Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kini zell për shtëpinë e Jehovait!

Kini zell për shtëpinë e Jehovait!

Kini zell për shtëpinë e Jehovait!

«Zelli për shtëpinë tënde do të më përpijë.»—GJONI 2:17.

1, 2. Çfarë bëri Jezui në tempull në vitin 30 të e.s., dhe pse?

PËRFYTYRONI skenën. Është Pashka e vitit 30 të e.s. Gjashtë muaj më parë, Jezui filloi shërbimin e tij këtu në tokë. Tani ai ngjitet për në Jerusalem. Atje në tempull, në oborrin e johebrenjve, Jezui gjen «shitësit e gjedhëve, të deleve e të pëllumbave, si dhe këmbyesit e monedhave, të ulur në ndenjëset e veta». Duke vringëllirë një kamxhik të bërë me litarë, ai nxjerr jashtë të gjitha kafshët dhe sigurisht tregtarët shkojnë pas tyre. Gjithashtu, Jezui ua derdh monedhat këmbyesve të parave dhe ua përmbys tryezat. Ai i urdhëron ata që shesin pëllumba të marrin gjërat e tyre dhe të largohen.—Gjoni 2:13-16.

2 Veprimet e Jezuit tregojnë qartë merakun e tij për tempullin. «Mos e bëni më shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!»—urdhëron ai. Ndërsa dishepujt e Jezuit i shohin këto ngjarje, atyre u vijnë ndër mend fjalët e shkruara shekuj më parë nga psalmisti David: «Zelli për shtëpinë tënde do të më përpijë.»—Gjoni 2:16, 17; Psal. 69:9.

3. (a) Çfarë është zelli? (b) Ç’pyetje mund t’i bëjmë vetes?

3 Ishin meraku dhe zelli për shtëpinë e Perëndisë ato që e shtynë Jezuin të vepronte. Zelli është «një dëshirë e madhe dhe interes i zjarrtë për të kryer diçka». Në këtë shekull të 21-të, mbi shtatë milionë të krishterë tregojnë zell për shtëpinë e Perëndisë. Secili prej nesh mund të pyesë veten: «Si mund ta rris zellin tim për shtëpinë e Jehovait?» Për të marrë përgjigje, le të shqyrtojmë në fillim se çfarë është shtëpia e Perëndisë sot. Pastaj do të shohim disa shembuj biblikë të njerëzve besnikë që treguan zell për të. Shembujt e tyre janë shkruar «për mësimin tonë» dhe mund të na nxitin për të pasur një zell edhe më të madh.—Rom. 15:4.

Shtëpia e Perëndisë—Atëherë dhe tani

4. Për çfarë shërbente tempulli që ndërtoi Solomoni?

4 Në Izraelin e lashtë, shtëpia e Perëndisë ishte tempulli i Jerusalemit. Sigurisht, Jehovai nuk jetonte atje në kuptimin e mirëfilltë. Ai deklaroi: «Qiejt janë froni im dhe toka është stoli im i këmbëve. Ku është, pra, shtëpia që mund të ndërtoni për mua dhe ku është vendi ku unë mund të prehem?» (Isa. 66:1) Sidoqoftë, tempulli i ndërtuar gjatë mbretërimit të Solomonit shërbente si qendër e adhurimit të Jehovait ku bëheshin lutje.—1 Mbret. 8:27-30.

5. Cilën masë të ditëve të sotme përfaqësonte tempulli i Solomonit?

5 Sot, shtëpia e Jehovait nuk është një ndërtesë prej guri në Jerusalem ose diku tjetër. Ajo është masa e marrë nga Perëndia që ne t’i afrohemi për ta adhuruar në bazë të flijimit shpërblyes të Krishtit. Të gjithë shërbëtorët besnikë të Perëndisë në tokë bashkohen për të adhuruar Jehovain në këtë tempull frymor.—Isa. 60:4, 8, 13; Vep. 17:24; Hebr. 8:5; 9:24.

6. Cilët mbretër të Judës treguan zell të jashtëzakonshëm për adhurimin e vërtetë?

6 Pas ndarjes së Izraelit në vitin 997 p.e.s., 4 nga 19 mbretërit që sunduan në Judë, në pjesën jugore, treguan zell të jashtëzakonshëm për adhurimin e vërtetë. Ata ishin Asa, Jehozafati, Hezekia dhe Josia. Ç’mësime të rëndësishme mund të nxjerrim nga shembulli i tyre?

Shërbimi me gjithë zemër sjell bekime

7, 8. (a) Ç’lloj shërbimi bekon Jehovai? (b) Çfarë mësimi paralajmërues nxjerrim nga shembulli i mbretit Asa?

7 Gjatë sundimit të mbretit Asa, Jehovai caktoi profetë që ta udhëhiqnin kombin e Tij në udhën e besnikërisë. Për shembull, Bibla thotë se Asa e dëgjoi profetin Azariah, birin e Odedit. (Lexo 2 Kronikave 15:1-8.) Reforma e Asës e bashkoi popullin e Judës dhe një numër të madh njerëzish nga mbretëria e Izraelit, që u mblodhën në një asamble të madhe në Jerusalem. Të gjithë bashkë deklaruan vendosmërinë e tyre për ta adhuruar Jehovain me besnikëri. Në Bibël lexojmë: «Ata iu betuan Jehovait me zë të lartë dhe me britma të gëzueshme, me trumbeta dhe me brirë. Gjithë Juda s’e mbajti dot gëzimin për betimin që kishte bërë, sepse ishin betuar me gjithë zemër dhe e kishin kërkuar atë plot kënaqësi, kështu që ai i la ta gjenin. Dhe Jehovai vazhdoi t’u jepte prehje ngado.» (2 Kron. 15:9-15) Po kështu, Jehovai do të na bekojë patjetër nëse i shërbejmë me gjithë zemër.—Mar. 12:30.

8 Mjerisht, Asa më vonë u fye nga qortimi i parashikuesit Hanan. (2 Kron. 16:7-10) Si reagojmë kur Jehovai na këshillon ose na jep drejtimin e tij nëpërmjet pleqve të krishterë? A i pranojmë menjëherë këshillat e tyre të bazuara në Bibël pa u fyer?

9. (a) Përballë cilit kërcënim ishin Jehozafati dhe Juda? (b) Si reaguan ata?

9 Jehozafati ishte mbret i Judës gjatë shekullit të dhjetë p.e.s. Ai dhe gjithë Juda u përballën me kërcënimin e forcave të bashkuara të Amonit, Moabit dhe popullit të rajonit malor të Seirit. Çfarë bëri mbreti, megjithëse kishte frikë? Ai dhe burrat e Judës, bashkë me gratë dhe fëmijët e tyre, u mblodhën në shtëpinë e Jehovait për t’u lutur. (Lexo 2 Kronikave 20:3-6.) Në përputhje me fjalët e Solomonit të thëna më parë në kushtimin e tempullit, Jehozafati iu përgjërua Jehovait në mënyrë prekëse: «O Perëndia ynë, a nuk do të ekzekutosh gjykimin mbi ta? Sepse ne jemi të pafuqishëm para kësaj turme të madhe që po vjen kundër nesh dhe nuk dimë se ç’duhet të bëjmë, por sytë i kemi drejtuar nga ti.» (2 Kron. 20:12, 13) Pasi Jehozafati u lut, atje «në mes të kongregacionit», fryma e Jehovait e shtyu Jahazielin, një levit, të thoshte fjalë ngushëlluese që i dhanë siguri popullit.—Lexo 2 Kronikave 20:14-17.

10. (a) Si morën drejtim Jehozafati dhe Juda? (b) Si mund të tregojmë vlerësim për drejtimin që na jep Jehovai sot?

10 Po, në atë kohë, Jehozafati dhe mbretëria e Judës morën drejtim nga Jehovai nëpërmjet Jahazielit. Sot, ne marrim ngushëllim dhe drejtim nëpërmjet klasës së skllavit të besueshëm e të matur. Sigurisht, ne gjithmonë duhet të bashkëpunojmë dhe të tregojmë respekt për pleqtë e emëruar, të cilët punojnë pa u lodhur në veprën baritore dhe për të vënë në zbatim udhëzimet e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’.—Mat. 24:45; 1 Sel. 5:12, 13.

11, 12. Ç’mund të mësojmë nga ajo që i ndodhi Jehozafatit dhe Judës?

11 Ashtu si Jehozafati dhe populli i tij u mblodhën për të kërkuar drejtimin e Jehovait, le të mos e lëmë pas dore pjesëmarrjen e rregullt në mbledhjet e kongregacionit bashkë me vëllezërit dhe motrat. Nëse ndonjëherë gjendemi në vështirësi të mëdha dhe nuk dimë çfarë të bëjmë, le të ndjekim shembullin e shkëlqyer të Jehozafatit dhe të popullit të Judës e t’i lutemi Jehovait me besim të plotë tek Ai. (Prov. 3:5, 6; Filip. 4:6, 7) Edhe nëse jemi të izoluar, lutjet që i drejtojmë Jehovait na bashkojnë me «gjithë vëllazërinë [tonë] nëpër botë».—1 Pjet. 5:9.

12 Jehozafati dhe populli i tij ndoqën drejtimin që u dha Perëndia nëpërmjet Jahazielit. Cili ishte rezultati? Ata dolën fitimtarë në betejën e mëpasshme dhe u kthyen në Jerusalem «të gëzuar» dhe «me vegla me tela, me harpa e me trumbeta dhe u drejtuan për në shtëpinë e Jehovait». (2 Kron. 20:27, 28) Po kështu, edhe ne e respektojmë drejtimin që na jep Jehovai nëpërmjet kanalit të tij dhe së bashku i japim lavdi Atij.

Të kujdesemi për vendet ku mblidhemi

13. Çfarë bëri Hezekia kur filloi të mbretëronte?

13 Në muajin e parë të mbretërimit të tij, Hezekia e tregoi zellin për adhurimin e Jehovait duke e hapur përsëri tempullin dhe duke e meremetuar. Ai organizoi priftërinjtë dhe levitët për të pastruar shtëpinë e Perëndisë. Ata e bënë këtë për 16 ditë. (Lexo 2 Kronikave 29:16-18.) Këto përpjekje na bëjnë të mendojmë për mirëmbajtjen dhe punën meremetuese që i mban vendet e mbledhjeve tona në një gjendje që pasqyron adhurimin tonë të zellshëm ndaj Jehovait. A nuk keni dëgjuar përvoja që tregojnë se njerëzve u bën përshtypje zelli i vëllezërve dhe motrave që marrin pjesë në një punë të tillë? Po, përpjekjet e tyre i sjellin shumë lavdi Jehovait.

14, 15. Cila vepër i ka sjellë shumë lavdi Jehovait sot? Jepni shembuj.

14 Në një qytet në veri të Anglisë, një burrë ishte kundër rinovimit të Sallës së Mbretërisë që ishte përbri pronës së tij. Vëllezërit vendës vepruan me dashamirësi. Kur panë se muri kufizues midis Sallës së Mbretërisë dhe pronës së fqinjit kishte nevojë për meremetime, ata u ofruan ta bënin këtë falas. Ata punuan pa u lodhur dhe në fakt rindërtuan pjesën më të madhe të murit. Ata e përballuan kaq mirë këtë situatë, sa fqinji ndryshoi qëndrim. Tani, ai ndihmon duke i hedhur një sy Sallës së Mbretërisë për ta ruajtur.

15 Populli i Jehovait merr pjesë në një vepër ndërtimi në mbarë botën. Me shërbëtorët ndërkombëtarë në kohë të plotë bashkohen edhe vullnetarë vendës për të ndërtuar jo vetëm Salla Mbretërie, por edhe Salla Asamblesh dhe shtëpi Bethel. Semi është një inxhinier i aftë që merret me ngrohjen, ventilimin dhe ajrin e kondicionuar në ndërtesa. Ai dhe gruaja e tij, Rutha, kanë udhëtuar në disa vende të Evropës dhe të Afrikës për të ndihmuar në disa projekte ndërtimi. Kudo që shkojnë, ata marrin pjesë edhe në veprën e predikimit bashkë me kongregacionet vendëse. Semi shpjegon se çfarë e shtyu të merrte pjesë në projekte të tilla ndërkombëtare: «Ishte inkurajimi i të tjerëve që kishin shërbyer në shtëpitë Bethel këtu dhe jashtë shtetit. Kur shihja zellin dhe gëzimin e tyre, nxitesha vërtet të shërbeja edhe unë në këtë mënyrë.»

T’u bindemi udhëzimeve të Perëndisë

16, 17. Në ç’vepër të veçantë ka marrë pjesë me zell populli i Perëndisë dhe me ç’rezultat?

16 Përveç meremetimit të tempullit, Hezekia rivendosi edhe festimin e përvitshëm të Pashkës që kishte urdhëruar Jehovai. (Lexo 2 Kronikave 30:1, 4, 5.) Hezekia dhe banorët e Jerusalemit ftuan të gjithë kombin të vinte, edhe ata të mbretërisë veriore. Vrapuesit shkuan në të gjithë vendin me letrat e ftesës.—2 Kron. 30:6-9.

17 Vitet e fundit, edhe ne kemi marrë pjesë në diçka të ngjashme. Kemi përdorur ftesa interesante për të ftuar njerëzit në territorin tonë që të mblidhen me ne për të përkujtuar Darkën e Zotërisë, duke iu bindur kështu urdhrit të Jezuit. (Luka 22:19, 20) Pasi kemi marrë udhëzime në Mbledhjet e Shërbimit, kemi marrë pjesë me zell në këtë vepër. Sa shumë i ka bekuar Jehovai këto përpjekje! Vërtet, vitin e kaluar gati shtatë milionë Dëshmitarë shpërndanë ftesat e Përkujtimit dhe ishin gjithsej 17.790.631 të pranishëm.

18. Pse është mjaft i rëndësishëm për ju zelli për adhurimin e vërtetë?

18 Bibla thotë: «Hezekia pati besim te Jehovai, Perëndia i Izraelit. Pas tij nuk pati asnjë si ai ndër gjithë mbretërit e Judës, as ndër ata që kishin qenë para tij. Ai qëndroi i lidhur ngushtë me Jehovain dhe nuk u largua prej tij, por e ndoqi gjithmonë dhe mbajti urdhërimet që i kishte dhënë Jehovai Moisiut.» (2 Mbret. 18:5, 6) Qofshim edhe ne si ai! Zelli për shtëpinë e Perëndisë do të na ndihmojë ‘të qëndrojmë të lidhur ngushtë me Jehovain’ me shpresën e jetës së përhershme.—Ligj. 30:16.

Të veprojmë menjëherë sipas drejtimit

19. Ç’përpjekje të zellshme bëhen në kohën e Përkujtimit?

19 Kur Josia sundonte si mbret, edhe ai mori masa që të mbahej Pashka dhe për këtë bëri përgatitje të mëdha. (2 Mbret. 23:21-23; 2 Kron. 35:1-19) Edhe ne i kushtojmë vëmendje të veçantë përgatitjes për kongreset krahinore, asambletë qarkore, asambletë speciale njëditore dhe për Përkujtimin. Vëllezërit në disa vende madje rrezikojnë jetën e tyre kur mblidhen së bashku për të përkujtuar vdekjen e Krishtit. Pleqtë e zellshëm sigurohen që askush në kongregacion të mos lihet mënjanë. Të moshuarit dhe të sëmurët marrin ndihmën e duhur për të qenë të pranishëm në këtë rast.

20. (a) Çfarë ndodhi gjatë mbretërimit të mbretit Josia dhe si veproi ai? (b) Për ç’mësim duhet të mendojmë seriozisht?

20 Gjatë punës së meremetimit që organizoi mbreti Josia, kryeprifti Hilkiah «gjeti librin e ligjit të Jehovait që ishte dhënë me anë të dorës së Moisiut». Ai ia dha sekretarit të mbretit, Shafanit, i cili filloi t’ia lexonte Josisë. (Lexo 2 Kronikave 34:14-18.) Si ndikoi kjo te mbreti? Ai menjëherë shqeu rrobat nga dëshpërimi dhe udhëzoi disa burra që të merrnin mendimin e Jehovait. Me anë të profeteshës Hulda, Perëndia u dha një mesazh që dënonte disa nga praktikat fetare që ishin bërë në Judë. Megjithatë, Jehovai i pa përpjekjet e zellshme që bëri Josia për të hequr praktikat idhujtare dhe ai mbeti i miratuar në sytë e Tij, pavarësisht nga gjëma që u parashikua për kombin në përgjithësi. (2 Kron. 34:19-28) Çfarë mund të mësojmë nga kjo? Sigurisht, dëshirojmë të njëjtën gjë si Josia. Duam të veprojmë menjëherë sipas drejtimit të Jehovait dhe të mendojmë seriozisht për atë që mund të ndodhë nëse lejojmë që apostazia dhe jobesnikëria të ndërhyjnë në adhurimin tonë. Dhe mund të kemi besim se Jehovai do ta shohë me miratim zellin tonë për adhurimin e vërtetë, pikërisht siç bëri me Josinë.

21, 22. (a) Pse duhet të tregojmë zell për shtëpinë e Jehovait? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

21 Këta katër mbretër të Judës—Asa, Jehozafati, Hezekia dhe Josia—lanë një shembull të shkëlqyer në lidhje me zellin për shtëpinë dhe adhurimin e Perëndisë. Po kështu, zelli duhet të na nxitë edhe neve të kemi besim te Jehovai dhe të përpiqemi fuqimisht për adhurimin e tij. Sigurisht, jemi të mençur dhe të lumtur nëse u bindemi udhëzimeve të Perëndisë dhe veprojmë në përputhje me kujdesin dhe korrigjimin e dashur që marrim nëpërmjet kongregacionit e pleqve.

22 Artikulli tjetër do të përqendrohet te zelli për shërbimin dhe do t’i inkurajojë të rinjtë t’i shërbejnë me zell Atit tonë të dashur. Gjithashtu, do të shqyrtojë se si mund të shmangim një nga ndikimet më korruptuese të Satanait. Ndërsa i zbatojmë me zell të gjithë këta përkujtues nga Jehovai, do të jemi duke ndjekur shembullin e vetë Birit të Tij, Jezuit, për të cilin u tha: «Zelli për shtëpinë tënde më ka përpirë.»—Psal. 69:9; 119:111, 129; 1 Pjet. 2:21.

A ju kujtohet?

• Ç’lloj shërbimi bekon Jehovai dhe pse?

• Si mund të tregojmë besim te Jehovai?

• Si na nxit zelli t’u bindemi udhëzimeve të Perëndisë?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 9]

Si treguan zell për shtëpinë e Jehovait Asa, Jehozafati, Hezekia dhe Josia?