Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Jezui kishte predikuar në të gjithë Izraelin. Atëherë si mund të thoshte Pjetri se judenjtë dhe krerët e tyre ‘vepruan në padije’ kur kërkuan ekzekutimin e Jezuit?—Vep. 3:17.

Duke i folur një grupi judenjsh për rolin e tyre në vdekjen e Mesisë, apostulli Pjetër tha: «E di se vepruat në padije, ashtu si bënë edhe krerët tuaj.» (Vep. 3:14-17) Disa judenj thjesht mund të mos kenë kuptuar se Jezui ishte Mesia dhe as mësimet e tij. Ndërsa për sa u përket të tjerëve, në motivet që qëndronin pas padijes së tyre frymore përfshiheshin edhe mungesa e dëshirës për t’i pëlqyer Perëndisë, paragjykimi, zilia dhe urrejtja.

Le të shohim se si mungesa e dëshirës për t’i pëlqyer Perëndisë ndikoi në pikëpamjen që shumë kishin për mësimet e Jezuit. Jezui shpesh mësonte me ilustrime, të cilat ua shpjegonte të gjithë atyre që donin të mësonin më shumë. Por disa nga ata që e dëgjuan Jezuin, u larguan pa bërë shumë përpjekje për të kuptuar. Në një rast, edhe disa dishepuj u fyen nga një figure letrare që përdori Jezui. (Gjoni 6:52-66) Ata nuk arritën të kuptonin se ilustrimet e Jezuit vinin në provë gatishmërinë e tyre për të ndryshuar mënyrën e të menduarit dhe të të vepruarit. (Isa. 6:9, 10; 44:18; Mat. 13:10-15) Gjithashtu, shpërfillën profecinë se Mesia do të përdorte ilustrime në mësimdhënien e tij.—Psal. 78:2.

Të tjerë i hodhën poshtë mësimet e Jezuit për shkak të paragjykimit. Kur mësonte në sinagogën e qytetit të tij, Nazaretit, njerëzit «u mahnitën». Por në vend që ta pranonin Jezuin si Mesia, ata ngritën pyetje për prejardhjen e tij: «Ku i gjeti ky njeri këto gjëra? . . . A nuk është ky zdrukthëtari, i biri i Marisë dhe vëllai i Jakovit, i Jozefit, i Judës dhe i Simonit? Po motrat e tij, a nuk janë këtu me ne?» (Mar. 6:1-3) Për njerëzit e Nazaretit, fakti që Jezui vinte nga një familje e thjeshtë, i bënte të pavlera mësimet e tij.

Ç’mund të themi për udhëheqësit fetarë? Shumica prej tyre, për arsye të ngjashme, nuk ia vunë shumë veshin Jezuit. (Gjoni 7:47-52) Gjithashtu, ata i hodhën poshtë mësimet e Jezuit sepse e kishin zili, pasi po merrte vëmendjen e njerëzve. (Mar. 15:10) Dhe shumë nga këta udhëheqës të rëndësishëm, sigurisht reaguan keq kur ai i dënoi për hipokrizinë dhe mashtrimin e tyre. (Mat. 23:13-36) Jezui me të drejtë demaskoi padijen e tyre të vullnetshme, duke thënë: «Mjerë ju që e njihni mirë Ligjin, sepse e hoqët çelësin e njohurisë. Le që vetë nuk hytë [në Mbretëri], por i penguat edhe ata që hynin!»—Luka 11:37-52.

Për tre vjet e gjysmë, Jezui e predikoi lajmin e mirë në gjithë vendin. Gjithashtu, ai stërviti edhe shumë të tjerë në atë vepër. (Luka 9:1, 2; 10:1, 16, 17) Jezui dhe dishepujt e tij patën kaq shumë sukses, sa farisenjtë u ankuan: «Ja, bota po shkon pas tij.» (Gjoni 12:19) Pra, nuk është se shumica e judenjve nuk dinin asgjë fare. Por faktikisht ata mbetën «në padije» për Jezuin si Mesia. Ata mund ta kishin thelluar njohurinë dhe dashurinë e tyre për Mesinë, por nuk e bënë. Disa u bënë bashkëpunëtorë në vdekjen e Jezuit. Ja pse apostulli Pjetër u bëri thirrje shumicës prej tyre: «Pendohuni dhe kthehuni, që t’ju fshihen mëkatet, që nga vetë Jehovai të vijnë kohë freskuese e që ai të dërgojë Krishtin e emëruar për ju, Jezuin.» (Vep. 3:19, 20) Vlen të përmendet se mijëra judenj, përfshirë edhe «shumë priftërinj», filluan t’ia vinin veshin lajmit të mirë për Krishtin. Ata nuk vepruan më në padije. Përkundrazi, u penduan dhe fituan miratimin e Jehovait.—Vep. 2:41; 4:4; 5:14; 6:7.