Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’ia kthej Jehovait gjithë të mirat?

Si t’ia kthej Jehovait gjithë të mirat?

Si t’ia kthej Jehovait gjithë të mirat?

Treguar nga Rut Dane

Mamaja e kishte zakon të thoshte me shaka se viti 1933 ishte një vit katastrofash: Hitleri mori pushtetin, papa e shpalli Vit të Shenjtë dhe linda unë.

PRINDËRIT e mi jetonin në qytetin e Jucit, në Lorenë, një zonë historike e Francës afër kufirit me Gjermaninë. Mamaja, një katolike e devotshme, dhe babai, që ishte protestant, u martuan në vitin 1921. Motra ime e madhe, Helena, lindi më 1922, dhe prindërit e pagëzuan në Kishën Katolike kur ishte ende foshnjë.

Një ditë, më 1925, babait i ra në dorë një kopje e librit Harpa e Perëndisë në gjermanisht. Kur e lexoi, u bind se kishte gjetur të vërtetën. U shkroi një letër botuesve të librit, të cilët e ndihmuan të lidhej me Bibelforscher, siç njiheshin atëherë në Gjermani Dëshmitarët e Jehovait. Pa humbur kohë, babai filloi t’u fliste të tjerëve për atë që kishte mësuar. Mamaja nuk ishte shumë e kënaqur për këtë. «Bëj ç’të duash,—bërtiste ajo me gjermanishten e saj të lezetshme,—por mos u bashko me ata Bibelforscher!» Megjithatë, babai e kishte ndarë mendjen dhe në vitin 1927 u pagëzua duke u bërë një prej tyre.

Për këtë arsye, gjyshja nga ana e mamasë filloi ta shtynte mamanë që të divorcohej. Një ditë gjatë meshës në kishë, prifti i paralajmëroi anëtarët e kishës së tij që «t’i qëndronin larg profetit të rremë Dane». Kur u kthye në shtëpi nga mesha, gjyshja i hodhi babait nga kati i sipërm i shtëpisë sonë një vazo lulesh. Vazoja e rëndë për pak sa s’i ra në kokë, por e goditi si predhë në shpatull. Kjo e bëri mamanë të mendonte: «Një fe që i kthen njerëzit në vrasës, s’mund të jetë e mirë.» Ajo filloi të lexonte botimet e Dëshmitarëve të Jehovait. Shumë shpejt, edhe ajo u bind se kishte gjetur të vërtetën dhe u pagëzua më 1929.

Prindërit e mi bënë çmos që Jehovai të ishte real për mua dhe motrën time. Ata na lexonin tregime biblike dhe pastaj na pyesnin përse kishin vepruar në atë mënyrë personazhet biblike. Gjatë asaj kohe, babai nuk pranonte të punonte natën ose me turne, edhe pse kjo do të thoshte shumë më pak të ardhura financiare për familjen tonë. Ai donte të kishte kohë për mbledhjet e krishtere, për shërbimin dhe për studimin që bënte me fëmijët.

Grumbullohen re të zeza

Prindërit rregullisht mikpritnin mbikëqyrës qarkorë dhe bethelitë nga Zvicra dhe Franca, të cilët na tregonin për vështirësitë që po hasnin bashkëbesimtarët tanë në Gjermani, vetëm pak kilometra larg shtëpisë sonë. Qeveria naziste po internonte Dëshmitarë të Jehovait në kampe përqendrimi dhe po i ndante fëmijët nga prindërit Dëshmitarë.

Helena dhe unë ishim përgatitur t’i përballonim sprovat që na prisnin. Prindërit na ndihmuan të mësonim përmendësh vargje biblike që do të na drejtonin. Ata na thoshin: «Nëse nuk dini ç’të bëni, mendoni për Proverbat 3:5, 6. Nëse keni frikë nga sprovat në shkollë, përdorni 1 Korintasve 10:13. Nëse ju ndajnë nga ne, kujtoni Proverbat 18:10.» Mësova përmendësh Psalmet 23 e 91, dhe fitova sigurinë se Jehovai do të më mbronte gjithmonë.

Në vitin 1940, Gjermania naziste e aneksoi Alzas-Lorenën si pjesë të Gjermanisë, dhe regjimi i ri kërkonte që gjithë të rriturit të futeshin në partinë naziste. Babai nuk pranoi dhe Gestapoja e kërcënoi se do ta arrestonte. Kur mamaja nuk pranoi të bënte uniforma ushtarake, Gestapoja filloi ta kërcënonte edhe atë.

Shkolla u bë një makth i vërtetë për mua. Çdo ditë, klasa jonë e fillonte mësimin me një lutje për Hitlerin, me nderimin «Hail Hitler» dhe me himnin kombëtar duke shtrirë krahun e djathtë. Prindërit nuk më thoshin që të mos nderoja si nazistët, por më ndihmonin që të stërvitja ndërgjegjen time. Prandaj, unë vetë mora vendimin që të mos nderoja si nazistët. Mësuesit më goditën me pëllëmbë dhe më kërcënuan se do të më përjashtonin nga shkolla. Një herë, kur isha shtatë vjeçe, më nxorën para 12 mësuesve të shkollës. Ata u përpoqën të më detyronin që të nderoja si nazistët. Megjithatë, me ndihmën e Jehovait, unë nuk u lëkunda.

Një nga mësueset u përpoq të më bindte duke më prekur në ndjenja. Ajo më tha se isha nxënëse e mirë, se i pëlqeja shumë dhe se do t’i vinte keq po të përjashtohesha nga shkolla. Ajo tha: «S’ke pse e shtrin krahun deri në fund. Ngrije vetëm pak. Dhe nuk ke pse thua ‘Hail Hitler’. Lëvizi vetëm pak buzët dhe bëj sikur e thua.»

Kur i thashë mamasë për këtë që po bënte mësuesja, ajo më kujtoi tregimin biblik të tre të rinjve hebrenj para shëmbëlltyrës së ngritur nga mbreti i Babilonisë. «Çfarë duhej të bënin ata?»—më pyeti ajo. «Të përkuleshin»,—iu përgjigja unë. «A do të kishte qenë e drejtë, nëse në momentin që duhej të përkuleshin para shëmbëlltyrës, ata të uleshin për të lidhur sandalet? Vendos ti; bëj atë që të duket ty e drejtë.» Si Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja, vendosa t’i qëndroja besnike Jehovait.—Dan. 3:1, 13-18.

Mësuesit më përjashtuan disa herë nga shkolla dhe më kërcënonin se do të më ndanin nga prindërit. Isha shumë në ankth, por prindërit e mi më inkurajonin vazhdimisht. Kur nisesha për në shkollë, mamaja lutej me mua dhe i kërkonte Jehovait të më mbronte. E dija se ai do të më forconte që të qëndroja e patundur në të vërtetën. (2 Kor. 4:7) Babai më tha që, nëse nuk do ta duroja dot më presionin që më bënin, nuk duhej të kisha frikë të kthehesha në shtëpi. «Ne të duam. Ti do të jesh gjithmonë vajza jonë,—më tha ai.—Kjo çështje është midis teje dhe Jehovait.» Ato fjalë ma shtuan dëshirën për të mos hequr dorë nga integriteti im.—Jobi 27:5.

Gestapoja vinte shpesh në shtëpinë tonë dhe kërkonte për botime të Dëshmitarëve e për të marrë në pyetje prindërit e mi. E merrnin mamanë për orë të tëra dhe babanë e motrën nga vendi i punës. Kur kthehesha nga shkolla, asnjëherë nuk e dija nëse do ta gjeja mamanë në shtëpi. Ndonjëherë, një nga fqinjet më thoshte: «Ta kanë marrë mamin.» Pastaj fshihesha në shtëpi duke menduar: «Mos vallë po e torturojnë? A do ta shoh më?»

Internimi

Më 28 janar 1943, Gestapoja na zgjoi në tre e gjysmë të mëngjesit. Ata thanë që, nëse prindërit e mi, motra dhe unë do të futeshim në partinë naziste, nuk do të na internonin. Pastaj na lanë tri orë kohë për t’u bërë gati. Mamaja ishte përgatitur për këtë situatë dhe na kishte bërë gati çantat e shpinës ku kishte futur një palë ndërresa dhe një Bibël, kështu që ato orë i shfrytëzuam për t’u lutur dhe për të inkurajuar njëri-tjetrin. Babai na kujtoi se ‘asgjë nuk mund të na ndante nga dashuria e Perëndisë’.—Rom. 8:35-39.

Gestapoja u kthye. Nuk kam për ta harruar kurrë motrën e moshuar Anglad që na përshëndeste me dorë me lot në sy. Gestapoja na çoi me makinë deri te stacioni i trenit në Mec. Pas tri ditësh udhëtim me tren, mbërritëm në Kokuovice, një degë e kampit të Aushvicit në Poloni. Dy muaj më vonë, na transferuan në Glivice, një manastir i kthyer në kamp pune. Nazistët na thanë që, nëse secili prej nesh do të firmoste një dokument ku nënshkruante dorëheqjen nga besimi, ata do të na lironin dhe do të na kthenin gjithçka që na kishin marrë. Babai e mamaja nuk pranuan, dhe ushtarët thanë: «S’keni për t’u kthyer kurrë në shtëpi!»

Në qershor na transferuan në Shfjentokuovice, ku më filluan ca dhembje koke që më përsëriten edhe sot e kësaj dite. M’u infektuan disa nga gishtat dhe një doktor më hoqi disa nga thonjtë pa anestezi fare. Diçka pozitive ishte puna ime, ku më duhej të kryeja porositë e rojave dhe prandaj shkoja shpesh te furra e bukës. Një grua atje më jepte diçka për të ngrënë.

Deri në atë kohë, kishim ndenjur bashkë si familje, të veçuar nga të burgosurit e tjerë. Në tetor të vitit 1943 na dërguan në një kamp në Zompkovice. Flinim në krevate marinari në një papafingo me 60 burra, gra e fëmijë të tjerë. Oficerët SS siguroheshin që ushqimi që na sillnin të ishte i ndotur dhe gati i pangrënshëm.

Pavarësisht nga vuajtjet, nuk reshtëm kurrë së shpresuari. Kishim lexuar në Kullën e Rojës për veprën e madhe të predikimit që do të bëhej pas luftës. Prandaj e dinim pse po vuanim dhe se vuajtjeve tona do t’u vinte fundi shumë shpejt.

Kur dëgjonim për afrimin e ushtrive aleate, e kuptonim se nazistët po e humbnin luftën. Në fillim të vitit 1945, SS-të vendosën ta braktisnin kampin tonë. Më 19 shkurt, na detyruan të marshonim për gati 240 kilometra. Pas katër javësh, mbërritëm në Shtainfels, Gjermani, ku rojat i grumbulluan të burgosurit në një minierë. Shumë menduan se do të na vrisnin. Por pikërisht atë ditë mbërritën forcat aleate, SS-të ia mbathën dhe vuajtjet tona morën fund.

Arrij synimet e mia

Më 5 maj 1945, pas gati dy vjet e gjysmë, arritëm në shtëpinë tonë në Juc, të pistë dhe plot me morra. Nuk i kishim ndërruar rrobat e trupit që në shkurt, kështu që vendosëm t’i digjnim ato rroba të vjetra. Më kujtohet mamaja që na tha: «Le të jetë kjo dita më e bukur e jetës suaj. Nuk kemi asgjë. Edhe rrobat që kemi në trup nuk janë tonat. Megjithatë, të katërt jemi kthyer besnikë. Nuk bëmë kompromis.»

Pasi mora veten për tre muaj në Zvicër, u ktheva në shkollë, por këtë herë pa frikën e përjashtimit. Tani mund të takonim vëllezërit tanë frymorë dhe të predikonim hapur. Më 28 gusht 1947, në moshën 13-vjeçare, e bëra publik zotimin që kisha marrë para Jehovait vite më parë. Babai më pagëzoi në lumin Mozel. Doja të bëhesha pioniere menjëherë, por babai nguli këmbë që të mësoja një zanat. Kështu u bëra rrobaqepëse. Më 1951, kur isha 17 vjeçe, u caktova si pioniere për të shërbyer aty afër në Tionvil.

Atë vit, ndoqa një asamble në Paris dhe bëra kërkesë për të shërbyer si misionare. Nuk e kisha mbushur moshën, por vëlla Nejthën Nori tha se do ta mbante kërkesën time «për më vonë». Në qershor të vitit 1952, mora një ftesë për të ndjekur klasën e 21-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit në Lansingun Jugor, Nju-Jork, SHBA.

Galaadi dhe më pas

Ç’përvojë! Shpesh e kisha të vështirë të flisja në publik, madje edhe në gjuhën time. Ndërsa tani duhej të flisja në anglisht. Por, instruktorët më ndihmuan me dashuri. Një vëlla më quante «Buzëqeshja e Mbretërisë» nga buzëqeshja që më lexohej në fytyrë kur isha e ndrojtur.

Diplomimi ynë u bë më 19 korrik 1953 në stadiumin «Jenki» në Nju-Jork, dhe caktimi im ishte në Paris bashkë me Ida Kanduson (më vonë Sinjobos). T’u predikoje të pasurve të Parisit ishte e sikletshme, por munda të studioja Biblën me shumë njerëz të përulur. Ida u martua dhe shkoi në Afrikë më 1956, kurse unë vazhdova në Paris.

Më 1960, u martova me një vëlla që shërbente në Bethel, dhe shërbyem si pionierë specialë në Shomon dhe Vishi. Pesë vjet më vonë, mora tuberkulozin dhe m’u desh ta ndërpritja shërbimin si pioniere. Ndihesha shumë keq sepse që e vogël kisha pasur si synim të filloja shërbimin në kohë të plotë dhe ta vazhdoja. Ca kohë më vonë, burri më la për një grua tjetër. Mbështetja e motrave dhe vëllezërve frymorë më ndihmoi gjatë atyre viteve të errëta, dhe Jehovai e mbajti barrën time vazhdimisht.—Psal. 68:19.

Tani jetoj në Luvje, Normandi, afër zyrës së degës në Francë. Me gjithë problemet shëndetësore, jam e lumtur që kam parë dorën e Jehovait në jetën time. Edukimi që mora në fëmijëri më ndihmon edhe sot e kësaj dite që të kem frymën e duhur. Prindërit më mësuan se Jehovai është një person real që mund ta dua, mund t’i flas dhe që u përgjigjet lutjeve të mia. E «si t’ia kthej Jehovait gjithë të mirat që më ka bërë»?!—Psal. 116:12.

[Diçitura në faqen 6]

«Jam e lumtur që kam parë dorën e Jehovait në jetën time»

[Figura në faqen 5]

Me maskën e kundërgazit, kur isha gjashtë vjeçe

[Figura në faqen 5]

Me misionarët dhe pionierët në Luksemburg për një fushatë të veçantë predikimi kur isha 16 vjeçe

[Figura në faqen 5]

Me babanë dhe mamanë në një kongres në vitin 1953