Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Etërit apostolikë​—A ishin vërtet apostolikë?

Etërit apostolikë​—A ishin vërtet apostolikë?

Etërit apostolikë​—A ishin vërtet apostolikë?

NË FILLIM të shekullit të dytë të e.s., mësimet e rreme kishin filluar të turbullonin ujërat e kthjellëta të së vërtetës së krishterë. Siç ishte parathënë në profecinë e frymëzuar, pas vdekjes së apostujve, disa e braktisën të vërtetën dhe iu kthyen «përrallave». (2 Timoteut 4:3, 4, Diodati i Ri) Rreth vitit 98 të e.s., Gjoni, apostulli i fundit i mbijetuar, paralajmëroi për këto mësime të rreme dhe për ata njerëz ‘që përpiqeshin t’i mashtronin’ të krishterët besnikë.—1 Gjonit 2:26; 4:1, 6.

Shumë shpejt, dolën në skenë burra që u bënë të njohur si etërit apostolikë. Ç’qëndrim mbajtën përballë mashtrimeve fetare? A ia vunë veshin paralajmërimit të apostullit Gjon, të frymëzuar nga Perëndia?

Cilët ishin?

Shprehja «etërit apostolikë» është përdorur për shkrimtarët fetarë që ndoshta kishin njohur një nga apostujt e Jezuit ose ndoshta ishin mësuar nga ata dishepuj që ishin mësuar prej apostujve. Shumica e këtyre burrave jetuan nga fundi i shekullit të parë të e.s. deri në mes të shekullit të dytë. * Ndër ta ishin Klementi i Romës, Injaci i Antiokisë, Papiasi i Hierapolit dhe Polikarpi i Smirnës. Të njëjtës periudhë kohore i përkasin edhe autorët e paidentifikuar të veprave që njihen si Didache, Letra e Barnabës, Martirizimi i Polikarpit dhe letra e dytë e Klementit.

Sot është e vështirë të gjykosh se sa përputheshin mësimet e etërve apostolikë me mësimet e Jezuit. Pa dyshim, synimi i këtyre burrave ishte që të ruanin ose të mbronin një lloj krishterimi. Ata dënonin idhujtarinë dhe shthurjen morale. Besonin se Jezui është Biri i Perëndisë dhe se u ringjall. Por, ata nuk ishin në gjendje të frenonin dallgët e apostazisë që sa vinin e shtoheshin. Përkundrazi, disa prej tyre i shtuan edhe më shumë ato.

Vetëm modifikime të vogla?

Disa pikëpamje «të krishtere» të hershme, faktikisht ishin devijime nga mësimet e Krishtit dhe të apostujve. Për shembull, në kundërshtim me praktikën e vendosur nga Jezui në Darkën e Zotërisë, e njohur edhe si Darka e Fundit, autori i Didache këshillonte kalimin e verës para bukës. (Mateu 26:26, 27) Gjithashtu, ky shkrimtar thoshte që, nëse nuk kishte ndonjë vend me ujë për të kryer pagëzimin me anë të zhytjes në të, mjaftonte të hidhnin ujë mbi kokën e atij që do të pagëzohej. (Marku 1:9, 10; Veprat 8:36, 38) E njëjta vepër i nxiste të krishterët të ndiqnin rituale të tilla, si agjërimi i detyruar dy herë në javë dhe recitimi i lutjes «Ati ynë» fiks tri herë në ditë.—Mateu 6:5-13; Luka 18:12.

Injaci, nga ana e tij, mësonte se duhej të kishte një organizim të ri të kongregacionit të krishterë, pra të kishte vetëm një peshkop që të drejtonte «në vend të Perëndisë». Ky peshkop do të kishte autoritet mbi shumë priftërinj. Sajime të tilla u hapën udhën dallgëve të mëtejshme të mësimeve jobiblike.—Mateu 23:8, 9.

Ekzagjerim, martirizim dhe idhujtari

Ekzagjerimet bënë që disa etër apostolikë t’i merrte rryma dhe të devijonin nga e vërteta. Papiasi kishte etje për të vërtetën dhe u referohej Shkrimeve të Krishtere Greke. Në të njëjtën kohë, ai besonte se gjatë Sundimit Mijëvjeçar të Krishtit, vreshtat do të prodhonin 10.000 degë, çdo degë 10.000 degëza, çdo degëz 10.000 bisqe, çdo bisk 10.000 vile rrushi, çdo vile 10.000 kokrra dhe çdo kokërr do të jepte 1.000 litra verë.

Polikarpi ishte gati të vdiste si martir, vetëm e vetëm që të mos hiqte dorë nga besimi i tij i krishterë. Thuhet se ai ishte mësuar nga apostujt dhe nga të tjerë që e njihnin Jezuin. Ai citonte nga Bibla dhe duket se përpiqej të jetonte sipas parimeve të krishtere.

Megjithatë, përkushtimi që kishin disa ndaj Polikarpit, i çoi në idhujtari. Te vepra Martirizimi i Polikarpit thuhet se pas vdekjes, «besnikët» ishin të etur për të marrë eshtrat e trupit të tij. Ata i konsideronin kockat e tij «më të çmuara se xhevahiret më të mrekullueshme dhe më të pastra se ari». Ishte e qartë se kështu po vërshonin ujërat e helmuara nga gabimet.

Tekste apokrife

Disa etër apostolikë pranonin tekste jobiblike sikur të ishin të frymëzuara. Një prej tyre, Klementi i Romës, citon veprat apokrife Urtia dhe Judita. Shkrimtari i Letrës së Polikarpit i referohet veprës Tobia për të përforcuar idenë se ai që jep lëmoshë mund të shpëtojë nga vdekja.

Në shekullin e dytë të e.s., ungjij të rremë përhapnin tregime të sajuara të jetës së Jezuit dhe etërit apostolikë shpesh i pranonin e i citonin ato. Për shembull, Injaci citoi nga i ashtuquajturi Ungjilli i Hebrenjve. Ndërsa për Klementin e Romës, një burim thotë: «Klementi duket se e njeh Krishtin jo nga Ungjijtë, por nga shkrimet jokanonike.»

Dallgë gabimesh

Duke iu drejtuar miteve, ideve mistike dhe filozofisë për të shpjeguar besimin e krishterë, këta burra u hapën udhë dallgëve me gabime. Për shembull, Klementi i referohej tregimit mitologjik për feniksin si provë për ringjalljen. Feniksi, një zog legjendar që thuhej se ringjallej nga hiri i vet, lidhej me adhurimin e diellit në mitologjinë egjiptiane.

Një shkrimtar tjetër që shtrembëroi të vërtetën biblike ishte autori i Letrës së Barnabës. Ai e interpretonte Ligjin e Moisiut si të ishte thjesht alegori. Sipas tij, kafshët e pastra—dythundrakët që ripërtypen—përfaqësonin njerëzit që bluajnë në mendje ose meditojnë rreth Fjalës së Perëndisë. Shkrimtari thoshte se thundra e çarë më dysh simbolizonte që njeriu i drejtë «ecën» ose jeton «në këtë botë», por njëkohësisht mezi pret jetën në qiell. Interpretime të tilla nuk bazohen në Shkrime.—Levitiku 11:1-3.

Dëshmia e apostullit Gjon

Gjatë shekullit të parë, apostulli Gjon paralajmëroi: «Të dashur, mos i besoni çdo shprehjeje të frymëzuar, por vërini në provë ato për të parë nëse vijnë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë.» (1 Gjonit 4:1) Sa të përshtatshme ishin këto fjalë!

Nga fundi i shekullit të parë, shumë të ashtuquajtur të krishterë i kishin lënë tashmë mësimet e Jezuit dhe të apostujve. Në vend që t’i rezistonin apostazisë, etërit apostolikë u frynë dallgëve të saj. Ata e helmuan të vërtetën. Apostulli Gjon tha për individë të tillë: «Kush shkon përtej dhe nuk qëndron në mësimin e Krishtit, nuk ka Perëndi.» (2 Gjonit 9) Për të gjithë kërkuesit e sinqertë të së vërtetës biblike, ky paralajmërim i frymëzuar nga Perëndia ishte dhe mbetet fare i qartë.

[Shënimi]

^ par. 5 Shkrimtarët, teologët dhe filozofët që në përgjithësi quhen etërit e kishës, jetuan midis shekullit të dytë dhe të pestë të e.s.

[Diçitura në faqen 29]

Disa etër apostolikë, përfshirë edhe Klementi, u referoheshin në shkrimet e tyre miteve, ideve mistike dhe filozofisë

[Figura në faqen 28]

Polikarpi ishte i gatshëm të vdiste si martir

[Burimi]

The Granger Collection, New York