Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jini «të zellshëm për vepra të shkëlqyera»!

Jini «të zellshëm për vepra të shkëlqyera»!

Jini «të zellshëm për vepra të shkëlqyera»!

«[Jezui] dha veten për ne, që të na çlironte nga çdo lloj paligjshmërie dhe të pastronte për vete një popull posaçërisht të vetin, të zellshëm për vepra të shkëlqyera.»—TITIT 2:14.

1. Çfarë ndodh në zonën e tempullit kur vjen Jezui më 10 nisan të vitit 33 të e.s.?

ËSHTË 10 nisani i vitit 33 të e.s., pak ditë para mbajtjes së Pashkës. Turma adhuruesish në zonën e tempullit në Jerusalem janë mjaft të emocionuara. Çfarë do të ndodhë kur të vijë Jezui? Tre shkrimtarë të ungjijve, Mateu, Marku dhe Luka, të gjithë dëshmojnë se Jezui, për të dytën herë, nxjerr jashtë ata që po shesin e blejnë atje. Përmbys tryezat e këmbyesve të parave dhe stolat e atyre që shesin pëllumba. (Mat. 21:12; Mar. 11:15; Luka 19:45) Zelli i Jezuit nuk është pakësuar që kur bëri të njëjtën gjë para tre vjetësh.—Gjoni 2:13-17.

2, 3. Nga e dimë se Jezui nuk ishte i zellshëm vetëm për pastrimin e tempullit?

2 Në tregimin e Mateut shohim se, në atë rast, Jezui nuk ishte i zellshëm vetëm për pastrimin e tempullit. Ai shëroi edhe të verbrit e të çalët që shkuan tek ai. (Mat. 21:14) Në librin e Lukës lexojmë edhe gjëra të tjera që bëri. «[Jezui] mësonte përditë në tempull.» (Luka 19:47; 20:1) Pra, zelli i Jezuit dukej qartë në shërbimin që bënte publikisht.

3 Më vonë, apostulli Pavël i shkroi Titit dhe i shpjegoi se Jezui «dha veten për ne, që të na çlironte nga çdo lloj paligjshmërie dhe të pastronte për vete një popull posaçërisht të vetin, të zellshëm për vepra të shkëlqyera». (Titit 2:14) Në ç’mënyra mund të jemi ne sot «të zellshëm për vepra të shkëlqyera»? Dhe si mund të na inkurajojnë shembujt e mbretërve të mirë të Judës?

Të zellshëm në predikim dhe mësimdhënie

4, 5. Si treguan katër mbretërit e Judës që ishin të zellshëm për vepra të shkëlqyera?

4 Asa, Jehozafati, Hezekia dhe Josia ndërmorën fushata në Judë për të çrrënjosur idhujtarinë. Asa «hoqi altarët e huaj dhe vendet e larta, bëri copë-copë kolonat e shenjta dhe rrëzoi shtyllat e shenjta». (2 Kron. 14:3) Jehozafati, me zellin që i vlonte në gji për adhurimin e Jehovait, ‘hoqi vendet e larta dhe shtyllat e shenjta nga Juda’.—2 Kron. 17:6; 19:3. *

5 Pas festimit solemn shtatë-ditor të Pashkës të organizuar në Jerusalem nga Hezekia, «tërë izraelitët që gjendeshin atje dolën nëpër qytetet e Judës dhe bënë copë-copë kolonat e shenjta, prenë shtyllat e shenjta dhe rrëzuan vendet e larta e altarët në gjithë Judën, Beniaminin, Efraimin e Manaseun, derisa s’mbeti më asnjë». (2 Kron. 31:1) Josia u bë mbret kur ishte vetëm tetë vjeç. Shkrimet thonë: «Vitin e tetë të mbretërimit të tij, kur ishte ende djalosh, filloi të kërkonte Perëndinë e Davidit, paraardhësit të tij, dhe në vitin e dymbëdhjetë filloi të pastronte Judën e Jerusalemin nga vendet e larta, nga shtyllat e shenjta, nga shëmbëlltyrat e skalitura dhe nga shtatoret e derdhura.» (2 Kron. 34:3) Pra, të katër këta mbretër ishin të zellshëm për vepra të shkëlqyera.

6. Pse shërbimi ynë mund të krahasohet me fushatat e mbretërve besnikë të Judës?

6 Po kështu, edhe ne sot marrim pjesë në një fushatë për t’i ndihmuar njerëzit të lirohen nga mësimet e rreme fetare, përfshirë edhe nga idhujtaria. Shërbimi shtëpi më shtëpi na jep mundësinë të takojmë njerëz të çdo lloji. (1 Tim. 2:4) Një vajzë aziatike kujton se si e ëma kryente rite fetare para shëmbëlltyrave të panumërta që kishin në shtëpi. Duke arsyetuar se jo të gjitha ato shëmbëlltyra mund të përfaqësonin Perëndinë e vërtetë, vajza lutej shpesh që të mund ta njihte atë. Një ditë, kur shkoi për të hapur derën e shtëpisë, pasi dëgjoi të trokitura, ajo pa dy Dëshmitare që ishin të gatshme ta ndihmonin që të mësonte emrin e veçantë të Perëndisë, Jehova. Dhe sa mirënjohëse ishte kur mësoi të vërtetën për idhujt! Zelli që tregon tani është për t’u lavdëruar, pasi merr pjesë me përkushtim në shërbim dhe i ndihmon njerëzit të njohin Perëndinë.—Psal. 83:18; 115:4-8; 1 Gjon. 5:21.

7. Çfarë mund të bëjmë në imitim të mësuesve që përshkuan vendin në ditët e Jehozafatit?

7 Kur jemi në shërbimin shtëpi më shtëpi, a e predikojmë në mënyrë të plotë territorin që na është caktuar? Vlen të përmendet që, në vitin e tretë të mbretërimit, Jehozafati u dërgoi fjalë pesë princave, nëntë levitëve dhe dy priftërinjve. Ai i dërgoi në të gjithë qytetet që t’u mësonin njerëzve ligjet e Jehovait. Fushata e tyre ishte kaq e suksesshme sa kombet përreth «i zuri tmerri nga Jehovai». (Lexo 2 Kronikave 17:9, 10.) Duke i vizituar njerëzit në kohë dhe ditë të ndryshme, mund të arrijmë të flasim me disa pjesëtarë të një familjeje.

8. Si mund ta zgjerojmë shërbimin?

8 Shumë shërbëtorë të Perëndisë në kohët e sotme kanë qenë të gatshëm të lënë shtëpinë e tyre dhe të shkojnë për të shërbyer atje ku ka më tepër nevojë për Dëshmitarë të zellshëm. A mund ta bëni edhe ju një gjë të tillë? Disa prej nesh që nuk mund të transferohen, mund të përpiqen t’u japin dëshmi njerëzve që jetojnë në zonën tonë, por që flasin një gjuhë tjetër. Për shkak të njerëzve me kombësi të ndryshme që takon në territorin e tij, Roni, në moshën 81-vjeçare, mësoi të përshëndeste në 32 gjuhë. Kohët e fundit, ai takoi në rrugë një çift afrikan dhe i përshëndeti në gjuhën e tyre, në jorube. Ata e pyetën Ronin nëse kishte qenë ndonjëherë në Afrikë. Kur ai u tha jo, ata e pyetën se nga e dinte gjuhën e tyre. Kjo i dha mundësi të jepte një dëshmi të shkëlqyer. Ata pranuan me gjithë qejf disa revista dhe i dhanë pa problem adresën e tyre, të cilën ai ia kaloi kongregacionit përkatës në mënyrë që çifti të fillonte një studim biblik.

9. Pse është e rëndësishme të përdorim Biblën në shërbim? Jepni një shembull.

9 Mësuesit që përshkuan vendin me urdhër të Jehozafatit, kishin me vete «librin e ligjit të Jehovait». Në mbarë botën, përpiqemi t’u mësojmë njerëzve Biblën, pasi ajo është Fjala e Perëndisë. Në shërbimin tonë, bëjmë përpjekje t’u lexojmë njerëzve shkrime drejtpërdrejt nga Bibla që të shohin se çfarë thotë ajo vetë. Njëherë, e zonja e një shtëpie i tha Lindës, një Dëshmitareje, se burri i saj që kishte pësuar hemorragji në tru dhe kishte nevojë për kujdesin e saj. Ajo tha e pikëlluar: «Nuk e di çfarë kam bërë që Perëndia lejoi të më ndodhte kjo.» Linda i tha: «Mund t’ju lexoj diçka ngushëlluese?» Pastaj i lexoi fjalët e Jakovit 1:13 dhe shtoi: «Të gjitha vuajtjet që kemi ne ose të afërmit tanë nuk janë dënim nga Perëndia.» Sakaq, gruaja e përqafoi me ngrohtësi Lindën. Linda kujton: «Arrita ta ngushëlloja duke përdorur Biblën. Ndonjëherë njerëzit nuk i kanë dëgjuar kurrë më parë vargjet që u lexojmë.» Pas kësaj bisede, ajo grua filloi një studim të rregullt biblik.

Të rinj që shërbejnë me zell

10. Si la Josia një shembull të mirë për të rinjtë e krishterë sot?

10 Nëse i kthehemi shembullit të Josisë, vëmë re se ai ndoqi adhurimin e vërtetë që i vogël, dhe ishte rreth 20 vjeç kur nisi një fushatë kundër idhujtarisë në mbarë vendin. (Lexo 2 Kronikave 34:1-3.) Të rinj të panumërt sot tregojnë një zell të ngjashëm në shërbim të Mbretërisë.

11-13. Ç’mësime mund të nxjerrim nga të rinjtë e sotëm që i shërbejnë Jehovait me zell?

11 Hana, që jeton në Angli, ishte 13 vjeçe dhe mësonte frëngjisht në shkollë kur mori vesh se në një qytet aty afër ishte formuar një grup i gjuhës frënge. I ati pranoi ta shoqëronte në mbledhjet që mbaheshin atje. Tani, në moshën 18-vjeçare, Hana shërben me zell në fushën e gjuhës frënge si pioniere e rregullt. A mund të mësoni edhe ju një gjuhë të huaj dhe të ndihmoni njerëz të tjerë që të njohin Jehovain?

12 Rejçëllit i pëlqeu shumë videoja Ndiqni synime që nderojnë Perëndinë. Duke folur për mënyrën e saj të të menduarit kur filloi t’i shërbente Jehovait më 1995, ajo thotë: «Mendoja se e kisha bërë timen të vërtetën.» Pastaj shton: «Tani që kam parë dramën, e kuptoj se tërë këto vite i kam bërë gjërat sa për të thënë. Duhet të luftoj për të vërtetën dhe të përfshihem me gjithë mendje e forcë në shërbim e në studimin tim personal.» Tani Rejçëlli po i shërben Jehovait me më shumë zell. Si ka përfituar nga kjo? «Marrëdhënia ime me Jehovain është më e fortë. Lutjet e mia janë më domethënëse, studimi im më i thellë e më i këndshëm dhe tregimet biblike më duken më reale. Si rezultat, tani më pëlqen shumë shërbimi dhe kënaqem vërtet kur shoh që të tjerët ngushëllohen nga fjalët e Jehovait.»

13 Luka është një i ri që u inkurajua nga një video tjetër, Të rinjtë pyesin: Çfarë do të bëj me jetën time? Pasi e pa, Luka shkroi: «Më bëri të mendoj se ç’po bëj me jetën time.» Ai pranon: «Në të kaluarën, isha nën presion që të arrija një siguri nga ana financiare duke shkuar në shkollë të lartë, dhe pastaj të përqendrohesha në synimet frymore. Ky lloj presioni nuk të ndihmon të përparosh nga ana frymore, por të bën të dobët.» Motra dhe vëllezër të rinj, pse të mos mendoni si mund ta përdorni atë që mësuat në shkollë për të zgjeruar shërbimin, ashtu si Hana. Dhe pse të mos imitoni shembullin e Rejçëllit duke ndjekur me zell synime që nderojnë vërtet Perëndinë? Ndiqni shembullin e Lukës duke shmangur rreziqet që kanë qenë një grackë për shumë të rinj.

Të zellshëm për t’u vënë veshin paralajmërimeve

14. (a) Ç’lloj adhurimi pranon Jehovai? (b) Pse kjo përbën një sfidë në ditët e sotme?

14 Populli i Jehovait duhet të jetë i pastër nëse do që adhurimi i tij të pranohet. Isaia paralajmëron: «Largohuni, largohuni! Dilni që andej e mos prekni asgjë të papastër. Dilni prej saj [Babilonisë] dhe qëndroni të pastër, ju që mbani pajisjet e shtëpisë së Jehovait.» (Isa. 52:11) Shumë vjet para se Isaia t’i shkruante këto fjalë, mbreti i mirë Asa me zell nisi një fushatë për të çrrënjosur imoralitetin në Judë. (Lexo 1 Mbretërve 15:11-13.) Dhe shekuj më vonë, apostulli Pavël i tha Titit se Jezui dha veten për të pastruar dishepujt e tij, që t’i bënte «një popull posaçërisht të vetin, të zellshëm për vepra të shkëlqyera». (Titit 2:14) Në shoqërinë e sotme plot vese, nuk është e lehtë të qëndrosh i pastër moralisht, sidomos për të rinjtë. Për shembull, të gjithë shërbëtorët e Perëndisë, si të rinjtë, edhe të moshuarit, duhet të luftojnë për të mos u ndotur nga pamjet erotike dhe pornografike që shfaqen në reklamat e rrugës, në ekranin e televizorit, në filma dhe sidomos në Internet.

15. Çfarë mund të na ndihmojë të zhvillojmë urrejtje për atë që është e keqe?

15 Zelli për t’u vënë veshin paralajmërimeve të Perëndisë mund të na ndihmojë të zhvillojmë urrejtje për atë që është e keqe. (Psal. 97:10; Rom. 12:9) Duhet ta kemi neveri pornografinë që «të çlirohemi nga tërheqja e saj e fuqishme si magnet», siç e shprehu një i krishterë. Që të shkëputen dy copa metalike të magnetizuara, duhet një forcë më e madhe sesa forca e tyre tërheqëse. Po kështu, duhen shumë përpjekje për t’i thënë jo joshjes së pornografisë. Por kur kuptojmë sa dëm mund të na bëjë pornografia, kjo na ndihmon ta urrejmë. Një vëlla bëri përpjekje të mëdha për të hequr vesin e hyrjes në sitet pornografike në Internet. Ai e çoi kompjuterin në një vend ku e gjithë familja mund ta shihte. Përveç kësaj, ai u bë më i vendosur për të qenë i pastër dhe i zellshëm për vepra të shkëlqyera. Madje bëri edhe diçka tjetër. Ngaqë Interneti i duhej për punën, vendosi ta përdorte vetëm kur kishte gruan përbri.

Vlera e sjelljes së mirë

16, 17. Si mund të ndikojë sjellja jonë e mirë tek ata që na shohin? Jepni një shembull.

16 Ç’frymë e mrekullueshme ekziston ndër të rinjtë që janë në shërbim të Jehovait dhe sa përshtypje u bën kjo atyre që i shohin! (Lexo 1 Pjetrit 2:12.) Një vizitor në Bethelin e Londrës ndryshoi gjithë pikëpamjen e tij për Dëshmitarët e Jehovait pasi punoi atje për një ditë që të riparonte një makinë shtypi. Gruaja e tij, e cila studionte Biblën me një Dëshmitare vendëse, vuri re se burri i saj kishte ndryshuar qëndrim. Më parë, nuk kishte dashur që Dëshmitarët të vinin në shtëpinë e tij. Por kur u kthye nga puna që kishte bërë në Bethel, ishte plot fjalë të mira për mënyrën se si e kishin trajtuar. Ai tha se askush nuk përdorte fjalë të pista. Të gjithë ishin të durueshëm dhe mbizotëronte një atmosferë paqësore. I kishte bërë përshtypje në mënyrë të veçantë fakti që të rinjtë punonin me zell dhe pa pagesë, duke dhënë me vullnet kohën dhe energjitë e tyre për të ndihmuar për përhapjen e lajmit të mirë.

17 Edhe vëllezërit e motrat që janë të punësuar në botë për të mbajtur familjen e tyre, e bëjnë punën me gjithë shpirt. (Kolos. 3:23, 24) Kjo shpesh i ndihmon të kenë një punë më të sigurt, pasi punëdhënësit vlerësojnë qëndrimin e tyre të ndërgjegjshëm dhe nuk duan t’i humbasin si punëtorë.

18. Si mund të jemi «të zellshëm për vepra të shkëlqyera»?

18 Besimi te Jehovai, bindja ndaj udhëzimeve të tij dhe kujdesi që tregojmë për vendet e mbledhjes, janë ndër mënyrat me të cilat tregojmë zell për shtëpinë e Jehovait. Përveç këtyre, duam të marrim pjesë në mënyrë sa më të plotë në veprën e predikimit për Mbretërinë dhe të bërjes së dishepujve. Qofshim të rinj a të moshuar, duke bërë çmos për të mbajtur normat e pastra që lidhen me adhurimin tonë, do të korrim shumë dobi. Dhe do të vazhdojmë të njihemi si popull ‘i zellshëm për vepra të shkëlqyera’.—Titit 2:14.

[Shënimi]

^ par. 4 Asa mund të ketë hequr vendet e larta që i përdornin për adhurimin e perëndive të rreme, por jo ato ku njerëzit adhuronin Jehovain. Ose ndoshta vendet e larta u rindërtuan gjatë pjesës së dytë të mbretërimit të Asës dhe u hoqën nga i biri, Jehozafati.—1 Mbret. 15:14; 2 Kron. 15:17.

Nga shembujt biblikë dhe të ditëve të sotme, çfarë mësuat në lidhje me mënyrën se:

• si ta tregoni zellin në predikim dhe mësimdhënie?

• si mund të jenë të rinjtë e krishterë «të zellshëm për vepra të shkëlqyera»?

• si të çliroheni nga veset korruptuese?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 13]

A e përdorni rregullisht Biblën në shërbim?

[Figura në faqen 15]

Mësimi i një gjuhe të huaj kur jeni në shkollë, mund të jetë një ndihmë për të zgjeruar shërbimin