Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jeta e përhershme në tokë—Një shpresë nga Perëndia

Jeta e përhershme në tokë—Një shpresë nga Perëndia

Jeta e përhershme në tokë—Një shpresë nga Perëndia

«Krijesa i ishte nënshtruar kotësisë . . . në bazë të shpresës.»—ROM. 8:20.

1, 2. (a) Pse është e rëndësishme për ne shpresa e jetës së përhershme në tokë? (b) Pse shumë njerëz janë mosbesues në lidhje me jetën e përhershme në tokë?

NDOSHTA të kujtohet ç’gëzim ndjeve kur mësove për herë të parë se në të ardhmen e afërt njerëzit nuk do të plaken e nuk do të vdesin më, por do të jetojnë përgjithmonë në tokë. (Gjoni 17:3; Zbul. 21:3, 4) Ndoshta je kënaqur duke u folur edhe të tjerëve për këtë shpresë biblike. Në fund të fundit, shpresa e jetës së përhershme është një aspekt thelbësor i lajmit të mirë që predikojmë. Ajo modelon pikëpamjen që kemi për jetën.

2 Shumica e feve të të ashtuquajturit krishterim e kanë shpërfillur shpresën e jetës së përhershme në tokë. Megjithëse Bibla mëson se shpirti vdes, shumica e kishave mëson doktrinën jobiblike se njeriu ka një shpirt që mbijeton pas vdekjes dhe jeton në botën frymore. (Ezek. 18:20) Për këtë arsye, shumë njerëz janë mosbesues në lidhje me jetën e përhershme në tokë. Prandaj, mund të pyesim: A e mbështet vërtet Bibla këtë shpresë? Nëse po, kur ua zbuloi Perëndia për herë të parë njerëzve?

«Nënshtruar kotësisë . . . në bazë të shpresës»

3. Si u bë i dukshëm qëllimi i Perëndisë për njeriun që në fillim të historisë njerëzore?

3 Qëllimi i Jehovait për njerëzimin u bë i dukshëm që në fillim të historisë njerëzore. Perëndia tregoi qartë se Adami do të jetonte përgjithmonë nëse do të bindej. (Zan. 2:9, 17; 3:22) Pa dyshim, pasardhësit e parë të Adamit mësuan për humbjen e përsosmërisë së njeriut, e cila u vërtetua nga dëshmi të dukshme. Hyrja në kopshtin e Edenit u pengua dhe njerëzit u plakën e vdiqën. (Zan. 3:23, 24) Me kalimin e kohës, jetëgjatësia e njeriut u shkurtua. Adami jetoi 930 vjet. Semi, i cili mbijetoi nga Përmbytja, jetoi vetëm 600 vjet, kurse i biri, Arpakshadi, jetoi 438 vjet. Terahu, i ati i Abrahamit, jetoi 205 vjet. Jetëgjatësia e Abrahamit ishte 175 vjet, ajo e birit të tij, Isakut, ishte 180 vjet, ndërsa ajo e Jakobit 147 vjet. (Zan. 5:5; 11:10-13, 32; 25:7; 35:28; 47:28) Shumë njerëz duhet ta kenë kuptuar se ç’do të thoshte ky shkurtim i jetëgjatësisë—shpresa e jetës së përhershme ishte humbur. A kishin arsye për të shpresuar se mund ta rifitonin jetën e përhershme?

4. Cilën bazë kishin njerëzit e lashtësisë për të besuar se Perëndia do të rikthente bekimet që kishte humbur Adami?

4 Fjala e Perëndisë thotë: «Krijesa [njerëzore] i ishte nënshtruar kotësisë . . . në bazë të shpresës.» (Rom. 8:20) Të cilës shpresë? Profecia e parë e Biblës fliste për ‘një farë’ që ‘do t’ia shtypte kokën’ gjarprit. (Lexo Zanafillën 3:1-5, 15.) Për njerëzit besnikë, premtimi i asaj Fare përbënte një bazë për të shpresuar se Perëndia nuk do të hiqte dorë nga qëllimi i tij për njerëzimin. Ai premtim u dha arsye njerëzve si Abeli dhe Noeja që të besonin se Perëndia do të rikthente bekimet që kishte humbur Adami. Këta burra mund të kenë kuptuar se ‘plagosja në thembër e farës’ do të përfshinte derdhjen e gjakut.—Zan. 4:4; 8:20; Hebr. 11:4.

5. Nga se kuptohet që Abrahami kishte besim te ringjallja?

5 Të mendojmë për Abrahamin. Kur u sprovua, ai «pothuaj e flijoi Isakun, . . . birin e vetëmlindur». (Hebr. 11:17) Pse ishte i gatshëm ta bënte këtë? (Lexo Hebrenjve 11:19.) Sepse besonte te ringjallja! Abrahami kishte një bazë për këtë besim. Në fund të fundit, Jehovai ia kishte ripërtërirë Abrahamit aftësitë riprodhuese dhe kishte bërë të mundur që ai dhe gruaja e tij, Sara, të kishin një djalë në pleqëri. (Zan. 18:10-14; 21:1-3; Rom. 4:19-21) Gjithashtu, Abrahami kishte premtimin e Jehovait. Perëndia i kishte thënë: «Ajo që do të quhet fara jote, do të vijë nëpërmjet Isakut.» (Zan. 21:12) Prandaj, Abrahami kishte arsye të forta për të pritur që Perëndia ta ringjallte Isakun.

6, 7. (a) Ç’besëlidhje bëri Jehovai me Abrahamin? (b) Pse premtimi që i bëri Jehovai Abrahamit i jep shpresë njerëzimit?

6 Për shkak të besimit të jashtëzakonshëm të Abrahamit, Jehovai bëri një besëlidhje me të, e cila kishte të bënte me pasardhësit ose ‘farën’ e tij. (Lexo Zanafillën 22:18.) Më vonë, u zbulua se pjesa kryesore e «farës» ishte Jezu Krishti. (Gal. 3:16) Jehovai i kishte thënë Abrahamit se «fara» e tij do të shumohej «si yjet e qiellit e si kokrrizat e rërës në breg të detit»—një numër që Abrahami nuk e dinte. (Zan. 22:17) Megjithatë, më vonë ai numër u bë i ditur. Jezu Krishti dhe 144.000 personat që do të sundojnë me të në Mbretërinë e tij, përbëjnë ‘farën’. (Gal. 3:29; Zbul. 7:4; 14:1) Mbretëria mesianike është mjeti me anë të së cilës ‘do të marrin bekime të gjitha kombet e tokës’.

7 Abrahami nuk mund ta kuptonte domethënien e plotë të besëlidhjes që bëri Jehovai me të. Megjithatë, Bibla thotë se «ai priste qytetin që ka themele të vërteta». (Hebr. 11:10) Ai qytet është Mbretëria e Perëndisë. Që të marrë bekime nën atë Mbretëri, Abrahami duhet të jetojë përsëri. Jeta e përhershme do të bëhet e mundur për të nëpërmjet ringjalljes. Jeta e përhershme do të jetë e mundur edhe për ata që mbijetojnë në Harmagedon ose për ata që do të ringjallen.—Zbul. 7:9, 14; 20:12-14.

«Fryma më nxit përbrenda»

8, 9. Pse libri i Jobit nuk është thjesht një tregim për sprovat e një njeriu?

8 Gjatë periudhës midis kohës kur jetuan Jozefi, stërnipi i Abrahamit, dhe profeti Moisi, jetonte një njeri me emrin Job. Libri biblik i Jobit, që me sa duket u shkrua nga Moisiu, shpjegon pse Jehovai lejoi që Jobi të vuante dhe si përfunduan gjërat për të. Por, libri i Jobit nuk është thjesht një tregim për sprovat e një njeriu. Ai përqendrohet te çështjet me rëndësi universale. Libri na ndihmon të kuptojmë se Jehovai e ushtron sovranitetin e tij me drejtësi dhe zbulon se integriteti dhe e ardhmja e gjithë shërbëtorëve tokësorë të Perëndisë, kanë lidhje me çështjen e ngritur në Eden. Megjithëse Jobi nuk e kuptonte këtë çështje, ai nuk lejoi që tre shokët ta bënin të mendonte se nuk e kishte mbajtur integritetin. (Jobi 27:5) Kjo duhet të na forcojë besimin e duhet të na ndihmojë të kuptojmë se ne mund ta mbajmë integritetin dhe mund të mbështetim sovranitetin e Jehovait.

9 Pasi tre të ashtuquajturit ngushëllues të Jobit kishin mbaruar së foluri, nisi të fliste «Elihu, biri i Barakelit, buzitit». Çfarë e shtyu të fliste? Ai u shpreh: «Kam plot fjalë për të thënë; fryma më nxit përbrenda.» (Jobi 32:5, 6, 18) Ndonëse ajo që tha Elihu nën frymëzim u përmbush kur sprovat e Jobit mbaruan, fjalët e tij janë domethënëse edhe për të tjerë. Ato përbëjnë një bazë për shpresë për të gjithë ata që mbajnë integritetin.

10. Cili rast tregon se mesazhi që Jehovai i jep një individi, ndonjëherë zbatohet më gjerë për njerëzimin në përgjithësi?

10 Jehovai ndonjëherë i jep një individi një mesazh që zbatohet edhe më gjerë për njerëzimin në përgjithësi. Kjo mund të kuptohet nga profecia e Danielit për ëndrrën e mbretit babilonas Nabukodonosor që kishte lidhje me prerjen e një peme të stërmadhe. (Dan. 4:10-27) Megjithëse ëndrra pati një përmbushje në lidhje me Nabukodonosorin, ajo e drejtonte vëmendjen te diçka shumë më e madhe. Ëndrra tregonte se sovraniteti hyjnor ndaj tokës që ishte shprehur me anë të mbretërisë së Davidit dhe të pasardhësve të tij, do të shprehej përsëri pas një periudhe prej 2.520 vjetësh, duke filluar nga viti 607 p.e.s. * Sovraniteti i Perëndisë ndaj tokës nisi të shprehej përsëri kur Jezu Krishti u vendos si Mbret qiellor në vitin 1914. Sa e jashtëzakonshme do të jetë mënyra se si Mbretëria do të realizojë së shpejti shpresat e njerëzimit të bindur!

«Le të mos shkojë në gropë!»

11. Çfarë tregojnë për Perëndinë fjalët e Elihut?

11 Në një përgjigje që i jep Jobit, Elihu flet për «një lajmëtar a zëdhënës, një në një mijë, për t’i treguar njeriut se ç’është e drejtë». Po sikur ky lajmëtar «t’i përgjërohet Perëndisë që të gjejë ëndje tek ai»? Elihu thotë: «Atëherë Perëndia do t’i tregojë hir e do t’i thotë: ‘Le të mos shkojë në gropë! Për të gjeta shpërblesë! Mishi iu bëftë më i freskët se në rini! Iu ktheftë gjallëria si në ditët e rinisë!’» (Jobi 33:23-26) Këto fjalë tregojnë gatishmërinë e Perëndisë për të pranuar ‘një shpërblesë’ në dobi të njerëzve të penduar.—Jobi 33:24.

12. Çfarë shprese për njerëzimin në përgjithësi japin fjalët e Elihut?

12 Ndoshta Elihu nuk e kuptonte domethënien e plotë të shpërblesës, ashtu si edhe profetët nuk kuptuan plotësisht gjithçka që shkruan. (Dan. 12:8; 1 Pjet. 1:10-12) Sidoqoftë, fjalët e Elihut pasqyrojnë shpresën se një ditë Perëndia do të pranonte një shpërblesë dhe do ta çlironte njeriun nga pasojat e plakjes dhe nga vdekja. Fjalët e Elihut paraqitnin shpresën e mrekullueshme të jetës së përhershme. Libri i Jobit tregon gjithashtu se do të ketë një ringjallje.—Jobi 14:14, 15.

13. Ç’domethënie kanë për të krishterët fjalët e Elihut?

13 Sot fjalët e Elihut vazhdojnë të kenë domethënie për miliona të krishterë që shpresojnë të mbijetojnë nga shkatërrimi i sistemit të tanishëm. Të moshuarve që do të jenë mes të mbijetuarve, do t’u rikthehet gjallëria si në ditët e rinisë. (Zbul. 7:9, 10, 14-17) Për më tepër, shpresa për t’i parë të ringjallurit të rikthehen në ditët e rinisë, vazhdon të gëzojë besnikët. Sigurisht, edhe pavdekësia në qiell për të krishterët e mirosur, edhe jeta e përhershme në tokë për ‘delet e tjera’ të Jezuit, varen nga besimi që tregojnë në flijimin shpërblyes të Krishtit.—Gjoni 10:16; Rom. 6:23.

Vdekja do të përpihet nga toka

14. Ç’gjë tregon se kërkohej diçka më shumë se Ligji i Moisiut që izraelitët të kishin shpresën e jetës së përhershme?

14 Pasardhësit e Abrahamit u bënë një komb i pavarur kur hynë në një besëlidhje me Perëndinë. Kur u dha Ligjin, Jehovai tha: «Zbatoni ligjet dhe vendimet e mia gjyqësore, sepse kush i zbaton, do të jetojë falë tyre.» (Lev. 18:5) Por meqë nuk mund të arrinin të jetonin sipas normave të përsosura të Ligjit, izraelitët dënoheshin nga Ligji dhe kishin nevojë të liroheshin nga ai dënim.—Gal. 3:13.

15. Për cilin bekim të ardhshëm u frymëzua të shkruante Davidi?

15 Pas Moisiut, Jehovai frymëzoi shkrimtarë të tjerë të Biblës që të përmendnin shpresën e jetës së përhershme. (Psal. 21:4; 37:29) Për shembull, psalmisti David e mbylli një psalm rreth unitetit të adhuruesve të vërtetë në Sion me fjalët: «Jehovai urdhëroi që atje të jetë bekimi i tij dhe jeta në përjetësi.»—Psal. 133:3.

16. Çfarë premtoi Jehovai nëpërmjet Isaisë për të ardhmen «anembanë tokës»?

16 Jehovai e frymëzoi Isainë të profetizonte për jetën e përhershme në tokë. (Lexo Isainë 25:7, 8.) Ashtu si ‘një mbështjellëse’ ose si një batanije që të zë frymën, mëkati dhe vdekja kanë rënduar dhe vazhdojnë të rëndojnë mbi njerëzimin. Jehovai e siguron popullin e tij se mëkati dhe vdekja do të përpihen ose do të zhduken ‘nga e gjithë toka’.

17. Cili rol profetik i Mesisë i hap udhë jetës së përhershme?

17 Të mendojmë edhe për procedurën e caktuar në Ligjin e Moisiut në lidhje me cjapin për azazel. Një herë në vit, në Ditën e Shlyerjes, kryeprifti ‘vinte të dyja duart mbi kokën e cjapit të gjallë e mbi të rrëfente tërë fajet e bijve të Izraelit. Ai i hidhte ato mbi kokën e cjapit dhe cjapi mbante mbi vete tërë fajet e tyre e i çonte në një vend të pabanuar’. (Lev. 16:7-10, 21, 22) Isaia paratha ardhjen e Mesisë, i cili do të kishte një rol të ngjashëm dhe do të merrte mbi vete «sëmundjet», «dhembjet» dhe «mëkatin e shumë njerëzve», duke i hapur kështu udhë jetës së përhershme.—Lexo Isainë 53:4-6, 12.

18, 19. Cila shpresë theksohet tek Isaia 26:19 dhe te Danieli 12:13?

18 Nëpërmjet Isaisë, Jehovai i tha popullit të tij, Izraelit: «Të vdekurit e tu do të jetojnë. Kufomat tona do të çohen. Zgjohuni dhe lëshoni britma të gëzuara, ju që banoni në pluhur! Sepse vesa juaj është si vesa e mëllagës, dhe toka do të lindë edhe ata që vdekja i ka bërë të pafuqishëm.» (Isa. 26:19) Shkrimet Hebraike tregojnë qartë se ka një shpresë për ringjallje dhe për jetën në tokë. Për shembull, kur Danieli ishte gati 100 vjeç, Jehovai e siguroi: «Do të prehesh, por do të çohesh për të marrë pjesën tënde në fund të ditëve.»—Dan. 12:13.

19 Për shkak të shpresës së ringjalljes, Marta mundi t’i thoshte Jezuit për vëllanë e saj që kishte vdekur: «E di se do të ringjallet ditën e fundit.» (Gjoni 11:24) A e ndryshuan këtë shpresë mësimet e Jezuit dhe shkrimet e frymëzuara të dishepujve të tij? A i ofron ende Jehovai njerëzimit shpresën e jetës së përhershme në tokë? Do t’i shqyrtojmë përgjigjet e këtyre pyetjeve në artikullin vijues.

[Shënimi]

^ par. 10 Shih kapitullin 6 të librit Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!

A mund të shpjegoni?

• Në bazë të cilës shpresë krijesa njerëzore ‘iu nënshtrua kotësisë’?

• Ç’gjë tregon se Abrahami kishte shpresë te ringjallja?

• Çfarë shprese japin për njerëzimin fjalët që i tha Elihu Jobit?

• Si e theksojnë Shkrimet Hebraike shpresën e ringjalljes dhe të jetës së përhershme në tokë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 5]

Fjalët e Elihut drejtuar Jobit japin shpresë se njeriu do të çlirohet nga pasojat e plakjes dhe nga vdekja

[Figura në faqen 6]

Danielit iu dha siguria se ‘do të çohej për të marrë pjesën e tij në fund të ditëve’