Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kujdestari i besueshëm dhe Trupi i tij Udhëheqës

Kujdestari i besueshëm dhe Trupi i tij Udhëheqës

Kujdestari i besueshëm dhe Trupi i tij Udhëheqës

«Kush është në të vërtetë kujdestari i besueshëm, i maturi, të cilin zotëria i tij do ta emërojë mbi gjithë shërbëtorët e vet, që të vazhdojë t’u japë furnizime të mjaftueshme me ushqim në kohën e duhur?»—LUKA 12:42.

1, 2. Ç’pyetje të rëndësishme ngriti Jezui kur po jepte shenjën e përbërë të ditëve të fundit?

NDËRSA jepte shenjën e përbërë të ditëve të fundit, Jezui ngriti këtë pyetje: «Kush është në të vërtetë skllavi i besueshëm dhe i matur, të cilin zotëria i tij e emëroi mbi shërbëtorët e shtëpisë së vet, për t’u dhënë atyre ushqim në kohën e duhur?» Pastaj, Jezui vazhdoi të thoshte se ky skllav do të shpërblehej për besueshmërinë e tij dhe do të emërohej mbi gjithë zotërimet e Zotërisë.—Mat. 24:45-47.

2 Disa muaj më parë, Jezui kishte bërë një pyetje të ngjashme. (Lexo Lukën 12:42-44.) Ai e quajti skllavin ‘kujdestar’ dhe në të dyja rastet përmendi «shërbëtorët». Një kujdestar është administrator i një shtëpie, i cili caktohet mbi gjithë shërbëtorët. Megjithatë, kujdestari është edhe shërbëtor. Kush është ky skllav ose kujdestar dhe si siguron «ushqim në kohën e duhur»? Është jetësore për të gjithë ne të dallojmë kanalin që përdoret për të shpërndarë ushqim frymor.

3. (a) Si janë përpjekur t’i shpjegojnë komentuesit e krishterimit të rremë pohimet e Jezuit për ‘skllavin’? (b) Kush është «kujdestari» ose skllavi? (c) Kush janë «shërbëtorët»?

3 Komentuesit e krishterimit të rremë shpesh thonë se me këto fjalë Jezui po u referohej atyre që kanë pozita me përgjegjësi mes të ashtuquajturve të krishterë. Por Jezui, «zotëria» në ilustrim, nuk tha se do të kishte një shumicë skllevërish të shpërndarë nëpër sektet e ndryshme të krishterimit të rremë. Përkundrazi, tha qartë se do të kishte vetëm një ‘kujdestar’ ose ‘skllav’, të cilin do ta emëronte mbi gjithë zotërimet e veta. Prandaj, siç ka shpjeguar shpesh kjo revistë, kujdestari duhet të përfaqësojë ‘kopenë e vogël’ të dishepujve të mirosur si grup. Në kontekstin e Ungjillit të Lukës, Jezui sapo u ishte referuar këtyre. (Luka 12:32) Fjala «shërbëtorët» i referohet po këtij grupi, por thekson rolin e tyre si individë. Megjithatë, lind një pyetje interesante: a luan rol në sigurimin e ushqimit frymor në kohën e duhur secili pjesëtar i kësaj klase të skllavit? Përgjigjja bëhet e qartë kur shqyrtojmë nga afër atë që thonë Shkrimet.

Shërbëtori i Jehovait në të kaluarën

4. (a) Si e quajti Jehovai kombin e lashtë të Izraelit? (b) Çfarë është e rëndësishme të theksohet për atë komb?

4 Jehovai e quajti popullin e tij, kombin e lashtë të Izraelit, një shërbëtor të përbërë. «Ju [shumës] jeni dëshmitarët [shumës] e mi,—thotë Jehovai.—Jeni shërbëtori [njëjës] që kam zgjedhur.» (Isa. 43:10) Të gjithë pjesëtarët e kombit përfshiheshin në atë klasë të shërbëtorit. Por, është e rëndësishme të theksojmë se vetëm priftërinjtë, bashkë me levitët që nuk ishin priftërinj, kishin përgjegjësinë për të mësuar kombin.—2 Kron. 35:3; Mal. 2:7.

5. Cili ndryshim i rëndësishëm do të ndodhte sipas Jezuit?

5 A ishte kombi i Izraelit skllavi për të cilin foli Jezui? Jo. Këtë e dimë nga fjalët që u tha Jezui judenjve të kohës së tij: «Mbretëria e Perëndisë do t’ju merret dhe do t’i jepet një kombi që prodhon frytet e saj.» (Mat. 21:43) Është e qartë se do të ndodhte një ndryshim. Jehovai do të përdorte një komb të ri. Megjithatë, kur bëhet fjalë për mësimin frymor, vepra e skllavit në ilustrimin e Jezuit ndjek një model të ngjashëm me atë të ‘shërbëtorit’ të Perëndisë në Izraelin e lashtë.

Shfaqet skllavi i besueshëm

6. (a) Cili komb i ri erdhi në ekzistencë në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.? (b) Cilët u bënë pjesë e atij kombi?

6 Kombi i ri, ‘Izraeli i Perëndisë’, përbëhet nga izraelitë frymorë. (Gal. 6:16; Rom. 2:28, 29; 9:6) Ai erdhi në ekzistencë me derdhjen e frymës së shenjtë të Perëndisë në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Pas kësaj, të gjithë të krishterët e mirosur nga fryma u bënë pjesë e kombit që tani shërbente si klasa e skllavit e emëruar nga Zotëria, Jezu Krishti. Çdo pjesëtari të atij kombi iu dha caktimi që të predikonte lajmin e mirë dhe të bënte dishepuj. (Mat. 28:19, 20) Por, a duhej të përfshihej çdo pjesëtar i atij grupi në dhënien e ushqimit frymor në kohën e duhur? Le të shohim se si i përgjigjen Shkrimet kësaj pyetjeje.

7. Cila ishte vepra kryesore e apostujve dhe si u zgjerua më vonë?

7 Kur Jezui emëroi 12 apostujt, ai i dërgoi kryesisht për t’u predikuar lajmin e mirë të tjerëve. (Lexo Markun 3:13-15.) Ky caktim ishte në përputhje me kuptimin kryesor të fjalës greke apóstolos, e cila rrjedh nga një folje që do të thotë thjesht «dërgoj». Por, ndërsa koha kalonte dhe së shpejti do të themelohej kongregacioni i krishterë, roli i apostullit u bë një ‘detyrë mbikëqyrjeje’.—Vep. 1:20-26.

8, 9. (a) Cilët e kishin kryesisht përgjegjësinë për sigurimin e ushqimit frymor? (b) Kujt tjetër iu dha përgjegjësi, që u miratua nga trupi udhëheqës?

8 Cilët e kishin kryesisht përgjegjësinë për sigurimin e ushqimit frymor? Përgjigjja mund të shihet në ngjarjet pas festës së Ditës së Pesëdhjetë. Kur lindi një debat për shpërndarjen e përditshme të ushqimit për vejushat, 12 apostujt i mblodhën dishepujt dhe u thanë: «Perëndisë nuk do t’i pëlqente të linim fjalën e tij që të shpërndanim ushqim nëpër tryeza.» (Lexo Veprat 6:1-6.) Pastaj, apostujt emëruan vëllezër të tjerë të kualifikuar frymësisht që të kujdeseshin për këtë «detyrë të nevojshme» në mënyrë që apostujt t’i kushtoheshin «mësimit të fjalës së Perëndisë». Ky rregullim pati bekimin e Jehovait pasi «fjala e Perëndisë përhapej, dhe numri i dishepujve në Jerusalem shtohej gjithnjë e më shumë». (Vep. 6:7) Pra, përgjegjësinë për sigurimin e ushqimit frymor e kishin kryesisht apostujt.—Vep. 2:42.

9 Me kalimin e kohës, iu besuan përgjegjësi serioze edhe të tjerëve. Pavli dhe Barnaba, nën drejtimin e frymës së shenjtë, u dërguan si misionarë nga kongregacioni i Antiokisë. Edhe ata njiheshin si apostuj, ndonëse nuk ishin ndër 12 apostujt e parë. (Vep. 13:1-3; 14:14) Emërimi i tyre u miratua nga trupi udhëheqës në Jerusalem. (Gal. 2:7-10) Jo shumë kohë pas kësaj, Pavli mori pjesë në shpërndarjen e ushqimit frymor. Ai shkroi letrën e tij të parë të frymëzuar.

10. A u përfshinë të gjithë të krishterët e mirosur nga fryma në përgatitjen e ushqimit frymor në shekullin e parë? Shpjegoni.

10 Por, a u përfshinë të gjithë të krishterët e mirosur nga fryma në mbikëqyrjen e veprës së predikimit dhe në përgatitjen e ushqimit frymor? Jo. Apostulli Pavël thotë: «Mos janë të gjithë apostuj? Mos janë të gjithë profetë? Mos janë të gjithë mësues? Mos kryejnë të gjithë vepra të fuqishme?» (1 Kor. 12:29) Nga këto fjalë të Pavlit kuptohet që përgjigjja është jo. Edhe pse të gjithë të krishterët e lindur nga fryma përfshiheshin në veprën e predikimit, një numër shumë i kufizuar—vetëm tetë burra—u përdorën për të shkruar 27 librat e Shkrimeve të Krishtere Greke.

Skllavi i besueshëm në kohët e sotme

11. Mbi cilat ‘zotërime’ u emërua skllavi?

11 Fjalët e Jezuit të dokumentuara te Mateu 24:45, tregojnë qartë se do të kishte ende një klasë të skllavit të besueshëm e të matur që do të jetonte në tokë gjatë kohës së fundit. Zbulesa 12:17 i quan këta ‘mbetja’ e farës së gruas. Si grup, kjo mbetje është emëruar mbi gjithë zotërimet e Krishtit këtu në tokë. «Zotërimet» për të cilat kujdestari i besueshëm është emëruar të kujdeset, janë interesat mbretërore të Zotërisë këtu në tokë. Në to përfshihen nënshtetasit e Mbretërisë në tokë dhe ndërtesat e pajisjet që përdoren për predikimin e lajmit të mirë.

12, 13. Si e di një i krishterë ose e krishterë se ka marrë thirrjen qiellore?

12 Si e di një i krishterë ose e krishterë nëse ka shpresë qiellore dhe bën pjesë në këtë mbetje të izraelitëve frymorë? Përgjigjja gjendet në fjalët e apostullit Pavël drejtuar atyre që, ashtu si ai, kishin të njëjtën shpresë qiellore: «Të gjithë ata që drejtohen nga fryma e Perëndisë, janë bij të Perëndisë. Sepse ju nuk morët një frymë skllavërie, që shkakton përsëri frikë, por morët një frymë birësimi, me anë të së cilës ne thërrasim: ‘Abba, o Atë!’ Fryma e Perëndisë jep dëshmi bashkë me frymën tonë, se jemi fëmijë të Perëndisë. Prandaj, nëse jemi fëmijë, jemi edhe trashëgimtarë: vërtet trashëgimtarë të Perëndisë, si edhe bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, me kusht që të vuajmë bashkë me të, që edhe të na jepet lavdi bashkë me të.»—Rom. 8:14-17.

13 E thënë thjesht, këta individë mirosen nga fryma e shenjtë e Perëndisë dhe marrin një ‘thirrje’ ose ftesë qiellore. (Hebr. 3:1) Kjo ftesë personale vjen nga Perëndia. Nga ana e tyre, ata përgjigjen menjëherë pa dyshuar ose pa pasur frikë ta pranojnë këtë lindje si bij të Perëndisë. (Lexo 1 Gjonit 2:20, 21.) Pra, ata nuk e zgjedhin vetë këtë shpresë, por Jehovai u vë vulën e tij ose frymën e shenjtë.—2 Kor. 1:21, 22; 1 Pjet. 1:3, 4.

Pikëpamja e duhur

14. Si e konsiderojnë të mirosurit thirrjen e tyre?

14 Si duhet ta konsiderojnë veten këta të mirosur, ndërsa presin shpërblimin qiellor? Ata e kuptojnë që, ndonëse kanë marrë një ftesë të mrekullueshme, ajo është thjesht një ftesë. Që të marrin këtë çmim, duhet të qëndrojnë besnikë deri në vdekje. Me përulësi, ata u bëjnë jehonë fjalëve të Pavlit: «Vëllezër, unë nuk e konsideroj veten sikur tashmë e kam kapur atë, por ka një gjë në lidhje me këtë: po i harroj gjërat që lashë pas, po synoj drejt atyre që kam para, dhe po sulem drejt qëllimit për të marrë çmimin e thirrjes qiellore të Perëndisë me anë të Krishtit Jezu.» (Filip. 3:13, 14) Ata të mbetjes së mirosur duhet të bëjnë çmos që ‘të ecin denjësisht për thirrjen e tyre, me përulësi të plotë mendjeje’, duke e bërë këtë «me frikë dhe me dridhma».—Efes. 4:1, 2; Filip. 2:12; 1 Sel. 2:12.

15. (a) Si duhet t’i konsiderojnë të krishterët ata që marrin simbolet në Përkujtim? (b) Si e konsiderojnë veten të mirosurit?

15 Nga ana tjetër, si duhet ta konsiderojnë të krishterët e tjerë dikë që thotë se ka marrë këtë mirosje dhe fillon të marrë simbolet në Përkujtim? Ai ose ajo nuk duhet gjykuar. Kjo është një çështje mes atij personi dhe Jehovait. (Rom. 14:12) Megjithatë, të krishterët që kanë marrë vërtet këtë mirosje, nuk kërkojnë vëmendje të veçantë. Ata nuk mendojnë se meqë janë nga të mirosurit, kanë kuptueshmëri më të thellë të gjërave frymore sesa mund të kenë disa pjesëtarë me përvojë të ‘shumicës së madhe’. (Zbul. 7:9) Nuk mendojnë se kanë medoemos më shumë frymë të shenjtë se shokët e tyre, ‘delet e tjera’. (Gjoni 10:16) Nuk presin një trajtim të veçantë dhe as pretendojnë se, meqë marrin simbolet, kjo i lartëson mbi pleqtë e emëruar në kongregacion.

16-18. (a) A janë të përfshirë të gjithë të mirosurit në dhënien e të vërtetave të reja frymore? Jepni një shembull. (b) Pse nuk ka nevojë që Trupi Udhëheqës të këshillohet me të gjithë ata që thonë se janë të mirosur?

16 A bëjnë pjesë të gjithë këta të mirosur anembanë tokës në një rrjet ndërkombëtar që është përfshirë në ndonjë mënyrë në zbulimin e të vërtetave të reja frymore? Jo. Megjithëse si grup klasa e skllavit ka përgjegjësinë për të ushqyer pjesëtarët e shtëpisë frymore, jo të gjithë individët e klasës së skllavit kanë të njëjtat përgjegjësi ose caktime. (Lexo 1 Korintasve 12:14-18.) Siç u tha më sipër, në shekullin e parë, të gjithë ishin përfshirë në veprën jetësore të predikimit. Por vetëm një numër shumë i kufizuar u përdor për të shkruar librat e Biblës dhe për të mbikëqyrur kongregacionin e krishterë.

17 Të bëjmë një shembull: Shkrimet ndonjëherë thonë për «kongregacionin» se ndërmerr një veprim të caktuar në trajtimin e çështjeve gjyqësore. (Mat. 18:17) Por, faktikisht janë vetëm pleqtë që ndërmarrin këtë veprim në detyrën e tyre si përfaqësues të kongregacionit. Para se të marrin një vendim, pleqtë nuk flasin me gjithë pjesëtarët e kongregacionit për të kërkuar mendimin e tyre. Ata kryejnë rolin që u është caktuar; veprojnë në emër të të gjithë kongregacionit.

18 Në mënyrë të ngjashme, sot një numër i kufizuar të mirosurish kanë përgjegjësinë që të përfaqësojnë klasën e skllavit. Ata përbëjnë Trupin Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Këta burra të mirosur nga fryma mbikëqyrin veprën e Mbretërisë dhe programin e sigurimit të ushqimit frymor. Por, ashtu si në shekullin e parë, Trupi Udhëheqës nuk këshillohet me çdo pjesëtar të klasës së skllavit para se të marrë vendime. (Lexo Veprat 16:4, 5.) Megjithatë, të gjithë Dëshmitarët e mirosur janë tejet të përfshirë në veprën jetësore të korrjes që po kryhet tani. Si klasë, «skllavi i besueshëm dhe i matur» përbën një trup të vetëm, por si individë, ata kanë caktime të ndryshme.—1 Kor. 12:19-26.

19, 20. Ç’pikëpamje të drejtpeshuar ka shumica e madhe për ‘skllavin e besueshëm e të matur’ dhe për Trupin e tij Udhëheqës?

19 Ç’ndikim duhet të kenë faktet e mësipërme te shumica e madhe gjithnjë në rritje, që shpreson të jetojë përgjithmonë në tokë? Si pjesë e zotërimeve të Mbretit, ata janë të lumtur të bashkëpunojnë plotësisht me masat e marra nga Trupi Udhëheqës, i cili përfaqëson ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’. Pjesëtarët e shumicës së madhe e çmojnë ushqimin frymor që përgatitet nën drejtimin e Trupit Udhëheqës. Por në të njëjtën kohë, ndonëse respektojnë skllavin si klasë, pjesëtarët e shumicës së madhe tregojnë kujdes të mos lartësojnë ndonjë individ që thotë se është pjesë e këtij skllavi. Asnjë i krishterë që merr vërtet mirosjen nga fryma e Perëndisë nuk duhet të dojë ose të presë një trajtim të tillë.—Vep. 10:25, 26; 14:14, 15.

20 Pavarësisht nëse jemi ‘shërbëtorë’ të cilët bëjnë pjesë në mbetjen e mirosur apo pjesëtarë të shumicës së madhe, le të jemi të vendosur të bashkëpunojmë plotësisht me kujdestarin e besueshëm dhe me Trupin e tij Udhëheqës. Urojmë që secili prej nesh ‘të qëndrojë vigjilent’ dhe besnik deri në fund!—Mat. 24:13, 42.

A ju kujtohet?

• Kush është «skllavi i besueshëm dhe i matur» dhe cilët janë shërbëtorët?

• Si e di një i krishterë ose e krishterë se ka thirrjen qiellore?

• Kush e ka përgjegjësinë kryesore për të përgatitur ushqimin e ri frymor?

• Si duhet ta konsiderojë veten një i mirosur?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 23]

Sot Trupi Udhëheqës përfaqëson klasën e skllavit të besueshëm dhe të matur. Një gjë e ngjashme ishte edhe në shekullin e parë