Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Prano me mirënjohje, jep me gjithë zemër

Prano me mirënjohje, jep me gjithë zemër

Prano me mirënjohje, jep me gjithë zemër

JEHOVAI, Ati ynë i dashur qiellor, kujdeset personalisht për ne. Fjala e Perëndisë na siguron se ai interesohet thellësisht për të gjithë shërbëtorët e tij. (1 Pjet. 5:7) Një mënyrë se si Jehovai e tregon kujdesin e tij, është duke na ndihmuar në forma të ndryshme që t’i shërbejmë me besnikëri. (Isa. 48:17) Sidomos kur hasim probleme që na krijojnë ankth, Jehovai do që të përfitojmë nga ndihma që ai siguron. Ligji i Moisiut e ilustron këtë të vërtetë.

Në Ligjin e Moisiut, Jehovai siguronte ndihmë të dashur për «të varfrin», si për shembull, për jetimin, vejushën dhe të ardhurin. (Lev. 19:9, 10; Ligj. 14:29) Ai e di se disa nga shërbëtorët e tij mund të kenë nevojë për ndihmën e bashkadhuruesve. (Jak. 1:27) Prandaj, asnjë nga shërbëtorët e tij nuk duhet të ngurrojë të pranojë ndihmë nga ata që Jehovai i nxit t’i ndihmojnë. Megjithatë, kur e pranojmë ndihmën, duam ta bëjmë këtë me frymën e duhur.

Në të njëjtën kohë, Fjala e Perëndisë thekson se populli i tij ka gjithashtu mundësinë që të japë. Kujto tregimin për ‘vejushën nevojtare’ që Jezui vëzhgoi në tempullin e Jerusalemit. (Luka 21:1-4) Ka mundësi që ajo nxirrte dobi nga masat e dashura të Jehovait, të cilat përmendeshin në Ligj në lidhje me vejushat. Por, edhe pse ishte nevojtare, ajo vejushë nuk kujtohet si dikush që mori, por si dikush që dha. Fryma e saj e dhënies duhet t’i ketë sjellë lumturi vejushës, sepse siç tha Jezui «ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh». (Vep. 20:35) Duke pasur në mendje këtë të vërtetë, si mund ‘ta bësh zakon të japësh’ dhe kështu të jesh i lumtur?—Luka 6:38.

«Si t’ia kthej Jehovait gjithë të mirat?»

Psalmisti pyeti: «Si t’ia kthej Jehovait gjithë të mirat që më ka bërë?» (Psal. 116:12) Çfarë të mirash kishte marrë ai? Jehovai e kishte mbështetur gjatë një periudhe me ‘brenga dhe hidhërim’. Për më tepër, Jehovai ‘ia kishte shpëtuar shpirtin nga vdekja’. Tani, ai donte në njëfarë mënyre ‘t’ia kthente Jehovait gjithë të mirat’. Çfarë mund të bënte psalmisti? Ai tha: «Zotimet që i kam bërë Jehovait, do t’i plotësoj.» (Psal. 116:3, 4, 8, 10-14) Ai vendosi të mbante të gjitha premtimet solemne që i kishte bërë Jehovait dhe të përmbushte të gjitha detyrimet ndaj tij.

Edhe ti mund të bësh të njëjtën gjë. Si? Duke bërë një jetë që përputhet gjithnjë me ligjet dhe parimet e Perëndisë. Prandaj, sigurohu që adhurimi yt ndaj Jehovait të mbetet gjëja më e rëndësishme në jetë dhe që të lejosh frymën e Perëndisë të të drejtojë në gjithçka bën. (Ekl. 12:13; Gal. 5:16-18) Pa dyshim, nuk mund t’ia kthesh kurrë Jehovait gjithçka që ka bërë për ty. Megjithatë, ti ‘ia gëzon zemrën Jehovait’ kur jep me gjithë zemër nga vetja në shërbimin e tij. (Prov. 27:11) Ç’privilegj i mrekullueshëm është të kënaqësh Jehovain në këtë mënyrë!

Jep ndihmesën tënde për mirëqenien e kongregacionit

Pa dyshim, je dakord se ke nxjerrë dobi në shumë mënyra nga kongregacioni i krishterë. Nëpërmjet kongregacionit, Jehovai ka siguruar një bollëk ushqimi frymor. Gjithashtu, ke marrë të vërtetën që të ka liruar nga gabimet fetare dhe errësira frymore. (Gjoni 8:32) Në mbledhjet e kongregacionit, asambletë dhe kongreset e organizuara nga «skllavi i besueshëm dhe i matur», ke fituar njohurinë që do të të çojë në jetën e përhershme në një tokë parajsore pa dhembje dhe vuajtje. (Mat. 24:45-47) As mund t’i numërosh të gjitha dobitë që ke marrë—e që do të marrësh ende—nëpërmjet kongregacionit të Perëndisë. Çfarë mund t’i japësh në këmbim kongregacionit?

Apostulli Pavël shkroi: «I gjithë trupi, i lidhur së bashku në mënyrë të harmonishme dhe i bërë për të bashkëvepruar me anë të të gjitha nyjave që japin atë që është e nevojshme, sipas funksionimit në masën e duhur të çdo gjymtyre përkatëse, vepron për rritjen e trupit, për ndërtimin e vetvetes në dashuri.» (Efes. 4:15, 16) Ndonëse ky shkrim zbatohet në radhë të parë për trupin e të krishterëve të mirosur, parimi që përmban mund të zbatohet për të gjithë të krishterët sot. Po, çdo pjesëtar i kongregacionit mund të japë ndihmesën e tij për mirëqenien dhe rritjen e kongregacionit? Në cilat mënyra?

Mund ta bëjmë këtë duke u përpjekur të jemi përherë një burim inkurajimi dhe freskimi frymor për të tjerët. (Rom. 14:19) Gjithashtu, mund të japim ndihmesën tonë për «rritjen e trupit» duke kultivuar frytin e frymës së Perëndisë në çdo marrëdhënie me bashkëbesimtarët. (Gal. 5:22, 23) Përveç kësaj, mund të kërkojmë raste ‘për të bërë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim’. (Gal. 6:10; Hebr. 13:16) Të gjithë në kongregacion—vëllezër e motra, të rinj e të moshuar—mund të bëjnë pjesën e tyre për ‘ndërtimin e trupit në dashuri’.

Për më tepër, ne mund të përdorim talentet, energjitë dhe burimet tona materiale për të marrë pjesë në veprën jetëshpëtuese që kryen kongregacioni. «Falas morët»,—tha Jezu Krishti. Si duhet të veprojmë në këmbim? «Falas jepni»,—tha ai. (Mat. 10:8) Prandaj, merr pjesë plotësisht në veprën jetësore të predikimit për Mbretërinë dhe të bërjes së dishepujve. (Mat. 24:14; 28:19, 20) A të kufizon ndonjë gjë për ta bërë këtë vepër? Kujto vejushën nevojtare që përshkroi Jezui. Ajo çka dha vejusha ishte shumë e vogël. Megjithatë, Jezui tha se vejusha bëri më shumë se gjithë të tjerët. Ajo dha gjithçka që i lejonin rrethanat.—2 Kor. 8:1-5, 12.

Merr me frymën e duhur

Gjithsesi, ndoshta ka raste kur mund të kesh nevojë për mbështetje nga kongregacioni. Kurrë mos ngurro të pranosh çfarëdolloj ndihme që mund të të ofrojë kongregacioni ndërsa lufton për të përballuar presionet që sjell ky sistem. Jehovai ka siguruar burra të kualifikuar e të kujdesshëm që ‘të kullotin kongregacionin’, pra, të të ndihmojnë kur has sprova dhe shtrëngime. (Vep. 20:28) Pleqtë dhe të tjerë në kongregacion duan të të ngushëllojnë, të të mbështetin dhe të të mbrojnë gjatë kohëve të vështira.—Gal. 6:2; 1 Sel. 5:14.

Megjithatë, ki kujdes që, kur merr ndonjë ndihmë që të nevojitet, ta bësh këtë me frymën e duhur. Gjithmonë pranoje me mirënjohje mbështetjen që të jepet. Shihe këtë ndihmë nga bashkëbesimtarët si një shprehje të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë. (1 Pjet. 4:10) Pse është e rëndësishme kjo? Sepse nuk duam të marrim siç marrin shumë në botë—pa mirënjohje.

Ji i ekuilibruar dhe i arsyeshëm

Në letrën drejtuar kongregacionit në Filipi, Pavli shkroi për Timoteun: «Nuk kam askënd tjetër me një natyrë si e tija, që të kujdeset sinqerisht për punët tuaja.» Por, më pas Pavli shtoi: «Gjithë të tjerët po kërkojnë interesat e veta, jo ato të Krishtit Jezu.» (Filip. 2:20, 21) Duke pasur në mendje vërejtjen serioze të Pavlit, ç’mund të bëjmë ne sot që të mos mendojmë vetëm për ‘interesat tona’?

Kurrë nuk duhet të jemi tepër kërkues kur u themi të tjerëve në kongregacion që të na kushtojnë kohë e vëmendje për problemet tona. Pse jo? Mendo për këtë: pa dyshim, do të ishim shumë mirënjohës nëse një vëlla do të na ndihmonte nga ana materiale për të përballuar një rrethanë të papritur. Por, a do t’ia kërkonim me detyrim një ndihmë të tillë materiale? Natyrisht që jo. Po kështu, megjithëse vëllezërit tanë të dashur janë gjithmonë të lumtur të na ndihmojnë, duhet të jemi të ekuilibruar dhe të arsyeshëm për kohën që presim të na kushtojnë. Në fund të fundit, çfarëdo që të bëjnë bashkëbesimtarët për të na ndihmuar në kohë të vështira, duam që ta bëjnë me dëshirë.

Sigurisht, vëllezërit dhe motrat e tua të krishterë do të jenë gjithnjë të gatshëm të të ndihmojnë. Por, ndonjëherë ata mund të mos jenë në gjendje të të plotësojnë tërë nevojat. Nëse ndodh kjo, ji i sigurt se, siç bëri me psalmistin, Jehovai do të të mbështetë në çfarëdolloj sprove që të hasësh.—Psal. 116:1, 2; Filip. 4:10-13.

Atëherë, mos ngurro të pranosh me mirënjohje çfarëdo mase që të marrë Jehovai për ty—sidomos në kohë me ankthe dhe telashe. (Psal. 55:22) Ai dëshiron ta bësh këtë. Megjithatë, do që ti të jesh edhe ‘një dhënës i gëzuar’. Prandaj, ji plotësisht ‘i vendosur në zemër’ të japësh çfarëdo që të lejojnë rrethanat për të mbështetur adhurimin e vërtetë. (2 Kor. 9:6, 7) Kështu, do të mund t’i bësh të dyja—të pranosh me mirënjohje dhe të japësh me gjithë zemër.

[Kutia dhe figurat në faqen 31]

«Si t’ia kthej Jehovait gjithë të mirat që më ka bërë?»—Psal. 116:12

▪ Kërko raste ‘për të bërë atë që është e mirë ndaj të gjithëve’

▪ Ji një burim inkurajimi dhe freskimi frymor për të tjerët

▪ Merr pjesë në veprën e bërjes së dishepujve në mënyrë sa më të plotë që të lejojnë rrethanat