Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Në kërkim të këshillave praktike

Në kërkim të këshillave praktike

Në kërkim të këshillave praktike

NËSE po kërkon këshilla, mund të gjesh me bollëk. Një nga bizneset që po rritet më me shpejtësi në botë, është ai që ofron udhëzues autodidaktë. Në vende kaq të ndryshme, si Britania, Amerika Latine, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, manualet autodidakte janë ndër më të shiturat. Gjithashtu, po fitojnë popullaritet edhe videot, seminaret dhe programet televizive që ofrojnë këshilla për t’i bërë gjërat vetë. Fuqia e tyre tërheqëse gjendet në idenë se mund t’i përballosh vetë problemet, pa qenë nevoja të konsultohesh me një psikolog, këshillues martesor ose udhëheqës fetar. Cilat tema trajtojnë këta udhëzues?

Ndër temat më të përhapura janë ato për suksesin në jetë e në dashuri, si dhe për rritjen e fëmijëve. Tema të tjera të zakonshme janë përballimi i depresionit, i hidhërimit dhe i pasojave të divorcit. Gjithashtu, kërkohen shumë këshillat kundër teprimit në të ngrënë e në të pirë dhe kundër duhanit. A janë praktike këto këshilla? Ndonjëherë janë, shpesh nuk janë. Prandaj, është e mençur të marrim parasysh paralajmërimin e Biblës: «Kush është pa përvojë, i beson çdo fjale, por kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.»—Proverbat 14:15.

Udhëzuesit për zgjidhjen e problemeve personale janë shumë të ndryshëm nga manualet që mësojnë diçka, si për shembull, përdorimin e kompjuterit. Këto manuale mund të jenë alternativa të efektshme dhe jo të kushtueshme në vend të ndjekjes së një kursi të veçantë. Udhëzuesit autodidaktë—qoftë për biznesin, martesën, rritjen e fëmijëve ose shëndetin mendor—janë ndryshe. Zakonisht ata rekomandojnë një mënyrë jetese ose përkrahin filozofi të caktuara. Prandaj, është e mençur të pyesësh: «Kush i jep këto këshilla? Cili është burimi i informacioneve?»

Ekspertët mund të mos i bazojnë gjithmonë opinionet e tyre në fakte të mbledhura me kujdes. Disa mund të japin këshillat që shiten më shumë, duke e ditur se do të fitojnë shumë para po t’u thonë njerëzve atë që duan të dëgjojnë. Vetëm në një vend, biznesi i udhëzuesve autodidaktë sjell tetë miliardë dollarë fitime në vit!

Sa praktikë janë udhëzuesit autodidaktë?

Kur u drejtohesh udhëzuesve autodidaktë, pret që të gjesh këshilla praktike. Por, ndonjëherë gjen vetëm gjëra sipërfaqësore ose abstrakte. Zakonisht këta udhëzues thonë: «Po të mendosh në mënyrë pozitive, do t’ia dalësh mbanë me siguri. Çfarëdo që të duash, para, shëndet ose një marrëdhënie të lumtur, do ta kesh, nëse mendon në mënyrë pozitive.» A është praktike kjo lloj këshille? A do të të ndihmojë të përballosh realitetin dhe zhgënjimet e jetës?

Të marrim si shembull librat për marrëdhëniet njerëzore dhe martesën, të cilët janë më të përhapurit. A i ndihmojnë njerëzit që të ndërtojnë familje të lumtura e të qëndrueshme? Jo gjithmonë. Sipas një kritikeje, një autor i librave autodidaktë për dashurinë, të cilat patën sukses të menjëhershëm në Amerikën Latine, «i mëson lexuesit si të krijojnë marrëdhënie të mira me të tjerët dhe si të zhvillojnë vlerësim për veten». Autori thotë se po të vazhdosh një marrëdhënie që nuk funksionon, është sikur po tradhton veten. Ai lë të nënkuptohet se gjëja më e rëndësishme është të bësh atë që të bën të ndihesh mirë, e jo të pranosh problemet e tua dhe të përpiqesh t’i zgjidhësh ato.

Sigurisht, udhëzuesit autodidaktë mund të përmbajnë disa këshilla të mira. Megjithatë, mund të japin edhe këshilla të dëmshme. Një ekspert mund të japë sugjerime të dobishme për një temë, por këshillat që jep për një temë tjetër, faktikisht mund t’i keqësojnë gjërat. Do të ishte e pamundur të zgjidhje këshillat e duhura mes mendimeve të shumta, dhe shpesh kontradiktore, që ofrojnë këta udhëzues. Cilave këshilla mund t’u besosh? Pyet veten: «A janë bërë kërkime të kujdesshme për këto këshilla apo janë thjesht mendime personale të autorit? Deri në ç’masë ka ndikuar te ndershmëria e autorit dëshira për t’u pasuruar ose për të bërë emër?»

Një udhëzues që i ka qëndruar kohës është Bibla. Ajo jep këshilla praktike për shumë nga temat që trajtojnë udhëzuesit autodidaktë, si edhe për tema të tjera. Bibla ka nxitur miliona njerëz që të veprojnë sipas kësaj këshille: ‘Rinohuni në forcën që vë në veprim mendjen tuaj dhe vishni personalitetin e ri.’ (Efesianëve 4:23, 24) Bibla na jep gjykim të thellë rreth shkakut të problemeve tona dhe na mëson si t’i përballojmë ato. Ç’është më e rëndësishmja, në të tregohen arsye të forta dhe praktike për të bërë atë që është e drejtë. Artikulli vijues do të flasë për këtë.