Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Cilët ishin skribët që dolën kundër Jezuit?

Gjatë shërbimit të tij Jezui i ndeshi skribët jo vetëm në Jerusalem, por edhe në qytete më të vogla e fshatra. Jashtë Jerusalemit, madje edhe në komunitetet judeje përtej Palestinës, këta burra ishin zyrtarë të vegjël me njohuri në fushën e Ligjit, të cilët mund të kenë shërbyer si kopistë ose si gjykatës lokalë.—Marku 2:6; 9:14; Luka 5:17-21.

Në Jerusalem, skribët punonin ngushtë me qeverinë judeje. (Mateu 16:21) Sipas The Anchor Bible Dictionary, roli i tyre atje, «me sa duket, ishte të bashkëpunonin me priftërinjtë në proceset gjyqësore, në zbatimin e traditave dhe të Ligjit judaik, si dhe në aktivitetin e Sinedrit». Si mësues të Ligjit të një rangu të lartë, disa prej këtyre skribëve ishin edhe anëtarë të Sinedrit ose të gjykatës së lartë judaike. Ata shërbenin bashkë me kryepriftërinjtë dhe farisenjtë.

Mjaft shpesh skribët dalin si kundërshtarë fetarë të Jezuit. Megjithatë disa prej tyre nuk dolën kundër tij. Për shembull, një skrib i tha Jezuit: «Unë do të vij pas teje kudo që të shkosh.» Jezui i tha një skribi tjetër: «Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë.»—Mateu 8:19; Marku 12:28-34.

Çfarë nënkuptonte mirosja e dikujt?

Në kohët biblike, në Lindjen e Mesme, lyerja e kokës së dikujt me vaj ishte shenjë e vlerësimit të lartë për të ose akt mikpritjeje ndaj një mysafiri. Zakonisht, vaji që përdorej ishte vaj ulliri i parfumuar. Hebrenjtë i hidhnin vaj në kokë dikujt, pra e mirosnin kur i jepej zyrtarisht një pozitë e veçantë autoriteti. Për shembull, Aaroni u miros që të shërbente si kryeprift. (Levitiku 8:12) Në rastin e mbretit David, «Samueli mori bririn e vajit dhe e mirosi. . . . Që nga ajo ditë e tutje, fryma e Jehovait nisi të vepronte te Davidi».—1 Samuelit 16:13.

Në gjuhën hebraike, termi i përdorur për mirosjen është mashák, nga i cili rrjedh fjala mashíak ose Mesia. Fjala korresponduese në greqisht është krío nga e cila vjen kristós ose Krisht. Prandaj, Aaroni dhe Davidi mund të quhen mesi ose të mirosur. Edhe Moisiu është quajtur një krisht ose një i mirosur, në kuptimin që Perëndia e caktoi të shërbente si përfaqësues i Tij.—Hebrenjve 11:24-26.

Jezui i Nazaretit u caktua personalisht nga Perëndia në një pozitë me shumë autoritet. Në vend që të mirosej me vaj të mirëfilltë, Jezui u miros me frymën e shenjtë të Perëndisë. (Mateu 3:16) Si i Mirosuri i zgjedhur nga Jehovai, Jezui është quajtur me të drejtë Mesia ose Krishti.—Luka 4:18.