Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A të çojnë të gjitha fetë tek i njëjti Perëndi?

A të çojnë të gjitha fetë tek i njëjti Perëndi?

A të çojnë të gjitha fetë tek i njëjti Perëndi?

«Kam fenë time dhe nuk dua ta ndryshoj. Gjithsesi, nuk ka rëndësi se cilës fe i përket sepse të gjitha të çojnë tek i njëjti Perëndi.»

A KE dëgjuar ndonjë të shprehet kështu? Shumë njerëz janë të mendimit se të gjitha fetë kanë të njëjtat mënyra bazë për të kërkuar Perëndinë dhe për të kuptuar qëllimin e jetës. Po kaq i përhapur është edhe mendimi se çdo fe ka të mirat e të këqijat e veta dhe se asnjë fe nuk e ka monopolin e së vërtetës ose nuk mund të pretendojë se është e vetmja rrugë drejt Perëndisë.

Këto ide janë mjaft të përhapura në shoqërinë e sotme të ashtuquajtur tolerante ose pluraliste. Në fakt, ata që mendojnë ndryshe shpesh shihen si mendjengushtë, madje fanatikë. Po ti çfarë mendon? A mendon se të gjitha fetë në fund të çojnë tek i njëjti Perëndi? A ka rëndësi cilës fe i përkasim?

A ndryshojnë vërtet nga njëra-tjetra?

Sipas një enciklopedie, aktualisht ka 9.900 fe në të gjithë botën, disa prej të cilave shtrihen në mbarë globin dhe kanë miliona anëtarë. Sipas llogaritjeve, mendohet se rreth 70 për qind e njerëzimit u përket pesë feve kryesore—budizmit, hinduizmit, islamizmit, judaizmit dhe krishterimit. Nëse të gjitha fetë të çojnë tek i njëjti Perëndi, këto pesë fe patjetër duhet të kenë shumë të përbashkëta në mësimet e tyre, në mënyrën si e paraqitin Perëndinë dhe si i shpjegojnë qëllimet e Tij. Po çfarë tregojnë faktet?

Teologu katolik Hans Kyng thotë se fetë kryesore kanë vërtet disa doktrina bazë të përbashkëta që lidhen me marrëdhëniet njerëzore. Shumica, për shembull, janë kundër vrasjes, gënjeshtrës, vjedhjes, incestit dhe mësojnë respektin për prindërit e dashurinë për fëmijët. Por, për sa u përket çështjeve të tjera, sidomos për mënyrën si e paraqitin Perëndinë, këto fe kryesore ndryshojnë në mënyrë drastike.

Për shembull, hinduistët adhurojnë një mori perëndish, kurse për budistët thuhet se nuk janë të sigurt nëse Perëndia është një person. Islamizmi mëson se ka vetëm një Perëndi. Këtë mësojnë edhe kishat që thonë se janë të krishtere, por shumica prej tyre besojnë se Perëndia është një Trinitet. Edhe kishat vetë besojnë një sërë dogmash të ndryshme. Maria, nëna e Jezuit, është objekt adhurimi për katolikët, por jo për protestantët. Masat për kontrollimin e lindjeve, në përgjithësi ndalohen për katolikët, por jo për shumë protestantë. Dhe protestantët nuk arrijnë të bien dakord me njëri-tjetrin për çështjen e homoseksualizmit.

A është logjike të mendosh se fetë që përqafojnë një shumëllojshmëri të tillë bindjesh, adhurojnë të gjitha të njëjtin Perëndi? Vështirë. Madje, kjo mund ta bëjë shumë të vështirë të kuptosh se kush është Perëndia dhe se çfarë pret ai nga ata që e adhurojnë.

Bashkojnë apo përçajnë?

Nëse të gjitha fetë të çojnë tek i njëjti Perëndi, sigurisht do të shihnim secilën prej tyre duke u përpjekur të ushtrojë ndikimin e saj për të bashkuar njerëzimin në paqe. Por, a e vërtetojnë faktet këtë? Historia tregon se, në vend që ta bashkojë njerëzimin, feja është bërë shkak përçarjesh dhe luftërash. Le të shqyrtojmë disa shembuj.

Nga shekulli i 11-të deri në shekullin e 13-të, krishterimi, domethënë kombet që thonë se janë të krishtere, dolën në luftë kundër forcave islamike në një sërë kryqëzatash. Në Evropën e shekullit të 17-të, katolikët dhe protestantët përplasën brirët në Luftën Tridhjetëvjeçare. Në vitin 1947, sapo nënkontinenti indian fitoi pavarësinë nga Britania e Madhe, hinduistët dhe myslimanët iu hodhën në grykë njëri-tjetrit. Konflikti i katolikëve dhe protestantëve në Irlandën e Veriut ka zgjatur për vite. Në Lindjen e Mesme, judenjtë dhe myslimanët nuk kanë vendosur akoma paqen midis njëri-tjetrit. Dhe në krye të listës duhet vendosur Lufta II Botërore, ku u përfshinë pjesëtarë të të pesë feve kryesore, madje ndonjëherë palët kundërshtare në konflikt i përkitnin të njëjtit besim.

Përfundimi është i qartë. Fetë e botës as kanë sjellë paqe dhe unitet, as i kanë çuar njerëzit tek i njëjti Perëndi. Përkundrazi, ata e kanë përçarë njerëzimin dhe kanë krijuar një tablo pështjelluese për Perëndinë si person dhe për adhurimin e tij. Pra, çdokush që dëshiron të gjejë Perëndinë e vërtetë duhet të zgjedhë me kujdes rrugën që do të marrë. Kjo është në përputhje me nxitjen që na jep Bibla, një nga librat më të vjetër fetarë që njeh njerëzimi.

Zgjidh se kujt do t’i shërbesh

Bibla tregon qartë se për të gjetur rrugën që të çon te Perëndia i vërtetë, duhet të mendohesh mirë dhe të zgjedhësh me kujdes. Josiu, një shërbëtor i Perëndisë Jehova, i tha kombit të Izraelit në lashtësi: «Zgjidhni sot kujt do t’i shërbeni: o perëndive, të cilave u shërbyen paraardhësit tuaj matanë Lumit, o perëndive të amoritëve, në vendin e të cilëve po banoni. Por sa për mua dhe për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Jehovait.» Vite më vonë, profeti Elija e nxiti popullin të bënte një zgjedhje të ngjashme: «Deri kur do të lëkundeni mes dy mendimeve? Në qoftë Jehovai Perëndia i vërtetë, ndiqeni, por në qoftë Baali [një perëndi kananite], ndiqni atë.»—Josiu 24:15, 16; 1 Mbretërve 18:21.

Këto shkrime biblike, si dhe të tjera, tregojnë qartë se ata që donin t’i shërbenin Perëndisë së vërtetë, duhej të bënin një zgjedhje të vetëdijshme. E njëjta gjë është edhe sot. Nëse duam ta adhurojmë dhe t’i shërbejmë Perëndisë së vërtetë, edhe ne duhet të bëjmë zgjedhjen e duhur. Po çfarë mund të na ndihmojë të bëjmë një zgjedhje të tillë për sa u përket çështjeve të adhurimit? Si mund t’i identifikojmë adhuruesit e vërtetë?

Adhuruesit e vërtetë njihen nga frytet

Në lidhje me adhuruesit e vërtetë dhe të rremë, Jezu Krishti u tha dishepujve të tij: «A vilet vallë rrush nga ferrat ose fiq nga gjembaçët? Kështu çdo pemë e mirë prodhon fryt të mirë, kurse çdo pemë e kalbur prodhon fryt të keq. Një pemë e mirë nuk mund të japë fryt të keq, dhe as një pemë e kalbur nuk mund të prodhojë fryt të mirë. . . . Prandaj, do t’i njihni ata njerëz nga frytet e tyre.» Sipas këtyre vargjeve, adhuruesit e vërtetë do të njiheshin nga frytet e tyre, domethënë nga veprat. Për çfarë frytesh bëhet fjalë?—Mateu 7:16-20.

Së pari, në adhurimin e vërtetë, besimtarët i bashkon mes tyre dashuria. Jezui u shpjegoi dishepujve: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu siç ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» Dishepujt e vërtetë të Krishtit duhet të tregojnë dashuri për njëri-tjetrin, një dashuri që i identifikon ata si adhurues të vërtetë në sy të çdokujt që i sheh.—Gjoni 13:34, 35.

Për këtë arsye, do të ishte e pamendueshme që të krishterët e vërtetë të rroknin armët dhe të luftonin kundër njëri-tjetrit. Po pjesëtarët e kishave, a i përmbahen kësaj norme? Në Luftën II Botërore, i vetmi grup i madh fetar që vazhdimisht dhe pa u lëkundur refuzoi të mbështeste luftën në çfarëdo mënyre, ishin Dëshmitarët e Jehovait. Dr. Hans Lilje, peshkop i mëparshëm i Kishës Protestante në Hanover të Gjermanisë, shkroi për Dëshmitarët: «Ata me të drejtë mund ta konsiderojnë veten si të vetmit kundërshtarë të Rajhut të Tretë për shkak të ndërgjegjes.» Gjatë asaj lufte, Dëshmitarët në shumë vende zgjodhën më mirë të vuanin ndëshkimet, sesa të nxitnin ose të përkrahnin luftën.

Ç’fryte të tjera për identifikimin e dishepujve të vërtetë kishte në mendje Jezui? Në fillim të asaj që njihet si lutja model, ai tha: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» Jezui i dha përparësi shenjtërimit të emrit personal të Perëndisë: Jehova. Ai shprehu dëshirën që, nëpërmjet Mbretërisë së Perëndisë, të bëhet në tokë vullneti i Jehovait. Cila fe njihet për përhapjen e emrit të Jehovait dhe për shpalljen se Mbretëria e Perëndisë është e vetmja shpresë e njerëzimit për të vendosur paqe në tokë? Dëshmitarët e Jehovait shpallin lajmin e mirë për Mbretërinë në 236 vende e territore dhe shpërndajnë literaturë në mbi 470 gjuhë.—Mateu 6:9, 10.

Për më tepër, Dëshmitarët e Jehovait ndjekin shembullin e Jezuit duke mos u përfshirë në polemikat politike dhe shoqërore. «Nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës»,—tha Jezui për dishepujt. Përveç kësaj, Dëshmitarët e pranojnë Biblën si Fjalën e Perëndisë dhe janë të bindur se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë».—Gjoni 17:14, 17; 2 Timoteut 3:16, 17.

Feja e vërtetë dallon nga të tjerat

Këto fryte—dashuria vetëmohuese, dëshira për të shenjtëruar emrin e Jehovait, shpallja e Mbretërisë së Perëndisë, veçimi nga bota dhe besimi te Bibla—të gjitha karakterizojnë adhuruesit e vërtetë. Këto fryte gjithashtu i dallojnë adhuruesit e vërtetë nga fetë e tjera. Një zonjushë që kishte biseduar disa herë me Dëshmitarët e Jehovait, arriti në këtë përfundim: «Njoh shumë fe dhe janë të ngjashme me njëra-tjetrën. Ju jeni të vetmit që jeni komplet ndryshe nga të tjerët.»

Qartë, të gjitha fetë nuk të çojnë tek i njëjti Perëndi. Por, është një grup që dallon nga gjithë të tjerët, Dëshmitarët e Jehovait, që tani arrijnë në mbi shtatë milionë në mbarë botën. Duke shpallur Fjalën e Perëndisë, Biblën, dhe duke iu përmbajtur asaj, ata kanë bërë atë që asnjë grup ose organizatë tjetër nuk ka arritur ta bëjë: kanë bashkuar njerëz me kombësi, gjuhë, prejardhje etnike dhe raca të ndryshme në adhurimin e një Perëndie të vetëm e të vërtetë, Jehovait. Ata do të të ndihmojnë me kënaqësi që të mësosh për Perëndinë e vërtetë, të kuptosh se çfarë kërkon ai prej teje dhe të gëzosh paqen e sigurinë që vijnë nga adhurimi i Perëndisë sipas mënyrës që ai miraton. A nuk është një qëllim që ia vlen?

[Figura në faqen 14]

Prift ortodoks që bekon trupat e reja në Ukrainë në vitin 2004

[Burimi]

GENIA SAVILOV/​AFP/​Getty Images

[Figura në faqen 15]

Kudo, Dëshmitarët e Jehovait i ndihmojnë njerëzit që të mësojnë për Perëndinë dhe Mbretërinë e tij

[Burimet e figurave në faqen 12]

Faqja 12: Gruaja budiste: © Yan Liao/​Alamy; shenjtori hinduist: © imagebroker/​Alamy; faqja 13: burri që lexon Kuranin: Mohamed Amin/​Camerapix; hebreu: Todd Bolen/​Bible Places.com