Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse dhe si të delegosh?

Pse dhe si të delegosh?

Pse dhe si të delegosh?

DELEGIMI i përgjegjësive është shumë më i vjetër se planeti Tokë. Jehovai krijoi Birin e tij të vetëmlindur dhe pastaj, duke e përdorur atë si «kryemjeshtër», krijoi universin. (Prov. 8:22, 23, 30; Gjoni 1:3) Kur Perëndia krijoi çiftin e parë njerëzor, u tha që ‘ta mbushnin tokën e ta sundonin’. (Zan. 1:28) Krijuesi u caktoi si punë njerëzve që ta zgjeronin Parajsën e Edenit derisa të mbulonte të gjithë tokën. Po, që në fillim, delegimi i përgjegjësive ka qenë një karakteristikë e organizatës së Jehovait.

Ç’do të thotë të delegosh? Pse pleqtë e krishterë duhet të mësojnë t’ua delegojnë të tjerëve disa detyra kongregacioni dhe si mund ta bëjnë këtë?

Ç’do të thotë të delegosh?

Të delegosh do të thotë t’i besosh diçka një tjetri; ta caktosh si përfaqësues të dikujt; t’i japësh përgjegjësi ose autoritet. Pra, të delegosh kërkon që të përfshish të tjerë në arritjen e synimeve. Kjo natyrisht kërkon t’u japësh atyre autoritet.

Prej atyre që u jepet të bëjnë një punë në kongregacionin e krishterë, pritet që ta përmbushin caktimin e tyre, të raportojnë se si po ecën puna dhe zakonisht të këshillohen me atë që ua delegoi punën. Megjithatë, përgjegjësinë kryesore e ka vëllai i emëruar që delegoi punën. Ai duhet të vëzhgojë si po ecën puna dhe të japë këshilla sipas nevojës. Megjithatë, disa mund të pyesin: «Pse të delegosh kur mund ta bësh vetë punën?»

Pse të delegosh?

Mendoni se si Jehovai krijoi Birin e tij të vetëmlindur dhe e përfshiu në veprat e tjera krijuese. Po, «me anë të tij u krijua gjithçka në qiej dhe në tokë, gjërat e dukshme dhe të padukshme». (Kolos. 1:16) Krijuesi mund të kishte bërë gjithçka vetë, por ai vendosi që Biri i tij të provonte gëzimin e kryerjes së një vepre frytdhënëse. (Prov. 8:31) Kjo e ndihmoi Birin që të mësonte më shumë për cilësitë e Perëndisë. Në njëfarë kuptimi, Ati e përdori këtë mundësi për të stërvitur Birin e tij të vetëmlindur.

Kur ishte në tokë, Jezu Krishti imitoi Atin duke deleguar përgjegjësi. Ai stërviti gradualisht dishepujt e tij. I dërgoi 12 apostujt, dhe më vonë 70 dishepuj të tjerë, që të merrnin drejtimin në veprën e predikimit. (Luka 9:1-6; 10:1-7) Kur më vonë Jezui arriti në këto vende, tashmë ishte hedhur një themel mbi të cilin të ndërtonte. Kur u largua nga toka, Jezui u delegoi dishepujve të tij të stërvitur përgjegjësi më të mëdha, përfshirë veprën mbarëbotërore të predikimit.—Mat. 24:45-47; Vep. 1:8.

Delegimi i përgjegjësive dhe stërvitja e të tjerëve u bënë karakteristika të kongregacionit të krishterë. Apostulli Pavël i tha Timoteut: «Gjërat që dëgjove nga unë . . . besojua njerëzve të besueshëm, të cilët pastaj duhet të jenë të kualifikuar aq sa duhet për të mësuar edhe të tjerë.» (2 Tim. 2:2) Po, ata me përvojë duhet të stërvitin të tjerë, të cilët nga ana e tyre do të stërvitin të tjerë akoma.

Duke deleguar një pjesë të punës që i është caktuar, një plak mund të ndajë me të tjerë gëzimin që vjen nga mësimdhënia dhe vepra baritore. Meqë e kuptojnë se aftësitë njerëzore janë të kufizuara, pleqtë kanë edhe më shumë arsye që t’u kërkojnë të tjerëve t’i ndihmojnë në përgjegjësitë e kongregacionit. Bibla thotë: «Mençuria është me modestët.» (Prov. 11:2) Modestia përfshin të jesh i vetëdijshëm për kufizimet e tua. Nëse përpiqesh të bësh gjithçka vetë, mund të rraskapitesh dhe të mos i kushtosh familjes atë kohë që, në rast të kundërt, mund ta kaloje me ta. Prandaj, është vërtet një veprim i mençur të ndash peshën e përgjegjësisë. Të marrim si shembull vëllanë që shërben si koordinator i trupit të pleqve. Ai mund t’u kërkojë pleqve të tjerë që të bëjnë verifikimin e llogarisë së kongregacionit. Duke shqyrtuar regjistrimet e llogarisë, këta pleq mund të njohin më mirë gjendjen financiare të kongregacionit.

Delegimi i përgjegjësive u jep të tjerëve mundësinë që të fitojnë aftësitë dhe përvojën e nevojshme, por edhe e ndihmon atë që ka deleguar përgjegjësinë, të vëzhgojë aftësitë e atyre të cilëve u është dhënë detyra. Pra, duke u deleguar detyra të përshtatshme në kongregacion vëllezërve që mund të kualifikohen në të ardhmen si shërbëtorë ndihmës, pleqtë mund t’i provojnë «nëse janë të aftë» për këtë kualifikim.—1 Tim. 3:10.

Së fundi, duke deleguar përgjegjësi, pleqtë tregojnë besimin e tyre ndaj të tjerëve. Pavli e stërviti Timoteun duke punuar me të në shërbimin misionar. Midis këtyre dy burrave u krijua një lidhje e ngushtë. Pavli e quajti Timoteun «birin e vërtetë në besim». (1 Tim. 1:2) Në mënyrë të ngjashme, një lidhje e fortë u krijua midis Jehovait dhe Jezuit teksa punonin bashkë në krijimin e të gjitha gjërave të tjera. Duke u besuar punë të tjerëve, pleqtë mund të zhvillojnë një marrëdhënie të ngrohtë me ta.

Pse disa ngurrojnë?

Megjithëse i dinë dobitë që vijnë, disa pleq e kanë të vështirë të delegojnë përgjegjësi; ndoshta ngurrojnë duke menduar se do të kenë më pak autoritet. Ata mund të mendojnë se, si të thuash, duhet të jenë gjithmonë vetë në timon. Por, të mos harrojmë se para ngjitjes në qiell, Jezui i autorizoi dishepujt që të kryenin një caktim të rëndësishëm, duke e ditur mirë se ata do të kryenin vepra më të mëdha se e tija.—Mat. 28:19, 20; Gjoni 14:12.

Pleq të tjerë mund të kenë deleguar përgjegjësi në të kaluarën, por nuk kanë parë rezultate të kënaqshme. Ata ndoshta mendojnë se vetë mund ta bëjnë punën më mirë e më shpejt. Por, shqyrtoni shembullin e Pavlit. Ai e dinte vlerën e delegimit të përgjegjësive, por edhe e kuptonte se ata që do të stërviteshin, nuk do t’i bënin gjithnjë detyrat e caktuara siç priste ai. Në udhëtimin e tij të parë misionar, Pavli stërviti shokun e tij të ri të udhëtimit, Markun. Ai u zhgënjye shumë kur Marku la caktimin dhe u kthye në shtëpi. (Vep. 13:13; 15:37, 38) Megjithatë, kjo nuk e ndali Pavlin që të stërviste të tjerë. Siç e përmendëm, ai ftoi të riun e krishterë, Timoteun, të bëhej shok udhëtimi me të. Kur Timoteu ishte gati të merrte përgjegjësi më të mëdha, Pavli e la në Efes, duke i besuar autoritetin që të emëronte mbikëqyrës dhe shërbëtorë ndihmës.—1 Tim. 1:3; 3:1-10, 12, 13; 5:22.

Në mënyrë të ngjashme, pleqtë sot nuk duhet të heqin dorë nga stërvitja e vëllezërve vetëm sepse një prej tyre nuk reagoi mirë ndaj stërvitjes. Është e mençur dhe e rëndësishme që të mësojnë t’u besojnë të tjerëve dhe t’i stërvitin ata. Por, cilët faktorë duhet të kenë parasysh pleqtë kur delegojnë përgjegjësi?

Si të delegosh?

Kur delegoni përgjegjësi, shqyrtoni kualifikimet e vëllezërve që keni në mendje. Kur në Jerusalem lindi nevoja për shpërndarjen e përditshme të ushqimit, apostujt zgjodhën ‘shtatë burra për të cilët flitej mirë, që ishin plot frymë dhe mençuri’. (Vep. 6:3) Nëse i kërkoni një personi jo të besueshëm që të bëjë një punë, ai mund të mos e bëjë. Prandaj, në fillim delegoni detyra të vogla. Kur dikush tregohet i besueshëm, mund të jetë në gjendje të mbajë më shumë përgjegjësi.

Por, ka edhe më shumë. Njerëzit kanë personalitete dhe aftësi të ndryshme. Gjithashtu, nuk kanë të njëjtën përvojë. Një vëlla miqësor dhe i sjellshëm mund ta bëjë mirë punën si përcjellës, kurse një që është i rregullt dhe sistematik mund të jetë shumë i dobishëm si ndihmëssekretar i kongregacionit. Një motër me shije artistike mund të caktohet për sistemimin e luleve për Përkujtimin.

Kur caktoni përgjegjësi, përcaktoni qartë se çfarë pritet. Para se Gjon Pagëzori të dërgonte njerëz te Jezui, ai u shpjegoi atyre se çfarë donte të dinte dhe u tregoi pyetjen që duhej t’i bënin Jezuit. (Luka 7:18-20) Nga ana tjetër, kur Jezui i udhëzoi dishepujt të mblidhnin ushqimin e mbetur që e kishte siguruar me anë të një mrekullie, ai ua la atyre në dorë hollësitë e kësaj pune. (Gjoni 6:12, 13) Pra, lloji i detyrës dhe kualifikimet e atij që do të ndihmojë, ndikojnë shumë. Edhe ai që delegon, edhe ai që ftohet të kryejë një detyrë, duhet të kuptojnë se ç’rezultate priten dhe sa shpesh duhet informuar për ecurinë e punës ai që e ka deleguar. Të dy duhet të dinë se sa liri veprimi ka ai që po bën punën. Nëse detyra duhet të përfundojë brenda një date të caktuar, ndoshta do të ishte më mirë që data të mos imponohej, por të dyja palët të flitnin dhe të binin dakord për të.

Atij të cilit i caktohet puna, duhet t’i jepen fondet, mjetet dhe ndihma e nevojshme. Ndoshta është mirë që ky delegim t’u bëhet i njohur të tjerëve. Kur Jezui i besoi Pjetrit «çelësat e mbretërisë së qiejve», e bëri këtë në prani të dishepujve të tjerë. (Mat. 16:13-19) Po kështu, në disa raste mund të jetë mirë që kongregacioni të vihet në dijeni se kush është përgjegjës për një detyrë të caktuar.

Gjithashtu, duhet treguar kujdes. Nëse përpiqeni të drejtoni punën që ia keni deleguar dikujt, është sikur po i thoni atij: «Nuk kam shumë besim te ti.» Vërtet, ndonjëherë rezultati mund të mos dalë siç e kishit pritur. Megjithatë, nëse vëllait të cilit i është dhënë përgjegjësia i lihet njëfarë lirie veprimi, ka mundësi që të fitojë siguri dhe përvojë. Natyrisht, kjo nuk do të thotë të mos interesoheni se si po e bën detyrën. Megjithëse i besoi Birit të tij një rol në krijim, prapëseprapë Jehovai u përfshi në këtë vepër. Ai i tha Kryemjeshtrit: «Le të bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë.» (Zan. 1:26) Pra, me fjalë e me vepra, mbështeteni punën që po bëhet dhe lavdërojeni personin për përpjekjet. Një rishikim i shkurtër i rezultatit mund ta ndihmojë atë. Nëse puna nuk po bëhet siç duhet, mos ngurroni të jepni këshilla ose ndihmë të mëtejshme. Mos harroni, përgjegjësinë përfundimtare e keni ju që keni deleguar punën.—Luka 12:48.

Shumë kanë nxjerrë dobi ngaqë u janë caktuar detyra kongregacioni nga pleqtë që interesoheshin vërtet për ta. Po, të gjithë pleqtë kanë nevojë të mësojnë pse dhe si të delegojnë përgjegjësi, duke imituar kështu Jehovain.

[Kutia në faqen 29]

TË DELEGOSH ËSHTË . . .

• një mënyrë për t’i ndihmuar të tjerët të provojnë gëzimin e kryerjes së një detyre

• një mënyrë për të arritur më shumë

• tregues mençurie dhe modestie

• një mënyrë për të stërvitur të tjerët

• një mënyrë për të treguar besimin ndaj të tjerëve

[Kutia në faqen 30]

SI TË DELEGOSH?

• Zgjidh personat e duhur për detyrën

• Shpjego/​komuniko qartë

• Sqaro se çfarë duhet bërë

• Siguro mjetet e nevojshme

• Interesohu për detyrën dhe shprehe besimin tënd

• Ji i gatshëm të mbash përgjegjësinë përfundimtare

[Figurat në faqen 31]

Të delegosh do të thotë t’i caktosh dikujt një detyrë dhe të ndjekësh ecurinë e kryerjes së saj