëvdonte Jehovain, por dëshironte të adhurohej nga të tjerët. Ai u bë Satana (që do të thotë «Kundërshtar») duke vënë në dyshim të drejtën e Jehovait për të sunduar dhe duke u orvatur me ambicie të vendoste një sundim rival. Me anë të gënjeshtrës së parë të dokumentuar, Satanai e nxiti me dinakëri çiftin e parë që të bashkohej me të në rebelimin kundër Krijuesit të tyre të dashur.—Zan. 3:4, 5; Gjoni 8:44.

6 Menjëherë, Jehovai dha gjykimin kundër Satanait duke thënë në profecinë e parë biblike: «Unë do të vë armiqësi mes teje dhe gruas, mes farës sate dhe farës së saj. Ai do të të shtypë kokën, dhe ti do ta plagosësh në thembër.» (Zan. 3:15) Armiqësia midis Satanait dhe «gruas» së Perëndisë do të vazhdonte. Po, Jehovai e konsideronte organizatën qiellore me krijesa frymore besnike si një grua të dashur të lidhur me të si ta kishte Burrin e saj. Kjo profeci përbënte një bazë të sigurt për shpresë, megjithëse hollësitë e saj mbetën ‘një sekret i shenjtë’ që do të zbulohej gradualisht. Perëndia vuri si qëllim që dikush nga pjesa qiellore e organizatës së tij të shtypte të gjithë rebelët dhe nëpërmjet tij të mblidheshin «gjërat në qiej dhe gjërat në tokë».—Efes. 1:8-10.

7. (a) Çfarë bënë disa engjëj në ditët e Noesë? (b) Ç’pasojë patën ata?

7 Në ditët e Noesë, disa engjëj lanë «vendbanimin e tyre të duhur» dhe u materializuan në trupa mishorë që të jepeshin pas kënaqësive të tyre egoiste në tokë. (Jud. 6; Zan. 6:1-4) Jehovai i hodhi këta rebelë në errësirë të dendur dhe kështu ata u bashkuan me Satanain, duke u bërë ‘forca të liga frymore’ dhe armiq të egër të shërbëtorëve të Perëndisë.—Efes. 6:11-13; 2 Pjet. 2:4.

Si na ndihmojnë engjëjt?

8, 9. Si i ka përdorur Jehovai engjëjt për të ndihmuar njerëzit?

8 Abrahami, Jakobi, Moisiu, Josiu, Isaia, Danieli, Jezui, Pjetri, Gjoni dhe Pavli, ishin ndër ata të cilëve engjëjt u shërbyen. Engjëj të drejtë ekzekutuan gjykime të Perëndisë dhe përcollën profeci e udhëzime, përfshirë edhe Ligjin e Moisiut. (2 Mbret. 19:35; Dan. 10:5, 11, 14; Vep. 7:53; Zbul. 1:1) Meqë tani e kemi të plotë Fjalën e Perëndisë, mund të mos jetë e nevojshme që engjëjt të përcjellin mesazhe hyjnore. (2 Tim. 3:16, 17) Por, edhe pse njerëzit nuk mund t’i shohin, engjëjt janë shumë aktivë ndërsa kryejnë vullnetin e Perëndisë dhe mbështetin shërbëtorët e tij.

9 Bibla na siguron: «Engjëlli i Jehovait fushon përreth atyre që i frikësohen atij, dhe i çliron.» (Psal. 34:7; 91:11) Për shkak të çështjes së integritetit, Jehovai e lejon Satanain të sjellë çdo lloj sprove kundër nesh. (Luka 21:16-19) Megjithatë, Perëndia e di se deri në ç’pikë duhet të lejojë një sprovë që të kuptojë se do ta mbajmë integritetin ndaj tij. (Lexo 1 Korintasve 10:13.) Engjëjt janë gjithnjë syçelë për të ndërhyrë në përputhje me vullnetin e Perëndisë. Ata shpëtuan Shadrakun, Meshakun, Abednegon, Danielin dhe Pjetrin, por nuk e penguan vdekjen e Stefanit dhe të Jakovit nga duart e armiqve. (Dan. 3:17, 18, 28; 6:22; Vep. 7:59, 60; 12:1-3, 7, 11) Rrethanat dhe çështjet e përfshira ishin të ndryshme. Në mënyrë të ngjashme, disa vëllezër në kampet naziste të përqendrimit u ekzekutuan, kurse shumicën e tyre Jehovai i ndihmoi të mbijetonin.

10. Ç’ndihmë tjetër mund të marrim përveç ndihmës engjëllore?

10 Shkrimet nuk thonë se çdo njeri ka një engjëll mbrojtës. Ne lutemi me besim se «çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, [Perëndia] na dëgjon». (1 Gjon. 5:14) Natyrisht, Jehovai është në gjendje të dërgojë një engjëll për të na ndihmuar, por ndihma mund të na vijë në një mënyrë tjetër. Të bashkëkrishterët mund të nxiten të na japin ndihmë dhe ngushëllim. Perëndia mund të na japë mençurinë dhe forcën e brendshme, të cilat na duhen për të përballuar «një gjemb në mish» që na mundon sikur të na binte me shuplaka «një engjëll i Satanait».—2 Kor. 12:7-10; 1 Sel. 5:14.

Të imitojmë Jezuin

11. (a) Si u përdorën engjëjt për të ndihmuar Jezuin? (b) Çfarë arriti Jezui duke qëndruar besnik ndaj Perëndisë?

11 Të shohim se si i përdori Jehovai engjëjt në rastin e Jezuit. Ata njoftuan lindjen e ringjalljen e tij, dhe i shërbyen kur ishte në tokë. Engjëjt mund të kishin penguar arrestimin dhe vdekjen e tij mizore. Por, në vend të kësaj, u dërgua një engjëll që ta forconte Jezuin. (Mat. 28:5, 6; Luka 2:8-11; 22:43) Në përputhje me qëllimin e Jehovait, Jezui vdiq si flijim dhe siguroi provën se një njeri i përsosur mund të mbajë integritetin ndaj Perëndisë edhe nëse sprovohet deri në cakun e fundit. Prandaj, Jehovai e ringjalli Jezuin në jetën e pavdekshme qiellore, duke i dhënë «çdo autoritet» dhe duke nënshtruar edhe engjëjt para tij. (Mat. 28:18; Vep. 2:32; 1 Pjet. 3:22) Kështu, Jezui tregoi se ishte pjesa kryesore e «farës» së «gruas» së Perëndisë.—Zan. 3:15; Gal. 3:16.

12. Si mund të imitojmë shembullin e ekuilibruar të Jezuit?

12 Jezui e dinte se ishte e gabuar të vinte në provë Jehovain duke pritur që engjëjt ta shpëtonin po të vepronte në mënyrë të papërgjegjshme. (Lexo Mateun 4:5-7.) Prandaj, le të imitojmë shembullin e Jezuit duke jetuar «me mendje të shëndoshë», pa rrezikuar në mënyrë të panevojshme, e megjithatë duke e përballuar me besim përndjekjen.—Titit 2:12.

Ç’mund të mësojmë nga engjëjt besnikë?

13. Ç’mund të mësojmë nga shembulli i engjëjve të drejtë që përmendet te 2 Pjetrit 2:9-11?

13 Duke qortuar ata që ‘shanin’ shërbëtorët e mirosur të Jehovait, apostulli Pjetër thekson shembullin e shkëlqyer të engjëjve të drejtë. Megjithëse kanë fuqi të madhe, «nga respekti që kanë për Jehovain» engjëjt me përulësi nuk marrin rolin e gjykatësve dhe nuk ngrenë akuza. (Lexo 2 Pjetrit 2:9-11.) Po kështu edhe ne, të mos gjykojmë në mënyrë të papërshtatshme, të respektojmë ata të cilëve u është besuar mbikëqyrja në kongregacion dhe t’i lëmë gjërat në dorën e Jehovait, Gjykatësit Më të Lartë.—Rom. 12:18, 19; Hebr. 13:17.

14. Çfarë shembujsh të shërbimit të përulur janë për ne engjëjt?

14 Engjëjt e Jehovait janë për ne shembuj të shkëlqyer të shërbimit të përulur. Disa engjëj nuk pranuan t’u tregonin emrat e tyre njerëzve. (Zan. 32:29; Gjyk. 13:17, 18) Ndonëse ka miliona krijesa frymore në qiell, Bibla zbulon vetëm emrat e Mikaelit dhe Gabrielit. Kjo mund të shërbejë si një mbrojtje që të mos u jepet nderim i pavend engjëjve. (Luka 1:26; Zbul. 12:7) Kur apostulli Gjon u përkul para një engjëlli që ta adhuronte, ai u paralajmërua: «Kujdes! Mos e bëj! Unë s’jam tjetër, veçse shoku yt i skllavërisë dhe i vëllezërve të tu.» (Zbul. 22:8, 9) Adhurimi ynë, përfshirë edhe lutjet tona, duhet t’i bëhen vetëm Perëndisë.—Lexo Mateun 4:8-10.

15. Si na lënë engjëjt një shembull për sa i përket durimit?

15 Gjithashtu, engjëjt lënë një shembull për sa i përket durimit. Edhe pse janë shumë të interesuar për të ditur sekretet e shenjta të Perëndisë, atyre nuk u është lejuar t’i dinë të gjitha. Bibla thotë: «Pikërisht këto gjëra engjëjt kanë dëshirë të ndalen e t’i shikojnë.» (1 Pjet. 1:12) Po çfarë bëjnë? Presin me durim kohën e duhur të Perëndisë, derisa ‘mençuria e tij e larmishme të bëhet e njohur nëpërmjet kongregacionit’.—Efes. 3:10, 11.

16. Si mund të ndikojë sjellja jonë tek engjëjt?

16 Të krishterët që gjenden nën sprovë, janë ‘teatër për engjëjt’. (1 Kor. 4:9) Me kënaqësi të madhe, engjëjt vërejnë veprat tona të besnikërisë, e madje gëzojnë kur një mëkatar pendohet. (Luka 15:10) Sjellja e perëndishme e grave të krishtere shihet nga engjëjt. Bibla tregon se «gruaja duhet të mbajë një shenjë nënshtrimi mbi krye, për shkak të engjëjve». (1 Kor. 11:3, 10) Po, engjëjt kënaqen kur shohin se gratë e krishtere dhe gjithë shërbëtorët e tjerë tokësorë të Perëndisë, veprojnë në përputhje me rregullin dhe kryesinë teokratike. Një bindje e tillë është përkujtues i përshtatshëm për këta bij frymorë të Perëndisë.

Engjëjt mbështetin aktivisht veprën e predikimit

17, 18. Pse mund të themi se engjëjt mbështetin veprën tonë të predikimit?

17 Engjëjt janë të përfshirë në disa nga gjërat e jashtëzakonshme që ndodhin «në ditën e Zotërisë». Ndër to janë lindja e Mbretërisë në vitin 1914 dhe dëbimi nga qielli i Satanait bashkë me demonët nga «Mikaeli dhe engjëjt e tij». (Zbul. 1:10; 11:15; 12:5-9) Apostulli Gjon pa «një engjëll . . . që fluturonte në mes të qiellit dhe kishte një lajm të mirë të përhershëm, që t’ua shpallte si sihariq atyre që banojnë në tokë». Engjëlli shpallte: «Kini frikë Perëndinë dhe jepini lavdi, sepse mbërriti ora e gjykimit prej tij! Adhuroni Atë që bëri qiellin, tokën, detin dhe burimet e ujërave!» (Zbul. 14:6, 7) Pra, shërbëtorët e Jehovait janë siguruar se, pavarësisht nga kundërshtimi i egër i Djallit, do të kenë mbështetjen e engjëjve teksa predikojnë lajmin e mirë për Mbretërinë e vendosur.—Zbul. 12:13, 17.

18 Sot, engjëjt nuk na drejtojnë te njerëzit me zemër të ndershme duke na folur siç i foli një engjëll Filipit dhe e drejtoi te eunuku etiopas. (Vep. 8:26-29) Megjithatë, shumë përvoja të ditëve të sotme dëshmojnë se, pavarësisht se nuk i shohim, engjëjt po mbështetin veprën tonë të predikimit për Mbretërinë dhe po na drejtojnë tek ata që janë «të prirur për jetën e përhershme». * (Vep. 13:48) Sa e rëndësishme është të marrim pjesë rregullisht në shërbim, që të jemi në dispozicion për të bërë pjesën tonë në gjetjen e atyre që dëshirojnë «ta adhurojnë Atin me frymë dhe të vërtetë»!—Gjoni 4:23, 24.

19, 20. Ç’rol kanë engjëjt në ngjarjet që shënojnë ‘përfundimin e sistemit’?

19 Duke folur për kohën tonë, Jezui tha se «në përfundim të sistemit», engjëjt ‘do të ndanin të ligjtë nga të drejtët’. (Mat. 13:37-43, 49) Engjëjt kanë një rol në mbledhjen dhe vulosjen përfundimtare të të mirosurve. (Lexo Mateun 24:31; Zbul. 7:1-3) Për më tepër, Jezuin e shoqërojnë engjëjt kur ‘ndan delet nga cjeptë’.—Mat. 25:31-33, 46.

20 «Kur të zbulohet nga qielli Zotëria Jezu . . . tok me engjëjt e tij të fuqishëm», të gjithë ata «që nuk e njohin Perëndinë dhe . . . nuk i binden lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu», do të shkatërrohen. (2 Sel. 1:6-10) Kur Gjoni pa të njëjtën ngjarje në një vegim, ai i përshkroi Jezuin dhe ushtritë qiellore engjëllore duke kalëruar mbi kuaj të bardhë për të luftuar me drejtësi.—Zbul. 19:11-14.

21. Ç’veprim do të marrë kundër Satanait dhe demonëve engjëlli «me çelësin e humnerës dhe me një zinxhir të madh në dorë»?

21 Gjoni gjithashtu pa «një engjëll që zbriste nga qielli me çelësin e humnerës dhe me një zinxhir të madh në dorë». Ky nuk është veçse kryeengjëlli Mikael, i cili do ta lidhë Djallin dhe do ta hedhë në humnerë atë, e me sa duket edhe demonët. Ata do të lirohen për një kohë të shkurtër në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, kur njerëzimi i përsosur të përjetojë sprovën e fundit. Pastaj, Satanai dhe gjithë rebelët e tjerë do të shkatërrohen. (Zbul. 20:1-3, 7-10; 1 Gjon. 3:8) S’do të mbetet gjurmë rebelimi kundër Perëndisë.

22. (a) Ç’rol do të kenë engjëjt në atë që do të ndodhë së shpejti? (b) Si duhet të ndihemi për rolin e tyre?

22 Çlirimi madhështor nga sistemi i lig i Satanait është fare afër. Engjëjt do të kenë një rol vendimtar në këto ngjarje domethënëse që do të shfajësojnë sovranitetin e Jehovait dhe do të përmbushin plotësisht qëllimin e tij për tokën dhe njerëzimin. Engjëjt e drejtë janë vërtet «frymëra për shërbim publik, të dërguar që t’u shërbejnë atyre që do të trashëgojnë shpëtimin». Prandaj, le të jemi mirënjohës ndaj Perëndisë Jehova për mënyrën si i përdor engjëjt që të na ndihmojnë të bëjmë vullnetin e tij e të fitojmë jetën e përhershme.

[Shënimi]

^ par. 18 Shih librin Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, faqet 549-551, anglisht.

Si do të përgjigjeshit?

• Si janë organizuar krijesat frymore qiellore?

• Çfarë bënë disa engjëj në ditët e Noesë?

• Si i ka përdorur Jehovai engjëjt për të na ndihmuar?

• Ç’rol luajnë engjëjt e drejtë në kohën tonë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 21]

Engjëjt gëzojnë ndërsa kryejnë vullnetin e Perëndisë

[Figura në faqen 23]

Si në rastin e Danielit, engjëjt janë gjithnjë syçelë për të ndërhyrë në përputhje me vullnetin e Perëndisë

[Figurat në faqen 24]

Jini të guximshëm, sepse engjëjt po e mbështetin veprën e predikimit për Mbretërinë!

[Burimi]

Globi: fotografi nga NASA