Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

Pse një grua që kishte humbur besimin te feja, tani e kalon pjesën më të madhe të kohës duke i ndihmuar të tjerët të mësojnë për Perëndinë? Çfarë e shtyu një burrë që donte sportet e dhunshme, të bëhej një njeri që do paqen? Si arriti të ndryshonte një njeri që merrte drogë, ishte pijanec dhe rrugaç? Lexoni se ç’thonë ata.

TË DHËNA

EMRI: PENELOPI TOPLIÇESKU

MOSHA: 40 VJEÇE

VENDI I LINDJES: AUSTRALI

MË PARË: ISHTE E ZHGËNJYER NGA FEJA

E KALUARA IME: Linda në Sidnei, Australi, por kur isha dy vjeçe, familja shkoi të jetonte në Guinenë e Re. Jetuam për rreth dy vjet në Rabaul dhe tetë vjet në Buganvil. Në atë kohë, në Guinenë e Re nuk kishte televizor, prandaj unë dhe vëllai im u rritëm duke e kaluar kohën jashtë shtëpisë—duke notuar, duke u zhytur nën ujë me maskë dhe duke fushuar në tenda.

Kur isha rreth dhjetë vjeçe, nisa të interesohesha për fenë. Mamaja ishte katolike, prandaj më sugjeroi të ndiqja kurse biblike me një nga murgeshat e asaj zone. Vendosa të bëhesha katolike dhe u pagëzova në moshën dhjetë vjeçare.

Mirëpo, kur u kthyem në Australi dhe hyra në adoleshencë, fillova të vija në dyshim bindjet e mia fetare. Gjatë shkollës së mesme, studiova historinë e lashtë dhe bashkë me babanë bënim biseda të gjata për origjinën e fesë dhe për tregimet e Biblës që ne i konsideronim si mite dhe legjenda. Përfundimisht, hoqa dorë nga katolicizmi.

Prindërit u ndanë kur isha 16 vjeçe. Mamaja kishte probleme, prandaj shkova të jetoja me babanë dhe të fejuarën e tij. Vëllai qëndroi me mamanë dhe u transferuan në një vend tjetër të Australisë. Ndihesha shumë e vetmuar në atë fazë të jetës. M’u deshën dy vjet para se të rivendosja marrëdhënie miqësore me mamanë. Fillova të pija alkool, të merrja drogë dhe të shkoja nëpër festa. E lashë shkollën, gjeta një punë dhe i çova dëm vitet e para të të njëzetave duke bërë një jetë imorale.

Kur u bëra 25 vjeçe, fillova të mendoja përsëri për Biblën. Nisa një punë të re dhe takova Linën, një vajzë e këndshme që sillej gjithnjë me mirësjellje me shefin, megjithëse ai ishte i panjerëzishëm ndaj saj. Kur e pyeta pse nuk ia kthente po njësoj shefit, më shpjegoi se po studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe po përpiqej të zbatonte në jetë parimet biblike. Lina më tha se ishte e gatshme të studionte Biblën me mua. Për shkak të një keqkuptimi, mendova se donte të thoshte që vetëm në një orë mund të mësoja gjithçka që dinte ajo për Biblën. Atë mbrëmje, Lina kaloi tri orë duke iu përgjigjur pyetjeve të mia rreth Biblës. Më bëri përshtypje që të gjitha përgjigjet që jepte, i mbështeste me shkrime nga Bibla.

Kujtoj që, kur po kthehesha me makinë atë natë pas bisedës me Linën, ndihesha e zemëruar me Perëndinë që nuk më kishte lejuar të mësoja më parë të vërtetën për të. E dija se Dëshmitarët bënin një jetë të pastër moralisht dhe mendoja se ishte tepër vonë për mua të ndryshoja sjellje. Gjithashtu, mendoja se s’mund të shkoja kurrë derë më derë për të predikuar, siç bënin Dëshmitarët. Vazhdova të studioja Biblën me Dëshmitarët, por me qëllim që të gjeja gabime në mësimet e tyre dhe kështu me ndërgjegje të plotë t’i ndërprisja lidhjet me ta. Një ditë, kuptova se nuk do të gjeja gabime të tilla.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Sa më shumë mësoja për normat morale të Biblës, aq më shumë më brente ndërgjegjja. Për ta qetësuar atë, lashë drogën. Por, më pas shkova jashtë shtetit për ca kohë dhe ngeca përsëri në vorbullën e festave dhe të pijeve alkoolike. Dukej se çdo herë që përpiqesha të bëja përparim për të jetuar sipas parimeve biblike, bija sërish në sjelljen e mëparshme. Me turp, i lutesha Jehovait, por përsëri ndihesha keq.

Kur mësova për atë që ndodhi midis mbretit David e Betshebës dhe se si Jehovai veproi me mëshirë ndaj tyre, kjo më ndihmoi. Davidi u tregua i guximshëm që pranoi fajin kur mori këshilla dhe nuk u përpoq t’i justifikonte veprimet e tij. Me përulësi pranoi disiplinën që mori. (2 Samuelit 12:1-13) Çdo herë që bija në mëkat, mendoja për atë tregim dhe e kisha më të lehtë t’i thosha Jehovait se më vinte keq. Pastaj vendosa të lutesha para se të bija në tundim, e jo më pas, dhe kjo solli një ndryshim të madh.

DOBITË: Gjithmonë kam pasur një temperament të keq. Megjithatë, shkrimi i Efesianëve 4:29-31 më ndihmoi të kuptoja se kisha nevojë të shmangia ‘vrerin, zemërimin dhe furinë’. Teksa mësoja të mbaja nën kontroll temperamentin tim, mësova të mbaja nën kontroll gjuhën. Gjithashtu, këshilla e Jezuit «nëse thoni ‘Po’, le të jetë ‘Po’», më ndihmoi të bëhesha më e vendosur.—Mateu 5:37.

Mamaja, e cila në fillim më kundërshtoi që po shoqërohesha me Dëshmitarët, më vonë më tha se ishte krenare për mua. Madje ajo tha: «E di se je bërë kjo që je, jo falë edukatës familjare, por falë asaj që mësove për Jehovain.» Më gëzuan shumë këto fjalë!

Tani e di se jeta ime ka një qëllim dhe kuptim. Këto nëntë vitet e fundit, unë dhe burri im kemi shërbyer si mësues të Biblës në kohë të plotë. Po, predikoj derë më derë dhe tani mendoj që kjo është vepra më shpërblyese që kam bërë ndonjëherë.

TË DHËNA

EMRI: DENIS BUSËJGIN

MOSHA: 30 VJEÇ

VENDI I LINDJES: RUSI

MË PARË: I APASIONUAR PAS KARATESË

E KALUARA IME: Linda në qytetin e Permës dhe u rrita në Furmanov, një qytet me rreth 40.000 banorë në krahinën Ivanovo, Rusi. Furmanovi është një qytet piktoresk me shumë pemë të bukura që në vjeshtë bëhen të verdha e të kuqe. Gjatë viteve 1980 dhe 1990, numri i krimeve u rrit në atë qytet. Familja ime bënte një jetë shumë të thjeshtë dhe kishim pak të ardhura. Jetoja me prindërit dhe vëllanë e vogël në një apartament me një dhomë gjumi, prandaj ishim shumë ngushtë.

Në moshën shtatë vjeçare, fillova të mësoja karate. Më pëlqente ky sport dhe tërë jeta ime ishte e përqendruar rreth tij. E kaloja gjithë kohën e lirë në palestër, prandaj tërë shokët e mi ishin sportistë. Në moshën 15-vjeçare, kisha fituar rripin e kuq në karate dhe një vit më vonë, rripin ngjyrë kafe. Bëja pjesë në një ekip karateje që konkurronte në turnetë e kampionateve ruse dhe euraziatike. E ardhmja dukej e ndritur, por në moshën 17-vjeçare e gjithë jeta ime ndryshoi.

Bashkë me disa shokë kryem një krim, dhe na kapën. Më dënuan me dy vjet burg. Jeta në burg ishte e vështirë. Por aty pashë për herë të parë Biblën. Lexova Zanafillën, Psalmet dhe Dhiatën e Re. Madje mësova përmendësh lutjen «Ati ynë» dhe e thosha çdo natë para se të flija, me mendimin se kjo do të më ndihmonte në ndonjë mënyrë.

U lirova nga burgu në vitin 2000, por nuk kisha asnjë drejtim dhe qëllim në jetë. Nisa të merrja drogë. Rreth asaj kohe më vdiq mamaja. Ishte njeriu më i shtrenjtë për mua dhe e kisha të vështirë ta përballoja këtë humbje. Megjithatë, arrita të çlirohesha nga droga dhe fillova të shkoja përsëri në palestër. Gjithashtu, u vendosa me banim në qytetin e Ivanovos. Atje gjeta punë në një supermarket. Përgjegjësja e shitësve aty ishte Dëshmitare e Jehovait. Ajo më shpjegoi disa të vërteta bazë nga Bibla dhe mori masa që një Dëshmitar të studionte rregullisht Biblën me mua.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Gjatë studimit të Biblës, u preka shumë kur mësova se Perëndia ka si qëllim që ta bëjë tokën parajsë dhe doja të bëja atë që kërkohej nga unë për të pasur këtë të ardhme. Shpejt kuptova se Perëndia Jehova ka standarde të larta dhe do që njerëzit të jetojnë sipas tyre. E kisha kaluar pjesën më të madhe të jetës duke menduar vetëm për veten. Por mësova se Jehovai donte që të mendoja për të tjerët dhe të zhvilloja cilësi që nuk i kisha në atë kohë—si mirëdashja dhe dashuria për paqen.

Kur fillova të mendoja thellë për gjithçka që Jehovai kishte bërë për mua, si për shembull, kishte dhënë Birin e tij si flijim për mëkatet e mia, mirënjohja për dashurinë e Perëndisë më shtyu të bëja ndryshime në jetë. Për shembull, nga Psalmi 11:5 mësova se Jehovai e urren dhunën. Prandaj, nuk shihja më programe televizive që lartësonin dhunën dhe urrejtjen. Dhe, me shumë vështirësi, hoqa dorë nga sportet e dhunshme. Parimi te 1 Korintasve 15:33 më ndihmoi të kuptoja se shoqëria që zgjidhja, do të kishte ndikim të madh tek unë. Fakti që kisha përfunduar në burg, dëshmonte sa i vërtetë është ky parim. Kështu vendosa të mos shoqërohesha më me ata të cilët e kishin përqendruar jetën te sportet e dhunshme.

DOBITË: Shoqërimi me Dëshmitarët e Jehovait dhe studimi i Biblës më ka ndihmuar të bëhem një njeri i ndershëm. Për shembull, nga Hebrenjve 13:5 mësova që të kënaqem me aq sa kam dhe të luftoj dashurinë për para. Zbatimi i kësaj këshille më ka ndihmuar që të mos gënjej dhe të mos vjedh.

Gjithmonë i kam vlerësuar miqësitë. Në të kaluarën, kisha parë miqësi që ishin prishur si pasojë e lakmisë ose frikës. Dëshmitarët e Jehovait nuk janë të përsosur, por kam mësuar se ata i respektojnë normat e Perëndisë dhe përpiqen fort të zbatojnë këshillat e tij në mënyrën si sillen me të tjerët. Mes tyre kam gjetur disa miq të vërtetë.

Pyes veten se si do të ishte jeta ime nëse nuk do të kisha mësuar të jetoja sipas normave të Biblës. Ndoshta do të isha përsëri në burg ose duke u shkaktuar të tjerëve dhembje e vuajtje. Por, tani kam një grua të këndshme e dy djem, dhe si familje gjejmë kënaqësi të vërtetë duke i ndihmuar të tjerët që të mësojnë të vërtetën për Perëndinë.

TË DHËNA

EMRI: ZHUZE KARLOS PEREJRA DA SILVA

MOSHA: 31 VJEÇ

VENDI I LINDJES: BRAZIL

MË PARË: RRUGAÇ

E KALUARA IME: U rrita në lagjet e varfra e të pista të Amerikanas, San-Paolo. Nuk kishim ujë të pijshëm ose kushtet e duhura higjieno-sanitare. Ajo zonë kishte namin se ishte e dhunshme dhe plot me krime.

Ndërsa rritesha, u bëra i dhunshëm dhe agresiv. Gjithmonë futesha në sherr, prandaj njerëzit në lagje kishin frikë nga unë. Veshja, flokët dhe sjellja ime linin përshtypjen e një njeriu të rrezikshëm. Pija shumë, shpesh derisa humbja ndjenjat. Ashtu si vëllezërit e mi, merrja drogë. Në fakt, një nga vëllezërit e mi vdiq nga mbidoza.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Kur takova Dëshmitarët e Jehovait, ata më treguan nga Bibla se Perëndia do ta bëjë mbarë tokën një parajsë. (Luka 23:42, 43; Zbulesa 21:3, 4) Gjithashtu, mësova se të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë, prandaj Perëndia nuk i ndëshkon njerëzit e këqij në një ferr të zjarrtë. (Eklisiastiu 9:5, 6) Kjo më lehtësoi shumë. Ajo që mësova për Perëndinë më ngjalli një dëshirë të fortë për të ndryshuar jetën time. Por nuk e kisha të lehtë të bëja ndryshimet—të mos merrja drogë, të mos pija, të mos zihesha dhe të mos thosha fjalë të pista siç e kisha zakon.

Megjithatë, mora shumë zemër nga fjalët e apostullit Pavël te 1 Korintasve 6:9-11. Ai fragment tregon se disa të krishterë në shekullin e parë dikur kishin pasur disa nga veset e këqija që kisha edhe unë. Por, aty thuhet edhe: «Të tillë ishit disa nga ju. Mirëpo jeni larë, jeni shenjtëruar, jeni shpallur të drejtë në emër të Zotërisë tonë Jezu Krisht dhe me frymën e Perëndisë tonë.» Këto fjalë më dhanë shpresën se edhe unë do të isha në gjendje të bëja ndryshimet e nevojshme në jetën time, që t’i pëlqeja Perëndisë.

Kur fillova të shoqërohesha me Dëshmitarët e Jehovait, isha i bindur se ata praktikonin fenë e vërtetë. Ata e dinin se në të kaluarën kisha qenë i dhunshëm dhe agresiv, megjithatë, më mirëpritnin me ngrohtësi dhe dashuri në shoqërinë e tyre.

DOBITË: Po të mos kisha studiuar Biblën dhe të mos kisha ndryshuar mënyrën e jetesës, ndoshta tani do të isha i vdekur. Përkundrazi, kam pasur kënaqësinë të ndihmoj një nga vëllezërit e mi që të mësojë për Biblën dhe të heqë dorë nga droga. Gjithashtu, kam nxitur të afërm të tjerë që të fillojnë të studiojnë Biblën. Jam shumë mirënjohës që kam mundur t’ia kushtoj jetën shërbimit të Perëndisë, i cili interesohet kaq shumë për ne!

[Diçitura në faqen 24]

«Vendosa të lutesha para se të bija në tundim, e jo më pas, dhe kjo solli një ndryshim të madh»