Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Një kohë për të heshtur»

«Një kohë për të heshtur»

«Një kohë për të heshtur»

«FJALA është argjend, heshtja është flori.» Kështu thotë një proverb i vjetër që mendohet të jetë me origjinë nga Lindja. Sipas një fjalori, ekuivalenti i këtij proverbi në hebraisht thotë: «Nëse një fjalë vlen një sikël, heshtja vlen dy.» (Brewer’s Dictionary of Phrase and Fable) Edhe mbreti i mençur Solomon në Izraelin e lashtë shkroi: ‘Për çdo gjë ka një kohë të caktuar, ka një kohë për çdo punë nën qiej: një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur.’—Ekl. 3:1, 7.

Po kur është më e përshtatshme të heshtim se të flasim? Fjalët «hesht» dhe «heshtje» dalin shpesh në faqet e Biblës. Konteksti në të cilin përdoren këto fjalë, tregon se është e përshtatshme të heshtim të paktën në tri drejtime. Le të shohim më nga afër se si heshtja është shenjë respekti, tregon maturi e aftësi dalluese dhe ndihmon për të medituar.

Shenjë respekti

Heshtja është një shenjë respekti ose nderimi. Profeti Habakuk tha: «Jehovai është në tempullin e tij të shenjtë. Le të heshtë para tij mbarë toka!» (Hab. 2:20) Adhuruesit e vërtetë ‘duhet të presin në heshtje shpëtimin nga Jehovai’. (Vajt. 3:26) Psalmisti tha në këngë: «Rri në heshtje para Jehovait dhe prit me zjarr që ai të veprojë. Mos u nxeh me ata që u shkojnë punët mbarë.»—Psal. 37:7.

A mund ta lëvdojmë Jehovain pa fjalë? Po ja, a nuk mahnitemi ndonjëherë aq shumë nga bukuritë e krijimit sa mbetemi pa fjalë? A nuk është një mënyrë për të lëvduar Krijuesin në zemrën tonë kur mendojmë për këto madhështi? Psalmisti David e filloi kështu një nga këngët e tij: «O Perëndi, për ty ka lëvdim, para teje heshtin në Sion. Zotimi i marrë para teje, do të plotësohet.»—Psal. 65:1.

Vetë Jehovai meriton respektin tonë, e po kështu edhe fjalët e tij. Për shembull, kur Moisiu, profeti i Perëndisë, po mbante fjalimin e lamtumirës para kombit të Izraelit, ai dhe priftërinjtë i këshilluan të gjithë të pranishmit: ‘Rrini në heshtje dhe dëgjoni zërin e Jehovait, Perëndisë tuaj.’ Edhe nga fëmijët izraelitë kërkohej të dëgjonin me vëmendje kur bijtë e Izraelit mblidheshin bashkë për të lexuar Ligjin e Perëndisë. Moisiu tha: ‘Mblidhni popullin me burra, gra e fëmijë, që të mësojnë.’—Ligj. 27:9, 10; 31:11, 12.

Vërtet, është e përshtatshme që adhuruesit e Jehovait në ditët e sotme të dëgjojnë me respekt udhëzimet që marrin në mbledhjet e krishtere, përfshirë edhe në kongreset e mëdha! A nuk do të tregonim mungesë respekti për Fjalën e Perëndisë dhe për organizatën e tij, nëse pa qenë nevoja flasim me njëri-tjetrin kur në podium shqyrtohen të vërteta biblike me rëndësi jetësore? Gjatë programit, është koha për të heshtur dhe për të dëgjuar.

Edhe gjatë bisedave private, tregojmë respekt kur jemi dëgjues të mirë. Për shembull, patriarku Job u tha akuzuesve të tij: «Më mësoni e unë do të hesht.» Jobi ishte i gatshëm të dëgjonte në heshtje kur ata flisnin. Ndërsa, kur e kishte ai radhën për të folur, u tha: «Pushoni e më lini të flas unë.»—Jobi 6:24; 13:13.

Shenjë maturie dhe aftësie dalluese

Bibla thotë: «Kush u vë fre buzëve, vepron me maturi.» «Njeriu me aftësi të madhe dalluese hesht.» (Prov. 10:19; 11:12) Shikoni se sa bukur tregoi maturi e aftësi dalluese Jezui duke heshtur. Kur kuptonte që do të ishte e kotë të fliste në një ambient armiqësor të krijuar nga armiqtë e tij «Jezui heshtte». (Mat. 26:63) Më vonë, kur ishte në gjyq para Pilatit, Jezui «nuk kthente asnjë përgjigje». Ai me maturi vendosi që ajo çka njerëzit kishin parë, të dëshmonte në vend të tij.—Mat. 27:11-14.

Edhe ne duhet të jemi të mençur e t’u vëmë fre buzëve, sidomos kur na provokojnë. «Kush nuk zemërohet shpejt, është plot aftësi dalluese,—thotë një proverb,—por kush është i paduruar, lartëson marrëzinë.» (Prov. 14:29) Një përgjigje e nxituar në një rrethanë sprovuese, mund të na shtyjë të themi fjalë të pamatura. Në rrethana të tilla, fjalët tona mund të duken si marrëzi. Më vonë, mund të na vijë keq për gjithçka ndodhi dhe si rezultat mund të humbim paqen mendore.

Tregojmë maturi kur u vëmë fre buzëve në prani të njerëzve të ligj. Kur na tallin në shërbim, heshtja mund të jetë përgjigjja më e mirë. Për më tepër, a nuk do të ishte ndonjëherë e mençur që të heshtim për të mos dhënë përshtypjen sikur i miratojmë shokët e shkollës a të punës kur thonë barcaleta me nënkuptime ose përdorin një gjuhë vulgare? (Efes. 5:3) «Gojën do ta ruaj me gojëz,—shkroi psalmisti,—derisa i ligu të jetë para meje.»—Psal. 39:1.

Njeriu me «aftësi të madhe dalluese» nuk tradhton besimin e të tjerëve. (Prov. 11:12) Një i krishterë i vërtetë bën kujdes që të mos i bëjë publike çështjet konfidenciale. Sidomos pleqtë e krishterë duhet të bëjnë kujdes në këtë drejtim që të mos humbin besimin e pjesëtarëve të kongregacionit.

Megjithëse pa fjalë, heshtja mund të ndikojë për mirë. Sidni Smithi, një shkrimtar anglez i shekullit të 19-të, shkroi për një nga bashkëkohësit e tij: «Herë pas here, ai hesht për pak, dhe kjo e bën mjaft të këndshme bisedën me të.» Vërtet, bisedat e përditshme midis dy miqve duhet të jenë një komunikim i dyanshëm. Di të bisedojë mirë, ai që di të dëgjojë mirë.

«Në fjalët e shumta nuk mungon shkelja,—paralajmëroi Solomoni,—por kush u vë fre buzëve, vepron me maturi.» (Prov. 10:19) Pra, sa më pak të flasë njeriu, aq më pak raste do të ketë për të thënë diçka të pamatur. Në fakt, «edhe i marri, kur rri në heshtje, do të shihet si i mençur, dhe kush i mbyll buzët, si një që ka kuptueshmëri». (Prov. 17:28) Prandaj, le t’i kërkojmë Jehovait në lutje që ‘të vërë një rojtar para derës së buzëve tona’.—Psal. 141:3.

Ndihmë për të medituar

Për njeriun që ndjek udhën e drejtësisë, Shkrimet thonë se ‘e lexon ligjin e Perëndisë nën zë ditë e natë’. (Psal. 1:2) Versioni The Amplified Bible thotë: «Për ligjin e Tij . . . ai mediton rregullisht . . . ditë e natë.» Në ç’rrethana kemi mundësinë më të mirë për të medituar në këtë mënyrë?

Isaku, djali i patriarkut Abraham, ‘kur po binte mbrëmja, kishte dalë në fushë, që të meditonte’. (Zan. 24:63) Ai zgjodhi një kohë dhe vend të qetë për të medituar. Për shembull, ishte pikërisht gjatë heshtjes së ndërresave të natës që mbreti David meditonte. (Psal. 63:6) Edhe pse njeri i përsosur, Jezui përpiqej me vendosmëri të plotësonte nevojën e tij për të qenë vetëm dhe për të medituar, larg nga zhurma e turmave, në vetminë e maleve, shkretëtirave dhe të vendeve të tjera të qeta.—Mat. 14:23; Luka 4:42; 5:16.

Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe dobitë ripërtëritëse të heshtjes. Ajo krijon mundësinë për të bërë një vetëshqyrtim të dobishëm, që është një nevojë thelbësore për të bërë përmirësime. Heshtja sjell paqe mendore. Meditimi gjatë çasteve të qeta mund të nxitë modestinë e përulësinë, dhe mund të na rritë vlerësimin për gjërat që janë vërtet të rëndësishme në jetë.

Megjithëse heshtja është virtyt, ka edhe «një kohë për të folur». (Ekl. 3:7) Adhuruesit e vërtetë sot janë mjaft të zënë në predikimin e lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë «në gjithë tokën e banuar». (Mat. 24:14) Gumëzhima e tyre e gëzueshme rritet gjithnjë e më shumë ndërsa radhët e tyre shtohen. (Mik. 2:12) Le të jemi ndër ata që me zell shpallin lajmin e mirë për Mbretërinë dhe flasin për veprat e mrekullueshme të Perëndisë. Ndërsa marrim pjesë në këtë vepër të rëndësishme, le të tregojmë me jetën tonë se heshtja, ndonjëherë, është flori.

[Figura në faqen 3]

Gjatë mbledhjeve të krishtere, duhet të dëgjojmë dhe të mësojmë

[Figura në faqen 4]

Heshtja mund të jetë përgjigjja e duhur kur na sulmojnë me fjalë në shërbim

[Figura në faqen 5]

Heshtja na ndihmon për të medituar