Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Pse ishte aq e dëshirueshme për ushtarët romakë veshja e poshtme e Jezuit?

Katër ushtarët që morën pjesë në ekzekutimin e Jezuit, i ndanë me njëri-tjetrin rrobat e tij. «Mirëpo,—thuhet te Gjoni 19:23,—veshja e poshtme [e Jezuit] ishte njësh, pa asnjë qepje, e endur nga fillimi në fund.» Ushtarët vendosën të mos e grisnin, por të hidhnin short për të. Si bëhej një rrobë e tillë?

Me sa duket, veshja e poshtme ishte një tunikë prej liri a leshi që arrinte deri te gjuri ose te nyja e këmbës. Për të bërë një rrobë të tillë, zakonisht viheshin njëra mbi tjetrën dy pëlhura në formë katrore ose drejtkëndore dhe qepeshin bashkë tri nga anët e saj. Liheshin pa qepur vetëm vendet për të futur kokën dhe krahët.

Një tunikë tjetër më e shtrenjtë, sipas librit Jezui dhe bota e tij (anglisht), bëhej në një mënyrë të ngjashme, por duke përdorur «vetëm një copë të gjatë, që e palosnin më dysh, i hapnin një vend për të futur kokën» dhe i kthenin palën poshtë. Kjo lloj tunike duhej qepur anash.

Kurse rrobat pa qepje fare, si ajo që kishte veshur Jezui, bëheshin vetëm në Palestinë. Ato endeshin në tezgjah ose vegjë vertikale ku përdoreshin dy palë fije vertikale bazë, një nga para dhe tjetra nga mbrapa shufrës tërthore. Sipas një vepre referimi, me anë të sovajkës endësi e kalonte fijen horizontale të indit nga pjesa e përparme e pëlhurës që po punohej, në pjesën e pasme të saj, «duke krijuar kështu një pëlhurë në formë cilindri». Të kishe një tunikë pa qepje ndoshta ishte diçka e rrallë dhe prandaj secili nga ushtarët e donte për vete.

A kishte bletërritës në Izraelin e lashtë?

Sipas Shkrimeve Hebraike, Perëndia premtoi t’i çonte izraelitët e lashtë në ‘një vend ku rridhte qumësht dhe mjaltë’. (Dalja 3:8) Me sa duket, në shumicën e rasteve kur përmendet mjalti në Shkrime, bëhet fjalë për mjaltin e bletëve të egra. Bibla nuk thotë asgjë për rritjen e bletëve në Izraelin e lashtë. Megjithatë, nga diçka e zbuluar kohët e fundit në luginën e Bet-Sheanit në Izrael, është kuptuar se në lashtësi banorët e tij merreshin me «rritjen e bletëve për qëllime tregtare».

Në Tel-Rehov, studiuesit nga Instituti Arkeologjik i Universitetit Hebraik të Jerusalemit, zbuluan një vend kosheresh që i përket shekullit të dhjetë dhe fillimit të shekullit të nëntë p.e.s.—periudha e fillimit të monarkisë së Izraelit. Kjo është hera e parë që zbulohen koshere të lashta në Lindjen e Mesme. Mendohet se në vendin e zbuluar ka pasur rreth njëqind koshere të vendosura në rreshta ku kishte të paktën tri koshere sipër njëra-tjetrës.

Në raportin e universitetit thuhet se çdo koshere ishte «një cilindër prej argjile të papjekur . . . me gjatësi rreth 80 centimetra dhe me një diametër prej 40 centimetrash. . . . Sipas llogaritjeve të bletërritësve me përvojë dhe studiuesve që vizituan vendin e zbulimit, nga ato koshere mund të merrej rreth gjysmë ton mjaltë çdo vit».

[Figura në faqen 22]

Vendi i zbulimit në Tel-Rehov

[Burimi]

Instituti i Arkeologjisë/​Universiteti Hebraik © Gërmimet në Tel-Rehov